Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e Kryeministrit Edi Rama dhe Ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, pas dorëzimit të Raportit të Progresit të Komisionit Europian:

Ambasadori Soreca: I nderuar Kryeministër!

Zonja e zotërinj!

Në qershor të vitit 2018, Këshilli i Bashkimit Europian i dha përgjigje pozitive progresit të arritur nga Shqipëria për 5 prioritetet kyçe dhe përveç kësaj, Këshilli shtroi edhe rrugën drejt çeljes së negociatave në qershor të vitit 2019.

Kjo rrugë për Shqipërinë do të thotë ruajtja, por edhe thellimi i reformave dhe i energjisë për reformat, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit. Që atëherë Komisioni Europian i ka monitoruar imtësisht zhvillimet në Shqipëri.

Raporti i miratuar sot është mbështetur në një sërë kontributesh që variojnë që nga qeveria e Shqipërisë, shtetet anëtare të Bashkimit Europian, delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, Komisioni Europian, raportet e Parlamentit Europian, organizatat e shoqërisë civile, si dhe komuniteti  biznesit në Shqipëri.

Vlerësimi që kemi botuar sot është se Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm, domethënës në fushat e caktuara nga Këshilli në qershor 2018.

Duke u mbështetur te ky përparim i rëndësishëm, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni i rekomandon Këshillit që ky i fundit të çelë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë tani dhe pa kurrfarë kushtëzimi.

Nuk do të hyj në të gjitha hollësitë e raportit, megjithatë më lejoni që të përmend disa elementë të rëndësishëm që kanë qenë motivim për vendimin tonë.

Së pari, zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar në mënyrë konsistente. Kemi pasur institucione të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, të cilat janë ngritur. Rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si vettingu, ka avancuar duke dhënë më shumë se 140 vendime.

Së dyti, lufta kundër krimit të organizuar. Për të, keni pasur operacione policore, për të goditur organizatat kriminale, operacione, të cilat janë intensifikuar. Disa operacione kanë sjellë arrestime dhe një numër aktakuzash të rëndësishme dhe dënimeve që janë bërë tashmë. Ka pasur intensifikim të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, në veçanti me shtetet anëtarë të BE-së, gjë që ka çuar në një sërë operacionesh të mëdha ndërkufitare për sundimin e ligjit.

Së treti, sa i përket antikorrupsionit, ngritja e Task-forcës Antikorrupsion ka rritur procesin proaktiv të hetimeve administrative, ndërkohë që procesi i vetting-ut ka çuar në largimin nga detyra të një numri të gjyqtarëve të korruptuar të nivelit të lartë, duke përfshirë këtu edhe ato në nivel të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Së katërti, në lidhje me migracionin, numri i kërkesave të pabazuara për azil, të cilat janë bërë nga qytetarët e Shqipërisë në BE ka rënë, pavarësisht se mbetet i lartë në disa shtete anëtare dhe kërkon edhe përpjekje të përbashkëta e të vazhdueshme.

Një zhvillim i rëndësishëm këtu për Shqipërinë është që ka qenë vendi i parë jo anëtar i Bashkimit Europan që ka nënshkruar dhe ka filluar zbatimin e një marrëveshjeje me BE-në dhe me Agjencinë Europiane të Kufirit dhe të Rojës Bregdetare dhe kemi dhe rezultatet e para operative të këtij bashkëpunimi që po vijnë këto ditë.

Së pesti, Shqipëria, sa i përket të drejtave themelore ka bërë përpjeke për të përmbushur detyrimet që kanë të bëjnë me instrumentet e BE dhe ato të tjera ndërkombëtare ligjore e sidomos në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe të dhunës në familje, ndërkohë që duhet bërë ende punë për të ecur përpara në lidhje me një fushë të rëndësishme të të drejtave që ka të bëjë me të drejtat e pronësisë.

Së gjashti, për administratën publike, përpjekjet duhet përmirësuar për kuadrin rregullator, gjë që çojnë në politika vlerësuese dhe në procedura më transparente.

Më lejoni të sqaroj një gjë që është shumë e rëndësishme, vendimi i Komisionit Europian për të konfirmuar rekomandimin pozitiv është mbështetur në progresin e mjaftueshëm që i duhet një shteti që të bëjë dhe rezultateve që duhet të tregojë për të çelur negociatat. Ky nivel progresi, ecurie, përparimi, qartësisht nuk është i njëjtë me atë që Shqipëria do duhet të tregojë dhe të arrijë në të ardhmen për t’u bërë shtet anëtar. Kjo do të ndodhë në fund të negociatave. Kështu që çelja e negociatave për këtë arsye përfaqëson fundin e fillimit dhe jo fillimin e fundit.

Po ashtu ka disa sfida, të cilat mbeten në aspektin afatgjatë dhe që duhen konsoliduar përsa i përket progresit, në veçanti në dy fusha:

Së pari, që Shqipëria duhet të vazhdojë të ndërtojë më tepër mbi këtë historik solid në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;

Së dyti, nevoja për një konsensus të fortë kombëtar për prioritetin madhor të integrimit europian, duke tejkaluar kështu polarizimin dhe duke treguar kështu vullnet politik të fortë, për të kaluar përtej ndasive partiake.

Kjo përpjekje e përbashkët do të thotë që të gjitha partitë duhet të jenë të bashkuara sa i përket objektivit të integrimit europian dhe të lënë mënjanë ndasitë e tyre.

Prandaj, ne ritheksojmë thirrjet që kemi bërë gjatë muajve të fundit të gjitha partive, për t’u angazhuar në dialog në të mirë të interesit publik, që është mbi të gjitha.

Sot, Shqipëria ka arritur një gur kilometrik shumë të rëndësishëm. Unë dëshiroj ta uroj Kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për arritjet e tyre dhe që morën rikonfirmimin e rekomandimit pozitiv të Komisionit për të çelur negociatat e anëtarësimit.

Mbështetja e madhe popullore dhe besimi në BE e ka ndihmuar Shqipërinë në mënyrë sistematike për të shtyrë përpara dhe për të konsoliduar procesin e reformave të paprecedenta që ju po bëni. Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të tregojnë që janë një nga vendet e Europës me besimin më të lartë në BE.

Çelja e negociatave dhe fillimi i procesit të shpjegimit të legjislacionit të BE do të lançojë një proces të gjatë intensiv për të gjithë vendin, që ka të bëjë me sektorë të ndryshëm të jetës politike, publike dhe ekonomike të vendit, për të arritur standardet e BE. Është e qartë pra, që ka ende shumë reforma që duhen bërë, por që duke pasur parasysh progresin e arritur do të thotë që KE ka marrë vendimin që Shqipëria është gati për hapat e tjera. Hapat e tjera do të thotë që shtetet anëtare në Këshill tani do të vlerësojnë progresin e bërë në bazë të këtij raporti vjetor.

Tre javët në vijim të diskutimeve do të jenë kyçe. Çdo shtet anëtar duhet të jetë plotësisht i bindur dhe çdo shtet anëtar ka procesin e vet të vendimmarrjes për këtë çështje. Kështu funksionon BE dhe kështu është mënyra se si do të merret vendimi përfundimtar.

Prandaj, ne inkurajojmë të gjithë sistemin politik shqiptar, qeverinë, por po ashtu edhe opozitën të kontribuojnë për këtë objektiv, duke komunikuar me të gjithë partnerët tuaj në shtetet anëtare të BE, që të shpjegoni se çka arritur Shqipëria dhe që të vazhdojë të ndërtohet besimi te Shqipëria dhe tek e ardhmja jonë e përbashkët.

Faleminderit!

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Për ne, për hir të së vërtetës, kjo nuk është një surprizë. Është një afirmim i faktit se i kemi bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë dhe pikërisht pse i kemi bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë, Komisioni Europian, i cili është mekanizmi më i besueshëm lidhur me vlerësimin e ecurisë së një vendi, sot ka konfirmuar rekomandimin pozitiv pa kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Faktikisht, vitin e shkuar, Shqipëria mori një rekomandim pa kushte nga Komisioni dhe Këshilli Europian vendosi që në qershorin e 2019-ës, pra, në qershorin që po troket, të zyrtarizojë çeljen e negociatave për anëtarësim dhe në dhjetor të nisë procesi me konferencën ndërqeveritare.

Çka është e rëndësishme për ne, çka është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët është se përsëri Komisioni ka konfirmuar progres dhe bazuar në fakte, në shifra, në analiza ka rirekomanduar çeljen zyrtare të negociatave.

Ndërkohë që, ndryshe nga çfarë ka ndodhur në të shkuarën me vende të tjera, Shqipëria “de facto” ka filluar procesin “screening”, që është një proces që nis pas çeljes zyrtare të negociatave, tradicionalisht.

Pra, nga pikëpamja, – është shumë e rëndësishme kjo për t’u thënë e për t’u kuptuar, – e procesit në vetvete, Shqipëria nuk ka humbur asnjë minutë. Ky vit, nga viti i shkuar kur u dha rekomandimi i parë, në këtë ditë kur jepet rekomandimi tjetër, ka qenë një vit pune intensive me Komisionin në aspektin e skanimit të të gjithë aspekteve të legjislacionit, siç ndodh, apo ka ndodhur me të gjitha vendet që kanë çelur negociatat.

Ky është hapi i parë.

Hapi i dytë konfirmues është Këshilli Europian, pra, mbledhja e të gjithë udhëheqësve politikë të Bashkimit Europian.

Por dallimi është i qartë.

Në hapin e parë, kriteret janë objektive, gjykimi është objektiv.

Në hapin e dytë, gjykimi është politik.

Për këtë arsye, në këtë kohë të mbetur deri në mbledhjen e Këshillit Europian, ne do bëjmë gjithçka që të influencojmë gjykimin politik.

Me shumë kënaqësi, me thënë të drejtën, kam lexuar sot që në mëngjes një editorial, të botuar në një nga gazetat më prestigjioze të Europës, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, nga ana e ministrit të Shtetit për Europën të Republikës Federale të Gjermanisë, i cili në mënyrë të admirueshme ka përcaktuar kornizën e patjetërsueshme në bazë të së cilës Gjermania dhe të gjitha vendet anëtare duhet të çelin negociatat me Shqipërinë, duke nënvizuar aspektin më të rëndësishëm të këtij procesi në këtë fazë, – sepse jam 100% dakord me ambasadorin, që në këtë fazë jemi në kushtet kur kemi realizuar progresin e nevojshëm, por kjo s’do të thotë që kemi realizuar progresin e mjaftueshëm për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian, ky është një proces që vazhdon, – ka nënvizuar Reformën në Drejtësi, duke, shprehimisht citoj: komunikuar për publikun faktin se reforma jonë në drejtësi është unike, gjë që konfirmohet edhe nga fakti se për Komisionin, për aktorë të tjerë të rëndësishëm, reforma jonë në drejtësi është një model për t’u shtrirë në rajon.

E pres me kuriozitet momentin kur do t’i kërkohet vendeve të tjera të rajonit, edhe atyre që po negociojnë, që të bëjnë të njëjtën gjë, që të bëjnë vetting-un e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, ama, me monitorim ndërkombëtar kushtetues. Ditën kur një vend tjetër do ta fusë në Kushtetutë, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, më lajmëroni, do jetë një ditë shumë e gëzuar për mua.

Thënë këto, dua që t’i qëndroj besnik bindjes dhe sjelljes time në gjuhë të huaj, edhe pse po flas shqip sot, por këtu jemi në një konferencë ndërkombëtare nga pikëpamja e gjuhëve, të mos flas për opozitën në gjuhë të huaj, pra, përkthyesi të mos përkthejë nga unë në gjuhë të huaj asgjë për opozitën. Ama një gjë është e sigurt nga raporti dhe këtë e kam apel për Lulzim Bashën dhe për atë pjesë të opozitës që është rrugëve:

Deri në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Europian është mirë që të mendojnë për Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër, jo për zgjedhjet e radhës.

Është mirë që të mos furnizojmë ata, të cilët mund të jenë të lëkundur, apo mund të jenë në kërkim të arsyeve për të thënë “Jo” me pamje të gënjeshtërta, që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana, protestash që janë partiake, nuk janë popullore.

E fundit që kam është, ne e kemi lexuar me shpejtësi, për kohën që kemi pasur, raportin. Do ta lexojmë me shumë vëmendje. Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme do të paraqesë në qeveri, në mbledhjen e radhës, një plan veprimi për të gjithë, lidhur me problematikat që ngrihen në raport.

Kështu që mendoj se është momenti për t’jua lënë gazetarëve radhën të bëjnë pyetjet e tyre, por përpara pyetjeve, unë dua që Ambasadori të më dorëzojë zyrtarisht raportin, sepse është një moment i rëndësishëm dhe çdo moment i rëndësishëm ka një ceremoni të rëndësishme.

Ndihuni të lirë të bëni të gjitha pyetjet tuaja, për temën për të cilën jemi këtu sot.

Duke qenë se ju thatë zoti Rama, që Këshilli do të marrë një vendim politik dhe besoj që për të marrë këtë vendim politik, do t’i referohet dhe situatës politike në Shqipëri dhe duke qenë se ju thatë që nuk flisni në gjuhë të huaj për opozitën, unë po ju pyes për Presidentin e Republikës. Ai është shprehur i gatshëm për të ndryshuar datën e zgjedhjeve. A do ta shfrytëzoni ju këtë mundësi që ju jep Presidenti i Republikës duke patur parasysh që dje mungoi letra juaj për Lulzim Bashën? A po kërkoni ju rrugë të reja për të komunikuar me opozitën? A mund të ishte ky propozim i President të Republikës një nga rrugët?

-Pyetje për ambasadorin, e cila në fakt lidhet sërish me krizën politike në vend. Kemi parë një iniciativë të partive të koalicionit qeverisës në Gjermani, të gatshme për të negociuar krizën në Shqipëri. Nga Bashkimi Europian do të ketë një iniciativë apo e injoroni krejtësisht këtë mundësi?

 Ambasadori i Delegacionit të BE Luigi Soreca: Pjesa e parë ishte për Kryeministrin, megjithatë unë do t’i përgjigjem pyetjes së dytë. Së pari, më lejoni të sqaroj që Kryeministri, përmendi që qeveria e Gjermanisë, me anën e ministrit të shtetit, sot e ka treguar shumë qartë pozicionin dhe qëndrimin e vet. Kam lexuar po ashtu edhe unë deklaratat e dhëna nga dy anëtarë të një partie të Bundestagut dhe po ashtu kam lexuar më pas edhe çfarë ka thënë një anëtar tjetër i Bundestagut, i po të njëjtës parti që është në drejtimin tjetër. Nuk jam i informuar për një qëndrim të bashkuar të koalicionit, pra për të ndërmjetësuar, kështu që nuk mund të komentoj për këtë gjë. Këto elementë duket sikur shkojnë në drejtime të ndryshme. Sa i përket Bashkimit Europian, në këtë qytet para pak ditësh, përfaqësuesja e lartë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit e bëri shumë të qartë faktin që ka ardhur koha që sistemi politik shqiptar t’i shqyrtojë ato çështje që i ndajnë dy anët politike, dy partitë politike dhe Bashkimi Europian është i gatshëm të ndihmojë dhe unë mendoj që sot është mënyra më e mirë se si mund ta ndihmojmë ne vendin për të ecur përpara me anën e këtij raporti, por zgjidhja për krizën duhet të vijë nga brenda vendit.

Kryeministri Edi Rama: Raporti i progresit ka konfirmimin, lidhur me çfarë është bërë, ka dhe konstatime dhe porosi lidhur me çka duhet bërë dhe besoj që nuk e lexoj gabim Raportin e Progresit, nëse them se, siç ka një sërë detyrash që mund të nxirren për qeverinë, ka dhe një detyrë që duhet nxjerrë nga opozita, por këtë jua lë juve ta komentoni, bazuar në çka është shkruar në raport. Për sa i përket Presidentit të Republikës, Presidenti në këndvështrimin tim, ka shprehur një gatishmëri për t’u vënë në dispozicion të një zgjidhjeje me pëlqimin e partive politike, sepse kështu e përcakton dhe Kushtetuta rolin e tij. E më lejoni t’ju përsëris që Partia Socialiste, shumica qeverisëse, nuk ka asnjë pëlqim, lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kjo nuk ka lidhje me sforcon e respektueshme të Presidentit, kjo ka lidhje me qëndrimin tonë të prerë e të qartë që në 30 qershor, nuk është çështja kush do të fitojë zgjedhjet bashkiake, por duhet të fitojë Shqipëria institucionale dhe kushtetuese, e cila nuk mund të merret peng dhe nuk mund t’i nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë. Kështu që në këtë aspekt, në raport me Presidentin, unë kam qenë dhe mbetem i bindjes se i duhet dhënë Cezarit ajo që i takon Cezarit. E vlerësoj gatishmërinë e Presidentit dhe jam i bindur që Presidenti nuk e keqkupton reagimin në raport me këtë pyetje që ne nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi Kushtetutë për të anashkaluar.

Për sa i përket letrave, thonë, nuk ka gjashtë pa shtatë dhe nuk e di, por mbase do të ketë dhe një të shtatë, por për të gjashtë letrat që kanë qenë gjashtë ftesa të përditshme për t’i hapur rrugë dialogut, për t’i hapur rrugë një procesi të normalizimit të marrëdhënieve me opozitën, unë jam përpjekur të bëj më të mirën. Sa ia kam arritur nuk e di. Ajo që është pak, por e siguritë është që në 1 qershor, koincidon me ditën e fëmijëve, Partia Socialiste do të fillojë fushatën për zgjedhjet e ardhshme vendore të datës 30, por në një betejë që nuk është thjeshtë se kush do zgjidhet kryetar bashkie, por se si do të jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër.

-Një pyetje e përbashkët për Kryeministrin dhe për ambasadorin Soreca. Tashmë ne kemi një Parlament Europian të rikompozuar pas zgjedhjeve. Sa do të ndikonte pikërisht ky rikompozim i Parlamentit Europian në vendimin që do të merret në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian?

Ambasadori i Delegacionit të BE Luigi Soreca: Ne tani po fillojmë këtë proces, parlamenti europian po fillon procesin për rikompozimin e parlamentit. Siç e dini, përpara datës 2 korrik, nuk do ketë ndonjë takim të parë të tij, kështu që është shumë e hershme, është e parakohshme për ta ditur këtë. Kemi disa shifra për disa parti, por hapat e tjerë janë dhe përbërjet e grupimeve politike brenda Parlamentit Europian. Kjo mund të ketë ndikim, natyrisht të paktën në mënyrën se si do të organizohen familje të ndryshme brenda Bashkimit Europian. Është përshtypja ime me aq sa shikojmë dhe tek raporti i sotëm që Parlamenti Europian në të shkuarën ka shprehur një mbështetje të fortë ndaj Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe kompozimi ekzistues i parlamentit nuk shkon në drejtim tjetër apo të kundërt. Sa i përket Parlamentit Europian, ne mund të imagjinojmë që Parlamenti Europian do të vazhdojë të japë mbështetjen e vetë për raportin e Komisionit Europian.

Kryeministri Edi Rama: Leximi im i zgjedhjeve europiane është që ka fituar Europa. Ajo çka imagjinohej si një dallgë oqeanike e forcave skeptike për të ardhmen e Europës nuk ka ndodhur dhe në këtë aspekt, besoj që atmosfera është shumë më pozitive se sa imagjinata përpara zgjedhjeve, por në fund të ditës, duhet të kuptojmë bashkërisht diçka që, shikoni deklaratat e ndryshme nga individë të ndryshëm, në partinë më të madhe të Gjermanisë, nuk janë të ndryshme në aspektin e dëshirës për të ndihmuar Shqipërinë dhe për të bërë më të mirën që Shqipëria të shkojë përpara, janë të ndryshme në aspektin e këndvështrimeve, e nuancave. Kështu që kjo është një arsye apo një mundësi për të kuptuar që patjetër që do të ketë nuanca të ndryshme edhe kur të bëhet diskutimi në Këshillin Europian, por unë mendoj që me ndihmën e opozitës rrugore, ne mund t’ia dalim plotësisht. Nëse nuk do kisha dyshim për si do precipitojë lëvizja e opozitës rrugore, do ju thosha sot, me bindje 100% që Shqipëria do të hapë negociatat këtë vit, por këtë nuk mund ta them me 100% se nuk di se çfarë do të ndodhë me opozitën rrugore. Nëse opozita rrugore do të ndalonte, do të merrte frymë thellë dhe do t’i jepte një shans Shqipërisë, jo qeverisë, por Shqipërisë, 100% Shqipëria do të hapte negociatat. I vetmi element i panjohur në këtë ekuacion është opozita rrugore e Shqipërisë sepse siç mund të duket fare kollaj, edhe vende të cilat kanë një qëndrim më të ftohtë janë shumë më pranë ngritjes së dorës për të thënë “po”, për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Por sigurisht, nëse Shqipëria, nëpërmjet opozitës rrugore, ju jep argumente apo ia u mban dorën, dora mund të mos ngrihet. Kjo është përgjigja ime.

Do të pyesë dikush tjetër ?

Kjo është e jashtëzakonshme. Unë ju falënderoj që nuk keni pyetje të tjera. E marr këtë si shprehje të konsensusit të përbashkët për të mbështetur procesin. Dua që të falënderoj sinqerisht Komisionin. Komisioni Europian është një makineri ferri që financohet nga taksapaguesit europianë për t’u nxirë jetën të gjitha vendeve që janë në këto procese, por nga ana tjetër, është lakmuesi më i sigurt për testin e çdo vendi. Në këtë aspekt, unë dua t’i falenderoj të gjithë ata që këtu në Shqipëri kontribuojnë në funksion të taksapaguesve europianë, por që duke qenë këtu dhe duke punuar pa orar, çdo ditë, për të kuptuar deri në fund ecurinë në të gjitha prioritetet, na jepni mundësinë që ne të kemi një këndvështrim objektiv, teknik të arritjeve tona. Në një farë kuptimi, Komisioni Europian është dhe ngushëllimi më i madh për të gjitha dhimbjet e shkaktuara nga gjithfarëlloj burimesh dhe gjithfarëlloj kanalesh që për arsyet e tyre i bien Shqipërisë në qafë më shumë se sa Shqipëria meriton.

Shumë faleminderit ambasadorit, të gjithë të pranishmëve! Faleminderit edhe të gjithë përfaqësuesve të të gjithë mediave. Procesi i paqes mes nesh po ecën në mënyrë konstante dhe pavarësisht se si do të ecin procese të tjera paqeje në rajon dhe në botë, një gjë është e sigurt, që procesi ynë i paqes do të mbyllet me sukses spektakolar. Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.