Komunikimi publik i Kryeministrit lidhur me situatën e pandemisë së Covid-19:
Të dashur miq, motra e vëllezër!
A e keni parasysh babain kur rreptësohet dhe të shkul veshin? E bën sepse të do të keqen? E bën sepse nuk të do si dritën e syve? Të gjithë jemi mërzitur edhe me babain, por ama të gjithë e kemi kuptuar që kur babai rreptësohet, diçka nuk shkon me ne!
E pra, mua më ra për hise t’jua them dhe të bëj gjera që nuk kanë se si t’ju pëlqejnë, nuk kanë se si t’ju gëzojnë, nuk kane se si të mos ju bëjnë të ndjeheni në vështirësi të posaçme kur unë bëj rolin e babait, por si mendoni ju, më pëlqejnë e më gëzojnë mua këto masa shtrënguese?! Më pëlqejnë e më gëzojnë mua llogaritë që ne këtu i bëjmë përditë për financat e shtetit, Shtëpisë sonë të Madhe, që bien e bien, sepse normal, kur ndalon puna e nuk paguhen detyrimet mbi fitimin, të ardhurat bien e kur bien të ardhurat, bie si në çdo shtëpi, edhe fuqia për të shpenzuar si më parë! Më pëlqejnë e më gëzojnë mua shifrat e papunësisë që rriten përditë nga shkurtimet për shkak të rënies së punës, që do të thotë çdo ditë e më shumë njerëz me një hall të madh më shumë?!
Më pëlqen e më gëzon mua, të mbyll shkolla e biznese e t’ju mbyll juve në shtëpi me javë të tëra dhe t’ju tregoj përditë, deri në acarim nervash se kush lëviz e kush ndëshkohet po lëvizi?! Apo më pëlqen e më gëzon, të merrem me lloj-lloj reagimesh instinktive, të shumëkujt që më shkruan sikur ia solla unë luftën, sikur ia mbylla unë derën e shtëpisë apo sikur unë rri ne shpellën e një thesari me florinj e ironizoj me ata qe ankohen për gjithfarë hallesh te reja e te vjetra?! Unë ju tremb e ju frikësoj juve, ne vend se t’ju jap shprese e gëzim, sepse ju them pa pushim te ruheni e te mbroni veten e familjen nga kjo mortje qe ka rene si rrufeja mbi kokën e tere planetit dhe kërcënon te na grije si mish qeni! Po pse, nuk e shihni ju çfarë po ndodh matanë detit, ne Itali ku jetojnë e vuajnë më keq se ju që ankoheni e më shani e më mallkoni mua, qindramijëra shqiptare?! Nuk e shihni ju që edhe ushtria e plotfuqishme amerikane u katandis të nxjerrë autokolonat e trenave me makina të blinduara në kurriz, për të bindur njerëzit të mbyllen brenda?! Nuk e kuptoni ju që në këtë luftë botërore, ku as Amerika s’ka ilaç tjetër përveç mbylljes dhe në një javë humbi 3 milionë e kusur vende pune, ne nuk kemi rruge tjetër përveçse të shpëtojmë jetën e familjareve tanë, duke bere fiks këtë që po bëjmë?!
Çfarë kërkoni ju nga unë, që t’ju tregoj përralla?! Që t’ju them mos dilni por po dolët s’ka gjë, se më e mira do behet prapëseprapë?! Apo që ta shkrij arkën e kësaj Shtëpisë sonë të Madhe sot dhe nesër të rri e të vështroj se si përfundoni të tërë bashkë me mua, në një gropë shumë më të zezë se sa ajo e mosozotshmja e vitit ‘97-të?! Apo kërkoni që të bëj sikur nuk ju lexoj e nuk ju kuptoj dhe të mos i përgjigjem askujt, në vend se t’i shkul veshin e t’i them të vërtetën?! E vërteta i duket gjithnjë cinike, arrogante apo ironike, atyre që s’duan ta dëgjojnë e ta kuptojnë, po me lejohet mua ne këtë kohë kur më ra taksirati të jem unë ne rolin e babait, që të hesht e të mos i them te vërtetën kujtdo që gënjen veten me lloj-lloj iluzionesh, ndërkohë që sot, iluzionet nuk zhgënjejnë, po mund të vrasin njerëz?! Po si ka mundësi që të mos doni ta kuptoni se ky shtet, asnjë shtet, nuk mund të garantojë vazhdimin normal të jetës së askujt, po duhet të garantojë, si çdo shtet, mbrojtjen e jetës së secilit?!
Apo mos kujtoni se këto shifrat e përditshme që nuk shyqyr Zotit nuk janë alarmante, dalin nga hiçi dhe jo nga masat e nga rezistenca popullore në respektimin e masave?! Kaq të vështirë e keni ta kuptoni se deri tani nuk po përplasemi me një muri të vdekurish që rritet përditë e përditë duke na marrë frymën, pikërisht sepse po bëjmë gjënë e duhur?!
Për çfarë vdekjesh nga uria flasin disa pa pushim, kur në fakt nga uria shqiptarët nuk kanë vdekur kurrë, pikërisht sepse edhe në kohët më të zeza kanë mbajtur njëri-tjetrin e me cilat qese me vaj, oriz e me miell talleni dhe shani e mallkoni, kur në fakt, pikërisht ato pako, qese, siç keni qejf t’i quani, luftojnë urinë në luftë, nuk shkojnë tek njerëzit për festa.
Pse nuk doni ta kuptoni se kjo është luftë me kuptimin më të plotë të fjalës, madje një luftë e pashoqe, sepse është e para luftë në historinë e njerëzimit ku njerëzimi nuk e sulmon dot armikun, por vetëm duhet të mbrohet prej tij?!
Pse është kaq e vështirë të kuptoni se nuk ka shtet në planet që u shkon dot të gjithë hallexhinjve, në të njëjtën ditë, me atë pakon e ndihmës ushqimore në derë, me qesen, siç ironizojnë disa?!
Çfarë do me thënë mos na trego ti gjë?! Mos bëj show? Mos u tall me popullin, kur shikoni informacionet e përditshme që unë publikoj në këtë faqe nga operacioni humanitar. Aty i keni, qindra mijëra shqiptarë, jo larg, në Itali, pse nuk i pyesni, kush po i çon ndonjë qese derë më derë, me ushqime, kush po u thotë të mos paguajnë dritat, meqë nuk keni punë? Kush po u derdh euro në bankë, që të hanë e të pinë e t’i çojnë pastaj Kryeministrit në Facebook sharje e mallkime, pse nuk u jep euro të gjithëve. Pyetini dhe nëse Italia nuk ua mbush dot mendjen, se disave u duket më e dobët se Shqipëria, pse nuk pyesni miq e shokë në Angli, në Francë, në Amerikë po të doni, se sa qese po marrin nëpër shtëpi nga shteti, sa euro apo sa dollarë u janë derdhur në konto e për sa muaj ua kanë falur paratë e dritave e të taksave. Flas për shqiptarët, për ata që punojnë atje, që kursejnë atje. Pyetini, pse nuk i pyesni?
Pse nuk doni ju ta besoni se ne po bëjmë maksimumin brenda mundësive tona e se po të ishte vetëm dëshira dhe jo mundësitë, unë do kisha bërë shumë më tepër sesa po bëhet e do vazhdojë të bëhet akoma.
Punon në të zezë dhe do lekë se je pa punë? Po si bëhet kjo, kur nuk do as të denoncosh se në cilin biznes ke punuar në të zezë? Apo nuk ka rëndësi, se shteti duhet të shpërndajë lekë për të gjithë, mjafton që dikush të thotë unë isha në të zezë, po ku është parë kjo? Pse nuk i pyesni përshembull, ata në Itali, çfarë përgjigje ka fuqia e pestë ekonomike e globit sot, për ata që kërkojnë lekë nga shteti, sepse kanë punuar në të zezë?
Ankoheni dhe shani pa pikën e vetëpërmbajtjes për pensionistët që nuk dinë të aplikojnë online. Dhe çfarë prisni pastaj nga unë, që t’ju them, bravo? Sa mirë që e thatë? Keni të drejtë? Kur në fakt e kam thënë e stërthënë se pensionistët nuk aplikojnë dot, sepse nuk do t’u lejohet të dalin fare nga shtëpia.
Si do bëhet me ata që janë të vetmuar? Edhe këtë e kam thënë dhe stërthënë, do t’i ndihmojmë ne, derë më derë, nëse janë pa fëmijë e njerëz pa njerëz që t’i ndihmojmë e pse nuk doni ju ta dëgjoni këtë? Meqë unë nuk jam dot ai që nuk jam dhe ky që jam, me të mirat e me të këqijat e mira, do vazhdoj të jem e do bëj gjithçka që është në fuqitë e mia që kjo luftë të mbarojë pa qindra e mijëra viktima të mosdëgjimit, të moskuptimit, të mosbindjes, me çdo mjet të mundshëm e me çdo mjet të imagjinueshëm.
Kur ra tërmeti, e patë që ju dola për zot e nuk ia lash Zotit të bëjë asnjë nga detyrat që më takojnë mua, ashtu sikundër nuk do t’i lë në mëshirën e fatit, ata që presin të hyjnë në shtëpitë e reja e që po vuajnë më shumë se të gjithë ata që këtu shajnë, se janë nëpër çadra, pa ujë e pa drita, meqë ra fjala e nuk shkruajnë lloj-lloj dënglash nga Iphone dhe janë të duruar dhe falënderues kur e marrin atë qesen, kur shumëkush nga ju tallet e na tregon show e na tregon propagandën.
Ju thashë, të gjithë do t’i ndihmojmë me pagën e luftës. Të tërë ata që janë në shtëpi se u është mbyllur biznesi i vogël dhe javën e parë të prillit, ata do të marrin lekët.
Ju thashë se do t’ua dyfishojmë ndihmën ekonomike atyre që jetojnë me ndihmën ekonomike dhe në javën e parë të prillit, edhe ata do të marrin lekët, dyfishin. Janë 123 mijë familje këto që flasim.
Tani, si e keni hallin ju që keni dhe internet për të sharë e për të mallkuar, kur ankoheni pikërisht për këta që sipas jush do vdesin për bukë.
Ju thashë që në hyrje të prillit do indeksojmë pensionet dhe do të japim 20 milionë euro plus për pensionistët, prandaj, a më thoni dot si e keni hallin, rrini në shtëpi, nuk keni një pensionist në hall dhe ankoheni me Iphone në dorë për pensionistët? Janë pak lekë të tëra këto?
E di që nuk janë shumë, por kur, në cilën luftë të historisë së njerëzimit keni parë ju që të derdhet leku lumë për të gjithë ata që janë në hall dhe nuk luftohet vetëm e vetëm për ekzistencë. Ju thashë edhe që ndihma jonë nuk mbaron me kaq, por ama do vazhdojmë të lëvizim në drejtimin tuaj, duke parë dinamikën e luftës, sepse nuk e dimë sa zgjat dhe nuk mund ta shkundim arkën e shtetit duke jetuar sot për sot, për t’u mbytur krejt nesër për nesër e jo nesër për nesër pas 10 vjetësh, por pas pak muajsh.
Kush ju ka thënë juve se kjo luftë është një histori dy javësh e pas dy javësh do të dalim të gjithë të përqafohemi? Ku e keni parë të ndodhë kjo e meqë i keni qejf shembujt me Amerikën ku Presidenti thoshte deri dje, do iki kjo shpejt, e shikoni tani çfarë u thotë amerikanëve, ndërkohë që duke pritur të iki vetë, i hapën rrugën armikut e sot kanë kaluar Kinën me infektim e nuk po kanë më as vende e as mjete mbrojtëse për mjekët dhe infermierët në spitalet e New York-ut. Amerika është Amerikë e mbase dhjetëra mijëra të vdekur nuk i ka aq problem sa ne, pot ne që me Amerikën nuk krahasohemi dot në asnjë gjë, si mund t’ia lejojmë ne vetes të lëshohemi e të vëmë në diskutim jetën, duke mos kuptuar se kjo është luftë për ekzistencë, nuk është një lojë kukafshehthi e organizuar nga politika e poshtër, siç keni qejf ta quani disa nga ju.
I them këto e mund t’ju them plot të tjera akoma, sepse realisht nuk di si të flas me disa që nuk duan të marin vesh, nuk duan të hapin sytë, të shikojnë realitetin e të hapin veshët të dëgjojnë të vërtetën.
Kur do mbarojë kjo? Po pse, kush e di këtë që ta di unë? Por ama di me siguri një gjë, po vazhduam kështu, do ta kalojmë pa qindra e mijëra viktima e do t’i rihapim pjesë-pjesë rrugët e jetës normale, më shpejt se shumë të tjerë. Po u lëshuam, po u dorëzuam, e të dalë ku të dalë, ne do bëhemi turpi më i madh i historisë së këtij vendi dhe gazi i planetit.
28 mijë u vranë në Luftën e Dytë Botërore dhe qeverinë e kishte armiku, nuk e kishte populli shqiptar, por nga uria nuk vdiq askush. Natyrisht, mbijetuan shumica, ja ashtu, me një qese, meqë ju pëlqen të përgojoni atë qese, duke rezistuar jo një muaj e dy muaj, por disa vjet. Mos ju duket i pakuptimtë ky krahasim, meqë ju nuk e shikoni armikun dhe tolloviteni në internet tërë ditën e ditës, duke mos dalë fare nga shtëpia, duke parë televizor. Në fakt jo, ky krahasim është mëse i domosdoshëm për të kuptuar se sa e dobët është sjellja e se sa i paarsyeshëm është mendimi i atyre që hyjnë në rrjedhat e komenteve për të sharë e për të mallkuar. Jo për mua, se unë jam mësuar dhe kësaj rradhe më i vendosur se kurrë ta mbroj jetën e çdo shqiptari, pa dallim, me çdo fuqi dhe çdo mjet, por për familjen tonë të madhe, për Shqipërinë, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të gjunjëzohet e të turpërohet në këtë luftë u turpi mund të mbetet për veten e tyre, vetëm atyre që mirë nuk thonë dot një fjalë inkurajuese, po nuk lënë fjalë të ulët dhe budallëk pa nxjerrë nga goja, duke helmuar të tjerë, në vend se të rezistojnë si shumica e jashtëzakonshme e popullit shqiptar, falë të cilës rezistencë, ne do t’ia dalim e do t’ia dalim më shpejt se shumë të tjerë, nëse ndryshe nga shumë të tjerë, ne i morëm masat në kohën e duhur dhe si të tjerë, ne i rezistojmë dhe i respektojmë të gjitha masat deri kur të vijë momenti i duhur, ajo kurba që nuk po rritet në mënyrë marramendëse është rezultat i kësaj rezistence e nëse atë kurbën duam që ta çojmë drejt zbritjes, pasi ajo të ngjitet aty ku do të jetë piku i saj që ende nuk ka ardhur, ka vetëm një rrugë: Rezistencë për ekzistencë. Asgjë tjetër.