Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në qytetin e Shkodrës, Kryeministri Edi Rama inspektoi edhe Zyrën e Punës, e cila përballet me jo pak vështirësi, në shërbim jo vetëm të punësimit të banorëve të qytetit Shkodër, por edhe të komunave përreth. Në një bisedë informuese me Ministrin e Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe Drejtorin e Zyrës së Punës, u trajtuan disa nga problematikat dhe objektivat e saj.

Ministri Veliaj, teksa solli raste konkrete që kjo Zyrë ka adresuar tashmë për punësimin e atyre që i drejtohen asaj për zgjidhje, e vuri theksin në nevojën e një përgjigjeje e veprimi më dinamik e të shpejtë të Zyrave të Punës ndaj çdo kërkese që i drejtohet asaj, si nga punëdhënësit, ashtu edhe punëkërkuesit.

“Rasti konkret në Lezhë. Punëdhënësi tha kam nevojë për 300 veta te Vau i Dejës. Kam dy vjet që i kam bërë një kërkesë, Zyrës së Punës, jo vetëm që nuk m’i gjetën, por të shkoj unë, tha, të rekrutoj në Shkodër, nuk ka sens ekonomik. U lidhëm edhe me Zyrën e Punës këtu në Shkodër dhe për një javë janë gjetur 40 personat e parë. Do vënë një autobus e do shkojnë të punojnë 8 orë në Vaun e Dejës e do kthehen, siç punohet kudo, bëhet një lloj tranziti për në punë, si në çdo vend normal të botës,” – u shpreh ministri Veliaj.

Ndërsa Drejtori i Zyrës së Punësimit u shpreh se një ndër objektivat e Zyrës është kalimi nga skema e ndihmës ekonomike në punësim.

“Kanë kaluar në ndihmë ekonomike e në kundërshtim me dispozitën ligjore vazhdojnë ta marrin dhe nuk stimulohen për punë, nuk tërhiqen që t’i ofrohet punë. Po kështu ka ndodhur edhe me skemat e tjera pasive, si pagesa e papunësisë. Ndërkohë që ai mund të rrijë një javë, një muaj, mund të rrijë dy muaj, por gjithmonë duhet të jemi në kërkim që nga kjo skemë t’i kalojmë punëkërkuesit në punësim.”

Pasi u njoh me problematikat, por edhe me mjediset e punës, Kryeministri Rama nënvizoi se duhet të fillohet që nga krijimi i kushteve të përshtatshme për punë edhe për vetë Zyrën e Punës.  “Duhet të bëjmë Zyrën e re të Punës. Kjo nuk është zyrë pune.”

Një tjetër ndalesë gjatë kësaj vizite ishte ajo në Shtëpinë e Fëmijës 0-6 vjeç, të cilin Kryeministri e vlerësoi si takimin më të ngrohtë e të ndjerë të kësaj dite.

Drejtoresha e këtij institucioni shprehu mirënjohjen për rritjen e buxhetit për Shtëpinë e Fëmijës 0-6 vjeç, çka do të mundësojë edhe rritjen e përkujdesit ndaj fëmijëve. “Jam falenderuese për buxhetin e ri, i cili ishte ekstra i mirë dhe me të cilin unë do të laj borxhet që gjeta në institucion, edhe fëmijët do të ushqehen, do të mjekohen e do të vishen si çdo fëmijë,” – u shpreh ajo.

Në këtë institucion të kujdesit foshnjor marrin mbështetjen e përditshme mbi 30 fëmijë të mitur të moshës 0-6 vjeç.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.