Qeparoi, një ndër atraksionet verore të Bregut të Jonit prezantohet në këtë sezon turistik me një pamje tërësisht të transformuar. Shëtitorja e re që kalon në të gjithë vijën bregdetare të tij i ka dhënë Qeparoit tiparet e një fshati tipik turistik bregdetar, ku janë ruajtur karakteristikat dhe traditat e zonës.
Me financim të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve është bërë sistemimi i infrastrukturës nëntokësore, është ndërtuar pedonalja, trotuaret dhe sistemi i ndriçimit të hapësirave publike. Shëtitorja është ndërtuar me pllaka guri, ndërsa muret anësore me gurë tradicionalë të zonës. Ndërkohë vazhdojnë punimet për gjelbërimin.
Në Qeparo u ndal sot, Kryeministri Edi Rama, i cili e vlerësoi këtë investim modelin e ri të zhvillimit urban të zonës. “Rilindja Urbane në Bregun e Jonit, ku plazhi i Qeparoit është një prej shembujve të transformimit në drejtimin e duhur,” – do të shprehej Kryeministri, pasi përshkoi shëtitoren e re.
Falë edhe këtij investimi, plazhi i Qeparoit bëhet edhe më mikpritës dhe më tërheqës për vizitorët dhe turistët. Investimi i jep po ashtu, një nxitje zhvillimit të biznesit lokal.