Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga viti 1964, kur u ndërtua, në shkollën “Stavri Themelko” në Korçë nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje për ta sjellë atë në standardet bashkëkohore të mësimdhënies. Pas 5 dekadash u krye rikonstruksioni i plotë i shkollë, në ambientet e brendshme dhe të jashtme, me një financim prej 50 milionë lekë. Kryeministri Ei Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo ishte sot në shkollën “Stavri Themelko”.

Prej 3 vitesh në këtë shkollë funksionon edhe Klubi i Ekologjistëve, ECO-CLUB, një nismë e nxënësve me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë, duke filluar që në moshë të hershme, për ruajtjen e mjedisit me anë të reduktimit dhe ripërdorimit të mbetjeve përmes riciklimit. Shkolla është pjesë e programit  për ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve, program i shtrirë në të gjithë shkollat e qytetit. Në çdo kat të shkollës janë vendosur kosha me ngjyra për ndarjen në burim të mbetjeve plastike, xham, letër dhe mbetje organike. Kryeministri ndoqi një orë mësimore, e emërtuar prej tyre “ora e gjelbër”, ku ishin vetë nxënësit që shpjeguan idenë, sfidat dhe gjetjet e një studimi të bërë prej tyre për riciklimin e mbetjeve.

“Veç rëndësisë së madhe që ka riciklimi, ne kemi hasur gjatë punës sonë kërkimore një kuriozitet, i cili thotë se nëse ne do të arrijmë që të riciklojmë 1000 kg mbetje, do të thotë që të shpëtojmë 17 pemë, të kursejmë energjinë e mjaftueshme për 6 muaj të eliminojmë 3 metër kub materiale inerte, të kursejmë 31.780 litra ujë, të prodhojmë 75% më pak ndotje në ajër, 57% e energjisë që nevojitet për të prodhuar 1 ton të fibrës,  pra, të mos përdorim mineralet, resurset që kemi, por me atë që kemi, ne mund të prodhojmë diçka të re dhe 90% më pak ndotje në ujë. Përveç riciklimit është dhe reduktimi dhe ripërdorimi, që janë tre R-të që janë të lidhura shumë ngushtë me njëra tjetrën,” – shpjegoi gjetjet e studimit një nga nxënësit, anëtari ECO-CLUB.

Kryeministri Rama i nxiti të rinjtë ta çojnë më tej idenë e tyre dhe ta kthejnë atë në një aksion, duke u shtrirë në çdo lagje të qytetit.

“Gjithë këtë eksperiencë që ju keni krijuar në këtë oazin tuaj ta shpërndani në qytet. Bashkia t’ju financojë për materialet publicitare sensibilizuese për aksionet e ndryshme në lagjet e ndryshme të qytetit dhe ndërkohë të ndihmoni konkretisht që të fillojë nëpër lagje ndarja e mbetjeve në burim,”– u shpreh Kryeministri.

Rikonstruksioni i shkollës ka përfshirë të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme të godinës, rinovimin e palestrës dhe sistemimin e oborrit. Shkolla është pajisur edhe me sistemin e ngrohjes qendrore.

* * *

Në Maliq është në përfundim një nga investimet më të rëndësishme në qarkun e Korçës për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane, landfill-i dhe vend depozitimi i mbetjeve urbane.

“Jemi në përfundim të qelizës së parë ku do të hidhen mbetjet, pjesa që tepron e mbetjeve të qarkut të Korçës. Në total kjo kap rreth 7 hektarë dhe mendojmë se është një projekt shumë i rëndësishëm për pastrimin e qarkut të Korçës,” – informoi Gëzim Topçiu, kryetari i Bashkisë Maliq.

Kryeministri nënvizoi se me fuqizimin e procesit të riciklimit kapaciteti i landfill-it do të dy e trefishohet. “Mafia është e interesuar që të mos ketë riciklim, sepse ju e dini shumë mirë që për çdo ton mbetje që vjen këtu, landfilldi merr pagesë. Ju jeni shoqëria aksionere e bashkive, pra, paguheni mes vetes, ndërkohë që kur landfilldi zotërohet nga privati, çdo ton merret e përpunohet këtu, ose groposet këtu me pagesë. Nëse një pjesë riciklohen, atëherë dhe tonelata që vijnë këtu janë më pak dhe paratë që fitohen nga groposja janë më pak.  Edhe jetëgjatësia e landfilldit është më e gjatë.”

Kryeministri u takua edhe me disa riciklues të mbetjeve urbane. Ata nënvizun vështirësitë në të cilat gjendet sot industria e riciklimit për shkak të lëndës së parë.“Kompania ka ndaluar aktivitetin prodhues se nuk ka ku furnizohet këtu. Bëhet fjalë që për industrinë tonë mund të jenë rreth 120 ton në muaj që mund të përthithim. Meqë dhe zona e qarkut ka qenë e vogël, ne ishim bazuar tek importi. Gjatë kësaj kohe u detyruam të mbyllim dyert e kompanisë. 40 punëtorë që punonin aty sot janë papunë. Me investimet që ishim duke bërë edhe ata sot janë në pritje,” – tha një riciklues.

Kryeministri theksoi se njëherësh merr jetë edhe strategjia e sensibilizimit publik për ndarjen e mbetjeve në burim.  “Me përfundimin e kësaj zgjidhet dhe një plagë tjetër në organizmin e vendit. Elbasani u zgjidh, zgjidhet dhe qarku i Korçës, ndërkohe Tirana ka hyrë në një proces komplet revolucionar me kompaninë publike të përbashkët, Bashki e Tiranës dhe ajo e Veronës, që do të fillojë intensivisht shpërndarjen e mbetjeve në burim. Strategjia përfshin që ne në mënyrë agresive të sensibilizojmë, duke filluar nga shkollat e pastaj në lagje ndarjen në burim, që me dhënien e një nxitje të fortë riciklimit të ulim edhe tonelatat që shkojnë nëpër fusha.”

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.