Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Rilindja urbane në Gjirokastër po risjell në jetë vlera të çmuara të trashëgimisë historike e kulturore, përmes projekteve të rëndësishme të kulturës, të cilat po zbatohen në qytet.

Ka nisur projekti për restaurimin dhe konsolidimin e Pazarit të Gjirokastrës, i konceptuar në dy faza zhvillimi, me një vlerë totale investimi rreth 222 milion lekë.

Në projektin e plotë janë përfshirë: studimi urban i Pazarit të Gjirokastrës, i cili synon që ta kthejë Pazarin në një zonë vetëm për këmbësorët; restaurimi, rehabilitimi dhe rivitalizimi i rrugëve dhe trotuareve të Pazarit të Gjirokastrës dhe infrastrukturës nëntokësore; restaurimi, konsolidimi dhe rivitalizim i kompleksit të dyqaneve dhe ambienteve ndihmëse të Pazarit të Gjirokastrës me 10 blloqe, si dhe rikonstruksioni i Sheshit “Çerçiz Topulli”.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar  nga Kryetarja e Bashkisë Zamira Rami, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuci, dhe deputetë të zonës, ishin në Gjirokastër për të parë nga në terren ecurinë e zhvillimit të projekteve.

Ministrja e Kulturës Kumbaro shpjegoi se brenda disa muajve Gjirokastrës do t’i shtohen 12 blloqe objektesh të restauruara, duke i dhuruar qytetit më shumë harmoni arkitektonike.  “Këtu jemi në blloqet e para të Qafës së Pazarit. Kemi parashikuar në projekt që do kemi 10 blloqe që do restaurohen. Do shtojmë dhe dy blloqe të tjera, përveç këtyre 10 që përfshijnë Qafën e Pazarit me gjitha rrugët që dalin.”

“Restaurimi dhe rijetëzimi i banesave të Shkrimtarëve, Gjirokastër” është projekti i cili parashikon ndërhyrje në strukturën e brendshme dhe të jashtme në 20 banesa të trashëgimisë materiale, për të evidentuar dhe konservuar vlerat historike dhe artistike të tyre, bazuar në modelin e shtëpisë së Kadaresë. Projekti parashikon restaurimin e të gjithë elementëve arkitektonikë; përforcimet e strukturës përmes zëvendësimit të elementëve të dëmtuar; unifikimin e fasadave në ngjyrë dhe detaje arkitektonike.

Projekti për rijetëzimn e këtyre objekteve synon të tërheqë interesimin e sipërmarrësve, të cilët përmes menaxhimit të shtëpive mund të ndërtojnë modele të përdorimit të tyre si hotele, restorante apo zyra shërbimi.

Lidhur me këtë projekt, Ministrja Kumbaro shpjegoi: “Kemi një projekt tjetër për të restauruar 20 shtëpitë që ju i keni njoftuar tashmë, që i kemi quajtur Rrjetin e Shtëpive të Shkrimtarëve, sipas modelit të shtëpisë së Kadaresë. Gjithë ideja është për të dhënë modele të rijetëzimit të shtëpive të vjetra në hotele, restorante dhe zyra shërbimi.”

Ndërsa, Kryeministri Rama kërkoi inkurajimin e sipërmarrësve dhe investitorëve që të bëhen pjesë e realizimit të kësaj ideje interesante, e cila do të bëjë edhe më atraktive Gjirokastrën nga pikëpamja turistike.  “Ajo që ne duhet të bëjmë gjithmonë e më shumë me insistim, është që t’i ftojmë sipërmarrësit që të bëhen pjesë e këtij programi. Rrjeti i Shtëpive të Shkrimtarëve ku çdo shtëpie t’i vëmë emrin e një shkrimtari të dashur për Kadarenë, do ta bëjë shumë atraktive Gjirokastrën edhe nga kjo pikëpamje.”

Kryeministri bëri të ditur se në bashkëpunim me bashkinë do të bëhet edhe një program bursash për shkrimtarët e rinj, ku do të jepen çmime të ndryshme.

Ndërkohë që ish Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, sot Prefekt i Gjirokastrës Flamur Bime u shpreh:“8 vjet s’morëm një lek, s’ishte shaka. Tani i ka kthyer katër sytë Kryeministri për Gjirokastrën.”

“Gjirokastra in ëhite” është një tjetër projekt kulturor, i mbështetur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit  për restaurimin dhe rehabilitimin e fasadave të 132 banesave kolektive në zonën e mbrojtur dhe në vazhdim  për unifikimin me objektet e bulevardit “18 shtatori” në qytetin e Gjirokastrës. Objektet e marra ne shqyrtim janë 3 deri në 5 kate dhe ndodhen pjesërisht në zonën e mbrojtur dhe në zonën e Bulevardit “18 Shtatori”.

 

* * *

 

Përmeti, qyteti karakteristik i njerëzve të urtë dhe mikpritës, por i lënë krejtësisht në harresë dhe ku prej dekadash nuk ishte vënë dorë në infrastrukturën urbane, – i është nënshtruar tashmë projektit për rikualifikimin urban të qendrës, fasadave, ndriçimit dhe lulishtes së qytetit. Projekti me vlerë rreth 103 milion lekë parashikon krijimin e zonave rekreative, përmirësimin e ndriçimit dhe rikonstruksionin e rrugëve për këmbësorët, rikonstruksionin e rrugëve automobilistike, të shtëpisë së kulturës dhe rikonstruksionin e fasadave.

Kryeministri Edi Rama së bashku me Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti Niko Shupuli, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Kumbaro dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi vijoi vizitën në Përmet ku pa nga afër zhvillimin e projektit.

Kryetari i Bashkisë Përmet, Niko Shupuli u shpreh se ky vit ka rritur interesimin e turistëve për Përmetin, të cilët kanë qenë të shumtë në numër, duke tejkaluar edhe kapacitetet pritëse: “Me të mbaruar fasadat filluan dhe njerëzit vetë, bizneset t’i rregullojnë të gjitha. Ka pasur rritje të turizmit dhe nga muaji maj deri në muajin tetor nuk gjetëm më vende bosh pasi prenotuan përpara.”

Ai shpjegoi gjithashtu se një projekt tjetër i parashikuar do të shtojë vlerat artistike përmes elementëve dekorativë: “Projekti tjetër i cili është miratuar tani së fundmi, përfshin pjesën e çative dhe vazhdimin e kësaj pedonaleje. Do fillojë siç ishte projekti me gurë të zinj dhe gurë bardhë, në kombinim. Kemi një lulishte të vogël dhe një shatërvan nga ata që s’duken, në tokë. Park lodrash aty. Rehabilitohen të gjitha këto shkallët dhe një tip “Belvedere” që del shikon pjesën e lumit. Qytetarët ju falënderojnë.”

Me ndryshimet e bëra, Kryeministri Rama e vlerësoi të jashtëzakonshëm potencialin turistik të qytetit: “Potenciali turistik i Përmetit është i jashtëzakonshëm. Krijimi i një qendre graviteti me qytetin që të jetë i konturuar bukur, është si magnet që fillon rrit shumë fluksin.”

Ndërkohë që për qytetarët, ndryshimet janë të dukshme dhe ata shprehen të kënaqur. “Shumë bukur. Ku kemi qenë. I lumtë këtij. T’i heqin këto partiaket, jo i  PD-së jo i PS-së, të punojnë për të mirën e Shqipërisë dhe të qytetit. Jemi të kënaqur, shumë bukur.” tha një qytetare teksa takoi Kryeministrin, së cilës ai iu përgjigj: “Në investimet për Rilindjen Urbane i japim për Përmetin. Pastaj me kë është ky, e di ky, ne nuk na duhet kjo.”

 

Rijetësimi i bllokut  të banimit ndërmjet rrugëve “Tefta Tashko Koço”, “Elena Gjika” dhe “Vasil Papadhopuli”, në Përmet është një tjetër projekt i rilindjes urbane të qytetit, të cilin e ndajnë dhe pak ditë nga përfundimi i tij i plotë. Investimi prej 60 milion lekësh, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 15 mijë metrash katrorë dhe konsiderohet si një vazhdim i projektit të qendrës së qytetit pasi do të krijohet një lidhje midis qendrës dhe lagjes më të vjetër të qytetit. Nëpërmjet një korridori shtruar me kalldrëm do të realizohet një segment i rëndësishëm i unazës së qendrës së qytetit. Projekti merr parasysh trajtimin dhe riformulimin e hapësirave ekzistuese publike me elementë të mobilimit urban. Qëllimi është integrimi i zonës së vjetër të qytetit me qendrën si destination i ardhshëm turistik.

 

***

Projektet e Rilindjes Urbane janë shtrirë gjithashtu edhe në Bashkinë e re të Këlcyrës. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni, ministrat Kumbaro dhe Çuçi, si dhe deputetë të zonës ishin në Këlcyrë për të parë nga afër projektet për rikualifikimin e përroit të lagjes Gur, si dhe sistemimin e shtratit të përroit, me vlerë totale 67 milionë lekë. Ky investim e kthen këtë përrua që e përshkon lagjen Gur në mes nga një kazan të madh me plehra në një shëtitore të bukur për të gjithë qytetin e Këlcyrës. Projekti përfshin korsi biçikletash, pedonalen, dy sheshe me shatërvanë të vegjël dhe lodra për fëmijët.

 

* * *

 

Tepelena, ka sot pamjen e një qyteti krejt të ndryshuar që dita-ditës po shton vlera urbanistike dhe tërheq turistë dhe vizitorë.

Rruga hyrëse e qytetit, tejet e rëndësishme për prezantimin e Tepelenës si një qytet plot vlera i është nënshtruar rikonstruksionit të saj, i cili përfshin edhe aksin rrugor deri në hyrje të kalasë.

Një investim tjetër investim prej 46 milion lekësh është edhe Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Abaz Shehu” e Tepelenës, një investim për të rinjtë me mjedise nga më modernet dhe bashkëkohoret. Shkolla ka dy fusha sporti, volejbolli dhe basketbolli, palestër, laboratorë të standardeve europiane, si dhe mjedise çlodhëse dhe argëtuese. “Investimi është 46 milion lekë të reja. Është në sistemin kapot në veshjen e jashtme, brenda me palestër, me laboratorët, me shkallët e emergjencës si asnjëherë. Këtu janë stolat, lulishtet, se jemi në punim e sipër. Njëherë e mirë merr fund zgjidhja e gjithë këtyre viteve të lëna pas dore. Evropën e kemi atje lart, do ta prekim së shpejti.” u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi teksa shoqëronte Kryeministrin Rama i cili vizitoi Tepelenën për të parë nga afër projektet e  Rilindjes Urbane.

Kryetari i Bashkisë u shpreh se së fundmi është rritur ndjeshëm numri i turistëve dhe vizitorëve të interesuar për Tepelenën. “Është shtuar numri i turistëve vendas dhe të huaj. Mbi të gjitha këtu është gjallëruar dhe jeta. Më shumë kanë filluar dhe po vijnë anglezët.”

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.