Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në dy vjet, ndryshimi i qasjes për përkujdesje më cilësore dhe menaxhimi i ri ka ndryshuar kushtet tërësore në qendrat e kujdesit ditor për fëmijët në Tiranë. Janë 32 çerdhe dhe 27 kopshte të rikonstruktuara në dy vjet, është përmirësuar regjimi ushqimor dhe ka një kujdes më cilësor ndaj fëmijëve, falë rritjes së numrit të personelit dhe trajnimit të vazhdueshëm të stafit të edukatoreve.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte në një prej këtyre kopshteve, ai numër 38, që ndodhet në zonën e Kombinatit. Fëmijët e kopshtit, deri dy vite më parë ishin në kushte të mjerueshme, ku edhe tavanet ishin varur, ndërsa lagështira ua bënte edhe më të vështirë jetesën në muajt e dimrit. Ndërsa sot, këta vogëlushë janë në ambiente tërësisht të reja, falë rikonstruksionit të kryer nga Bashkia e Tiranës rreth një vit më parë.

“Kur kemi ardhur në gusht të 2015-ës, atje ishte në të rënë tavani. Ka pasur shumë lagështirë. Kopshti ka qenë tërësisht i amortizuar. S’ka pasur as gardh rrethues, që është më e rëndësishmja, ishin vetëm ca tela. Me ndërhyrjen e bashkisë, nga gushti i 2016-ës e kemi totalisht të rikonstruktuar, me ambiente tërësisht të reja,” – shpjegon Zhaneta Beqiri, Drejtore e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erjon Veliaj kanë surprizuar fëmijët, duke iu shërbyer drekën që sot, sikurse çdo ditë të javës, kishte një menu të pasur dhe të shëndetshme. Ushqimi, i pasuruar së fundmi me të gjithë elementët e nevojshëm për rritjen sa më të shëndetshme të fëmijëve, që në çerdhe deri në kopsht i ka bërë edhe më të admirueshme këto institucione.

“Ne kemi pas raste si ambasadorin francez, i cili më tha “e hoqa nga privati, e solla në shtet”, nga mënyra si gatuajnë këtu, vijnë të freskëta nga pazari në mëngjes. Në momentin që edhe ambasadorët, që s’e bëjnë për kursim, por për kënaqësi, i heqin nga privati i sjellin në shtet, them që kemi arritur në një fazë tjetër,” – thotë kryebashkiaku Veliaj.

Kërkesat për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet që menaxhohen nga bashkia janë të mëdha, por, sipas drejtores Beqiri, prioritet iu jepet më tepër familjeve në nevojë.

“Vërtet është dëshira e madhe për të pranuar, por gjithmonë është raporti hapësirë fizike dhe burime njerëzore. Aktualisht kemi 2800 fëmijë në çerdhe në Tiranë dhe 4700-4800 në kopsht. Fatkeqësisht kërkesat janë, për 1 vend deri në 10 kërkesa. Sikleti i madh që kemi ne si drejtori është kujt do i japim prioritet: personave me ndihmë ekonomike dhe familjeve në nevojë,” – thotë drejtoresha Beqiri.

“Unë ju falënderoj! Shumë respekt! Më të mirët s’jemi, po më të mirë s’kemi parë,” – garanton Kryeministri Rama për edhe më shumë përkujdes ndaj fëmijëve në të gjitha institucionet parashkollore në vend.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.