Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në seancën e sotme parlamentare:
Në qoftë se ka një gjë që parafolësi e di mirë, janë njerëzit në kërkim. Kjo është arsyeja pse në këto muaj numri i personave në kërkim ndërkombëtar të kapur është rritur 128% në krahasim me periudhën kur të kërkuarit e kërkonin parafolësin dhe parafolësi i jepte të kërkuarve drejtim në rrugën e kundërt me policinë. Gjë që bëri që edhe ata që kërkonin të kërkuarit matanë kufijve hoqën dorë nga kërkimi në bashkëpunim me parafolësin dhe me policinë që drejtohej nga parafolësi. Gjë që solli që pothuajse dy vjet, lidhjet mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe policive partnere u shkëputen plotësisht për të gjithë operacionet e rëndësishme, pasi operacionet e rëndësishme i merrnin vesh të kërkuarit para se të fillonte kërkimi. E për më tepër, pastaj, parafolësi si gjithmonë është shumë i suksesshëm në vetëdiskretitim, sepse e tregon vetë hapur se çfarë lloj cilësie është, kur të thotë ke qenë në kërkim në 2008-n. Këta ishin nga 2008 deri në 2013 në pushtet dhe ju mbetën të gjithë në kërkim.
Megjithatë le të kalojmë në temë. Ju lutem se i zura radhën dhe Jozefinës për grindaren e vet. Kështu që të mbaroj unë, që të grindare Jozefina.
Unë kam një mendim pak ndryshe nga shumica e kolegëve dhe e miqve të mi, këtu në grupin parlamentar.
Unë nuk mendoj që ju luftoni për të bllokuar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe as nuk e mendoj dhe as keni për ta dëgjuar nga unë që t’ju akuzoj që po luftoni që ta bllokoni. Unë mendoj ndryshe.
Unë mendoj që ju nuk dini të bëni asgjë tjetër, përveç kësaj. Ju që ditën e parë që jeni në opozitë, po sidomos që nga dita e parë që jeni në opozitë, se ju jeni tapë. Jeni tapë në kuptimin e të dehurit se nuk iu ka dalë akoma pija e pushtetit të humbur, por edhe tapë në kuptimin e tapës së topit.
Jeni kaq tapë topi, që sa më shumë flisni, në fakt t’ju them të drejtën aq më keq, mua personalisht, por edhe të tjerë, na bën të ndjehemi me veten që për fajin tonë, jo për meritën tuaj e qeverisët këtë vend tetë vjet rresht, pa qenë asnjë ditë të vetme shumicë reale në këtë vend. Ju jeni një pakicë aq shumë e llastuar nga fati në tetë vitet e fundit, saqë nuk arrini as ta mendoni dhe jo ta kuptoni sesa shumë dëm i bëni, përveçse këtij Kuvendi, përveçse kësaj politike që e keni marrë peng prej shumë vitesh, por edhe vetes suaj. Sepse sa më shumë ju bëni sikur s’keni qenë në pushtet deri 9 muaj më parë, aq më shumë kohë do të duhet që t’ju marrë njeri seriozisht. Dhe, në fakt, ju nuk merrni seriozisht as njëri-tjetrin, jo t’ju marrin seriozisht të tjerët.
Ju jeni kaq tapë, sa ju duket sikur tani jeni venë në krye të një lëvizjeje shpëtimtare dhe kaq tapë-topi, sa ua kujtoni vetë, në fakt, përditë, shqiptarëve se kush jeni. Ua thoni vetë, nuk i lini shqiptarët që për një moment ta dyshojnë kush jeni ju. Dilni vetë. Përditë. Kur vjen e enjtja dilni këtu, gjithë ditën, që shqiptarët të mos ta harrojnë kush jeni. Duke e kujtuar kush jeni ju, shqiptarët nuk harrojnë dot, asnjë sekondë se në çfarë derexheje e latë ju vendin. Dilni këtu çdo të enjte, siç dilni përditë nëpër ato foltoret, shani, shpifni, akuzoni, gënjeni, fabrikoni. Por kujtoni se do t’ju besojë njeri juve, në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, që ky vend u mboll me drogë për herë të parë, ditën kur erdhëm ne në qeveri; Që ky vend e dëgjoi shpërthimin e tritolit për herë të parë, gjatë këtyre muajve të qeverisjes sonë; Ky vend pa në lajme për herë të parë, vrasje e aksidente rrugore, pasi ju përzuri ju dhe na zgjodhi ne në drejtim.
S’keni faj ju, në fakt. Kaq dini, kaq bëni. T’ju kërkosh më shumë ju, është vërtetë e kotë. Se nuk keni ditur kurrë më shumë se kaq dhe s’mund të bëni kurrë më shumë se kaq, sesa të provoni çdo ditë se kush jeni dhe pse në fakt nuk keni qenë kurrë shumicë reale në këtë vend. As një ditë të vetme.
Lerë pastaj, kur flisni këtu pa u ndalur, jashtë çdo rregulloreje, nuk diskutohet. Jashtë çdo etike. Nuk bëhet fjalë për parlamentarizmin, për të drejta fjale e rregulloreje.
I jepni vetes vazhdimisht një lloj droge të veçantë që të besoni se juve po iu shkelen liritë. Se kush mund të ketë ngenë të shkelë liritë tuaja dhe për çfarë duhet ta bëjë këtë, ju siguroj që unë nuk e kuptoj, por di vetëm kaq, që sa më të lirë ju, aq më rehat ne. Edhe pse rehati ynë nuk është gjëja më e mirë, se në fakt, do të na duhej një opozitë shumë më e ditur dhe shumë më e përgjegjshme.
Flisni për rrëmbime të institucioneve, dilni këtu mbroni Presidentin. Presidenti është pushtet, ç’është kjo, si thoni s’është pushtet… Tani e kuptoni që shqiptarët ju njohin prej më shumë se 9 muajsh, apo se kuptoni! Ju mbajnë mend mirë.
Ne mund të kemi thënë shumë gjëra, por as kemi thënë, as kemi ndërmend ta themi ndonjëherë dhe as që e mendojmë dot që Presidenti mund të jetë horr bulevardi. S’na shkon mendja. Nuk e mendojmë dot që Prokurori i Përgjithshëm mund të jetë lavire. Se mendojmë dot, jo më ta themi.
Flisni pastaj, më e bukura fare, që ne po nxisim konflikt me ju, ne po nxisim luftë me ju, ne nuk po ju lëmë ju që të bëni opozitarizmin. Me ju, që në fakt, këtë Kuvend e keni bërë tamam sheshin ku bëni përshesh, hani përshesh gjithë kohës, çdo të enjte. Aq shumë përshesh hani, sa duket sikur gjitha java ju kalon duke përtypur përsheshin e së enjtes, nëpër ekrane, nëpër tribuna.
Ju jeni kaq tapë-topi, sa sot dëgjova njërin nga ju që tha se ne paskemi vënë në siklet Gjermaninë. Ne kemi vënë në siklet Gjermaninë, që Gjermania sot nuk fliska dot hapur, se paksa hallin e Ukrainës dhe nga halli i Ukrainës nuk flet dot hapur. Në fakt, unë nuk e mbaja mend, këtu ka njerëz me eksperiencë në politikën e jashtme dhe në integrim, unë nuk kam dhe aq eksperiencë, por nuk e mbaja mend ndonjëherë që të dilte ndonjë deklaratë e Qeverisë gjermane, për të vënë pikat mbi ‘i’, lidhur me shpifjen tuaj të pak ditëve më parë, që u përsërit edhe këtu sot, që qenkan kapur në Gjermani, 5.5 tonë drogë. Jo vetëm kaq, por Qeveria gjermane vuri edhe një pikë tjetër mbi ‘i’, që jua kam thënë vazhdimisht, që bashkëpunimi me policitë e vendeve partnere jo vetëm ka rifilluar, por po intensifikohet dita ditës.
Dhe ishte qartësisht ajo që thamë ne, që falë këtij bashkëpunimi është bërë edhe ajo kapje.
Tani, unë dua t’ju them jo ju, por, në fakt, ata që përfaqësoni, se po të ishte për ju, sinqerisht nuk do ia vlente fryma, që për mua, për Ministrin e Jashtëm, për Ministren e Integrimit, për Ministrin e Brendshëm, për Ministren e Mbrojtjes, që për shkak të detyrës jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët, janë javët e një jete sureale. Më besoni. Takohemi me partnerët dhe marrim përgëzime, inkurajime, mbështetje, pikërisht për atë që ju doni të ngrini popullin në këmbë. Pikërisht për atë. Nuk janë përgëzime, inkurajime dhe mbështetje që kanë të bëjnë me shkëmbimet miqësore mes shteteve apo palëve, por janë përgëzime, inkurajime dhe mbështetje që vijnë si rezultat i rezultateve konkrete që ne kemi arritur. Dhe rezultatet konkrete flasin vetë. Është shumë e pamundur, edhe pse t’ju them të drejtën, ndryshe nga ju, ne e kemi rregull që nuk flasim keq për ju tek të tjerët. Ne e kemi rregull, e përsëris, nuk flasim për ju tek të tjerët, se nuk kemi mendimin që kishit ju, që ishit qendra e botës.
Si është e mundur, në prill të vitit të kaluar është kapur 1.1 tonë marijuanë, në prill të këtij viti është kapur 5.1 tonë. Ju thoni na mbyti droga. Ju mbyti droga e kapur?! Çfarë keni ju me drogën e kapur?! Pse ju shqetëson droga kapur?! Çfarë keni ju, me faktin që në prill të vitit të kaluar keni kapur 159 gramë heroinë, në prill tani janë kapur 2.6 kg?! Ju thoni na mbyti droga. Çfarë keni ju?! Si e keni ju, hallin, që po kapet kaq shumë drogë?! Se kjo është gjëja, që edhe kur na pyesni, nuk dimë çfarë themi. Çfarë halli keni ju, që vetëm në prill të këtij viti, krahasuar me prillin e kaluar, janë arrestuar dhe janë proceduar 30% më shumë trafikantë. Ju thoni ndaloni qeverinë. Për çfarë ta ndalojmë qeverinë?! Që të kapë trafikantët apo që të kapë drogën. Si mund të shpjegohet që në të njëjtën periudhë tuajën, atëherë kur njerëzit në kërkim ju kërkonin dhe paraqiteshit ku ju kërkonin, ju keni kapur 14 tonë, kurse në këtë periudhë janë kapur afër 20 tonë. Si shpjegohet që 750% është rritur sasia e kokainë së kapur, për të njëjtën periudhë. Si shpjegohet kjo? Nuk hynte kokainë në kohën tuaj?! Në kohën tuaj hynte, por nuk dilte. Mbeste brenda kokaina, në kohën tuaj. Ky ishte ndryshimi.
Sa për Lazaratin, mos e prekni atë kështjellë, se aty pastaj, ngatërrohet edhe më keq puna juaj.
Ju bëni si të doni po ndajeni këtë punë. Çfarë revolte keni? Revoltën e kultivuesve apo revoltën e antidrogës. Jeni me kultivuesit, apo jeni kundër drogës? Ndajeni këtë. Jeni me Dashon, apo jeni me policinë. Me kë jeni?
Duke e mbyllur doja të thosha që dëgjova sot, disa gjëra që dua t’i ndaj për t’i thënë njerëzve, shikoni se çfarë ju thonë. Dikush tha sapo u kap një gomone në Itali. Për gomonet që kapen në Itali, duhet përmbysur qeveria në Shqipëri! Guardia Di Finanza konfirmoi se gomonia shkonte nga Greqia dhe u kap në Itali. Dikush tjetër tha një gjë akoma më fantastike, sot. Që në Shqipëri droga ka thyer ekuilibrat e politikës së jashtme. Tani, unë ju them vetëm kaq: të jeni të sigurt për një gjë, që bëni një gabim të madh që nuk merrni meritën që ju takon akoma, edhe për pak kohë, për statusin e vendit kandidat. Merrni dhe ju atë pjesë të meritës që ju takon, mos e lini pa marrë dhe mos u vetdiskretitoni me kaq shpejtësi në njësinë e kohës, se kemi shumë kohë përpara. Kemi shumë kohë përpara.
Koha do të tregojë ende shumë gjëra. Do të tregojë shumë gjëra për rezultatet tona, do të tregojë shumë gjëra për njësinë e kohës, në varësi të vendit ku ndodhesh. Ju siguroj që, qoftë në takimin me Kryeministrin e Holandës, qoftë në takimin me Presidentin e Francës do të përcjell gjithë vullnetin tonë për të bashkëpunuar me ju. Ndërkohë që mes nesh mund t’ju them se nuk mund të bëj më shumë se kaq, realisht. Jeni në një gjendje shumë të rëndë dhe më e keqja është që vazhdoni që doktorin ta keni pacientin më të madh. Sesi do të shpëtoni, kjo është një çështje që ne nuk ju ndihmojmë dot, por, pak po e sigurt, është se ne ju duam këtu, ju duam sa më pranë rolit si opozitë. E do bëjmë çmos që t’ju duam gjithmonë, pavarësisht se ju gjithmonë do bëni çmos të na zhgënjeni në çdo shprehje dashurie që ne kemi për ju.
***
Replika e Kryeministrit Rama:
Mos u shqetësoni nuk është vlerësim për parafolësin. Parafolësit ja kam shpjeguar që është fatkeq, se ka flamur pa shkop, ka shkop pa flamur, po as flamur as shkop që quhet flamur dhe flamur nuk është, vetëm ti je.
Unë dola për diçka tjetër. More përsipër të thuash diçka që më bëri përshtypje, duhet ta dish normalisht. “ Nuk bën vaki- the, që të hyj avion pa e ditur këta”. “ Këta” nënkuptove qeverinë, apo jo? Për këtë e kishe fjalën? Mos e ço deri tek unë se do të dali keq kur të dali pastaj. Më dëgjo mua, se për analogji do të dali keq kur të dali. Fillip Çakuli e regjistron minimalisht.
Unë mendoj që përderisa kjo gjë ndodh edhe në vende shumë më të mëdha, edhe në vende të Bashkimit Europian mund të ndodhi, sigurisht kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhi siç e thatë ju që çdo natë në ora 8 ngrihen avionë nga Divjaka. Nga Divjaka çdo natë në ora 8 ngrihem mushkonjat, jua u thashë dhe jua përsëris prapë. Ju siguroj që nuk ju duhet që të jepni llogari për gjithë këtë siguri të madhe që keni, sepse mesa duket këtë punën e avionëve nuk e keni pasur nga mesazhet, por e keni pasur nga eksperienca.
Besoj që koha do të tregoj plot gjëra për të gjithë ne dhe me siguri do të tregojë edhe ndonjë gjë për këtë çështje. Se në fund të fundit prapë ka një ndryshim shumë të madh, ju flisni për një avion që ngeci dhe për një operacion trafiku që dështoi plotësisht. Ndërsa koha mund të flas për avion që nuk kanë ngecur dhe për operacione që nuk kanë dështuar. E meqë parafolësin ka qenë për një periudhë në krye të Ministrisë së Brendshme por dhe I lidhur shumë me të kërkuarit duhet të dijë diçka, me siguri. Ka shumë mundësi që siguria e tij të jetë e lidhur me dijeninë e tij. Gjithsesi sa për komisionin, komisionin e keni dhe urdhëro uluni në komision, bëjini të gjitha hetimet. Po sinqerisht mos kërkoni nga ne t’ju vijmë nga mbrapa sa herë ju çoheni nga tavolina dhe thoni jo nuk është këtu komisioni, po shkojmë të bëjmë një komision tjetër. Atë mund ta bëj vetëm Bashkim Fino që ka qenë kryeministër tamam, po jo ju.