Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qendra e Kaninës, e cila me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave  kthehet në zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, do të pësojë një transformim rrënjësor falë projektit të Rilindjes Urbane. Ristrukturimi i sheshit historik, duke ruajtur traditën e zonës, si dhe rikonstruksioni i Pallatit të Kulturës, aktualisht jashtë funksionit, por që pritet të kthehet në një qendër moderne kulturore, do të shtojë numrin e vizitorëve e turistëve që vizitojnë fshatin me tradita kulturore dhe bukuri natyrore. Në Kaninë ishte sot,  Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Fate Velaj dhe zëvendësministri Artan Shkreli.

Projekti i parë është ai i rrugës së fshatit, investim i qeverisë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku do ndërhyhet për rikonstruksionin e Qendrës së Kulturës. Ndërkohë po kryhet studimi për ujësjellësin e ri të Kaninës.

“Është atraksion i madh të sjellësh njerëzit këtu. Këtu, gjithë verës vinin turistë gjermanë që e bënin në këmbë nga Vlora,”  – tha Zëvendësministri Artan Shkreli.

“Pallati i Kulturës është në gjendje të mjerë. Ideja ishte që të rikthehet përsëri, ka fare pak punë,” – u shpreh deputeti Fate Velaj.

“Këtu duhet të bëjmë sheshin kryesor. E shpallëm zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Duhet ta fillojmë nga këtu të rikthejmë në jetë ish-Qendrën e Kulturës, të bëjmë një sallë konferencash që të jetë dhe në funksion të Vlorës. Pastaj pak nga pak gjërat e tjera,” – u shpreh Kryeministri.

Një ndër vendimet e qeverisë, krahas shpalljes së qendrës historike të Kaninës, zonë e mbrojtur, u miratua edhe Rregullorja e Administrimit të saj, që do të pasohet edhe me programin për Rilindjen e të gjithë fshatit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.