Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rilindja urbane e Kamzës vijon në lagjen e vjetër të pallateve me silikat, ku Kryeministri i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Kamzë panë nga afër punimet që po bëhen për rikualifikimin urban të të gjithë zonës, e lënë në harresë prej dhjetëvjeçarësh. Pallatet e kësaj lagje po sistemohen, si dhe infrastruktura lidhëse është duke u rikualifikuar për t’i dhënë një cilësi jete më të mirë banorëve të saj.

“Ky investim i vjen në shërbim rreth 7000 banorëve”, – tha kryebashkiaku Suli, i cili shtoi se këtu nuk ishte vënë dorë që nga vitet ’90-të. Gjithashtu, infrastruktura nëntokësore është duke u sistemuar me kanalizimin e ujërave të zeza, si dhe rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, për të garantuar furnizim me ujë në çdo moment të ditës.

Projekti i urbanizmit për këtë lagje pritet të rrisë vlerën e apartamenteve. “Të gjitha janë bërë me sistemin kapot. Deri pak kohësh këtu kanë qenë ferra dhe mbeturina. Është bërë sistemimi i fasadave, rikualifikimi urban, janë planifikuar parkime mes pallateve, lulishte të vogla, si dhe një treg që do t’i shërbej lagjes”, – tha Suli.

Kryeministri vlerësoi punën e bërë në këtë bashki me sistemimin urban që po i bëhet jo vetëm kësaj lagjeje, por gjithë bashkisë në tërësi.

“Çdo apartament këtu sot kushton më shtrenjtë. Minimumi është rritur vlera e apartamenteve 20-30 %”, – nënvizoi kreu i Bashkisë Kamëz.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.