Rekomandimi i KE për nisjen e negociatave, Mogherini: Shqipëria ka marrë atë që meriton

Pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, Kryeministri Edi Rama në komunikim me mediat me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini:

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita!

Falënderimet kryekreje, për praninë e një miku në këto raste janë një zakon i shkruar protokollar, por, në këtë rast, falënderimi për zonjën e diplomacisë së Europës së Bashkuar është posaçërisht i veçantë dhe i ndjerë, sepse arritja e rezultatit të shumëpritur të rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë është e lidhur drejtpërdrejtë edhe me punën e palodhur të Federica Mogherinit, për të forcuar urën lidhëse mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, si edhe me mbështetjen e saj të paepur për rajonin dhe për Shqipërinë, po ashtu.

Rajoni ynë dhe Shqipëria padiskutim kanë bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara, por ne të gjithë kemi nevojë të posaçme për miq të mirë dhe të vërtetë në Europë, për njerëz dhe faktorë të hapur ndaj nesh, të cilët të njohin historinë tonë, të kuptojnë vështirësitë dhe rëndësinë tonë, po ashtu, për projektin e papërfunduar te Europës së bashkuar, të vlerësojnë ndershmërisht përpjekjet dhe arritjet tona aspak të lehta në rrugën e shtetbërjes europiane në vendet tona dhe padyshim, jo vetëm kaq, por dhe të kenë dëshirën dhe vullnetin të na mbështesin dhe të argumentojnë fort për ne, aty ku ne mungojmë përgjatë kësaj kohe jo fort të favorshme për erën e zgjerimit brenda mureve të Bashkimit Europian, ku është fakt i njohur botërisht, njerëz dhe forca skeptike ndaj politikës së zgjerimit na shohin dhe nuk ngurrojnë edhe të na përdorin kur ua lyp interesi si mish për top për politikën e tyre të mbylljes dhe për interesat e tyre të brendshme të asaj politike.

Federica Mogherini është sot, këtu, pasi ne, Shqipëria ia kemi dalë të hedhim një hap tejet të rëndësishëm historik në rrugën e përpjetë drejt realizimit të një ëndrre kombëtare, e cila e bëri jo rastësisht Shqipërinë, të vetmin vend ish komunist ku lëvizja kundër diktaturës komuniste sloganin e vet kryesor kishte Europën, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Në emër të të gjithëve ne shqiptarëve e falënderojmë me gjithë zemër shefen e diplomacisë europiane për gjithçka ka bërë deri këtu, duke na inkurajuar, duke na kritikuar kur ka qenë nevoja, duke na mbështetur pa rezervë në një rrugë aspak të lehtë.

Shumë, shumë, shumë faleminderit!

Falënderoj me këtë rast edhe Presidentin Juncker, me të cilin kam pasur mbrëmë një telefonatë shumë miqësore dhe inkurajuese, si dhe Komisionerin Hahn, që po ashtu është investuar me mendje dhe me zemër, për ta çuar përpara projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Siç e theksova edhe dje, e përsëris sot, se Shqipëria ka marrë atë që meriton në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizimit të saj, as më shumë, as më pak. Sforcat tona të jashtëzakonshme për të kaluar reformën në drejtësi, për të ligjëruar dhe filluar zbatimin e vetting-ut, për të çrrënjosur kanabisin nga territori i vendit tonë dhe shtrënguar rrethimin e shtetit për krimin e organizuar, duke arritur një shifër rekord sekuestrimesh të aseteve financiare kriminale, për të luftuar korrupsionin dhe reformuar administratën publike, për të krijuar një kornizë shembullore bashkëjetese për minoritetet dhe zgjeruar hapësirat e lirisë së shprehjes janë vlerësuar objektivisht dhe me dhënien e rekomandimit i kanë dhënë Shqipërisë një status të ri shoqëror mes vendeve të familjes europiane. Por ky nuk është fundi i përpjekjeve, por vetëm fundi i një faze dhe fillimi i një tjetre jo më të lehtë, por edhe më të vështirë.

Kapitulli historik që kemi mbyllur dje, me shkrimin dhe me vulën e Komisionit Europian, ia ka lënë sot vendin një tjetër kapitulli historik, që mbetet i gjithi për t’u shkruar. Pastrimi, tanimë i nisur bukur dhe mirë, i sistemit të drejtësisë duhet të vazhdojë e të pasohet më tutje me rezultatet e shumëpritura të ndëshkimit të drejtë të të gjithë atyre që kanë hesape për të larë me drejtësinë.

Kjo është një ndër faqet që duhet shkruar në fletët e bardha të kapitullit të ri.

Pastrimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit dhe kjo përmes vetting-ut të porsafilluar, si dhe rritja sistematike e forcës goditëse të saj ndaj krimit të çdo niveli është një domosdoshmëri përmbajtësore e kësaj faze të re, ku planet dhe fjalët e duhur duhet t’ia lënë gjithmonë e më shumë vendin operacioneve dhe rezultateve të kërkuara.

Pastrimi kapilar i çerdheve të korrupsionit në administratë, rritja e kapaciteteve administrative të vendit dhe rritja tërësore e transparencës dhe e shpejtësisë së shërbimeve administrative në çdo nivel janë një proces që duhet thelluar domosdoshmërisht në rrugën e ndërtimit të një administrate europiane, e cila është ende larg nga kjo që ne kemi sot.

Këto e plot të tjera janë të shkruara në listën e detyrave të reja të Shqipërisë, e cila dje ka marrë një provim të stërvështirë, por sot s’ka më asnjë minutë për të festuar atë çka u arrit, sepse duhet nisur menjëherë nga të katër anët puna e gjatë dhe e stërmundimshme për të ecur sa më shpejt drejt marrjes së diplomës së anëtarësimit.

Në mbyllje dua të prek dhe aspektin politik të procesit në vijim.

Jo të gjithë e shohin me entuziazëm këtë arritje të Shqipërisë dhe dëftesa me shumë peshë e kryerjes së detyrave të kësaj faze nuk u mjafton të gjithëve për të na e hapur rrugën pa na penguar, duke nxjerrë bishta të natyrës subjektive, aty-këtu nëpër shtete anëtare të Bashkimit Europian. Nuk është sekret, dihet botërisht dhe kjo që në disa vende anëtare ka individë, ka forca, që, le ta themi hapur, as nuk e duan zgjerimin dhe as e dëshirojnë përparmin e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit.

Jemi të përgatitur për të dëgjuar dhe çudira në muajt që vijnë, sepse loja politike në këtë proces nuk është ndonjë shkencë e madhe për t’u kuptuar. Ashtu sikundër Shqipëria nuk është ndonjë fuqi e madhe për të mos u trajtuar nga individë, apo forca të tilla, si top për lojëra të brendshme politike andej-këtej. Por këto janë problematika krejt të natyrshme, që do i trajtojmë me qetësi, me vendosmërinë e argumenteve, rast pas rasti dhe dëftesa që kemi në dorë nga dje na e bën pak më të lehtë këtë punë jo të lehtë.

Por sot, unë dua t’i lutem jo si Kryeministër, aq më pak si kryetar i forcës qeverisëse të vendit, por si shqiptar, si qytetar, edhe si koleg po të doni, përfaqësuesve të opozitës sonë që të mos bashkëpunojnë me asnjë faktor të huaj politik, që për interesa të veta të brendshme do që ta pengojë Shqipërinë në këtë proces, të mos ushqejë zyra deputetësh, andej e këtej, me gënjeshtra, me gjysmë të vërteta, që janë nganjëherë edhe më të dëmshme sesa gënjeshtrat dhe të mos eksportojnë baltën e luftës tonë të brendshme politike, por ta lënë mënjanë inatin dhe mllefin politik, kur flasin në gjuhë të huaj.

Unë e ftoj përsëri sot, Lulzim Bashën dhe opozitën, që të bëhemi bashkë, një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi, kur flasim për Shqipërinë jashtë Shqipërisë dhe t’u kërkojmë të gjithë atyre që na vizitojnë në Shqipëri respekt për këtë vend dhe vlerësim për të gjithë këtë punë të bërë për këtë vend.

Nuk kam fituar unë. Nuk ka ftuar qeveria. Nuk ka fituar Partia Socialiste, dje. Ka fituar Shqipëria. Kanë fituar të gjithë shqiptarët, pa dallim, pavarësisht se për kë votojnë, sepse e dinë të gjithë që shqiptarët, të majtë apo të djathtë socialistë, apo demokratë nuk kanë mes tyre asnjë ndasi dhe nuk ia lejojnë vetes të ndahen me njëri-tjetrin, kur vjen puna për këtë ëndërr kombëtare dhe për ta parë Shqipërinë sa më shpejt pjesë të Bashkimit Europian.

Shqipëria i ka boll nëpër Europë ata që duan t’i nxjerrin bishta çdo arritjeje dhe që nuk e kanë problem t’i vënë shkopinj nën rrota. Nuk ka asnjë kuptim që qoftë dhe një shqiptar i vetëm t’u bashkohet këtyre individëve apo forcave, që, për fat të mirë, sot e gjithë ditën janë pakicë në Europën ku ne duam të bëhemi pjesë me të drejta të plota.

Duke iu referuar edhe fjalës së Presidentit Juncker dhe të Presidentit Macron, dje, unë dua t’ia kaloj fjalën Federica Mogherinit, me nënvizimin që sot, ne kemi një detyrë shumë të rëndësishme kombëtare dhe të përbashkët në funksion të atyre vlerave dhe atyre parimeve që e bëjnë Europën kaq atraktive për shqiptarët dhe që ne me vendosmëri dhe me krenari duhet t’i mbrojmë.

Shumë faleminderit!

Federica Mogherini: Urime! Urime, urime të gjithëve!

Jam veçanërisht krenare që sot jam në gjendje t’ju sjell në Tiranë vendimin që Komisioni Europian mori dje, për të dhënë rekomandimin pozitiv për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në mënyrë që Këshilli Europian të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky ishte rezultat i një pune kolektive. Nëse do të hidhja sytë pas, sesi dukej ky vend pak dekada më parë, sa ndryshim keni bërë të gjithë së bashku. Duke qenë se ky ishte një rezultat i përbashkët, mendoj se do të jetë një ditë e një njohjeje kolektive. Është një rezultat i institucioneve të vendit, të gjithë institucioneve, Presidenti, qeveria, Parlamenti, bashkitë, për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Po kështu është një përgjegjësi kolektive për të kryer punën e mëtejshme.

Procesi i zgjerimit gjithmonë mbështetet në meritë dhe ne do ta përsërisim këtë gjithmonë.

Më kujtohet mirë, në mars të vitit të kaluar që ishim krah njëri-tjetrit, kur unë përballë medias u shpreha mjaft qartësisht përballë qytetarëve të Shqipërisë, se Komisioni Europian do të kishte dhënë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, kur zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht vetting-u të fillonte.

Ju e realizuat, ne përmbushëm atë që thamë.

Kështu që vërtet besoj se është një moment mjaft historik në historinë e këtij vendi, por edhe në historinë e Bashkimit Europian, sepse kjo është një punë e përbashkët që ne e kemi bërë në Bashkimin Europian. Do të doja që t’i bashkohesha Kryeministrit, jo vetëm për të falënderuar të gjithë shqiptarët që kanë punuar për arritjen e këtij rezultati, por edhe të gjithë kolegët e miqtë e mi në Bruksel me të cilët kam punuar mjaft ngushtë, Presidentin Juncker, Komisionerin Hahn e të gjithë komisionerët që e kanë mbështetur këtë proces deri tani dhe që mbeten të gatshëm që të vijojnë në rrugëtimin që na pret.

Vlerësimi i Komisionit, që ne miratuam dje, thotë qartësisht se Shqipëria ka përmbushur kushtet që i ishin vendosur në raportin e rekomandimet e fundit, të miratuara një vit e gjysmë më parë dhe Shqipëria është e gatshme për të çelur negociatat, duke mbajtur dhe duke thelluar reformat që janë ndërmarrë. Dhe në fakt, kjo është puna kryesore që ne kemi përpara, thellimi dhe ruajtja e reformave.

Natyrisht është moment festimi, por është dhe momenti për të parë seç punë të mëtejshme duhet të bëjmë së bashku. Për mua është e qarë 100% dhe duke parë llogarinë time në Twitter dhe numrin e të rinjve shqiptarë që bëjnë komente entuziaste aty, që kjo është një punë, e cila duhet të vijojë jo për shkak të Brukselit, por për shkak të njerëzve tuaj. E nëse nuk gaboj, ky është vendi me popullsinë më të re në rajon. E nëse nuk gabohem, ky është një nga vendet e Europës që ka besimin më të lartë në Bashkimin Europian.

Nuk është vetëm një vendosmëri e fortë e popullit shqiptar për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, por është edhe në interes të Bashkimit Europian që ta marrë Shqipërinë të hyjë në bashkimin tonë, kur ajo të jetë gati për këtë dhe shpresoj që do të jetë shpejt.

Pesë përparësitë kyçe, ju i dini përmendësh, do të mbeten elementet kyçe mbi të cilat qytetarët shqiptarë do të vlerësojnë dhe gjykojnë kapacitetet e institucioneve për të përmbushur nevojat e tyre e natyrisht do të mbeten baza për punën tonë të ardhme të përbashkët. Por edhe njëherë më lini të theksoj këtë, puna që është bërë sëbashku në këtë vend, – mbaj mend edhe ndasitë, mbaj mend edhe përpjekjet apo luftërat, – ju siguroj që është momenti për të njohur rezultatin e arritur nga të gjithë bashkë në Shqipëri dhe angazhimi për të punuar sëbashku, qeveria me opozitën, institucione të ndryshme të vendit, të gjithë qytetarët e vendit. Më lini ta theksoj këtë, sepse përpjekja kolektive nuk janë vetëm institucionet, por janë edhe njerëzit.

Të gjithë sëbashku të vazhdojmë këtë punë, që faktikisht do të jetë edhe më e madhe kur të nisin negociatat, sepse, siç e përmendët me shumë të drejtë Edi, ky është një proces që lejon një transformim edhe më të madh të vendit dhe është vendi që e ka transformuar veten më shumë në Europë gjatë dekadës së fundit.

Më lini të bëj edhe dy komente të fundit.

Njëri ka të bëjë me rolin e Shqipërisë në rajon. Më lejoni që të njoh rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë, duke u përqendruar në bashkëpunimin e mirë dhe fqinjësinë e mirë me fqinjët tuaj dhe vendet e tjera në rajon, që është tejet me rëndësi. Siç e kam pasur mundësinë të them dje në Strasburg, në Ballkanin Perëndimor, politika e zgjerimit të Bashkimit Europian kthehet në ADN-në e projektit integrues europian, që është pajtimi dhe paqja, ndaj marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkërendimi dhe bashkëpunimi në rajon është një element thelbësor i arsyes se pse ne jemi bashkuar në Union dhe veçanërisht në këtë rajon besoj se është me rëndësi. Do të doja t’ju thosha, urime edhe për këtë, sepse besoj që po dëshmoni vendosmëri dhe vullnet të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët e tjerë në rajon.

Do të doja të përmendja posaçërisht faktin se Shqipëria është një vend që është 100% në të njëjtën linjë me ne, kur bëhet fjala për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian dhe kjo nuk është pa rëndësi, duke qenë tërësisht të harmonizuar, edhe pse është një terminologji, e cila nuk na pëlqen shumë, sepse ndonjëherë lë mbresë sikur ka një qëndrim të cilit ju i përputheni, por jo, është një qëndrim të cilin e bashkëndajmë në skenën botërore. Kjo është diçka me vlerë dhe e rëndësishme dhe do të doja që të falënderoja jo vetëm ty Edi, por dhe ministrin e Jashtëm për këtë punë të mirë që është bërë sëbashku në këtë fushë.

Ky është një rezultat kolektiv. Kjo është një punë kolektive që duhet kryer në të ardhmen. Bashkimi Europian e ka shoqëruar Shqipërinë, institucionet, popullin e saj gjatë këtyre viteve ndryshimi të thellë dhe to të vijojmë që të ecim në këtë rrugëtim sëbashku, me të njëjtën vendosmëri, me të njëjtin optimizëm, por po ashtu me të njëjtin realizëm dhe me të njëjtën vëmendje nga afër, sesi bëhen hapat njëri pas tjetrit. Kjo nuk është asnjëherë e lehtë, por ju ia arritët, ia dolët dhe jam e sigurt që edhe ajo çfarë do të vijë përpara do të sjellë rezultate të mira për këtë vend.

Faleminderit!

-Për zonjën Mogherini. Ju ktheheni në Tiranë dhe gjeni një klimë politike të ndezur, njësoj si herën e kaluar që keni qenë në Shqipëri, një klimë politike ku opozita bën thirrje për mosbindje civile. Ka një debat në Shqipëri, nëse kjo do të ndikojë, apo ka shanse të ndikojë në vendimin e Këshillit në qershor. Në gjykimin tuaj, a ndikon dhe sa janë shanset reale që Këshilli të japë Okay-in në qershor, që për Shqipërinë të hapen negociatat.

Zoti Kryeministër, një nga vendet skeptike është edhe Gjermania. Deputetë gjermanë kanë thënë publikisht edhe në Shqipëri se ky skepticizëm i tyre lidhet edhe me qasjen e qeverisë ndaj çështjes Tahiri, kërkesës së prokurorisë për autorizim për arrestim të ish ministrit të Brendshëm. Sa mendoni se kjo mund të ndikojë dhe nëse do të ndikojë në vendimin e Gjermanisë, a jeni të gatshëm ju të mbani përgjegjësi për këtë?

Federica Mogherini: Unë do të takohem gjatë ditës më vonë me opozitën. Mesazhi im për ta do të jetë saktësisht i njëjti si mesazhi im për qeverinë, për Kryeministrin dhe mesazhin që sapo e ndava mjaft hapur, me transparencë. Ky nuk është rezultat i njërës parti apo tjetrës, ky nuk është rezultat për qeverinë, opozitën, një institucion apo një tjetër. Është një rezultat që besoj se të gjithë ata, të cilët kanë punuar, do të thosha gjatë dekadës së fundit, për të transformuar vendin kaq thellësisht, mund të festojnë sot. Jo vetëm të marrin meritën për të, por edhe përgjegjësinë kur bëhet fjalë për të ardhmen.

Nuk ka asnjë mënyrë, por dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e BE-së që rrugëtimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian të jetë përdorur nga njëra parti apo tjetra. Kjo është një përpjekje kombëtare dhe nëse e lexoj si duhet shoqërinë shqiptare, shoh mjaft unitet mes njerëzve të këtij vendi, kur bëhet fjalë për aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kështu që besoj se kjo është në interes të shumicës dhe pakicës, të qeverisë dhe opozitës, për të bashkuar forcat e për të hedhur hapat drejt ruajtjes dhe thellimit të reformave në të gjithë sektorët që janë kyç për procesin në vijim.

Do më duhet të them se, nëse Shqipëria dha rezultate në reformën e drejtësisë, në procesin e vetting-ut, kjo ndodhi sepse forcat politike u bënë bashkë. Ndaj vërtetë kur them ju realizuat, e kam fjalën, të gjithë ju realizuat. Kërkoi kohë, por unë vij nga një vend ku ne e kuptojmë shumë mirë kompleksitetin e marrëdhënieve mes forcave politike, por ky nuk është momenti që unë të komentoj diçka të tillë. Megjithatë aspirata e qytetarëve tuaj vjen e para dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për një ëndërr që kalon breznitë dhe mund të përmbushet, e përsëris, kjo nuk është çështje e partive politike, e qeverisë, apo opozitës. Kjo është përpjekje kombëtare.

Kur bëhet fjalë për perspektivën e mbledhjes së Këshillit Europian në qershor, është shumë e qartë. Sot, dje më saktësisht, Komisioni Europian u shpreh se vlerësimi që ne bëjmë dhe kjo i takon Komisionit, është se kushtet janë përmbushur dhe se Shqipëria është gati për të nisur negociatat dhe me një rekomandim qartësisht pozitiv për Këshillin që të marrë vendimin, duke presupozuar që reformat do të vazhdojnë, do të ruhen e do të thellohen. Ky  pra është një rekomandim i pakushtëzuar në terma teknike, duke presupozuar se gjërat do të vazhdojnë në mënyrën siç i kemi parë të vazhdojnë gjatë këtij viti e gjysmë, me ritmin dhe thellësinë e reformave, me fokus të posaçëm në arritjen e rezultateve konkrete. Më pas i takon Këshillit Europian që të marrë vendimin, por sërish, siç ju thashë, politika e zgjerimit mbështetet në vlerësimin e mbështetur në meritë dhe gjithashtu edhe vlerësimit teknik që i takon Komisionit dhe ne e bëmë këtë vlerësim dhe rezultati ishte pozitiv.

Unë mendoj që kemi lajm shumë të mirë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe qartësisht, siç e thashë, jo domosdoshmërisht është dhuratë, sepse puna ka qenë shumë e madhe e do të jetë shumë e madhe, por unë mendoj se Shqipëria është mjaft e vetëdijshme se çfarë nënkupton reformimi dhe shndërrimi në thellësi i një vendi, sepse e keni bërë këtë. E kjo ka të bëjë me faktin që duhet të vazhdohet të bëhet më shumë.

Imazhi që kam, – por që tani nuk më vjen terminologjia në anglisht, nuk e di a do të më lejoni pak italisht dhe po të donin në Shqipëri, shqipen duhet ta studioj, – imazhi që kam është linja e nisjes së Formula 1. Semaforin e kemi në dritën e gjelbër dhe fillon gara. Por kjo është shumë e rëndësishme. Këtu fillon gara. E di që këtu flitet shumë për ata që kanë ecur më përpara e ata që kanë ecur më pak më përpara. Natyrisht që në këto vitet e fundit kemi pasur dy vende të rajonit që janë në negociata, ndërkohë që tashmë është hapur drita e gjelbër edhe për dy vende të rajonit që të nisin garën.

Kryeministri Edi Rama: Meqë Federica e mbylli me Ferrari-n, unë po e filloj me Mercedes-in. Gjermania nuk është një vend skeptik për zgjerimin, përkundrazi, Gjermania është një vend kampion i projektit të Europës së Bashkuar dhe Kancelarja gjermane është në krye, prej vitesh, të një procesi ku jo rastësisht, ajo ka marrë dhe lidershipin për të shpallur një raport të ri me Ballkanin Perëndimor. Kështu që t‘i bëjmë të qarta këto dallime, që mos ngatërrohemi me këmbët tona. Në Gjermani si dhe në vendet e tjera ka individë që janë skeptikë dhe ka forca që janë kundër zgjerimit. Një forcë që ka hyrë së fundi në parlamentin gjerman është një kërcënim për projektin europian, e cila fatmirësish është jashtë vendimmarrjes së koalicionit qeverisës. Por edhe brenda koalicionit ka individë që ne i njohim, të lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Shqipërisë, që ushqehen rregullisht nga propaganda për të cilën unë fola në fjalën time hyrëse. Ashtu sikundër ka dhe ndonjë që ka ardhur e ka bërë fushatë kundër nesh në qershorin e kaluar dhe është normale, nuk ka asnjë problem.

Ajo që është e rëndësishme është që ne të përballemi me argumentet. Sepse në këtë proces vlejnë argumentet dhe është shumë e rëndësishme që ne të arrijmë të shpjegojmë se në procesin e Saimir Tahirit, Kuvendi dhe shumica qeverisëse ka zbatuar në frymë dhe në germë gjithçka Komisioni i Venecias ka nënvizuar lidhur me rastet kur një komision i posaçëm në parlament thirret në detyrë për të trajtuar çështjen e arrestit, apo të masave të parashikuara për një deputet.

Së dyti, ne e kemi thënë që ditën e parë dhe unë e përsëris sot, meqë pyetët, ne po presim që prokuroria të rikthehet me të paktën një provë, jo dhjetë, një provë të vetme dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda është larg, shumë larg së qeni një trupë që mund të konsiderohet e influencueshme nga cilido qoftë, përsa i përket anës së shumicës, nëse teorikisht mund të pranojmë spekulime për mundësinë e influencës.

Së treti, po e përsëris, është gjëja më e lehtë që të nxirren bishta e të nxirren alibira e të krijohen pseudo argumente përballë faktit që Shqipëria i ka bërë njëpërnjë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe ka marrë dëftesën nga Komisioni më i pamëshirshëm i provimeve, që ekziston në Europë, nga Komisioni Europian, që nuk bën dhurata, që nuk ka lidhje fare me asnjë lloj ndjenje bujarie, por që shikon vetë, njëpërnjë, detyrat dhe zbatimin e detyrave. Pra, në këtë aspekt, ne kemi bërë detyrën tonë. Tani jemi në fushën e politikave, të interesave, të lojërave, të fijeve e kështu me radhë, në një Europë që nuk jeton momentin e vet më të mirë në raport me erërat e zgjerimit. Thënë të gjitha këto, unë ju siguroj se Shqipëria sot nuk është ajo që ishte dje. E në këndvështrimin tim, ne sot, jo vetëm që jemi gati, por ne sot hymë në një fazë të re, konkrete, të përgatitjeve për t’u ulur në tryezën e negociatave.

Përpjekje për të na penguar, për të na vonuar, për të na ndaluar jo për arsyen tonë, por për arsye nga më të ndryshmet, do ketë patjetër në këtë proces. Ne do t’i kapërcejmë të gjitha, nuk diskutohet. Rëndësi ka që ne kemi marrë dëftesën e provimit të pastër, të qartë, të drejtpërdrejtë. Teori dhe pastaj akrobacira politike lidhur me “si”, “qysh”, “pse”, me të tjerë që duan të bëjnë rolin e Komisionit, ndërkohë që Komisioni e ka të përcaktuar rolin e vet, apo që duan të mbivendosen në momente të caktuara për histori që nuk kanë lidhje me të tonat, janë pjesë e kësaj bote ku jetojmë, por e sigurt është që semafori është jeshil dhe ne do ta çojmë garën deri në fund, me mbështetjen e Ferrari-t, Mercedes-it, Renault dhe gjithë këtyre skuderive të pathyeshme, ne do i kapërcejmë të gjitha vështirësitë dhe elementë që mund të hyjnë e mund të dalin pa leje në rrugën tonë.

-Pasi u fol për Ferrari-n, u fol edhe për Mercedes-in, Peugeot, do thosha unë, por mbase e ul pak pazarin, doja t’ju pyesja për deklaratën e Presidentin Makron, zoti Rama. Ai ka deklaruar dje se përpara se të mendojë për zgjerimin, Unioni duhet të shikojë të zgjidhë problemet e brendshme. Si e shikoni ju këtë deklaratë të Presidentin francez dhe çfarë mendoni se kërkon Franca nga Shqipëria, që t’i japë mbështetje në qershor, në mbledhjen e Këshillit?

Kryeministri Edi Rama: Sëbashku me Kancelaren gjermane, Presidenti Makron është një tjetër kampion i europianizmit dhe i politikës së zgjerimit, kjo dihet. Janë dy personalitete të mëdha europiane, që janë zgjedhur sëfundmi me një axhendë të qartë pro europiane dhe kanë sprapsur valë antieuropianizmi në betejat e tyre elektorale. Kështu që Franca nuk është skeptike ndaj zgjerimit, ashtu sikundër Gjermania. Presidenti Makron e ka shpallur pa u bërë president, idenë e tij për thellimin e një procesi reformimi të Bashkimit Europian, gjë që e rimori në fjalimin e djeshëm dhe absolutisht dakord me të.  Bashkimi Europian duhet të hyjë në një fazë të re reforme dhe për ta thënë me fjalët e tij, duhet të thellohet para se të zgjerohet. Këtu, ne nuk jemi në ditën që po kërkojmë të bëhemi anëtarë. Ne jemi në ditën që po kërkojmë të ulemi në tryezë për të negociuar anëtarësimin dhe ajo që unë do t’i shtoja asaj që tha Presidenti Makron është, Europa thellohet me veten, ne thellohemi me veten dhe ecim paralelisht, ne duke u thelluar në procesin e negociatave, ata duke u thelluar në reformonin e tyre dhe si dy forca të thelluara takohemi në momentin kur vjen dita e zgjerimit.

Sot nuk diskutojmë për këtë. Sot diskutojmë për negocimin. Mos të harrojmë që sot, në Ballkan negocion Serbia, negocion Mali i Zi dhe është absolutisht e papranueshme që pas rekomandimit pozitiv të marrë dje të mos përfshihet në negociatë edhe Shqipëria dhe Maqedonia, pa llogaritur faktin që ashtu sikundër thuhet në paketën e zgjerimit, ashtu si thuhet dhe në raportin e djeshëm, Shqipëria konsiderohet një model për t’u zgjeruar në rajon, kur vjen puna tek reforma në drejtësi. Flasim për vende që negociojmë dhe këtu do jemi dhe do shohim shumë shpejt sesi vetting-u do shkojë edhe në Beograd dhe sesi do shkojë edhe në Podgoricë. Sigurisht do ta çojnë miqtë që kemi këtu, jo ne, si një model suksesi. Pra, unë nuk shoh problem, në kuptimin që kemi një vend të tërë që është skeptik, unë shoh problem faktin që ka dinamika të brendshme që janë tani pjesë e të tërës dhe është normale, kjo është jeta reale e Europës.

Ne tani jemi me dëftesën në dorë dhe do shkojmë derë më derë e do themi ç’punë kemi ne me ato probleme që ju i keni tuajat, por nuk mund t’i transferoni mbi ne. Të mos harrojmë që ka zgjedhje vitin e ardhshëm e të mos harrojmë që ka pasur vonesa në proces dhe jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për të tjerët, kur ka pasur zgjedhje këtu e zgjedhje atje, prit të mbarojmë njëherë zgjedhjet”. E kjo është bota reale. Nuk jemi duke shkuar në parajsë, jemi duke shkuar në një vend më të mirë sesa ky që jemi sot në histori, që është Bashkimi Europian.

Ajo që në fund ka rëndësi është ajo që Federica nënvizoi dhe që ne e kemi thënë që në faqen e parë të kapitullit të programit tonë elektoral të vitit 2013. Për ne, integrimi europian është një rrugëtim brenda nesh, për ta bërë Shqipërinë europiane këtu, sepse këto reforma që bëjmë e këto detyra që kryejmë nuk janë një proces që ne e bëjmë sepse duhet t’i bëjmë qejfin Brukselit, apo se na e kërkojnë forca të huaja. E bëjmë sepse këto janë instrumentet me të cilat ndërtojmë Shqipërinë e re, Shqipërinë moderne, Shqipërinë europiane, Shqipërinë me gjykata europiane, Shqipërinë me administratë europiane, Shqipërinë me policinë europiane dhe me shërbime europiane. Bëhet për këtu dhe negociatat – këtu jam dakord me Lulzim Bashën, –  shtojnë presionin mbi vendin e mbi të gjitha mbi qeverinë, për t’i bërë gjërat më thellë dhe më mirë dhe për ta çuar deri në fund një proces të nisur.

Kështu që kjo është për ne dhe ne, sot jemi në një pozicion tjetër. Tani përballemi me jetën reale politike të Europës, sepse hyjmë si një faktor që shumëkënd e kënaq, disa i turbullon dhe disa të tjerë e shohin si mish për top, që hajde tani të hapim ndonjë betejë me Shqipërinë, të fitojmë ndonjë votë në këtë landin pranë. Jeta reale!

Zonja Mogherini, siç edhe e përmendët, vlerësohet gjithmonë roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon, po ashtu është vlerësuar dhe në çdo raport linjëzimi i politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE-së. A mendoni se ky është kriter që Shqipëria të marrë një vlerësim pozitiv në qershor për çeljen e negociatave, duke pasur parasysh që edhe shumë vende që tani janë duke negociuar me Bashkimin Europian e shpërfillin këtë qasje?

Federica Mogherini: Së pari më lini t’ju them se nuk e kisha dëgjuar ndonjë herë fjalën “e pamëshirshme”, kur bëhet fjalë për punën time. Flasim për një makineri, nuk e marr personale. Thjesht për ta theksuar që po, mund ta quani mbështetur në meritë, mund ta quani të rreptë, ky është ushtrimi, procesi që është zhvilluar dhe natyrisht ka qenë i rreptë, apo i pamëshirshëm, mund ta quani si të doni, por ka qenë i mbështetur në kritere të qarta e në një vlerësim mjaft të rreptë teknik.

Vërtet vendimi që morëm dje, për të dhënë një rekomandim pozitiv, është një hap tejet i rëndësishëm në një proces, i cili nuk ka nisur dje, pasi në të kundërt nuk do të ishit këtu e nuk do të përmbyllet nesër. Mendoj se është e qartë për të gjitha vendet që janë anëtarësuar në BE, që kjo nuk lidhet me plotësimin e këtyre kutive, por është transformimi dinamik i shoqërive që është më i vështirë sesa thjesht t’u përgjigjesh disa pyetësorëve. Është një proces real transformimi.

Kur bëhet fjalë për dinamikat rajonale dhe marrëveshjet dypalëshe, është një element vërtetë i rëndësishëm, jo vetëm në vlerësimin që prodhon Komisioni, por gjithashtu dhe në vendimet politike që merr Këshilli, sepse, siç e dimë Këshilli i merr vendimet njëzëri. Më lini t’ju them se është tejet me rëndësi, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, për shkak të arsyeve gjeografike dhe jo vetëm atyre historike. Për mua, kjo nuk është as çështje e zgjerimit, por është çështje e ribashkimit të një kontinenti. Nuk ka as edhe një vend të vetëm në rajon, i cili të mos jetë në kufi me Bashkimin Europian, pra, është e rrethuar nga shtete anëtare të Bashkimit Europian.

Kjo ka të bëjë me ribashkimin e kontinentit tonë, ndaj është shumë e rëndësishme që të bëjmë përpjekje të mëdha, të tregojmë vullnet të mirë dhe kompromis për të zgjidhur çështjet dypalëshe që janë të hapura. E më lini këtu të lavdëroj punën që është bërë e që është në vazhdim e sipër, sidomos me Greqinë, që mendoj se është tejet e rëndësishme, tejet pozitive dhe që e inkurajoj tërësisht dhe shpresoj që do të finalizohet sa më shpejtë të jetë e mundur. Pavarësisht procesit të zgjerimit, natyrisht ka rëndësi edhe për këtë proces, por sepse besoj realisht se të kesh kurajën, mençurinë dhe pragmatizmin për zgjidhjen e çështjeve të së kaluarës në mënyrë konstruktive është mënyra më e mirë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për vendet përkatëse dhe për Europën tonë të përbashkët, sidomos për një vend të tillë që është kaq i ri dhe më lini ta theksoj rëndësinë e kësaj.

Më lini të them edhe një fjalë lidhur me debatin për të ardhmen e Europës. E përmenda dje në Strasburg dhe gjithashtu dëgjova dhe fjalimin e Presidentit Makron, një fjalim i shkëlqyer se përse kemi nevojë për Unionin dhe pse harrojmë herë pas here. E parë nga jashtë, më lini t’ju them, ju mund të kujtoni në mënyrë të përsosur se pse kemi nevojë për Bashkimin Europian dhe është një vlerë e shtuar e këtij procesi që ne e kemi sëbashku, që duke e parë veten tonë nëpërmjet syve tuaj kuptojmë më mirë se çfarë kemi, cila është vlera e asaj që kemi dhe çfarë kemi për të humbur. Mendoj se është gjë e mirë që debati për të ardhmen e Bashkimit Europian, çështjeve institucionale si mund të funksionojë më mirë, në 28 anëtarë apo 27 më pas, mund të shkojë krah për krah me procesin e ribashkimit të kontinentit. E thashë, nuk është mister që këndvështrimi im personal është që e ardhmja e Bashkimit Europian nuk do të jetë 27, do të jetë më shumë se 27, sepse po negociojmë tashmë me disa vende dhe jemi gati të negociojmë me të tjera. Kështu që është një çështje serioze ajo që ka ngritur Presidenti Makron, për mënyrën sesi Bashkimi Europian të reformojë veten që të funksionojë më mirë dhe tashmë me 28 anëtarë apo nesër me 27, apo dhe më tej nesër, me 30 e kështu me radhë.

Thashë edhe diçka jokonvencionale dje, në Strasburg, që nuk e kam problem ta përsëris këtu. Edhe duke konsideruar Europën e dy shpejtësive, asnjë nuk mund të garantojë që ata që janë anëtarë aktualisht të Bashkimit Europian do të jenë automatikisht në rrethin e parë të shpejtësisë dhe shtetet anëtare të reja, në të ardhmen do të jenë automatikisht në rrethin e dytë. Mund të ndodhë që disa shtete anëtare, nëse arrijnë në këtë lloj alternative, pra, mund të ndodhë që ato shtete anëtare që sot janë shtete anëtare mund të kenë një rol të ndryshëm. Ndërkohë që shtetet e ardhshme anëtare mund të vendosen të bëjnë më shumë e më shpejt, për t’ju kthyer krahasimit me Formula 1.

Me gjasë, 3-4 vjet më parë askush nuk do ta përfytyronte që një anëtare solide si Mbretëria e Bashkuar do të dilte, kështu që ajo çka ka rëndësi është që ne të fokusohemi tek vullneti i njerëzve tanë, tek vullneti i njerëzve tuaj, tek e ardhmja e vendit, tek e ardhmja e rajonit dhe do ta përsëris këtë, tek ruajtja dhe thellimi i reformave që keni nisur dhe dhënia e rezultateve. Unë mendoj që është njësoj si ti japësh biçikletës dhe nuk rri në vend, se po të rrish në vend, rrëzohesh, pra, duhet të vazhdosh të pedalosh.

Kjo është ajo çfarë kemi dhe është në fakt një moment shumë i mirë.