Kryeministri Edi Rama inspektoi shkollën e rikonstruktuar Kongresi i Lushnjes, ku pas 2 dekadash është rihapur një klasë muzike, pas kërkesës që prindërit kishin drejtuar në platformën e bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al.
Kryeministri, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Besa Shahini, panë nga afër shkollën, e cila është e përfshirë edhe në programin “Bëjmë detyrat e shtëpisë”. Nxënësit jo vetëm marrin dije, por pas mësimit bëjnë detyrat për rreth 2 orë dhe më pas 1 orë tjetër e kanë të lirë për aktivitete të tjera. “Në 2017 kjo shkollë është rikonstruktuar. Këtu mësojnë 500 nxënës. Sivjet është hapur dhe klasa e muzikës. 15 nxënës për herë të parë sivjet po mësojnë në klasën e muzikës në vegla të ndryshme instrumentale pas 25 vjetësh,” – tha drejtoresha e shkollës.
Mundësia që iu është dhënë nxënësve të Lushnjes për të marrë mësim muzike dhe për të mësuar vegla muzikore si piano, violinë apo kitarë, sipas stafit pedagogjik të shkollës, rikthen traditën e hershme të kësaj shkolle në muzikë, e cila ishte ndalur për më shumë se 2 dekada. “Portali ka funksionuar siç duhet. Na ka ardhur një ankesë si propozim që për shkak se ka mjaftueshëm nxënës të talentuar që duan të bëjnë klasën e muzikës, të mos ikin në Fier, por ta bëjnë këtu,” – u shpreh ministrja e Arsimit, Besa Shahini.