Replikë e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Zoti Shehaj, ju thatë që unë fshihem pas një offshore në Hollandë dhe unë ju thashë a ka mundësi të vini këtu dhe të sillni provën për këtë që thoni se kjo është është shumë e rëndë, që unë të fshihem pas një offshore në Hollandë dhe ju ta thoni këtë literalisht, do të thotë që ju dispononi një provë dhe nëse ju e dispononi këtë provë, unë jo vetëm që nuk duhet të jem aty, por unë duhet të jem para drejtësisë.
Dhe unë ju ftova që ju të jepni provën. Sepse t’i thuash tjetrit që është në krye të qeverisë, t’ia thuash në sy të të gjithë publikut që je i fshehur pas një kompanie offshore në Hollandë dhe pastaj të dalësh këtu dhe të bësh një skeç të Shvejkut se rruga Tiranë-Vlorë është kaq kilometra dhe unë kam lindur në Selenicë dhe me këtë deduktoj që gjyshja jotë është 72 vjeç, unë nuk di se ça të them tjetër, realisht.
Se këto janë akuza ekstreme dhe akuza ekstreme mund të bëhen vetëm në bazë të provave.
Ju nuk mund dot të zini foltoren e kuvendit dhe t’i drejtoheni një publiku të tërë duke thënë që kryeministri fshihet pas një kompanie offshore, sepse nëse kjo është e vërtetë, atëherë këtu duhet menjëherë të veprojë drejtësia mbi bazën e provës që ju keni, kur e thoni këtë. Është njësoj si të them unë që z. Shehaj ju jeni në kërkim ndërkombëtar. Po duhet të jap në provë për këtë.
S’mund të them që duke parë se si juve vraponi në drejtim të paditur me arsyetimin tuaj, unë krijoj bindjen që ju jeni në kërkim ndërkombëtar.
S’mund të thuhen këto gjëra.
Bëtë gjithë atë piradë akuzash dhe në fund fare, unë ju thashë me shumë mirësi, ma jepni provën mbi bazën e së cilës ju nxirrni këtë konkluzion. Dhe ju dolët këtu dhe folët përçart.
Përmendet ca emra që unë as i njoh, as i kam takuar kurrë. Fare. Sado të çuditesh ti, fare. Se unë nuk e kam problem të them se e kam takuar nëse e kam takuar se nuk ka rëndësi e takon, se takon dikë, rëndësi ka se ç’bën me atë që takon.
Po unë ju kuptoj shumë mirë juve, edhe juve, edhe gjithë tjerët që vijnë këtu dhe bëjnë akuza ekstreme penale, pa fakte, me bindje sepse i bëni vetë.
Ose i keni bërë vetë dhe dihet ça keni bërë, ata që kanë pas në dorë se ju vetë s’keni bërë gjë akoma, ose po të ishit në pozitën që të kishit mundësi ta bënit, do ta kishit bërë, se ndryshe mua nuk më shkon mendja se nuk i bëj këto gjëra, që të të akuzoj për çudira. Si të shkon mendja?
E meqë dola këtu, që të marr disa shënime nga parafolësit, dëgjova me shumë vëmendje zotin Xhelal.
E dëgjova me shumë vëmendje sepse pavarësisht pozicioneve shumë të ndryshme dhe të kundërta, mendoj që është nga të paktët në anën tuaj që ka një kompetencë të caktuar për të folur për vepra publike, se ka bërë. Për hir të vërtetës. Dhe meqë ka bërë, dhe ju ‘’e vlerësuat’’ dhe e nxorrët jashtë loje komplet, por kjo është puna juaj.
Zoti Xhelal po ju jap disa shifra sepse nuk është mirë që dikush si ju që e dinit se ç’janë kantieret, dini se ç’janë punët publike, të bëjë të njëjtën propagandë vulgare, “kilometrat kaq, kilometrat aq”. Kilometri kushton kaq, kilometri kushton aq, ose afati kaq, afati aq, sepse ju e dini shumë mirë që për të gjykuar mbi një projekt, duhet të gjykosh mbi atë projekt. Nuk mund të kesh 1 kilometër si masë teritali.
Që ky lloj teritali është kaq metri dhe është për të gjithë njësoj dhe për të gjykuar mbi afatet, përsëri duhet të kesh një projekt dhe një punë përpara dhe pastaj të thuash është vonuar, s’është vonuar. Dhe po ju jap SHBA, dhe po ju jap një nga veprat më të mëdha publike të realizuara në SHBA.
Mabse ju e dini por është mirë për publikun dhe është mirë për argumentin. Projekti i nisur në vitin 1982, projektimi, gjithë procesi projektime, tenderime etj , etj, çojnë në hapjen e kantierit në vitin 1991.
Parashikimi për përfundimin në vitin 1998, vlera e parashikuar 7.4 miliardë dollarë për 272 km, nga të cilat 260 km hekurudhë, 12 km rrugë.
Big Dig-u i famshëm i Bostonit, duhet të mbaronte në ‘98 në SHBA, në shtetin e Massachusests, me 7.4 miliardë, përfundoi në dhjetor 2007 me 21.5 miliardë.
Pra, nga 82-shi në 2007-ën. Që do te thotë që kohëzgjatja e një vepre dhe arsyet e saj kur ajo shtyhet e stërshtyhet, janë të gjitha për t’u parë tek vepra vetë, nuk janë nxjerrë konkluzione duke gjykuar nga lart, ashtu sikundër vjen puna tek kilometrat se besoj që tani të gjithë e kanë kuptuar që gjithë ajo stuhi që u ngrit tek Unaza e Re që 1 km kushton kaq, ishte një furtunë në gotë, sepse ai nuk është 1 km rrugë e shtruar që shkon në një fushë në vijë të drejtë, ajo është një vepër me gjithë ato hyrje, dalje, tunele, sipër,poshtë, etj.
Këto nuk janë diskutime për parlament, z. Xhelal, nuk janë diskutime për parlament. Më vjen shumë keq. S’mund të hyjë parlamenti në diskutime të tilla dhe të bëhet qesharak komplet duke ardhur këtu me metër në dorë e duke diskutuar për gjëra që ju takojnë inxhinierëve, ju takojnë ekspertëve, iu takojnë auditorëve.
Tani, vepra në fjalë sa për dijeni, supervizohet jo nga ne, jo nga strukturat e ekzekutivit. Vepra në fjalë supervizohet nga një kompani e përzgjedhur nga Banka Islamike për Zhvillim, e cila ka dhënë dhe jep këto kredi. Kanë dhënë fondin e parë në fillim fare dhe pastaj për çdo shtesë që është kërkuar, ka bërë audit dhe kanë supervizorin e tyre, nuk është shqiptar. Është kompani e huaj e zgjedhur prej tyre.
Ne nuk mund të shkojmë të kërkojmë atje, “hajdeni na jepni ca dhjetëra miliona” dhe ata hapin sportelin e bankës dhe na japin ca dhjetëra miliona dhe pastaj ne i marrim i hedhim në lumë dhe pastaj shkojmë marrim dhe ca dhjetëra miliona të tjera.
Si u zhvilloka kështu kjo ngjarje? Dhe ajo rrugë si të gjitha rrugët që ju latë rrugëve, jo ju personalisht, por forca juaj qeverisëse janë shëmbëlltyra kuptimplotë sesi nuk bëhen projektet dhe sesi një projekt i nisur tafti bafti çon pastaj në shtrenjtim dhe shtrenjtim, “gjëja që niset për lirë, të del më shtrenjtë”, thotë populli. Kështu që është e kotë që ne të diskutojmë për një kredi të kësaj natyre sepse kjo është e domosdoshme për të përfunduar atë vepër dhe ajo vepër ka një histori, ka dokumente në atë histori.
Më vjen keq me kolegun tuaj, kolegun tuaj Sula se ai e di shumë mirë që adashi i tij, një tjetër Dashamir, megjithëse ti je Dashnor ai është Dashamir, nuk e di si e keni, shkoi në burg pikërisht për atë rrugën që përmendi Dashi, shkoi në burg. Pra u bë një hetim, u bë një ndalim dhe historitë pastaj vazhduan sipas rrugës që pati drejtësia. Është e pabesueshme të flasësh kot më kot, “kjo qeveri, kjo qeveri”. Rrugët i bëjnë kompanitë, i ndjek një strukturë që quhet Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe ajo që bën qeveria është që vendos prioritete, përcakton buxhetin sipas kërkesave dhe pastaj secili, përgjegjësitë janë të ndara. Për ta mbyllur aty ku e nisa. Çurçilli, zoti Shehaj thotëm “kokë gdhe është dikush që jo vetëm nuk ndryshon temë sa herë flet por nuk ndryshon as argument”. Ju kam dëgjuar ta përsërisni, ta përsërisni “Bashkia e Tiranës i jep para një njeriu në kërkim”. Po mirë mor zotëri, dhe ndërkohë thua dhe thoni tek të dy të tjerat kjo nuk ndodh. Po pse nuk ndodh tek dy të tjerat dhe ndodh tek kjo? Sepse ka vendime gjyqi, ka vendime Prokurorie, ka vendime gjyqi dhe impianti i Elbasanit është sot pronë publike.
Pra ato 450 milionët e 21 dhjetorit janë një fantazi se nuk kanë fluturuar, janë aty dhe impianti i Elbasanit sot është një vepër publike, e ka marrë publiku. Është e publikut. Impianti i Fierit është i sekuestruar dhe do t’i kalojë publikut, ndërsa Tirana paguan shërbimin, kushton mbajtja pastër e Tiranës, kushton! Një nga gjërat që ma kanë thënë pothuajse të tërë ata që erdhën për Samitin me në krye kryeministren e Italisë ishte: Tirana është befasisht e pastër. Dhe doni të bëni një provë? Është një provë që s’mund ta bëjmë dot se është në kurriz të të gjithë publikut. Doni të bëjmë një provë? Të ndalojmë pagesat për tre ditë e të shikoni pastaj se çfarë ndodh me Tiranën? Sepse atje zhvillohet një operacion i përditshëm i grumbullimit dhe i trajtimit të mbetjeve. Nëse ky operacion i përditshëm ndalon ne vijmë në situatën që ishim në Durrës në fillim të verës së shkuar dhe unë nuk besoj që ka ndonjë qytetar të Tiranës, qoftë dhe ballist që thotë: ta bëjmë këtë gjë. Nuk ma ha mendja! Është shërbim zotëri, paguhet shërbimi, nuk paguhet ai në kërkim, paguhet shërbimi, dhe kërkim pa kërkim nuk është as puna jote as puna ime. As puna jonë këtu. Kërkim, pa kërkim është puna e prokurorisë, është puna e gjykatës, është puna e drejtësisë, s’është puna jote fare, as e imja të gjykojmë meqë këtu ka dalë dikush në kërkim, ne po ndalojmë se nesër me letra pastaj ata që ti thua janë në kërkim dhe nuk duhet të marrin më para të çojnë në arbitrazh dhe të marrin qimet e kokës sepse është shërbim, shumë e thjeshtë, paguajmë shërbimin për këtë kryeqytet që është i pastër dhe sikur të mos jetë ai shërbim për tre ditë bëhet siç ndodhën ca situata në Durrës në fillim të verës së shkuar
Këto janë të vërteta shumë të thjeshta prandaj nuk e bën më të fortë qëndrimin opozitar nxjerrja e gjuhës jashtë çdolloj kontrolli dhe lëshimi këtu i fjalëve më të ulëta të mundshme.
Nuk është fjalë e ulët të ngresh dilemën: a je idiot apo bën vet. Fjalë më të ulët, më të poshtër, më të ndyrë sesa t’i thuash tjetrit: “ti je hajdut”, nuk ka! Dhe t’ia thuash nga foltorja e Parlamentit, nuk ka më të poshtër, por çuditërisht fjalët më të poshtra juve nuk ju bëjnë përshtypje se i keni bukë të përditshme. Ju thoni “hajdut” më shumë herë sesa thoni “mirëmëngjes”, gjatë javës. Brenda orës, brenda një orë të gjithë ju përdorni fjalën “hajdut” më shumë sesa përdorni fjalën “mirëmëngjes”. Ju thoni kriminel më shumë sesa përdorni fjalën ju lutem. Ju thoni lloj lloj të zezash më shumë sesa thoni fjalët më të zakonshme të njeriut normal. Ky është një anormalitet i madh dhe në fund të ditës janë faktet që flasin.
Nëse ky do ishte një regjim dhe një pushtet absolut i kapur, siç the zotrote, këtu nuk do kishte hetime, këtu nuk do kishte ndalime, këtu nuk do kishte njerëz që janë sot përballë drejtësisë, por do ishin të gjitha të bllokuara, fatmirësisht kjo nuk është kështu, prandaj unë nuk kam çfarë të bëj ty dhe askujt prej jush se jam lodhur duke fituar gjyqe me ju. Jam lodhur duke fituar gjyqe me ju dhe është e njëjta histori. Ju çon tjetri në gjyq dhe thotë: provoje këtë akuzën. Vijnë avokatët dhe thonë, “është politike”. Kam parë dhe një trim me fletë këtu që erdhi në gjykatë kushtetuese dhe fliste si i çoroditur. S’kam gjë fare unë me këtë tha, unë kam dalë atje te partia tha, unë kam folur në emër të partisë, partia e di, tha, unë i besoj partisë time. Kur thotë partia dil thuaje këtë, unë e them se partia ime e di, në të gjitha gjyqet këtë bëni ju. Çfarë të bëj unë, të të çoj në gjykatë tani? Të të them hajde provo që ku është kompania ime offshore, të hash dhe ti atje një dënim? E çfarë më duhet, 2 vjet, 3 vjet pas teje për diçka që ti e di shumë mirë që ti s’di asgjë, ashtu sikundër unë e di shumë mirë që kjo është një shpifje e ndyrë, dakord? Por ti e bën, goxha burrë, del këtu: “je i fshehur pas kompanisë offshore, je këtu je atje”. Goxha burrë! Po si s’të vjen zor një herë? Si s’të vjen zor? Të ishte Mit’hati gjallë do të kishte qethur zero ty. Të ishte ai Mit’hati gjallë por s’është gjallë ai, të ngeli balli ty!