Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot në Kuvend:

 

Është bërë gjithmonë e më torturuese që të marrësh pjesë me durim në seancat e këtij Kuvendi, ku zhvillohet një jetë e ulët. Një jetë shumë e ulët, që shkon duke u bërë çdo javë e më e ulët. Është, po ashtu, torturuese të mendosh, qoftë edhe për një moment, se çfarë mendojnë njerëzit që i ndjekin punimet e këtyre seancave dhe që presin, me siguri, shumëçka tjetër, por jo këtë që mbi prodhohet këtu  me një këmbëngulje që  tregon qartësisht atë që, në fakt, është përcaktuar që nga dita e parë e këtij Kuvendi, si rruga e një legjislature me dy pikënisje krejtësisht të ndryshme. Pikënisja jonë, e qeverisë së sotme, dalë nga një shumicë dërrmuese prej 1 milion votash për të rilindur Shqipërinë dhe pikënisja juaj, e qeverisë së djeshme, dalë në opozitë pasi rrënuat Shqipërinë.

E megjithatë në asnjë ditë të vetme, në asnjë çast të vetëm, të gatshëm për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, pozicionin tuaj dhe për të luajtur rolin që ju ka caktuar populli. Pikënisja jonë, e shumicës më solide parlamentare që Shqipëria ka pasur qysh nga shekulli i kaluar, e cila qysh ditën e parë ju ka dhënë gjithçka që ju, në këtë sallë dhe jashtë saj, i’a mohuat opozitës kur ishit në pushtet. Pikënisja juaj që qysh ditën e parë përcaktuar një vijë sjelljeje në kundërshtim të plotë me çdo rregull të bashkëjetesës demokratike që përcaktohet nga zgjedhjet dhe me çdo normë etike në raport me publikun, të cilit të gjithë bashkë i detyrohemi të luajmë sa më mirë rolin që na ka caktuar.

Pikënisja jonë, që njësoj si ditën e parë, jemi të përcaktuar qartë kundër krimit, kundër korrupsionit dhe kundër injorancës rrënuese që ju e mbollët në Shqipëri në të gjithë fushat e jetës dhe në çdo shkallë të ushtrimit të pushtetit tuaj. Pikënisja juaj, që çdo ditë, njësoj si ditën e parë, i jepeni rrugës së akuzave, shpifjeve, fyerjeve, gënjeshtrave dhe gjithëfarë sajesave duke u bërë, fatkeqësisht, ca me dashje, shumë padashje, frymëzues të krimit. Duke u bërë, ca me detyrim, ca se ashtu jua kërkon SHQUP-i, mburojë e korrupsionit dhe e injorancës. Zgjedhja juaj është e qartë, s’ka asnjë dyshim; Nuk doni ta pranoni vendin dhe rolin që ju ka caktuar populli, populli sovran. Sepse, mesa duket, nuk i duroni dot as humbjen e privilegjeve që i dhatë vetes përmes pushtetit tuaj, as dhimbjet që ju shkakton përditë vendosmëria jonë në rrugën e luftës me krimin, me korrupsionin dhe me paligjshmërinë, ku keni lënë gjurmë gjithandej. Kur them keni lënë gjurmë gjithandej, kam parasysh pikërisht ata që këtu flasin shumë dhe që deri dje kishin gjithçka në dorë për të bërë gjithçka që sot mos të bënin të rënin nga qielli dhe të mos rivinin në punë shiritin e arkivës së këtij parlamenti, me po ato akuza, me po ato shpifje, me po atë arsenal balte, që muret e kësaj salle e dinë sa shumë e kanë shijuar.

Por edhe zgjidhja jonë ama është shumë e qartë; Pa asnjë dyshim, ne do t’ju dëgjojmë, e kemi detyrë t’ju dëgjojmë, por do të udhëheqim vendin dhe do të udhëheqim në rrugën që kanë zgjedhur shqiptarët, duke bërë një për një detyrat që na i kanë ngarkuar shqiptarët. Harrojeni se do mund t’i mbani peng të interesave tuaja ekonomike këtë vend. Harrojeni se do mund të mbani peng, të mëkateve tuaja në pushtet, drejtësinë në këtë vend. Harrojeni se do të mbani peng të dritëshkurtësisë tuaj të ardhmen që ky vend meriton dhe që normalisht na takon dhe që sëbashku ta adresoni, secila palë me vizonin e vet, secila palë me idetë e veta, por të dyja palët të vetëdijshme dhe këmbëngulëse që këtu, në këtë Kuvend të flitet për vendin, këtu në këtë Kuvend të flitet për njerëzit, këtu në Kuvend të flitet për gjithë ato sfida me të cilat ju u përballët 8 vjet, dështuar në mënyrë spektakolare, – këtë nuk e them unë, këtë jua thanë shqiptarët në 23 qershor dhe që duhet të ishit bërë pak më të vetëdijshëm sesa ç’ishit para 8 vjetësh. Mbi të gjitha, sa më parë ta harroni se mund t’i tërhiqni shqiptarët për hunde, sikur të jenë budallenj që mund të gënjehen nga budallallëqet ju thoni përditë, aq më mirë do të jetë, jo për ju, – se të jem shumë i sinqertë, nuk është e mira juaj interesi ynë në kuptimin politik, – por aq më mirë do të jetë për vendin tonë të përbashkët dhe për njerëzit e këtij vendi, që bashkërisht na kanë votuar, shumica ne, pakica ju.

Po ku ka shqiptar që ta ketë harruar kaq herët batërdinë e kriminalitetit deri ditën kur ju latë pushtetin. Apo që të mos ketë sy, që të mos ketë veshë për të vlerësuar ndryshimin real, të përditshëm të Policisë së Shtetit. Si mund të kenë harruar shqiptarët atë që edhe për ne, – qenie që për nga ky far zanati dallohemi për kujtesë të shkurtër, fatkeqësisht, – është e freskët që vota e 23 qershorit ishte një votë edhe për rendin publik dhe sigurinë e individit dhe të pronës. Një votë që na u besua ne, pikërisht, sepse ajo që ndodhi në Shqipëri ishte rënia e vazhdueshme në humnerën rrënuese të pasigurisë dhe të kriminalitetit. Shifrat, ato zyrtaret, një vit më parë dhe të një viti më pas, flasin vetë, flasin shumë qartë, madje flasin fortë. Ju qofshi që kur flisni për të vrarët dyfishoni numrin e vrarëve, ndërkohë që është shumë e thjeshtë; Numri i të vrarëve është thjeshtësisht i verifikueshëm nga cilido që është i interesuar ta verifikojë dhe është qartësisht evidente, që që kur dyfishoni numrin e të vrarëve, që kur shumëfishoni numrin e vjedhjeve, që kur stërfishoni gjithë shifrat, i keni hipur gomarit mbrapsht, se kali ju ka humbur në 23 qershor.

35 ngjarje me vrasje me 39 viktima, nga 16 shtatori deri në 31 janar të këtij viti. 54 ngjarje me vrasje, 61 viktima nga 16 shtatori në 31 janar të një viti më parë. Këto janë shifrat zyrtare njerëzish që kanë humbur jetën. Lehtësisht të verifikueshme. Persona në kërkim;  Nga 16 shtatori 2013 në 31 janar 2014 janë kapur 897 persona të shpallur në kërkim. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë 778. Po akoma më e qartë të jetë ajo pika që, kush ndër ju është marrë me rendin publik dhe me sigurinë, u bë shkak i tërheqjes së partnerëve nga bashkëpunimi me Policinë e Shtetit shqiptar.  Personat në kërkim ndërkombëtar; Refuzuan partnerë shumë të rëndësishëm të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Ministrinë e Brendshme dhe me Policinë e Shtetit shqiptar për arsye se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit Shqiptar u kthye në treg i personave në kërkim ndërkombëtar. Tregun apo më saktë fushën e këtij kërkimi e ktheu në treg të personave në kërkim ndërkombëtar që paguanin një rent dhe që i nxorën bojën këtij shteti dhe policisë së këtij shteti. Dhe ja shifrat; Gjatë të njëjtës periudhë, 53 persona të arrestuar nga Policia e Shtetit sot dhe vetëm 22 nga Policia e Shtetit dje. Edhe këto shifra janë lehtësisht të verifikueshme. Madje këto shifra kanë edhe një burim tjetër shumë të besueshëm, që janë burimet e partnerëve. Atëherë për çfarë flisni ju?! Kujt ia tregoni gjithë këtë propagandë, përveçse njëri – tjetrit, të mbërthyer nga ideja që shqiptarët do t’i marrim për budallenj, shpif shpif se diçka do mbetet dhe njëkohësisht, të paralizuar nga një fakt shumë i thjeshtë: Jeni një opozitë pa kauzë! Kapeni ku të mundeni, si të mundeni dhe sa të mundeni, pas gjithfarë gjërash, por ende, sot, gjithçka ku kapeni ju merr me vete.

Po kështu trafiqet. Këtu dëgjon shumë gjëra që nuk të shkon mendje se janë mendje normale që mund t’i prodhojë, jo më pastaj një mendje që shumë mendje e kanë zgjedhur këtu për t’i përfaqësuar. Një nga ato, sot, ishte ‘keni kapur më shumë drogë, se është shtuar prodhimi i drogës’. Cfarë llogjike është? Mbi ç’bazë ngrihet ky civilizëm i ekstravagancës? Ku ka njerëz kaq tuafë? Ku mendoni se janë? Ku i parafytyroni? Në cilin fshat, në cilin qytet, në cilën lagje ju çon parafytyrimi që të mendoni se ka njerëz kaq tuafë që ta mbështesin politikën tuaj me krimin? E cila, nga ana tjetër, mjafton të mendosh për një moment efektin që bën te kriminelët që ju shohin juve në televizion, që ju ndjekin juve nëpër debate, për të kuptuar se është frymëzim për ta. Për të kuptuar se ca me dashje, shumë pa dashje, mund të bëheni aleatë. Gati – gati sa nuk u thoni: Çfarë prisni?! Ishit më aktivë javën tjetër. Dukeni si të mpirë, ndoshta ngaqë nuk ka pasur tritole këto ditë. Mezi i prisni.

Ndërkohë që është e qartë që për të gjithë ata që janë në atë botë, në botën e krimit, kur dëgjojnë kaq shumë sharje, kaq shumë mallkime, kaq shumë marrëzira, ndjehen aspak vetëm. Por, sidoqoftë, përsëri kjo është zgjedhja juaj. Ndërkohë që ju duhet ta mbani vath në vesh, gjithsesi, që kjo është një kohë e re dhe kjo është koha e Rilindjes së Policisë së Shtetit, e rikthimit të shtetit në krye të detyrës, të detyrës së vet më parësore, për të siguruar rendin dhe lirinë e çdo qytetari. Kjo është koha e prerjes së lidhjeve të politikës me krimin dhe e rivendosjes së lidhjes së policisë me ligjin. Është koha e një beteje shteg më shteg dhe hap pas hapi e shtetit me krimin, të cilën Ministri ynë i Brendshëm, doni apo s’doni ju, po e udhëheq me atë kurajë, me atë ndershmëri dhe me atë gatishmëri që ju ia mohuat atij institucioni për 8 vjet me radhë.

Na keni  lënë në dorë një Shqipëri që e keni bërë çorap, siç dini vetëm ju t’i bëni çorap punët. Në këtë çorap, një Shqipëri të mbushur me vatra aktivitetesh kriminale dhe të paligjshme, në çdo zonë mundët dhe në çdo fushë të jetës së këtij vendi. Sepse 8 vjet, nën qeverisjen tuaj, pa rrushi rrushin dhe u poq. Nën shembullin e Kryeministrit që e bëri qeverinë ndërmarrjen e tij private, të shumë ministrave, që s’lanë shesh pa bërë përshesh; të drejtuesve të policisë për të ardhur tek tema, që u nginjën dhe u dhjamosën në gostinë e madhe të pafundme me kokat e krimit, apo drejtorët e drejtorive, kudo, që u kthyen në gjobëvënës  për çdo gjë dhe pa pushim.

Në vetëm 4 muaj, dua ta nënvizoj, reformat e thella që së shpejti do t’i marrim në këtë Kuvend për miratim dhe që do sjellin, pa asnjë dyshim, rezultate ende më të prekshme dhe shumë më të padiskutueshme në vitet në vijim. Ne kemi bërë një gjë dhe për këtë ju sugjeroj t’i pyesni qytetarët, – ne i pyesim qytetarët rregullisht, ne anketojmë rregullisht opinionin publik, bëjeni dhe ju, verifikojeni këtë që po ju them, – kemi ringjallur besimin e humbur të qytetarëve se ky vend mund të ketë një shtet dhe padyshim, kemi rikthyer besimin tek policia qytetarëve, si dhe kemi ringjallur besimin e policisë tek vetëvetja.

Shikojini më tutje rezultatet e tatimeve dhe të doganave. Kur ju ngritët një sistem korrupsioni proverbial dhe gjobash arbitrare, që u kthyen në një litar që lidhi këmbët e tërë sipërmarrjes që nuk ishte pjesë e atij oborrit të vogël, ku rrushi pa rrushin dhe u poq.

Flasim prapë vetë shifrat. Edhe pse përsëri në tatime dhe në dogana puna më e madhe mbetet e gjitha për t’u bërë. Dy vajza të reja në krye të dy institucioneve të kapura, të kalbura, të shpartalluara nga një korrupsion shumëvjecar, por më shumë se kaq, nga trysnia që u vinte drejtpërdrejtë nga maja e piramidës dhe që anashkalonte edhe Ministrin e Financave, rikthyen në shumë pak kohë moralin e shtetit dhe shpresën se çdo kompani dhe çdo qytetar, që ka punë me këto institucione, më në fund do të ndjejë se nuk ka dy dyer, një të mbyllur për të shumtit dhe një të hapur për të paktit dhe as dy rrugë, por vetëm një rrugë, rruga e shërbimit të barabartë për të gjithë. Jua them me sinqeritet të plotë, as ne vetë nuk ishim të bindur se objektivat shumë ambicioze të planit të tatimeve dhe doganave për janarin, që u vendosën në bazë të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe që u vendosën pas shumë diskutimesh, do tw mund të arriheshin 100 %. Për diçka shumë të thjeshtë, se ende nuk janë bërë reformat e parashikuara, qoftë në tatime dhe qoftë në dogana. Por, edhe tatimet edhe doganat e tejkaluan planin e janarit, çka nuk tregon thjesht se u bë një punë e madhe, por tregon diçka tjetër, që deri dje nuk ishte vetëm vështirësia ekonomike, por ishte supervështirësia artificiale, e imponuar prej jush, që devijonte sasi marramendëse parash nga rruga për në arkën e shëtit, në rrugën qorre të pushtetit tuaj.

Më lejoni të shtoj që këto të ardhura, tregojnë që ekonomia ka nisur të japë shenjat e para, shenjat e para të jetës, pas një periudhe të gjatë vdekje klinike, ku hyri për shkak të një çmendurie elektorale dhe të një verbërie lapidare në ushtrimin e pushtetit. Edhe të dhënat e konsumit, merrini shikojini, për muajin janar tregojnë po këto shenja. Ndërkohë që shkurti ka nisur me më shumë para në xhep, ndryshe nga çfarë propaganduat ju, për infermiere, mësues, policë, mjekë dhe për gjithë rrogëtarët e këtij vendi, në publik apo në privat, që fitojnë nën 1.3 milionë lekë në muaj. Padyshim, kjo rrit kapacitetin e konsumit të familjeve më të zakonshme shqiptare. Por, arsyeja pse po i sjell këto këtu të gjitha është për t’ju thënë se lufta jonë me krimin është sa një luftë me botën e krimin, aq edhe një luftë me shkakun e krimit, në shoqërinë ku jetojmë. Lufta jonë me krimin është sa një luftë me kriminelët, aq edhe një luftë me ato rrjetet kriminale që gjithë struktura e kriminalizmit të ekonomisë që u ngrit në sistem ne 8 vite, ka lënë aty pas ikjes tuaj nga pushteti, e po ashtu aq edhe një luftë kundër varfërisë, kudër papunësisë e me radhë, për të rritur ekonomikë.

Ju thashë se ne i pyesim qytetarët rregullisht, çdo javë, për gjithçka duam të dimë drejtpërdrejt prej tyre dhe për gjithçka që ngrini ju. Ju siguroj që nëse do të bëni të njëjtën gjë, do të kuptoni, edhe pse nuk do ta thoni dot, që as nuk shtoj dhe as nuk heq nëse ju them se sot do ta ëndërronit rezultatin e 23 qershorit për veten tuaj, sikur të bëheshin zgjedhjet këtë të diel. Sepse shqiptarët nuk janë budallenj dhe shqiptarët nuk mund dot të tërhiqen prej hunde kaq kollaj dhe t’ju dëgjojnë juve kur vini këtu dhe flisni për energjinë, për faturat afrofe, për vjedhjet e CEZ-it, për marrëveshjet mashtruese me CEZ-in. Ku ishit ju? S’ka shqiptar, edhe ata më të flaktët që votojnë për ju, që thellë në mendjen e tyre mund të besojnë një sekondë të vetme që kjo qeveri ka bërë çfarëdoqoftë për të rënduar situatën në sektorin energjetik apo në gjithë sektorët e tjerë. Nuk ka! Plani ynë është shumë i qartë, është shumë emocional, qoftë për zhvillimin e vendit, qoftë për luftën me krimin. Plani juaj është qartësisht i lexueshëm. E bëni të qartë vetë, përditë. I merrni shqiptarët për budallenj, duke u përpjekur si të marrë që të na faturoni ne gjithë dështimet tuaja, me krimin, me ekonominë, me arsimin, me shëndetësinë, me energjinë, me integrimin evropian, me të gjitha. Kjo është zgjedhja juaj. Ju e keni në dorë. Është e drejta juaj të vazhdoni në këtë rrugë. Unë mund t’ju them sot, pas kësaj seance dhe gjithë këtyre budallallëqeve të radhës, se shqiptarët jo vetëm s’janë budallenj, por sa më shumë t’i merrni për budallenj, aq më shtrenjtë do ta paguani faturën në zgjedhjet e ardhshme. Dhe, po ashtu, sa herë vij në këtë sallë dhe ju dëgjoj ju, aq më shumë i jap të drejtë George Bernard Shaw, i cili thoshte: “Mbase të gjithë të djathtët nuk janë budallenj, por, me siguri, shumica e budallenjve mund të lulëzojnë vetëm djathtas”.

Dy fjalë në fund, për këtë Komision Hetimor. Unë, personalisht, kam pasur “fatin e madh” të shijoj  3-4 nga këto farsat hetimore tuajat. Dua të jem shumë i qartë me ju, që të mos ketë asnjë ekuivok. Mos bëni kot viktimën opozitare, që po iu shkelen të drejtat, po iu pritet fjala, po iu mungojnë hapësirat, po iu dhunon qeveria. Mos e bëni kot këtë, se askush nuk ju beson. Dhe, askush nuk ju pengon, ne jo e jo, që të hetoni çfarë të doni brenda kornizës kushtetuese dhe kornizës parlamentare. Doni të hetoni? Bujrum, hetoni! Po çfarë doni të hetoni konkretisht, këtë duhet ta sqaroni ju. Sepse nga çfarë flisni, nga çfarë shkruani, s’ka Zot ta marrë vesh se çfarë doni të thoni. Më saktë merret vesh vetëm një gjë, që George Bernard Shaw kur e ka thënë atë shprehjen, duket sikur ju ka pasur ju përpara.

***

Replika e Kryeministrit Edi Rama ndaj deputetit të opozitës, Ardian Turku:

 

Unë ndërhyj vetëm sepse në fjalën e parafolësit kishte dy gjëra, që më në fund, mbas kaq shumë orësh bënin sens dhe ia vlen të thuhen për publikun që na ndjek, pa diskutuar pastaj që a është koha më e mirë, me njerëzit, për t’i pyetur për motorë të vjedhur, apo për të biseduar për gjëra të tjera. U ngrit shqetësimi për prezencën e policisë që nuk është aq e ndjeshme apo mungon shpesh herë në zonat që u përmenden. Kjo është absolutisht e vërtetë. Kjo është po aq e vërtet sa ç’është i vërtetë fakti se Shqipëria ka numrin më të ulët të trupave policore në botë, se në Evropë nuk diskutohet. Numri i trupave policore në Shqipëri në raport me territorin është jashtë të gjitha standardeve ndërkombëtare apo bashkëkohore.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe zgjedhja jonë ka qenë shumë e qartë. Në hapin e parë të ngremë rrogat për të gjithë trupat policore të terrenit, gjë që e bëmë duke pothuajse i dyfishuar rrogat dhe në hapin e dytë të shfrytëzojmë rezultatet që presim dhe që padyshim do të marrim nga ky vit, për të shtuar numrin.

Do më lejoni të ndaj me ju edhe një aspekt tjetër, kemi policinë me arsimin më të ulët mesatar në Evrope, me diferencë dramatike nga vendi i parafundit, kemi policinë me moshën më të lartë mesatare në Evropë me diferencë dramatike nga vendi i parafundit. Këto dy aspekte, që më besoni, na bëjnë të na vijë zor kur na pyesin për të dhënat e policisë, partnerët me të cilët bashkëpunojmë dhe të cilëve u jemi adresuar për ndihmë janë pjesë pikërisht e gjithë procesit të reformës dhe të ristrukturimit të Policisë së Shtetit. Besoj kushdo që na dëgjon dhe kushdo që ka pak kujdes e bën dallimin përsëri mes nesh kur flasim për rezultatet e Policisë së Shtetit dhe mënyrën si është folur deri dje, pavarësisht se rezultatet kanë qenë; Pikë e zezë.

Ne nuk propagandojmë suksese imagjinare. Ne nuk iu themi shqiptarëve se kjo që kemi bërë kjo është e gjitha kënaquni me kaq. Ne jemi më të pakënaqurit në raport edhe me ju në rast se e adresojmë problemin ndershmërisht, dhe në rast se ndershmërisht kërkojmë që Policia e Shtetit, të performojë ashtu siç duhet. Me këtë shpirt pakënaqësie që do të na shoqërojë deri në sekondën e fundit në qeverisje, do të vazhdojmë të nxisim përmirësimin e cilësisë se punës së Policisë së Shtetit.

E dyta gjë që m’u duk përsëri me sens, në atë që folët, ishte pjesa kur shpjeguat komisionin hetimor. Ju siguroj që sikur ta kishin shpjeguar kështu ata që e kanë shkruar atë dokument, sot nuk do të ishim duke diskutuar për komisionin hetimor, por komisioni hetimor do të ishte ngritur. Sikur të ishte bërë ai shpjegim i juaji, ju folët në mënyrë precize për lëvizje, për ristrukturime, për natyrën e këtyre lëvizjeve e ristrukturimeve dhe kjo është një çështje krejtësisht në tagrin e parlamentit, të opozitës, të gjithë parlamentit që të mund ta hetojë, por po të lexoni çfarë kanë shkruar kolegët tuaj, qartësisht në këtë rast pa opinionin tuaj, me siguri që do të bini dakord me mua që ai objekt është tërësisht i çoroditur siç është e çoroditur gjithë vija e sjelljes dhe gjithë qasja juaj në këtë periudhë, dhe posaçërisht ndaj Policisë së Shtetit.

Për sa i përket pastaj asaj që parlamenti është i detyruar të ngrejë komision hetimor, ju them si dëshmitar jo i rremë, që kam përjetuar një pjesë të madhe të këtyre proceseve, që përballë këtij detyrimi dhe përballë objektesh të hetimit tërësisht të qarta, në këtë sallë opozita është refuzuar jo një herë, as dy herë dhe jo për çështje emërtesash e lëvizjesh, por për çështje me rëndësi kombëtare dhe për heshtje me një interes të atillë kombëtar, të prodhuara nga pasojat e refuzimit më pas.

Kështu që duke e mbyllur unë do ju thosha, për këto dy pika që bënin sens kuptohet, duke përjashtuar motorët e vjedhur, se ajo ishte zgjedhja juaj, por nuk është e falenderueshme, dhe ju siguroj ju, dhe i siguroj të gjithë që për sa na takon, jo këtë hetim, por çfarëdolloj hetimi për çfarëdolloj çështje, në çfarëdolloj drejtimi, ne jemi tërësisht të hapur, madje do të donim shumë që t’i jepni një punë opozitës, se kështu e papunë duke i rënë ditë-natë gozhdës së patkoit të kalit të ngordhur, realisht jo vetëm që s’i bëni mirë PD-së, po kjo është çështja juaj, po i bëni dëm vendit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.