Kryeministrit Edi Rama iu dorëzua sot në mesditë, nga ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, Raporti i Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Më poshtë, deklarata e Kryeministrit në konferencën e përbashkët për shtyp:
Kryeministri Edi Rama: Tre vjet më parë, kur ne erdhëm në qeveri, Shqipëria ishte një vend i refuzuar 3 herë me radhë, në tre vite rresht, në përpjekjen për të marrë statusin e kandidatit.
Axhenda e re reformiste e Aleancës për Shqipërinë Europiane hapi rrugën e rimëkëmbjes së Shqipërisë edhe në sytë e familjes europianë dhe komunitetit ndërkombëtar në tërësi. Vendi ynë e mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe sot, pas dy vjetësh përpjekje të mëdha e bindëse pasi morëm statusin, Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Tre vjet më parë, kjo arritje kaq domethënëse në procesin e integrimit dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë qeverisës, por axhenda jonë reformiste dhe një betejë e paepur, e përditshme, pas një vonese të pajustifikueshme, shumëvjeçare, për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda e me kosto, në çdo sektor, ja ku na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombëtarisht. Komisioni Europian e ka vlerësuar aq pozitivisht progresin e bërë përmes reformave në çdo fushë, sa ka ndezura dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.
Kazani i broçkullave, që zien përditë në mexhlisin tonë politik e mediatik, zhurmoi me të madhe për kushtet që do t’i viheshin Shqipërisë. Madje, shqiptarët dëgjuan pa pushim se deri dhe kanabisi do të ishte kusht për çeljen e negociatave, e të tjera e të tjera.
Edhe një herë, ata që u refuzuan për tre vite rresht, kur kërkonin thjesht statusin e kandidatit për Shqipërinë, thanë çfarë nuk thanë. E jo vetëm kaq, por dy ditë më parë dolën hapur kundër rekomandimit për hapjen e negociatave. Shqipëria, sot e ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e këtyre negociatave pa kushte dhe vetëm me mirëkuptimin, krejt natyrshëm, që deri në momentin e fillimit të punës në tryezën e negocimit, të vazhdojë pa ndërprerje puna për zbatimin e reformës në drejtësi. Konkretisht, për veting-un e gjykatësve dhe të prokurorëve. Pra, e vetmja pikë e nënvizuar nga Komisioni Europian, si premisë e mirëkuptuar për të shkuar normalisht drejt fillimit të punës në tryezën e negociatave, quajeni dhe kusht po të doni, është ecuria në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konkretisht, zbatimi i ligjit të vetting-ut.
Por më lejoni t’ju them se nuk do as mend e as kalem, që kjo premisë apo kusht është në radhë të parë, premisa ose kushti që kjo qeveri i ka vënë vetes në rrugën drejt Shqipërisë europiane. Një rrugë të cilën e kemi zgjedhur, e kanë zgjedhur vetë shqiptarët, 26 vjet më parë dhe nuk na e ka diktuar askush. Ashtu sikundër ne i kemi bërë e do t’i bëjmë një për një të gjitha reformat dhe detyrat e integrimit europian, jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse ua kemi borxh fëmijëve tanë, shqiptarëve të gjeneratës tjetër. E nënvizoj këtë fakt, edhe këtë herë si gjithnjë, pasi kam bindjen e patundur që Shqipëria europiane, shteti modern i shqiptarëve mund të ndërtohet vetëm duke ndjekur rrugën e integrimit europian, e cila është e vetmja rrugë për të bërë shtet, ndërtuar institucione, forcuar shoqërinë dhe rritur mirëqenien e popullit shqiptar.
Më lejoni t’ju shpjegoj se mes momentit kur jepet rekomandimi dhe uljes në tryezë, për të hapur fashikujt e mëdhenj të kapitjeve të negociatave, ka si rregull një periudhë përgatitore, ku vendi, çdo vend, jo vetëm duhet të bëhet gati teknikisht me planin e punës, ekipin e negociatorëve dhe strukturat mbikëqyrëse e koordinuese të procesit, por edhe patjetër duhet të vijojë të bëjë progres në çdo fushë. Kështu që nuk ka pikë dyshimi, tanimë që Shqipëria mund të çelë negociatat, sapo e gjithë kjo punë e madhe përgatitore të jetë kryer dhe ndërkohë ne të kemi vazhduar të japim provën e vijimit të progresit në çdo fushë, përfshirë në radhë të parë, zbatimin e ligjit për vetting-un, pa diskutim.
Gjithashtu, po të shihet dhe eksperienca e vendeve të tjera që kanë hyrë përpara nesh në këtë proces në Bashkimin Europian, as nuk diskutohet që nënvizimi, – apo po të doni kushtëzimi, – i çeljes së siparit të negociatave me progresin e mëtejshëm në ndërkohë dhe posaçërisht me zbatimin e ligjit për vetting-ut, në rastin tonë, është diçka krejt normale. Si mund ta imagjinojmë se negociatat mund të çelën normalisht, nëse, kur ekipet të jenë gati për t’u ulur në tavolinë, nuk do ketë nisur ende zbatimi i vetting-ut për gjykatësit e prokurorët. Këtë e kupton çdokush që ka dy fije mend në kokë, por e dinë edhe dritëshkurtrit që e kanë bllokuar përkohësisht vetting-un, me kërkesën e turpshme për ta shpallur antikushtetues dhe që janë gati t’i zënë pritë Shqipërisë në rrugën drejt negociatave, për arsye që dihen.
Ata me siguri do vazhdojnë të thonë pa pushim që nuk ka negociata; s’ka negociata me kanabisin; s’ka negociata me këtë qeveri, s’ka negociata me Shqipërinë që kështu e me Shqipërinë që ashtu. E dreqi e di me çfarë e me sa do thonë e do stërthonë pa pushim, për t’i penguar shqiptarët t’i gëzohen një arritjeje jo të vogël si kjo dhe të shohin me shpresë dhe besim të ardhmen, që po e ndërtojmë sëbashku dhe në bashkëpunim të ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë, përmes reformave tona transformuese.
Ndërkohë as që diskutohet edhe që do të bëjnë çmos për ta penguar jo vetëm zbatimin e ligjit për vetting-un, por të çdo ligji të reformës në drejtësi, e cila është ‘alfa’ dhe ‘omega’ e suksesit të negociatave në dy kapitujt e parë që do të hapen në tryezën e negocimit e që janë kapitujt për drejtësinë. Por e vetmja gjë që duhet, mund dhe do të bëjmë ne, është të vazhdojmë vendosmërisht në rrugën e vështirë për të rilindur Shqipërinë dhe për ta bërë sa më parë të jetë e mundur anëtare e Bashkimit Europian. Ky moment i bukur dhe shumë sfidues i marrjes së rekomandimit nga Komisioni Europian më imponon dhe na imponon të gjithëve, si qeveri dhe si shumicë, t’i shtrijmë edhe më shumë dorën e bashkëpunimit dhe të kërkojmë ndihmë nga çdo qytetar, çdo komunitet, çdo bashki, universitet, organizatë shoqërore jo qeveritare, për ta bërë Shqipërinë sa më të suksesshme në rrugën e re, plot ambicie dhe vështirësi të mëdha, që hapin negociatat për anëtarësim.
Natyrisht dhe për opozitën, dora është e shtrirë dhe mbase, jo gjithçka është në dorën e saj. Kështu që do të reflektojë çfarë mund të bëjë dhe çfarë mund të bëjmë të gjithë sëbashku më shumë, që ta ndihmojmë opozitën të futet në rolin e saj, të rikthehet në detyrën e saj, të rivendoset në vendin e lënë bosh prej tre vjetësh.
Sidoqoftë le të shijojmë këtë moment, me vetëdijen se nuk është arritja e madhe drejt destinacionit ku jemi nisur, por një pikënisje e re, plot shpresa dhe detyra të reja, në rrugën e Shqipërisë së gjeneratës tjetër.
Në fund, më lejoni të falënderoj në mënyrë të posaçme, të gjithë ata që janë marrë drejtpërdrejtë me këtë proces, si miq dhe si partnerë; Federica Mogherini-n, shefen e diplomacisë europiane, komisionerin Hahn, ekipin e tyre në Bruksel dhe padyshim, edhe ekipin këtu në Tiranë, ku një falënderim i veçantë i shkon ambasadores Vlahutin. Shumë faleminderit!
Nëse Gjykata Kushtetuese e rrëzon ligjin e vetting-ut, çfarë ndodh me negociatat?
Është folur për një vizitë e komisionerit Hahn në Tiranë, për një takim me ju, por më pas thuhet që ka pasur një anulim. Sa e vërtetë është kjo?
Kryeministri Rama: Mund t’ju them vetëm kaq. Shqiptarët duhet ta dinë dhe ne do t’ua përsërisim çdo ditë, që ka vetëm një premisë të mirëkuptuar, apo një kusht po të doni quajeni, për të filluar negociata në tryezë me Bashkimin Europian: Ligji për zbatimin e vetting-ut. Sigurisht që arsyeja ta do që të gjithë të jenë të interesuar që një orë e më parë, ne të fillojmë zbatimin e këtij ligji, por realiteti na tregon se jo të gjithë e duan zbatimin e këtij ligji që pastron sistemin tonë të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, që e kanë kapur prej fyti sistemin dhe e kanë penguar drejtësinë të japë drejtësi për 20 e kusur vite rresht. Nuk mund të flasim me ‘nëse’, por jam shpresëplotë që asnjë pakicë, sado e mirë organizuar, pas skenës apo në skenë, për të penguar një proces kaq historik dhe me një interes kaq të lartë kombëtar si ky i integrimit, nuk do të mundë ta pengojë atë, sepse është vullnet historik i popullit shqiptar.
Për sa i përket pyetjes tjetër, ne kemi rënë dakord me komisionerin, që dorëzimi i Raportit të bëhej në kohë reale me prononcimin e tij, sot, në Bruksel.
Sa mund të kthehet në pengesë për Shqipërinë, konflikti për Himarën me Greqinë? Kujtojmë se sot, gjatë mbledhjes së Komisionit pati disa ankesa nga eurodeputetët grekë se ju po cenoni marrëdhëniet me Greqinë, po shkelni të drejtat e minoritetit, ndaj kishte dhe habi për faktin që u mor një rekomandim pozitiv. Pyetja tjetër; U përmend disa herë kanabisi gjatë deklaratës tuaj dhe të ambasadores. Do të merrni pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Presidentit për këtë temë?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, për çështjen e ngritur dhe pretendimet përkatëse lidhur me zbatimin e një projekti në Himarë e kam dhënë opinionin tim dhe nuk dua të përsëris ato që kam thënë, të cilave u qëndroj një për një.
Së dyti, unë nuk e përmenda disa herë, por e përmenda mjaftueshëm kanabisin, pasi ju jeni dëshmitarë që u është thënë shqiptarëve se do të vihet kusht kanabisi për të hapur negociatat. Ndërkohë që po të lexoni Raportin e Progresit, në pjesën ku flitet për Policinë e Shtetit do të shikoni një vlerësim që neve sigurisht na bën krenarë, por edhe na motivon, patjetër, për të vazhduar betejën për modernizimin e Policisë së Shtetit kundër krimit, kundër trafiqeve e patjetër edhe kundër kanabisit.
Do të merrni pjesë?
Kryeministri Edi Rama: Është një pyetje që nuk besoj se vlen në një konferencë shtypi.
Padyshim që Shqipëria është më afër se kurrë me Bashkimin Europian, por Zoti Kryeministër, a jeni i gatshëm ju, t’i hapni rrugë një kërkese të ripërsëritur të Partisë Demokratike për krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet e ardhshme politike, pasi zgjedhjet e ardhshme politike padyshim do të jenë një test i rëndësishëm për sa i përket rrugës dhe procesit të integrimit?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një pyetje që e ka përgjigjen brenda, besoj, pasi Shqipëria, sot qeveriset nga një shumicë, e cila ka një mandat për të bërë reforma dhe për të realizuar një proces që ne e gjetëm të bllokuar dhe të pashpresë, procesin e integrimit europian. Kemi marrë rekomandimin pozitiv, duke bërë faktikisht të mundur, realizimin e njërit prej zotimeve më ambicioze të vitit 2013. Si mundet që një proces i tillë dhe një mandat i tillë të vihet në diskutim për arsye të axhendës politike, apo të strategjisë dhe taktikes së opozitës! Më duket pa sens.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të kërkojë ndryshime të pjesshme në ligjin e vetting-ut, do të jetë e gatshme mazhoranca të ulë ekspertët e saj, sëbashku me opozitën, për të sjellë këtë ligj ashtu si do të kërkohet?
Komisioni u shpreh se paketa e reformës në drejtësi do të nxisë më shumë zhvillimin e biznesit. Ju si mazhorancë keni platformë konkrete për zhvillimin e ekonomisë?
Kryeministri Edi Rama: Besoj që platforma jonë është kaq konkrete, saqë mund të lexoni edhe për progresin e bërë në aspektin e ekonomisë në Raportin e Progresit të Komisionit Europian. Është një kapitull ku flitet qartësisht për një progres të qëndrueshëm dhe jepet një panoramë që është krejtësisht ndryshe nga pasqyra e deformuar prej gjithë propagandës, akuzave, shpifjeve, gënjeshtrave, lidhur me çfarë kemi bërë ne për ekonominë. Sigurisht që për ekonominë, asnjëherë, asnjë qeveri nuk mund të bëjë, aq sa njerëzit të ndihen të kënaqur e lëre pastaj të lumtur. Do të ishte mision i pamundur. Por sot, në Parlament është një projekt-buxhet që zhvendos nga buxheti i shtetit në xhepat e familjeve shqiptare, 100 milionë dollarë për rroga dhe për pensione. E në këto vite, duke llogaritur edhe vitin e ardhshëm, ne e kemi spostuar nga buxheti i shtetit drejt buxhetit të familjeve, në formën e rrogave e pensioneve, përmes rritjes së tyre direkte tani dhe përmes uljes së taksave më parë, plot 540 milionë dollarë. Ju kujtoj se në 8 vjetët e shkuara të qeverisë së vjetër janë dhënë për buxhetet e familjeve vetëm 124 milionë dollarë. Bëjeni llogarinë vetë.
Përsa i përket pjesës tjetër nuk dua të flas me ‘nëse’. Dua vetëm të them që ne po bëjmë detyrën tonë. Jemi patjetër krenarë, që në kryerjen e detyrës po bëjmë reforma të vonuara, të zvarritura, të penguara për 20 e kusur vite. Po fillojmë të marrim rezultate të merituara dhe kemi edhe një arbitër të rreptë, siç është Komisioni Europian, që sot na thotë jemi gati të çelim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian me Shqipërinë. Kjo besoj është shumë kuptimplotë. Natyrisht, nënkuptuar fillimi i zbatimit të ligjit të vetting-ut, pa të cilin nuk kemi çfarë diskutojmë dhe çfarë negociojmë, sepse pa zbatim të plotë të reformës në drejtësi dhe pa e transformuar drejtësinë në një drejtësi europiane, nuk ka anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ju folët për opozitën, por në çfarë faze mendoni se do të ishte sot, Shqipëria, përsa i përket negociatave, nëse dhe Partia Socialiste në opozitë do të kishte votuar në atë kohë, tre ligjet?
A është penduar Kryeministri i Shqipërisë për deklaratat që ka bërë për Zotin Trump, sot President i Shteteve të Bashkuara?
Kryeministri Edi Rama: Së pari më lejoni t’ju them që me tre ligje, pa tre ligje, Shqipëria nuk e merrte statusin e kandidatit dhe as nuk bëhej fjalë të çelte negociatat.
Për sa i përket pyetjes tjetër, më lejoni t’ju them që unë jam shprehur kundër Donald Trump si kandidat, sepse më kanë prekur si shqiptar, si qytetar i këtij vendi dhe si kryeministër, deklaratat për Kosovën, për myslimanët, për emigrantët. E nuk jam i vetmi, përkundrazi, jam një pikë uji në detin e prononcimeve të pafavorshme ndaj tij, gjatë një fushate ku u përfshi e gjithë bota. Sepse Shtetet e Bashkuara janë një pikë referimi për gjithë botën dhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara janë zgjedhje që natyrshëm i përfshin të gjithë. Por sot, ai është zgjedhur nga populli sovran për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara dhe respekti im si kryeministër i këtij vendi, respekti ynë si qytetarë të këtij vendi, për popullin, qeverinë amerikane, për presidentin si mishërim i vullnetit të sovranit, ashtu si dhe miqësia dhe aleanca jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara as që nuk mund të vihet në diskutim. E vërtetë ndjej keqardhje, le ta themi me fjalën keqardhje, për banalitetin e disa agallarëve dhe qehallarëve të kafes së madhe të politikës sonë, që janë kaq mendje lehtë, sa duket sikur sot, gati sa nuk i ankohen Presidentit të Amerikës për mua. Por nuk funksionon kështu bota, nuk funksionojnë kështu Shtetet e Bashkuara dhe nuk funksionon më kështu as Shqipëria, që unë kam nderin dhe privilegjin e madh të qeverisë.
Faleminderit!