“Rilindja urbane e qyteteve” prek edhe Kavajën. Me mbështetjen e Qeverisë, ka nisur zbatimi i projektit për rehabilitimin urban të qendrës së qytetit dhe pas përfundimit të projektit, i cili përfshin godinën e re të bashkisë, rikonstruksionin e rrugës hyrëse në jug të qytetit, 2.5 kilometra, rehabilitim të 11 mijë m2 të qendrës dhe 3 mijë e 200 m2 park, do t’i japin asaj pamjen e një qendre të standardeve të urbanistikës europiane.
Për t’u njohur me ecurinë e projektit ishte sot në Kavajë, Kryeministri Edi Rama. Ndërsa inspektoi çdo kantier pune të hapur në qytet, Kryeministri u shpreh se vetëm në një vit, me mbështetjen e Qeverisë dhe përkushtimin e qeverisë vendore, Kavaja u shndërrua në “një kantier ndërtimi”.
“Ne vijmë këtu dhe gjejmë qytetin të transformuar në një kantier, pasi kanë bashkëpunuar ngushtësisht për të bërë projekte të admirueshme dhe për të nxitur që këto projekte të financohen. Askush nuk e kishte parafytyruar që Kavaja, e cila për 20 vjet rresht i besoi votën Partisë Demokratike dhe për 8 vjet rresht në qeverisjen e Partisë Demokratike nuk mori asnjë qindarkë, do të transformohej në kantier ndërtimi, pa u mbushur viti i parë i qeverisjes socialiste. 11 mijë m2 të qendrës së Kavajës, me plus 3200 m2 park dhe rruga 2.5 kilometër, e transformuar në një rrugë europiane, ku standardet do të garantojnë jo vetëm vijueshmërinë e trafikut, por edhe ecjen e këmbësorëve dhe përdorimin e biçikletave, janë vetëm fillimi i një investimi që do të vijojë intensivisht,” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama theksoi se ndonëse për Kavajën është folur shumë, realiteti fliste për një braktisje të qytetit. Braktisje që tashmë ka marrë fund, tha Kryeministri, duke u shprehur për mbështetjen e plotë ndaj çdo projekti të bashkisë, në funksion të rigjallërimit urban dhe standardeve të jetesës .
“Unë dëshiroj që t’ju siguroj për mbështetjen e plotë të qeverisë për Kavajën. Kavaja është një zonë e cila ka vuajtur shumë në shumë vite, shumë mangësi. Braktisja e Kavajës ka marrë fund njëherë e mirë, sepse në 2011 Kavaja bëri zgjedhjen e duhur dhe nga një qytet i cili ishte i mbuluar nga plehrat, nga pisllëku, nga rrëmuja, u kthye në një qytet që në radhë të parë e filloi nga pastërtia dhe nga disiplina në qarkullim, nga respekti për këmbësorët, për të moshuarit, për fëmijët. Ju siguroj që për sa i përket projekteve, ne do të mbështesim çdo projekt që do të na vijë nga Bashkia e Kavajës. Jam i bindur që në pranverën e ardhshme, kur të jemi këtu për të parë përfundimin e këtyre punimeve, të gjithë do të jemi krenarë për Kavajën e rilindur, sepse rilindja e Kavajës do të jetë e prekshme dhe do të jetë e dukshme. E, Kavaja do të ngrejë kokën me krenari për të pritur të gjithë vizitorët, me një shesh të përmasave dhe të standardeve të urbanistikës europiane dhe me këto rrugë hyrëse dhe dalëse që flasin më shumë se çdo fjalë për të ardhmen e një qyteti në transformim të vazhdueshëm. Unë ju siguroi se brenda 4 viteve të qeverisjes sonë në këtë mandat të parë, do të çojmë asfaltin në çdo rrugë dhe rrugicë të qytetit tuaj,” – u shpreh Kryeministri, në një bashkëbisedim me Kryetarin e Bashkisë, ekipin e tij dhe qytetarë të Kavajës.
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi veçoi sidomos rëndësinë që rruga hyrëse në qytet do të ketë edhe për biznesin. “Kjo është një rrugë që përbën një zhvillim të madh për biznesin e Kavajës, prej 2.5 kilometrash. Është një rrugë e veçantë ndaj të tjerave, sepse ka edhe një korsi për biçikleta, për t’i dhënë prioritet atyre që përdorin biçikletat,” – u shpreh Roshi, i cili shpjegoi se edhe projekti i rrugës parashikon trotuare dhe gjelbërim, sipas modelit të trotuareve në anë të lumit Lana në Tiranë, ku pemët nuk do të jenë pjesë e trotuarit, por në anë të tij.
Kryeministri Rama kërkoi respektimin e standardeve urbane në të gjitha elementet e infrastrukturës. “Trotuaret, – theksoi Kryeministri – duhet të jenë trotuare, ku familja të ecë e tëra. Jo të iki burri para, gruaja të vijë mbrapa dhe kalamajtë të humbin. Se këto ishin trotuaret që bënin ata.”