Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në fshatin Bajkaj në Sarandë po ndërtohet landfilli rajonal për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane për bregdetin e jugut. Aktualisht ka përfunduar faza e parë e ndërtimit, një investim që shkon në total 5.6 milionë dollarë. Për t’u njohur me ecurinë e investimit ishte sot në Bajkaj, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Zhvillimit Urban Englantina Gjermeni.

Landfilli me kapacitet 365 000 m3 është llogaritur për depozitimin e 25 000 m3/vit mbetje. Me reformën e re territoriale do t’i shërbejë bashkive Sarandë, Himarë dhe Delvinë. Ai do të mundësojë mbylljen e venddepozitimeve ekzistuese të mbetjeve urbane, duke i shërbyer të gjithë zonës bregdetare të jugut. I pajisur me impiantin e përpunimit të ujërave, do të reduktojë maksimalisht ndotjen e ujërave nëntokësore. Landfilli i Bajkajt vlerësohet të sigurojë grumbullimin dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve për 20 vitet në vazhdim.

Duke theksuar rëndësinë e projektit për pastrimin dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në bregdetin e jugut, Kryeministri e konsideroi një pikë kthese historike për turizmin në Shqipëri.

“Qëllimi i parë është që të pastrohen të gjitha vatrat e infektuara nga vendgrumbullimet pa asnjë standard dhe nga plehrat e mbledhura kuturu nëpër vite dhe pastaj të garantohet që i gjithë sistemi i mbledhjes në gjithë njësitë vendore në Himarë, në Sarandë dhe në Konispol të funksionojë, në mënyrë që ky investim të kthehet në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore të të gjithë zonës. Edhe reforma territoriale ndihmon shumë në këtë aspekt, sepse nuk është më fjala për dhjetëra komuna me buxhete mjerane dhe me burime njerëzore të pamjaftueshme, por është fjala për 5 bashki, të cilat do të kenë buxhete të mjaftueshme dhe do të kenë në dispozicion mundësitë për të pasur burimet njerëzore të kualifikuara, në mënyrë që gjithë ky thesar turistik të çlirohet nga makthi i plehrave që faktikisht kanë dëmtuar shumë edhe imazhin, edhe dëshirën e shumë turistëve për të ardhur në këtë zonë. Kështu që kjo është një pikë kthese historike për zonën dhe për turizmin në Shqipëri,” – u shpreh Kryeministri.

Landfilli rajonal i Bajkaj është pjesë e një projekti të financuar nga Banka Botërore për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonave bregdetare. Infrastruktura dhe rehabilitimi i mjedisit të bregdetit të jugut është komponenti më i rëndësishëm i këtij projekti, me vlerë të përgjithshme 35 milionë dollarë. Nga ky projekt është financuar me sukses edhe ndërtimin e stacionit të transferimit të mbetjeve në Himarë, me vlerë 608 504 dollarë.

 

***

 

Rikthehet kurora e gjelbër e qytetit të Sarandës. Me një fond të qeverisë prej 16.6 milionë lekë është bërë pyllëzimi dhe gjelbërimi i kurorës së qytetit. Një sipërfaqe prej 50 hektarë është mbjellë me pishë mesdhetare dhe selvi. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga deputetë të zonës, inspektoi punën e bërë në terren.

Drejtori i Drejtorisë Pyjore Sarandë, Kristo Kauri tha se falë këtij fondi, kurorës së Sarandës i janë shtuar 22 mijë pisha dhe 4215 selvi. “Kjo kurorë duhet mbrojtur me çdo çmim. Këtu investimi është 16.6 milionë lekë dhe ishim privilegjuar si Sarandë, që na ndihmuat për këtë”.

Kryeministri Rama theksoi se rifitimi i gjelbërimit në gjithë Shqipërinë është objektiv i qeverisë, ndërsa siguroi se mbështetja do të shtrihet edhe në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve.

“Do ta vazhdojmë këtë punë edhe më tutje. Do nxjerrim edhe një fond tjetër për të vazhduar kundërsulmin dhe për të rimarrë situatën përmes gjelbërimit në këtë shkretim të madh që është bërë në gjithë këto vite. Patjetër do të gjejmë edhe mundësinë që të mbështesim për ruajtjen dhe mirëmbajtjen, se pa ruajtjen dhe mirëmbajtjen është gjithçka e hedhur në det. Këtë vit, në vitin e parë kemi mbjellë në tërë Shqipërinë 2.5 milionë fidanë dhe objektivi është që deri në fund të mandatit të shkojmë në 10 milionë, sigurisht në këtë volum, bregdeti zë vendin e vet dhe Saranda zë vendin e vet.”

Rivitalizimi i kurorës së gjelbër të qytetit ka impakt jo vetë në përmirësimin e peizazhit natyror, por edhe të parametrave mjedisorë.

 

***

 

Në Sarandë, Kryeministri Rama inspektoi gjithashtu edhe punimet për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza. Ky investim i jep zgjidhje përfundimtare ndotjes së ujërave të bregdetit të Sarandës dhe Ksamilit.

Kryeministri theksoi rëndësinë e këtij investimi, veçanërisht për dhënien fund të derdhjes së ujërave të zeza në det. “Ky është një investim që çliron Sarandën dhe Ksamilin bashkë, edhe që kishte vite të tëra i bllokuar. Para të tjera të hedhura, si në shumë projekte të tjera me financime të huaja, pa marrë parasysh as se si do të funksionojë, as se si do të mirëmbahet. Është gjë e madhe që u vu në punë. Tani, me investimin e fundit, për të bërë lidhjen deri të hotel “Butrinti”, përfundon dhe mbyllet skema dhe s’ka më ujëra të zeza të hedhura nëpër det e nëpër rrugë” – u shpreh Kryeministri.

Prej vitesh impianti nuk funksiononte, pasi nuk ishte realizuar lidhja e tubacioneve ndërmjet impiantit dhe linjës e kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit.

Vitin e kaluar, falë një investimi të Drejtorisë së Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve (DPUK) nisi puna për përfundimin e projektit dhe vënien e impiantit në funksion.

 

***

Qeparoi ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit Rama, ku i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro, Ministëri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe deputeti i zonës Koço Kokëdhima inspektoi punimet për ndërtimin e shëtitores buzë detit.

Projekti parashikon sistemimin e infrastrukturës nëntokësore, ndërtimin e trotuareve dhe ndriçim.

Kryetari i Bashkisë së Himarës theksoi se kësaj zone i kanë munguar investimet nga qeveritë e mëparshme, por falë investimeve të tanishme pamja e zonës po transformohet rrënjësisht dhe banorëve po u krijohen mundësi të rrisin investimet e tyre, në funksion të zhvillimit të turizmit. Gjithashtu, ai shprehu besimin për rritje të mëtejshme të investimeve edhe nga ndarja e re territoriale, ku Himara bëhet një bashki e madhe. “Me investimet që po bëhen në bashkinë tonë po i transformohet rrënjësisht pamja dhe i krijon mundësi të gjithë qytetarëve dhe banorëve ta shijojnë, ta gëzojnë dhe të rrisin investimet në fushën e turizmit. Ne besojmë që Qeveria edhe me organizimin e ri që po i bëhet këtij rajoni, duke e kthyer në një bashki të madhe, do t’i kthejë dhe do ta ketë nën vëmendje ashtu siç e ka dhe sot, edhe në vazhdimësi.” – tha kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.

Për Kryeministrin Rama këto investime që po realizohen dhe transformimet që po kryhen do të jenë në funksion të turistëve që këtë sezon veror, por njëkohësisht, u japin mundësi vetë banorëve të investojnë, gjithnjë, duke ruajtur karakteristikat. “Ky është një model i ri i zhvillimit të zonës duke e vendosur bregdetin Jon nën mbrojtje nga inercia e barbarisë së shumë viteve, duke e transformuar në një hapësirë të rilindur turistike, duke u dhënë mundësi banorëve dhe atyre që janë në emigracion që të rrisin investimet e tyre, por brenda një modeli që përcakton ruajtjen e karakteristikave dhe të traditës në ndërtim. Duke i mikëpritur vizitorët dhe turistët që vijnë nga pjesë të tjera të Shqipërisë apo edhe nga jashtë vendit, me një pamje dhe me një përmbajtje tërësisht të transformuar. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë, por jam i bindur që të gjithë ata që do të vijnë në këtë sezon në bregdet dhe posaçërisht në Qeparo do të shohin me sytë e tyre se transformimi i filluar premton shumë dhe se Rilindja Shqiptare në këtë zonë kaq të pasur dhe kaq të mrekullueshme turistike do të sjellë çka, për fat të keq, i ka munguar zonës dhe gjithë vendit për 20 vjet të tëra.” – u shpreh Kryeministri Edi Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.