Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rehabilitimi i skemës së ujitjes me liqenet të Mursisë dhe Janjarit, rikonstruksioni i digave dhe rrjetit prej 60 kilometra të kanalit vaditës kanë siguruar ujitjen e 4000 hektarëve tokë bujqësore në Konispol. Investim i qeverisë shqiptare në kuadër të programit të ujitjes dhe kullimit. Kryeministri Rama  në Mursi.

Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri tha se për Konispolin, ky investim konsiderohet një vepër madhore pasi i ka dhënë zgjidhje problemit  “Është 60 kilometra kanal që fillon nga liqeni i Njanjarit dhe shkon deri në Konispol. Përmirëson me vaditje 4000 hektarë tokë, nga të cilat 1200 hektarë kanë qenë pa vaditje”, – u shpreh kryebashkiaku i Konispolit.

Në digat e liqenit janë vendosur aparatura matëse për të monitoruar situatën  me digat për të shmangur çdo problem, teksa ky projekt do të vijojë me fazën e dytë për shtrimin e tubacioneve për të gjitha sipërfaqet e mbjella.

Zëvendësministri i Bujqësisë Dhimo Kote deklaroi se mbështetja e radhës për fermerët do të jetë përfitimi i naftës për sipërfaqe. “Ndërhyrja që është bërë për uljen e TVSH-së së farave, fidanëve, puna që është bërë për TVSH-në e imputeve bujqësore, dhënia e gjysmës së çmimit të naftës, heqja e akcizës, do të bëjë që vitin tjetër, qeveria shqiptare në projektin dhe në vizionin që ka, është që fermerët do të marrin naftën për sipërfaqe”.

Kryeministri Rama e vuri theksin edhe tek maksimalizimi i punës së fermerë përmes bashkimit të prodhimit të tyre dhe jo dalja në treg të vetëm. “Ju kujtohet nëpër Shqipëri si ishin të gjitha autostradat të mbushura me tendat që shisnin rrugëve. Sot nuk i ke. Janë 183 pika grumbullimi me kushte optimale, shumica e tyre frigoriferike. Produkti shkon në pikën e grumbullimit, bëhet loja me tregun e shitet kur do ti”, – tha Kryeministri.

Në vijim, Kryeministri Rama u mikprit në një prej bujtinave të Konispolit nga disa fermerë të kësaj zone, që Kryeministri e cilësoi si një parajsë të natyrës dhe zhvillimit. “Kush do të dijë çfarë bëhet në Shqipëri për bujqësi të zbresë këtu poshtë dhe të marrë frymë thellë, falë gjithë punës së jashtëzakonshme të njerëzve këtu, por dhe falë gjithë mbështetjes sonë. Puna flet vetë, transformimi flet vetë, shifrat flasin vetë,” – u shpreh Kryeministri.

Konispoli, zona e mirënjohur për prodhimin e agrumeve ka mbi 500 mijë pemë dhe prodhon 40 mijë ton agrume.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.