Pas mbi 100 vjet, Shqipëria ka më në fund infrastrukturën e mbledhjes dhe të mbrojtjes së Arkivit Qendror të Shtetit të standardeve më të mira arkivore. Deri më tani, Arkivit i mungonte një vendruatje e mirëfilltë me kapacitete e standarde e fondit arkivor. Godina e re e Arkivit Qendror ku ruhet memoria dhe biografia e shtetit krijon të gjitha kushtet për grumbullimin e ruajtjen më të mitë të materlialit arkivor.
Kryeministri Rama ishte në ambientet e reja të AQSH, të vendosura në Shkozë, Tiranë, për të cilat, drejtori i këtij institucioni Ardit Bido tha se ndryshojnë si nata me ditën cilësinë dhe standardin e ruajtjes së materialeve arkivore. “Vendruajtja e re e dokumentacionit arkivor ndryshon si nata me ditën mënyra se si do të ruhet dokumentacioni arkivor. Kur u bë arkivi u bë pa vendruajtje dhe u morën reparte ushtarake në ’90-ës dhe u “plas” dokumentacioni. Tashmë qeveria shqiptare e bëri investimin madhor në fushën e arkivave, se pa e ruajtur dokumentin vështirë se mund të themi gjë tjetër edhe në aspektin e seriozitetit të një shteti” – u shpreh Bido.
Kryeministri u ndal edhe në godinën e vjetër ku ruhej dokumentacioni, të cilën e konsideroi një tmerr. “Kjo është mënyra si është ruajtur dokumentacioni nga shekulli i VI deri në ditët e sotme, në këto godina që nuk plotësojnë asnjë kriter”, – përshkroi gjendjen e deridjeshme të godinës drejtori i AQSH-së.
Tashmë, falë këtij transformimi mundësohet që dokumentet arkivore jo vetëm të ruhen, por edhe të mbrohen nga zjarri apo lagështira konform çdo parametri europian. Projekti për modernizimin e infrastrukturës do të vijojë edhe vitin e ardhshëm me rikonstruksionin e dy godinave të tjera dhe të sistemeve të kontrollit.