Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në prag të vitit të ri akademik, rezidencat studentore universitare janë gati të mirëpresin studentët me kushte optimale dhe me infrastrukturë të përmirësuar.

Në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, në Tiranë, e përbërë nga katër godina të rikonstruktuara sipas standardeve më bashkëkohore ishte sot kryeministri Edi Rama, i cili u njoh nga afër me përgatitjet e bëra në nisje të vitit akademik.

“Godinat janë tërësisht të rikonstruktuara sipas standardeve më të mira dhe tashmë presin studentë nga Fakulteti i Inxhinierisë, nga Fakulteti i Mjekësisë, i Sporteve dhe Bujqësori.” – shpjegoi Ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila shtoi se deri në nisjen e vitit akademik më 11 tetor, ka kohë të mjaftueshme për të përfunduar çdo punim.

Duke qenë se disa prej godinave studentore mund të vihen në dispozicion të pritjes se refugjatëve afganë, Kryeministri theksoi se  “Në të gjitha rastet është me rëndësi që të kuptohet dhe të bëhet e qartë se nuk bëhet fjalë për “hiq studentët dhe sill refugjatët afganë” por bëhet fjalë thjeshtë për të shfrytëzuar këtë dritare kohe përpara se të vijnë studentët.”

Për një vit akademik sa më të sigurt dhe me ecuri normale, kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e procesit të vaksinimit për studentët dhe pedagogët, që frekuentojnë auditorët. Kryeministri theksoi se në momentet kur bota po përballet me shenjat shqetësuese të një vale të tretë infeksioni, të gjithë studentët duhet të mbajnë parasysh, se në varësi të numrave epidemiologjikë vaksinimi mund të kthehet i detyruar për këdo që hyn në auditorë.

“Ajo që është me rëndësi dhe duhet të komunikojmë me të gjithë rektoratet është që mund të vijë momenti, duke parë e çfarë po ndodh nëpër botë, duke parë rritjen e numrit, duke patur parasysh të gjithë rreziqet që sjell varianti Delta,  që vaksinimi për studentët që hyjnë në auditorë të jetë i detyrueshëm dhe duhet që t’ju komunikohet kjo vijimësisht. Këtu nuk ka “dua s’dua” sepse për të gjithë ata që kanë pjesë të aktivitetit të tyre të qenit bashkë me të tjerë është përgjegjësi që nëse për veten e tyre mund të thonë që “ne s’duam t’ia dimë”, të tjerët nuk mund t’i marrin në qafë. Kështu që, mund të vijë momenti që vaksinimi për studentët që do të hyjnë në auditorë të jetë i detyrueshëm. Është e pamundur që ne të lejojmë të kemi një përshkallëzim të panevojshëm të numrave dhe pastaj të shkojmë në masa që kurrë nuk duhet të kthehen mbrapsht në Shqipëri sepse besoj jemi në kushtet kur mund ta evitojmë. Pedagogët që hyjnë në auditor, studentët që hyjnë në auditor ku ka dhe të tjerë kanë përgjegjësi të mbrojë dhe të tjerët. Askush nuk ja ka borxh askujt që të shkojë në spital se dikush vjen dhe thotë “s’dua” .

Ka filluar intensivisht të bëhet e detyrueshme kudo dhe patjetër mund të vijë momenti që për disa kategori të bëhet e detyrueshme edhe këtu. Kush ka punë apo aktivitete të tilla që lidhen me njerëz të tjerë në distanca të afërta nuk mund të thotë “s’dua”.” – u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.