Kulla simbolike e Krujës, monument me vlera të veçanta historike dhe kulturore po rikonstruktohet për t’u rikthyer në identitet, falë projektit të zhvilluar në bashkëpunim me qeverinë suedeze.
“Kulla tashmë ndodhet në situatën e plotë të përforcimit të emergjencës, është e gjitha e stabilizuar. Hapi i parë që ndërmori qeveria shqiptare ishte hartimi i projektit për fazën e emergjencës. Ka qenë një projekt që u krye pa mundur të aksesohej direkt kulla sepse ishte në mënyrë konstante në rrezikshmëri për lëvizjen e gjithë pjesës së gurëve.” – shpjegoi Ministrja e Kulturës Elva Margariti, gjatë inspektimit që kryeministri Rama zhvilloi sot në këtë objekt.
Qëllimi i projektit është të sigurojë Kullën e Sahatit dhe të parandalojë degradimin e mëtejshëm, si dhe reagimin gjatë aktivitetit sizmik në të ardhmen. Punimet përforëcuese do të përmirësojnë kapacitetin e strukturës për një periudhë të konsiderueshme kohe duke krijuar mundësi për dokumentimin e mëtejshëm të kullës, si dhe realizimin e projektit përfundimtar të restaurimit.
“Ky projekt në bashkëpunim dhe me qeverinë suedeze, mundësoi avancimin me tej me gjithë implementimi e kësaj strukture. Struktura ka rishikuar projektin e parë, pasi në momentin që ishim në kontakt me objekti bëmë dhe ndryshime teknike. Është e gjitha e përforcuar si jashtë edhe brenda, është totalisht e aksesueshme dhe kjo na ka dhënë mundësinë të hartojmë projektin e restaurimit final me më shumë përpikëri. Kemi filluar të avancojmë dhe me fondin e qeverisë amerikane, fondi i ambasadorit, që për herë të parë i jepet Shqipërisë në të gjithë shumë e plotë prej 800 mijë dollarësh për të gjithë objektet post tërmet dhe do fillojmë me një studim gjeologjik të gjithë zonës nën kullë. Po ecim me një detajim tjetër me anë të ekspertëve dhe të fondit amerikan e kjo do të na bëjë të mundur të vazhdojmë me restaurimin e plotë. Situata ishte dhe më e rëndë nga çfarë kishim vënë re në fazën e parë edhe pse detajimi u bë me lazer. Brenda 2 muajve do të përfundojë me gjithë studimin gjeologjik të zonës përreth kullës dhe do vazhdojmë me implementimin e fondit të ambasadorit. Në këtë fazë kulla është e gjitha e monitoruar me sensor për çdo lëvizje. Kemi ndërthurur shumë elementë dixhital për herë të parë dhe kjo ka sjellë përmirësime të dukshme të ndërhyrjeve në trashëgimi.”- detajoi Ministrja Margariti.