Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e posaçme parlamentare për projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”:
Ky është një debat që ndryshe nga shumë të tjerë përcakton në mënyrë shumë të qartë një vijë ndarëse në filozofi mes nesh dhe të tjerëve. Sepse, përcakton në mënyrë shumë të qartë vullnetin tonë për t’u ndarë nga një histori dështimesh dhe rrënimi të madh të sistemit të arsimit të lartë.
Është me rëndësi, besoj, që duke folur për këtë projekt, – që nuk është projekti për të riorganizuar edhe një herë sistemin e arsimit të lartë në vazhdën e të gjithë riorganizimeve që janë bërë, por është projekti për të bërë një revolucion në arsimin e lartë, – duhet paraprakisht të vendosim sfondin e këtij debati dhe t’i referohemi bazës mbi të cilën ne u nisëm për të ardhur këtu, pas një procesi që unë e konsideroj shembullor gjithëpërfshirjeje e diskutimi dhe për t’i kërkuar këtij parlamenti votën për këtë reformë historike të sistemit të arsimit të lartë.
Në shtator të vitit 2013 situata, jo mbi bazë opinionesh po mbi bazë faktesh, ishte si më poshtë;
59 institucione të arsimit të lartë nga të cilat 44 private. 8 herë më shumë se Britania e Madhe dhe 15 herë më shumë se Gjermania për 1 milion banorë.
Hapja e sistemit me kohë të pjesshme, part time-i i famshëm, një spektakël më vete për ditë të shtune dhe ditë të diele, brenda gjithë llahtarisë së përjavshme të arsimit të lartë publik. Ky spektakël përfshinte edhe fushat e studimeve të zbatuara mjekësinë etj., të cilat përfshihen në profesionet e rregulluara dhe në botën e arsyes nuk mundet kurrsesi të diplomohen njësoj si të tjerët me leksione fiktive weekendi. Sistemi ynë i arsimit të lartë ishte ngritur dhe vegjetonte jashtë botës së arsyes dhe vetëm part time-i i famshëm i të shtunës dhe të dielës numëronte 28.117 studentë ose e thënë ndryshe; Të shtunave dhe të dielave Shqipëria diplomonte jashtë sistemit një numër studentësh të barabartë me numrin e studentëve në universitetet private.
Ne ndërhymë, menjëherë, duke i ndërprerë kuotat për këtë lloj origjinal, unikal në botë part time-i, part time në weekend dhe me këtë ligj ndjekja me kohë të pjesshme e studimeve përcaktohet brenda një kornize normale standardesh ndërkombëtare.
Numri total i programeve të studimit ishte 1432. Nga të cilat 762 programe në institucionet e arsimit të lartë publik dhe 690 në institucionet e arsimit të lartë privat. Ndërkohë që, 88% e studentëve ishin në universitetet publike dhe vetëm 12% në universitete private.
Pra, shikoni se çfarë sistemi ngritën këta. Kjo ishte një zgjedhje politike nuk ishte një politike arsimore. Ishte një zgjedhje politike për të mos u përballur me plagën e madhe të papunësisë rinore dhe për të blerë kohë për të qëndruar në pushtet duke iu thënë të gjithë të rinjve “ja ku i keni universitetet dynduni dhe pastaj shohim”.
Gjithë propaganda e bazuar tek dora në zemër për të varfrit dhe në emër të bujarisë ndaj të varfërve, u shpartallua i gjithë sistemi i arsimit të lartë, është një propagandë që mund ta bëjnë ata të cilët e zgjedhin këtë politikë kur janë në pushtet, por që kur e bëjnë ata që janë në opozitë është vërtetë e vajtueshme. Sepse faktikisht, ajo çka ka sjellë si pasojë ajo politikë dhe ajo zgjedhje politike për të blerë kohë në pushtet duke grabitur faktikisht ëndrrat dhe paratë e prindërve me iluzionin se fëmijët po shkonin nëpër universitete, nuk ka sjellë më shumë njerëz të arsimuar, ka sjellë më shumë njerëz të diplomuar. Ndryshim shumë i madh mes të dyjave në atë sistem, ku diplomat humbën çdo vlerë dhe ku të varfrit, të cilët investuan të gjitha kursimet e tyre për të çuar fëmijët në universitet, dolën të humbur njësoj si të gjithë ata që investuan kursimet e tyre në piramidat e Sudes, Xhaferrit, Vebiut e me radhë.
Faktikisht, ajo që u shit si masivizim, ishte një lëvizje, e ofruar si një lëvizje zhvillimore, si të gjitha lëvizjet zhvillimore që kanë ofruar këta në të gjithë sektorët, që në fakt konsistonte vetëm në një zgjerim të hapësirës së kaosit dhe të korrupsionit, ku lehtësia marramendëse me të cilën të drejtat e zhvillimit- dhe këtë e kemi në të gjithë sektorët – u shoqërua edhe këtu me një boshllëk marramendës në mungesë të plotë të mekanizmave të standardizimit, të monitorimit dhe të reagimit ndaj pasojave negative të kësaj politike që, faktikisht, u shndërruan në një kancer në sistemin e arsimit të lartë.
Ja disa tregues që janë fakte nuk janë opinione;
Në 2005 kishte vetëm 7 institucione të arsimit të lartë privat.
Në 2013 shkuan 44 dhe 22 prej tyre, ose 50%, janë licencuar vetëm në mandatin e dytë të qeverisjes së rrënimit.
Në ndërkohën që në 2005 kishte vetëm 10 programe studimi, në 2013 u bënë 1432. 75% e programeve të reja të studimit, që ishin pasojë e drejtpërdrejtë e inercisë së krijuar nga ky kaos, i përkasin periudhës së fundit të 8 viteve të asaj qeverie.
Ndërkohë, shikoni treguesit e akreditimit. I referohem jo dëshirës sonë, por ligjit në fuqi. Ligjit që u miratua nga shumica e deridjeshme dhe që duhej të zbatohej nga qeveria e shumicës së deridjeshme.
Asnjë institucion i arsimit të lartë publik nuk është i akredituar deri në shtator të 2013.
Dhe, vetëm në 2013 në periudhën para zgjedhjeve, në atë periudhën orgjiake para zgjedhjeve, janë akredituar 11 universitete private, por përsëri vetëm 25% e numrit të universiteteve private. Nëse në vitin 2006 kishte vetëm një institucion të akredituar në 2013 kishte 32 institucione të akredituara dhe 29 prej tyre, 85% në periudhën e fundit të qeverisjes. Në këtë periudhë janë akredituar 13 nga 18 piramidat që u mbyllën.
Ndërkohë, vetëm dy programe studimi të akredituara për institucionet e arsimit të lartë, vetëm dy programe të cilat i përkasin akademisë së mbrojtjes. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që e gjithë ajo propaganda për masivizim, – do kapnim Gjermaninë, ju kujtohet, ishim një turravrap për të kapur Gjermaninë me numër studentësh, – e pashoqëruar me të gjithë instrumentet e tjerë nuk kishte si të mos sillte kaosin dhe gjithë korrupsionin që solli dhe praktikisht asnjë mekanizëm garancie për ata të varfrit që i latë më të varfër se ç’i gjetët dhe sot ua qani hallin a thua se nuk ishit ju që e ndërtuat sistemin që ne e kemi marrë zotim,- në kohë të padyshimta, siç thonë, – kur ishim në opozitë, që do ta përmbysim.
Ky ligj e përmbys sistemin, nuk e riorganizon. E përmbys!
Faktikisht 90% e programeve të këtyre universiteteve që u mbyllën si piramida, janë akredituar gjatë periudhës së fundit të qeverisjes. Vetëm nga janari në korrik, për zgjedhje 30% e tyre. Në një mbledhje të vetme kanë bërë 40 akreditime. Për çfarë? Për të krijuar dhe forcuar më tutje iluzionin se shkoni atje se studimin e keni të sigurt. Ju kujtohet ajo shprehja: “Paratë e piramidave janë të pastra. Janë gjaku dhe djersa e shqiptarëve. Futini paratë në piramida”. Njësoj edhe kjo e akreditimit. Vetëm ndryshimi nga piramidat është që nëse piramidat ranë me tërsëllëm të madhe plagët e hapura nga gjithë këto vite janë plagë që vazhdojnë dhe do të vazhdojnë për një kohë të gjatë të krijojnë dhimbje në ekonominë dhe në psikologjinë e të gjithë atyre familjeve, që kanë besuar të ky sistem dhe te kjo propagandë dhe kanë investuar kursimet e tyre duke çuar fëmijët e tyre në ato piramida me idenë se do nxirrnin prej aty mjekë, inxhinierë, arkitektë e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, po të shikosh procedurat e akreditimit, përsëri fakt jo opinion, bazuar tek ligji ekzistues 90% e akreditimeve janë me shkelje dhe me pasoja të rënda financiare. Pra, nuk janë bërë procedurat e atilla që të jenë konform ligjit ekzistues, që ne sot do ta fshijmë.
Procedura vlerësimi për akreditime të kryera në një ditë dhe akreditime të bëra për tre ditë. Këta që në 8 vjet nuk morën mundimin të akreditojnë asnjë universitet publik.
Më tutje, një fakt i thjeshtë; E dini kush ishte kryetar i Këshillit të Akreditimit? Ishte një pronar i njërit prej universiteteve që u mbyllën. Pra, i njërës prej piramidave që u shembën duke marrë me vete ëndrrat dhe kursimet të prindërve të atyre fëmijëve që vajtën atje për të marrë shkollim dhe s’morën dot as diplomë, që ishte dhe këshilltar i kryeministrit në atë kohë.
Pra, mjafton të përmend këtë fakt për t’ju dhënë pastaj idenë e qartë se si bëhej akreditimi në Republikën tonë, në Republikën ku 8 vjet u qeveris duke pasur kryefjalë varfërinë e aspiratave, që është rrënja e të gjitha varfërive të tjera. Varfëria e aspiratave që e bën tjetrin sot pas 25 vitesh të thotë njësoj siç thoshin komunistët “nuk janë plotësuar kushtet që ne t’i ngjajmë Britanisë apo t’i ngjajmë Europës, se ne jemi të varfër, prandaj hajde t’i ngopim të varfrit me një lugë bosh, me një diplomë pa asnjë vlerë, se fundja fundit më mirë t’i mbajmë nëpër auditorë se sa t’i lëmë rrugëve”. Kjo është tamam shprehje tipike e varfërisë së aspiratave. Nëse Shqipëria do të kishte bërë këtë reformë 20 vite përpara, – unë nuk kam autorizim të citoj këtu, – por po ju them se njëri prej jush, këtu në sallë, që merr vesh nga kjo punë, e thotë këtë gjë, sigurisht që këtu nuk do ta thotë këtë gjë, këtu do të dalë të thotë të kundërtën, – sikur 20 vite përpara të kishim hyrë në këtë rrugë, sot sigurisht që do të ishim në një pozicion tjetër.
Ky ligj nuk zgjidh me magji kapërcimin epokal që garanton baza e tij, do të duhen vite, por ama historia e zvarritjes në kënetën dhe në llumin e varfërisë së aspiratave, këtu merr fund.
Sigurisht, që ky ligj nuk zgjidh me magji kapërcimin epokal që garanton baza e tij, do të duhen vite.
Por, ama historia e zvarritjes në kënetën he në llumin e varfërisë së aspiratave, këtu merr fund. Pastaj, më tutje, sfidat janë të gjitha përpara padiskutim.
Faktikisht, 18 universitete ranë si piramidat. Të tjera u pezulluan.
Ndërkohë që, çfarë ndodh me universitetin shtetëror, se këtu e kam edhe merakun tim më të madh.
Për mua të ndash universitetin shtetëror, sepse nuk është as publik, si të nënës dhe privatin si të njerkës dhe të bësh këtë zgjedhje politike, është t’i përkasësh një bote që nuk ekziston më dhe të pranosh që të mbash në këmbë me financat e këtij shteti, – që nuk është as i pasur dhe as në mundësinë që të bëjë mrekullira nga pikëpamja e financimit të arsimit, – institucione shtetërore që nuk plotësojnë standardet shtetërore bazë, të përcaktuara në ligjin e bërë nga këta dhe me rregullat e nxjerra nga këta.
Strukturë organizative dhe numër fakultetesh përbërëse? Nuk ka.
Numër departamentesh të nxjerra për çdo fakultet dhe raport midis linjës drejtuese akademike dhe asaj administrative? Nuk ka.
Qeverisje e institucioneve në mënyrë komplet kaotike dhe hapje filialesh për fushata dhe për vota, – se dëgjova këtu një nga engjëllushet që foli dhe tha “ç’po bëni, po bëni një ligj arsimi për vota”. Nëqoftëse ka pasur ndonjë ligj të qëndisur për të marrë para dhe vota në mënyrë abuzive është ligji që do të fshihet sot. Filialet jashtë çdo kontrolli, filialet pa asnjë standard. Ndryshime në programet e studimit komplet të paargumentuara, siç kërkon ligji juaj dhe të pambështetura zyrtarisht, fare, pa marrë fare mundimin ata që do t’i mbështesin zyrtarisht ta bëjnë këtë gjë.
Nga ana tjetër, mos hyjmë tek statutet dhe rregulloret, të pavlerësuara, të pamiratuara nga Ministria e Arsimit, me shkelje skandaloze, ligjore dhe nënligjore, të mos hyjmë te urdhrat antiligjorw të panumërt të ministrave, që kanë dashur dhe e kanë pasur vërtet për zemër që të bëjnë një ligj më të ngjashëm me këtë që bëmë ne dhe shumë më pak të ngjashëm me atë që bënë, të cilët kanë urdhëruar me një të rënë të lapsit hapje programesh studimi, akreditime me vlerësim negativ nga institucionet e vlerësimit, hapje programesh pa asnjë vlerësim nga institucionet përkatëse dhe akreditime institucionale dhe të programeve me standarde plotësisht të shumëfishta, lehtësisht të verifikueshme, janë fakte, jo opinione.
Pjesa më e madhe e institucioneve pa përbërjen e kërkuar nga ligji të stafit akademik sipas kritereve të përcaktuara po nga ju! Të gjitha farsë. Po t’i marrësh dhe t’i numërosh, “kritere për stafin e brendshëm për çdo departament”, “kritere për stafin e kualifikuar me tituj dhe grada për çdo departament”, “regjistrimi i studentëve…” e me radhë… Zero! I keni bërë ju dhe i keni shkelur po ju! Zero!
Pa hyrë pastaj në shkeljet e administrimit të dokumentacionit zyrtar. Në shkelje të dokumentacionit të transferimit të studentëve, në shkelje të marrëdhënieve kontraktuale dhe financiare me studentët, pa fund.
Nuk po zgjatem me laboratorët dhe me radhë, por po ju them që në mënyrë të paligjshme, tre ministrat tuaj me radhë, njëri pas tjetrit, s’po i përmend emrat, kanë propozuar për hapje as më shumë e as më pak, por 21 universitete të cilat janë mbyllur ose janë pezulluar, 17 të mbyllura, 4 të pezulluara. Skandale mbi tokë. Procedurat e hapjes së tyre, të paligjshme. Formalisht të paligjshme.
Për arsimin e lartë, sigurisht të gjithë mund të japin opinione, por unë besoj që një qeveri dhe pjesëtarët e një force politike në qeverisje që e kanë çuar arsimin në pikën ku të ketë kontrata të tipit: “Dhuron një makinë dhe fiton një bursë tre vjeçare universitare”, “Dhuron 800 litra naftë, kontratë e hapur për tre vite dhe përfiton katër bursa studimi tre vjeçare ose shërbime të tjera”, “Dhuron 17 kompjutera dhe përfiton 6 bursa studimi tre vjeçare”, “Dhuron punime të ndryshme në duralumin…”. Ky është arsimi juaj i lartë? “Materiale të ndryshme në dru dhe përfiton katër bursa studimi”, “Dhuron dy ton tallash në këmbim të dy bursave tre vjeçare për titull shkencor”. Ky është arsimi juaj i lartë?! A e kuptoni tani që kur vini këtu dhe flisni sikur keni ardhur nga qielli dukeni komplet qesharakw apo jo? “Dhuron raki rrushi, mollë dhe verë dhe përfiton bursë studimi tre vjeçare me të drejtë të së dytës në bazë të sasisë së rrushit, mollës dhe verës”. E kuptoni se çfarë vreshtash dhe çfarë lloj distilerish keni vënë në lëvizje ju për të dhënë bursa apo jo? “Dhuron një makinë Volkswagen dhe një Chevrolet të përdorur, dhe të dy bashkë marrin nga dy bursa tre vjeçare”, “Dhuron 20 sedilje furgoni..”, – po këto sediljet, çfarë janë këto? “si dhe sistem të brendshëm furgoni”, – furgonin vetë nuk e dhuron, por këto të gjitha i dhuron, “dhe përfiton dy bursa dy vjeçare”. Ky është arsimi i lartë i juaji që vini këtu edhe thoni “jemi shumë, jemi ne këtu!” Janë ata të shkretët që i keni nxjerrë mes vapës atje përpara derës. Janë dhe disa të tjerë, organizata e partisë e universitetit, e 89’, që u mblodh e gjitha tek SHQUP-i, çudi e madhe, se si e gjeni rrugën për të gjetur njëri-tjetrin kur vjen puna për të mbrojtur atë të vjetrën, ju e dini! Por tek SHQUP-i u mblodhët të gjithë, gjithë organizata e Partisë së Punës së universitetit, të gjithë u mblodhët aty, për çfarë? “Po na marrin arsimin e lartë”.
Dhe më e bukura, – s’po vazhdoj me këto Ford Fiesta, se janë shumë makina, kur flisni ju, po citoj një profesor të nderuar, po e citoj profesorin e nderuar ‘Janë ca profesorë këta që janë bashkuar në këto peticionet, që janë në të njëjtën kohë në 7 vende’. Se si mund të jetë njeriu në të njëjtën kohë në 7 vende kjo është një gjetje e tyre. Por mos harroni, në të njëjtën kohë në 7 vende, janë 7 vende ku marrin jo raki rrushi, por para. Para nga xhepat e shtetit, para nga xhepat e familjeve në universitetet private.
Dëgjova njërin nga ju, “shkenca” -tha, “u shkatërrua shkenca”. Shiko se çfarë shkence keni bërë ju! Ju keni bërë një shkencë shumë të madhe, dhe keni arritur të bëni doktoraturë për shpërndarjen e mjekëve në Prizren. Temë doktorature! Ndërkohë që sot, procesi i doktoratës, e dini ju si rezulton? Rezulton që ka një grusht të hekurt i organizatës së partisë së vjetër, me ca të partisë së re, por që është njëri që e lidh me të vjetrën si me magji, që ndërkohë që ligji juaj thotë, “jo më shumë se 5 studentë në udhëheqje”, këta kanë arritur në 15 studentë. Kanë shkuar deri në rekordin e një superdekani që ka 40 doktorantë ky. Është edhe i partisë së vjetër edhe i partisë së re ky. Është edhe i organizatës së partisë së punës, të 89’ edhe i SHQUP-it. 40 doktorantë! Çfarë janë këta super profesorë që tani na kanë bërë një superpeticion dhe kanë bërë një superalarm për të denoncuar një superskandal, dhe kush është skandali? Skandali është ai që në fakt ne e kemi kërkuar me qiri; Të shkatërrojmë këtë kastë që ka marrë peng universitetin shtetëror dhe e ka kthyer në një banalitet prej 20 e kusur vitesh!
Nga ana tjetër, nuk po vazhdoj me të gjitha, por me albanologjinw. Albanologjia, temë doktorature. “Historia e funksionit të noterit”, është doktor shkencash ky dhe është nga ata të peticionit. “Historia e funksionit të noterit”. “Aktrimi në filmim kosovar”. Albanologji! Historia e Kosovës në marrëdhënie me botën arabe. Dakord! Ky me pak më shumë pretendime. Menaxhimi stomatologjik në rrethin e Tiranës, temë doktorature!
Madje, keni arritur kulmin me një gjinekolog, jo me atë që morët në qafë, por me një tjetër, që ka bërë doktoratën për mami, “Si të bëhesh mami”, – dhe ky është gjinekolog. Ky ёshtё sistemi juaj! Ju qё dilni flisni kёtu pёr djallin, pёr Zotin, pёr Gjergjin e Milloshin, e kuptoni ku jeni, apo jo?!
Ndёrkohё, asnjё nga institucionet publike tё arsimit tё lartё nuk ia keni nёnshtruar asnjё ditё tё vetme tё qeverisjes suaj detyrimit ligjor pёr tё vlerёsuar ligjshmёrinё. Asnjё!
Tё gjithё institucionet e arsimit tё lartё kanё njё bazё dokumentacioni qё ёshtё pёr t’i ngelur nё klasё dhe jo pёr t’i quajtur unversitete qё i japin dije tё tjerёve. Kush mban atё dokumentacion do duhej tё ngelte nё klasё dhe nuk do tё duhej tё ishte aty dhe tё thoshte jam universitet. Dhe, kёto tё gjitha me paratё e popullit shqiptar, tё gjitha nё emёr tё luftёs me varfёrinё, tё gjitha nё emёr tё “tё kapim Gjermaninё”. Fakt ёshtё qё dy tё tretat e institucioneve tё arsimit tё lartё publik nuk plotёsojnё standardet e njёsive bazё. Dy tё tretat, asnjё standard!
Pёrsa i pёrket pjesёs sё demokracisё dhe autonomisё, sepse këtë e thonё shumё. Por me fakte, 70% e institucioneve tё arsimit tё lartё organet e ashtuquajtura kolegjiale funksionojnё si banda, nё kundёrshtim tё plotё me tё gjitha aktet ligjore dhe nёnligjore qё keni nxjerrё ju, madje nё kundёrshtim tё plotё me rregulloret qё kanё bёrё vetё. Edhe rregulloren e tyre nuk e bёjnё dot siç parashikojnё tё jetё sjellja e tyre; sjellja e tyre me buxhetin; sjellja e tyre me marrёdhёniet morale kontraktuale me studentёt; sjellja e tyre me Kushtetutёn e Republikёs sё Shqipёrisё. Pa hyrё nё tё gjitha kriteret e rekrutimit tё stafit akademik, efektiv apo tё ftuar, se kёto terma i keni shpikur ju, qё ёshtё njё estradё mё vete. Turp! Turp! Turp!
Tё vjen turp t’i lexosh e jo mё tё kesh marrё pjesё nё organizimin e kёtij çorganizimi kriminal. 100%, jo 99% dhe me fakte. Pёr tё gjitha kёto, kujtdo nga ju qё dёshiron tё bёjё transparencën e fjalës time, ne ju vёmё nё dispozicion dokumentacionin faktik.
100% e institucioneve tё arsimit tё lartё nё Shqipёri nuk respektojnё kriteret ligjore pёrzgjedhёse pёr pranimet e studentёve nё ciklin e dytё, master profesional. 100%! Janë bёrё qё tё gjithё me master, domethenё, mjeshtra. 70% nuk respektojnё as kriteret pёr master shkencor. Ju edhe master shkencor e bёtё si ndihmё ekonomike. Le t’ia japim këtij se nuk ka i shkreti, ta marrё dhe ta gënjejё mendja se po bёhet mjeshtër nё shkencё, rёndёsi ka qё tё merret me kёtё punё, ndёrkohё qё ne bёjmё rrёmujё Shqipёri nё sektorёt e tjerё.
U çua kёtu njё ёngjёllushe dhe përmendi djallin. Mu kujtua njё shprehje “djalli nuk ёshtё kёrcёnimi real i kësaj bote, budallallëku po. Prandaj na duhet, njё kryqёzatё kundër budallallëkut dhe vetëm kështu mund tё bёjmё diferencёn,” thotë shprehja, jo unё.
Atёherё, çfarë po bёjmё ne?
Po e them shumё thjeshtё, qё tё mos hyjmë nё terminologji;
Ҫdo para e hedhur pёr arsimin e lartё do tё pёrkthehet nё tё mirё publike. Qoftё para e hedhur nga shteti apo nga privati. Qё do tё thotë qё, pёr ne, sistemi i arsimit tё lartё duhet tё jetё fusha e konkurrencës dhe e meritës dhe jo fusha ku ato tё nёnёs bёjnё qejf me lekёt e babёs dhe ata tё njerkës grabisin ata qё mbeten jetimё, pёr t’ju marrё ëndrrat dhe lekёt dhe pёr tё nxjerrё para vetё.
Pas këtij ligji nuk ka mё universitete qё nxjerrin para pёr qëllime përfitimi. Gjithçka rikthehet nё investim nё arsim. Kjo ёshtё “A”-ja. Pёr ne, nuk ka mё ndarje nё “kёta janë publikё dhe kёta janë privatё”. Ky ёshtё term i gabuar. Nё fakt janë shtetёrorё dhe privatё. Pёr ne, janë tё gjithё publikё. Kush do tё qёndrojё nё fushёn e dhënies sё arsimit tё lartё duhet t’i shёrbejё arsimit si e mirё publike dhe e financon me paratё e tij, apo ёshtё i financuar nga paratё e shtetit, duhet tё garantojё konkurrencё dhe meritё. Ne na duhet studenti, na duhen ata, pёr tё cilёt ju qani dhe i nxirrni kёtu nё vapё, qё nuk e kanё lexuar as ligjin dhe kanё fatkeqёsinё qё t’ju dёgjojnё ju, se nuk e dinё as historinë, sado e afërt ёshtё historia. Shumё thjesht, ne na duhet njё sistem i arsimit tё lartё qё kush investohet pёr tё marrё arsim tё lartё, tё marrё mbrapsht investimin e tij. E merr tek ajo pjesa e arsimit publik qё financohet nga shteti, apo qё financohet nga privati, pёr ne, kjo nuk ka asfare rendësi.
Ne nuk çojmë para tek asnjë universitet privat, qё tё jemi shumё tё qartё dhe nuk i japim para qyl asnjë universiteti shtetëror. Paratё, ne i çojmë tek studenti dhe i ndajmë mbi bazёn e performancёs sё universiteteve. Universitetet shtetërore dhe ato private duhet tё konkurrojnë si tё barabarta pёr tё prodhuar tё mirё publike dhe jo ca pёr tё nxjerrё fitime dhe ca pёr tё marrё rrogёn e pёr tё shkuar nё shtёpi. Jo! Pёr tё prodhuar tё mirё publike! Ju, partia e lirisё, partia e ekonomisё sё tregut, qё i keni harruar tё gjitha dhe jeni katandisur nё njё organizatё bazё e ’89-s, qё flisni kёtu, sikur kanё ardhur ca dhe po ju marrin universitetet dhe po i çojnë jashtë shtetit. A jeni nё vete, apo jo! Po ju marrin kёto vatrat e dijes?! Vatrat e mykura tё mediokritetit, tё parazitizmit, tё korrupsionit dhe tё vetëmashtrimit, qё e kanё renditur Shqipёrinё nё fund fare, pёr turp! 25 vjet, jemi nё fund fare. Shikojeni nё tё gjitha klasifikimet, testet, turp! Shkoni nё agjencinё britanike tё akreditimit dhe pyesni si po shkon procesi i akreditimit. Akoma nuk po marrin dot veten, nuk po kapin dot veten ata vetё dhe jo mё tё gjejnë se ku ёshtё universiteti. Nuk kemi parё, – thonё, – nuk dëgjuar, nuk kemi besuar, nuk kemi imagjinuar qё ka nё botёn e sotme, universitete si kёto. E kush i bёri kёto? Djalli?!
Sigurisht qё, ne kemi premtuar dhe, patjetër, ne i qёndrojmё tё gjitha premtimeve tona, por me ato do tё merremi pas dy vjetësh, se ju e bёtё njё referendum nё 21 qershor dhe e morёt rezultatin. Por ju jeni katandisur nga Partia e madhe Demokratike nё partinё qё ngushëllohet me ca bashki tё vogla dhe thoni “kemi bёrё progres”. Me kёtё mё kujtohet ajo shprehja “po bёjmё kujdes brenda zonës sё rrezikut”. Ju jeni nё njё botё tuajёn dhe nuk ka problem. Pra, premtimi ёshtё aty dhe me atё do tё ballafaqohemi. Ne e besojmë masivizimin, por jo masivizim ku nuk e merr vesh i pari tё dytin, por mbi bazёn e standardeve nё hyrje, e para dhe duke i hequr kuotat qeveria, jo e centralizuar. Gjithkush qё dëshiron tё shkojё nё universitet ta dijё se po shkon nё njё fushё beteje pёr dijen dhe nuk po shkon nё njё “rifugium peccatorum” atje, pёr tё pirё hashash dhe pёr tё parё njёri-tjetrin, sa pёr dijeni. Dhe gjithkush e ka kёtё drejtё, por duhet tё provojё edhe meritёn.
Nga ana tjetër, shteti mbetet financuesi kryesor, patjetër, se nuk ka si tё jetё ndryshe. Por diversifikimi i burimeve tё financimit, sidomos nё kushtet tona ёshtё njё nevojё absolute. Vijmë dhe e gjejmë rrafsh arkën e shtetit, 720 milionё plus pёr t’ua paguar tё gjithё borxhlinjve qё kishin ngelur tek dera, se baba i kishte hedhur zaret pёr tё fituar zgjedhjet dhe ishte zhdukur. Atёherё si i bёhet? Bёhet qё burimet e tjera përfshihen nё kёtё sistem, brenda këtij misioni tё mirёpёrcaktuar dhe privati ёshtё i mirёseardhur.
Ju nuk e di si nuk ju vjen zor, partia e privatëve, partia e djathtë, partia dhe keni një muaj që ju dëgjoj, rrotulloni arra nëpër dhëmbë. Se ç’janë ca lobistë, se ç’janë ca kështu, se ç’janë ca ashtu dhe emrin ore zotëri. Po ju them edhe njëherë tjetër, jeni kthyer në një organizatë partie të ’89, ky ligj ju ktheu aty, jeni organizata bazë e universitetit të ’89-ës. Ikën 25 vjet mundime që bëtë për demokraci, e kthyet veten para ’90-ës dhe sektori i fortë publik si mund të jetë? Ne besojmë tek sektori publik po sektori publik pa kompeticion? Sektor publik që kush është tek publiku merr të gjitha qyl edhe hedh zarat, si? Sektor publik me kompeticion. Nuk ka më monopol. S’mund të ketë shteti monopolin. Në universitetet që i financon kryesisht buxheti i shtetit është e lirë, e hapur, kush është më i zoti. Ne na i intereson çfarë dijesh marrin ata që hyjnë në universitet jo i kujt është universiteti. Ky është i joni, ai është i kulakëve, kështu i bëtë ju edhe i gjetët emrin më të bukur Kristal, tamam kristal.
Monumenti që ju ngritët si shembulli i gjithë filozofisë suaj për arsimin ishte kristal, qelibar edhe emrin fiks ia vutë se emrin e keni vënë në bashkëpunim. Ai që zgjedh nuk është shteti. S’mund të jetë shteti ai që zgjedh. Ai që zgjedh është studenti. Futeni mirë në mendje këtë; është studenti ai që zgjedh, është zgjedhja e studentit ajo që përcakton se ku i çon shteti paratë, nuk është shteti që përcakton se ku do të shkojë studenti, “shko ti tek ky universiteti se do mbajmë ca njerëz në punë ne dhe na duhet plot, edhe dil më keq se ata që kanë ngelur brenda”.
Fondet i merr performanca, nuk i merr ai që i ka në xhep, edhe thotë, “unë e kam, çfarëdo që të bëj unë, se e bëra, se nuk e bëra, se nxora shkencëtar, se nxora druvar, unë i kam fondet, i marr fondet e bëj çfarë të dua”. Jo more!
Po ata që paguajnë taksat, po prindërit që çojnë fëmijët e tyre, ata s’kanë të drejtë kontrolli? S’kanë të drejtë ta dinë ata se ku shkojnë këto para, si thoni ju, ku keni parë? E keni parë ju, te organizata e partisë së ’89-ës, aty te ajo organizata që e mblodhët për të bërë atë mbledhjen e madhe të alarmit.
Patjetër që sistemi duhet të jetë i njehsuar, i standardizuar në mënyrë që të jetë kompetitiv, ndryshe ne jemi jashtë, jemi jashtë komplet, jashtë hartës së Europës, jemi jashtë hartës së rajonit, ne nuk jemi fare.
Ky është fakti të tjerat janë përralla.
Mos harroni që prindërit e këtij vendi, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, janë investitorët më të mëdhenj të parasë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Shikoni sa para investojnë për të çuar fëmijët jashtë, merrini shifrat dhe shikoni, sa studentë shkojnë jashtë nga Serbia, nga Maqedoni, nga Bosnja, nga Mali Zi edhe nga Greqia po të doni edhe shikoni sa shkojnë nga Shqipëria, të financuar jo nga shteti po nga familja. E si qenka kjo punë, pse të mos kemi ne universitete që të paktën një pjesë e këtij investimi të vijë këtu?
Pse duhet të ikin të gjithë jashtë të lemerisur? Çfarë ka këtu për të bërë tani, ndarje ne e ju? Në fund të fundit, a bëhet fjalë për t’i dhënë drejtim një historie që është pa drejtim 25 vjet? Është fakt, thoni çfarë të doni, unë nuk them që e keni bërë me qëllim e keni bërë se keni dashur të bëni më të mirën, aq keni ditur, aq keni bërë siç i bëtë të gjitha.
Po pse doni tani që ne prapë të rrimë aty dhe thoni ajo është, ore jeni në vete apo jo? Dy herë rresht zdrugim nga populli, vazhdoni e thoni ishim më mirë kur ishim më keq. Çfarë bëni?
Një gjë tjetër, pse gënjeni kur thoni “ky ligj rrit tarifat dhe është për të pasurit”, pse gënjeni? Ky ligj përcakton ku investojmë ne si shtet. Ne si shtet investojmë në tre kategori, që japim ne paratë, shteti, tek të shkëlqyerit, tek ata të cilët i stimulojmë për të shkuar në degët jo tërheqëse dhe jo kompetitive, – sepse kështu siç e latë ju ka përfunduar Shqipëria s’ka më mësues matematike, s’ka më mësues të gjuhës shqipe e kuptoni apo jo? Si do t’i formojmë këta ne? Ne do t’i stimulojmë financiarisht dhe tek të varfrit që nuk kanë mundësi të paguajnë, por që paraprakisht duhet të provojnë që janë të aftë të hynë në universitet, kanë talentin, por s’kanë paratë, paratë do t’ia japim ne. Të tjerët të gjithë të barabartë. Këto tre kategori financon shteti. Teoria “hajde ta bëjmë si këmbët e dhisë”, na çoi këtu ku jemi. Juve ju pëlqen kjo, ju e quani arritje të madhe, ne na tmerron. Ky është ndryshimi!
E fundit fare, nuk është shteti, pra nuk është qeveria dhe ministria që organizojnë dhe menaxhojnë punën e përditshme të sistemit të arsimit të lartë dhe ky është një ndryshim tjetër shumë i rëndësishëm që ju i vini vërdallë kapitulli 12.
Kapitulli 12 është thelbi i ligjit, sepse i jepet mundësi disa agjencive të specializuara që të bëjnë menaxherin. Ju keni bashkuar botën akademike me menaxhimin, e pandodhur, nuk ndodh në asnjë vend. Ju i doni edhe shkencëtarë edhe menaxherë, të dyja gjërat. Pra, i merrni për shkencëtarë e i thoni menaxhoni dhe paratë. Si mund të menaxhojnë shkencëtarët? Ç’lidhje kanë shkencëtarët me menaxhimin. Ta zëmë se janë shkencëtarë, se sa shkencëtarë janë është tjetër histori, ta zëmë se janë shkencëtarë, çlidhje kanë shkencëtarët me menaxhimin e parave, ku lidhen këto?
Atëherë ligji krijon një sistem menaxhimi. Pra, fusim konceptin e menaxhimit në universitete që nuk ekziston fare. Ju menaxhim quani ata që bëjnë tenderat, ai quhet menaxher.
Këto janë për të mos u zgjatur dhe më tutje se këtu ka shume për t’u zgjatur. Unë nuk ka folur, kam preferuar të mos flas për këtë çështje dhe më vjen shumë keq edhe për një gjë tjetër;
Ky projektligj, është një shembull edhe për ne, nën lidershipin e ministres së Arsimit, ia kemi dorëzuar pushtetin tonë një grupi ekspertësh, ekspertë në këndvështrimin tonë ndër më të mirët që ofron vendi ynë, brenda dhe jashtë vendit. Nuk i kemi parë fare se çfarë tesere partie kanë në xhep. Disa prej tyre i kemi parë edhe në fushatë me ju, unë nuk po përmend emra, ju i dini. Të gjithë bashkë i kemi thënë, ”duam të bëjmë një ligj të arsimit të lartë që të adresojë gjithë këtë kancer dhe të na japë në dorë një instrument për të luftuar këtë kancer dhe për të dalë në një epokë tjetër”.
Është punë e një komisioni të reformës së arsimit të lartë dhe unë dua t’i shpreh gjithë respektin atyre pavarësisht se nuk kam fare simpati për një pjesë të tyre, nuk kam asnjë simpati kur vjen puna as tek bindja politike as kur vjen fakti që besojnë akoma te Partia Demokratike, kjo s’ka rendësi këtu jemi tek ekspertiza.
Tani ju dilni dhe thoni, “është vullneti i kryeministrit”, unë po ju them, “është vullnet i ekspertëve”. Ne kësaj ekspertize i vendosim vullnetin politik, njësoj siç do të bëjmë me reformën në drejtësi.
Ne kemi vullnetin politik, 5 parime i kemi thënë. Duam këtë drejtim, kjo është filozofia jonë, nuk duam ta ndajmë i shtetit, i privatit, i nënës, i njerkës. Duam konkurrencë, meritë dhe paratë e publikut të shkojnë tek performanca më e mirë, pikë. Ky ligj është zbërthimi i saj.
Drejtori i Komisionit Europian për Arsimin, një personalitet europian ka ardhur enkas në Shqipëri tha shprehimisht, “ky është një ligj revolucionalizues për Arsimin Lartë dhe një model për t’u ndjekur në rajon”. Dakord!
Sepse nuk është ligj i shpikur nga ne, alla shqiptarçe siç i bënit ju, nuk është kristal.
Këto janë ato që kisha për të thënë dhe duke dëgjuar gjithë këto debate mu kujtua një shprehje, “të jesh budalla, të jesh i vetëkënaqur dhe të kesh shëndet të mirë janë tre kërkesat bazë që të jesh i lumtur”, qofshin të lumtur të gjithë ata që mendojnë ato që mendojnë, dhe kanë thënë e do të thonë ato që kanë thënë e do të thonë, po më shumë se kaq ne nuk bëjmë dot për ta.
Ne ligjin do ta votojmë dhe Arsimi i Lartë në Shqipëri do të transformohet rrënjësisht me një revolucion!
Faleminderit!