Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e dy projekteve në fushën e artit dhe kulturës, rindërtimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe ndërtimin e skenës së re të Teatrit:

Mirëdita të gjithëve dhe urime për përvjetorin e Teatri Lirik të Operës dhe Baletit, siç quhej në ditën e krijimit të tij, 60 vjet më parë.

Besoj se është një ditë e shënuar mirë në kalendarin e ministres së Kulturës për ta kremtuar me këtë aktivitet, që synon të promovojë pikërisht rindërtimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe ndërtimin e një skene tërësisht të re për njerëzit e Teatrit.

Një hapësirë, që për çerek shekulli ishte e braktisur dhe e mbushur me mbeturina të kohës së shkuar, shërbente dikur si një laborator hidroteknik dhe sot ka nisur të transformohet në skenën e re të kryeqytetit.

Kadri Rroshi u thoshte dikur studentëve se “nëse nuk bëhesh me pluhur në skenë, nuk mund të bëhesh kurrë aktor”. Besoj se jeni dakord me mua se po të ishte pluhuri kriteri i vetëm, ne do të kishim nxjerrë çdo vit aktorë të denjë për skenat më prestigjioze të botës dhe mbase do të ishim bërë qendra e botës për përgatitjen e aktorëve. Por, fatkeqësisht, pluhuri, për të cilin fliste Kadriu, është diçka krejt tjetër nga pluhuri i braktisjes dhe i harresës që ka zënë shtresa shumëvjeçare në institucionet e skenës, nga pikëpamja e kujdesit për infrastrukturën e tyre.

Nuk po flas për plagën time të vjetër, Teatrin Kombëtar. Shoh këtu disa nga ata që më kundërshtonin në atë kohë, kur thosha që duhet shembur dhe duhet ndërtuar nga e para. Sot, ai po shembet vetë dhe nga dita në ditë mund të jetë skena e një tragjedie të vërtetë, jo antike. Shpresoj që kjo të mos ndodhë, në ndërkohë që ne kemi filluar të ndërtojmë këtë skenë të re, e cila do të ketë dy salla me 400 spektatorë dhe me 150 spektatorë, si dhe mjedise të tjera, që jo se do të zëvendësojnë përgjithmonë Teatrin Kombëtar, por do të jenë një alternativë e shkëlqyer dhe me standarde që asnjëherë më parë nuk i kanë pasur regjisorët dhe aktorët e skenës në Shqipëri.

Nga ana tjetër do të bëjmë më në fund, edhe rindërtimin e plotë të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku, sipas konstatimeve të bëra nga grupi i ngritur për këtë projekt, dyshemeja e skenës rrezikon realisht të shembet dhe t’i përpijë të gjithë “skllevërit e Aidës”, bashkë me kë tjetër mund të gjendet rastësisht në skenë. Ashtu sikundër prapaskena është vendgrumbullimi i gjithë dekoreve të vjetra dhe sistemi elektrik, tërësisht i amortizuar, pa llogaritur sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes që nuk mbahen mend kur kanë funksionuar për herë të fundit, ndërsa dritaret janë prodhim italian i vitit 1966.

Ndër vite janë bërë disa përpjekje për të bërë disa rinovime të pjesshme, por, siç e dinë më mirë ata që e përdorin atë skenë, asnjëherë nuk është adresuar dot siç duhet problemi i akustikës së jo njëtrajtshme të asaj skene, që besojmë se projekti i ri do ta zgjidhë.

Bëhet fjalë për një investim jashtëzakonisht të konsiderueshëm për shtetin. Mjafton t’ju jap një shifër. Investimi që ne do të bëjmë vetëm për Teatrin e Operës dhe të Baletit është më i madh se investimet e bëra në infrastrukturën e artit dhe të kulturës në 20 vitet e fundit. Jo i vogël është edhe investimi për këtë skenë të re këtu.

Me përfundimin e rindërtimit të Liceut Artistik, “Jordan Misja”, ku pas ditës të themelimit do të hyjnë për herë të parë edhe pianot e reja dhe shpresojmë të plotësohet gjithë spektri i instrumenteve, sepse ka një nevojë alarmante. Po ashtu do të ndërtohet një sallë e re, një skenë e re për nxënësit; Bashkë me shkollën koreografike ku së shpejti fillon të realizohet një projekt që është gati prej dy vitesh dhe vetëm për arsye administrative ka pasur pengesë; Bashkë me disa investime paraprake që do të vazhdojnë në Akademinë, – në Universitetin e Arteve siç i thonë, por unë preferoj t’i them Akademia e Arteve, – besoj që përbëjnë një infrastrukturë të re, të arsyeshme, për të përmbushur nevoja të papërmbushura prej kaq shumë vitesh për njerëzit e skenës, që nga muzika deri tek Teatri.

E nëse do shtoja këtu, edhe punën e bërë me Teatrin e Korçës, që do të përfundojë besojmë në pranverën e vitit që vjen, me një infrastrukturë moderne në të gjitha pikëpamjet, me Teatrin e Shkodrës që po rindërtohet për nga pikëpamja e sistemeve të brendshme të funksionimit dhe me një sërë investimesh të tjera jo në fushën e artit skenik, por që shtrihen në të gjithë gamën e produkteve kulturore, kemi çelur dhe po shkruajmë një kapitull tërësisht të ri për marrëdhëniet midis qeverisë dhe njerëzve të artit e të kulturës, institucioneve të artit e të kulturës. Duke shënuar kështu një volum tërësor investimesh, që është më i madh sesa jo 25 vite, por herë dy. Pra, 50 apo 60 vjet do ishin dashur për të bërë ç’ ka kemi bërë në këto tre vjet, në rast se do të vazhdohej në ritmet e trashëguara.

Sigurisht është koha për të rindërtuar edhe Teatrin Kombëtar, i cili është në një vend kyç strategjikisht dhe është mirë të mbetet aty, por duke u zhveshur përfundimisht nga paragjykimet e të shkuarës, që e penguan rindërtimin e tij me kohë e vakt. Duke bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës e me faktorë të tjerë, besoj se edhe ëndrra për të pasur më në fund një Teatër Kombëtar të dramës dhe të komedisë, të rindërtuar me gjithë parametrat që e bëjnë një teatër të jetë i standardeve bashkëkohore, do të bëhet realitet.

Ka shumë njerëz që me dashje a padashje e harrojnë vlerën e madhe që kanë këto investime dhe shpeshherë reagojnë ndaj këtyre projekteve dhe ndaj gjithë këtyre përpjekjeve, duke thënë se “nuk kemi bukë, ç’na duhet teatri, muzeu, stadiumi” e me radhë. Por e vërteta është në asnjë vend ku nuk ka teatër, muze, stadium, nuk ka jetë kulturore dhe sociale, nuk ka as bukë.

Sigurisht që do të ishte një bisedë e gjatë, nëse është buka që sjell artin, apo nëse është arti që sjell bukën, por nuk ka pikë dyshimi që investimet në art, kulturë e sport, me gjithë infrastrukturën që krijon cilësi jete shpirtërore dhe sociale, janë patjetër investime edhe në ekonomi, edhe në mirëqenien, jo vetëm shpirtërore, por edhe materiale të njerëzve të një vendi.

Ndaj të thuash t’i lëmë të gjitha këto se ka njerëz që mezi ia dalin të sigurojnë bukën e gojës, do të thotë të pranosh që ata njerëz t’i lësh gjithë jetën e në jetë të jetëve në atë gjendje dhe të mos kesh ambicien që edhe ata të dalin nga ajo gjendje. E për të siguruar një hop të mëtejshëm dhe të vazhdueshme edhe në jetën ekonomike, edhe në mirëqenien materiale të familjeve dhe të komuniteteve, me patjetër duhet investuar edhe më shumë në art e në kulturë, duhet investuar edhe më shumë në institucionet e artit dhe kulturës. Edhe pse kemi bërë vërtetë shumë, krahasuar me të shkuarën, nuk janë mjaft, për të thënë që ne e bëmë tonën në raport me këtë sektor.

Përkundrazi, duhen edhe më shumë. Nëse teatri, muzeu, stadiumi shkojnë pranë komuniteteve që kanë vështirësi të një natyre tjetër, me siguri ato vështirësi lehtësohen në afat të mesëm dhe sigurisht që lehtësohen së tepërmi në afat të gjatë. Prandaj investimi në art dhe në kulturë është një domosdoshmëri. Për ne është në qendër të vëmendjes dhe pavarësisht problemeve të rënda që kemi pasur me buxhetin, për shkak të borxheve të mbledhura në vite, të borxheve të fshehura, që u detyruam t’i shlyejmë një më një, për kontrata të papaguara, me të cilat mund të ishin ndërtuar dhjetëra e dhjetëra teatro, ne përsëri kemi bërë çmos që buxheti për infrastrukturën e artit, kulturës dhe sportit, jo vetëm të mos shkurtohet, por të rritet. E vërteta është që buxheti është rritur ndjeshëm dhe synimi është për të vazhduar ta rrisim, për të realizuar në vijim në projekte të tjera, që presin të financohen.

Realizimi i këtyre dy projekteve që diskutojmë sot, në një ditë simbolike siç është dita e themelimit të Teatrit lirik të Operës dhe Baletit, mbeten sidoqoftë, dy projekte të mëdha, madje shumë të mëdha, për shpatullat e Ministrisë së Kulturës dhe për kapacitetet e buxhetit të shtetit tonë.

Ju siguroj që nuk janë të fundit, përkundrazi, ju siguroj që përtej transformimit të infrastrukturës, ne do të jemi të vëmendshëm edhe për të rritur kapacitetet e brendshme, qoftë të financimit të drejtpërdrejtë të punonjësve, duke u përpjekur që të rrisim pagat dhe shpërblimet për ta, qoftë sa i përket gjithë infrastrukturës mbështetëse, që është edhe ajo një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme, për të cilën nuk mund të thuhet që është në ditët më të mira. Apo qoftë duke rritur edhe mundësitë për më shumë ndërveprim mes institucioneve tona dhe institucioneve të tjera, duke përfituar nga programet e reja të Bashkimit Europian e kështu me radhë.

Sot erdhët për të marrë pjesë në një aktivitet në guaskën e një gërmadhe. Herën tjetër do të vini për të parë transformimin e kësaj guaske të zbrazët, në guaskën e një skene bashkëkohore, të standardeve më të mira. Atëherë do të jetë me të vërtetë problem për të gjetur pluhurin e nevojshëm, që aktorët e rinj të zbatojnë porosinë e Kadri Roshit.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.