Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla e mesme e Bashkuar “Rrëmbec”, në Maliq do të hapet vitin e ardhshëm shkollor, tërësisht e re, brenda të gjithë standardeve, për mbi 300 nxënësit e saj, për 60 fëmijë të kopshtit që gjendet bashkëngjitur, si dhe 9 mësues.

E ndërtuar që në vitin 1957, për shkak të amortizimit të lartë dhe problemeve serioze të strukturës së saj, pothuaj të gjithë ambientet  ishin të pashfrytëzuara.

Kryeministri Edi Rama, inspektoi në terren ecurinë e punimeve për shkollën e re.

“Para një viti, – thotë një nga nxënëset – kishim një shkollë gati të rrënuar dhe sot ajo është një ndërtesë e re. Ishte komplet e rrënuar dhe gati për 20 vite me radhë të gjithë kanë mësuar atje.”

Me investimin shkolla është ndërtuar nga e para, me klasat, palestrën e brendshme dhe atë të jashtme, si dhe hapësirat e domosdoshme për ciklin parashkollor. Duke qenë se kushtet klimaterike të zonës janë me dimër të ashpër, shkolla ka të instaluar sistem qendror ngrohje.

“Me kallamishte ishte, në vend të soletave kishte kallamishte”, tregojnë në bisedë me Kryeministrin mësueset e shkollës. Një prej drejtuesve të punimeve sqaron se duhej ribërë çdo gjë: ” Kemi bërë  pothuajse ndërtimin komplet. E kemi prishur të gjithë dhe kemi ndërtuar shkollën të re. Është rreth 2200 metra katror ndërtim”.

“Ka një sistem të ngrohjes qendrore me kaldajë me pelet”, sqaron më tej gjatë inspektimit kryetari i bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu. Terrenet e reja sportive ne oborrin e shkollës, do të jenë të shfrytëzueshme përveç nxënësve edhe nga komuniteti i zonës, duke synuar kthimin e saj në një qendër komunitare.

Për kryetarin e bashkisë së Maliqit, është një nga shkollat më të mira të Korçës, një premtim i bërë në vitin 2015, tashmë një premtim i mbajtur. “E kemi premtuar në zgjedhjet e 2015 dhe unë vërtetë falenderoj Kryeministrin që na ka mbështetur. Po ju them që  ndoshta kjo  është nga shkollat më të mira të qarkut të Korçës.”

“Ne as nuk e imagjinonin se do na bëhej palestër, do më thënë me atë shkollë që kishim,” shprehet me entuziaste një prej nxënësve të gjimnazit të shkollës.

* * *

Fermerët e zonave të Maliqit dhe të Korçës së shpejti do të zgjidhin problemin e tyre më të madh, atë të transportit të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër punimet për rikonstruksionin e segmenteve rrugore që lidhin kryqëzimin e rrugës nacionale Korçë-Bilisht me fshatrat Tërovë, Rov, Rrëmbec, Orman, Kuç, Shamboll e Belorta, pjesë të Bashkive Korçë dhe Maliq. Ky segment rrugor, i gjatë rreth 8.5 km dhe në gjendje tejet të amortizuar, brenda kësaj vere do të lehtësojë lëvizjen për mbi 20 mijë banorë të këtyre fshatrave, por mbi të gjitha pritet të sjellë një rritje të tregtimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale të zonës. Ajo është e vetmja urë lidhëse e fermerëve të zonës me tokat bujqësore dhe e vetmja mundësi për të kryer transportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale për tregtimin e tyre.

“Është pjesë e segmentit që lidh Ormanin me rrugën nacionale që lidh Korçën me Bilishtin. Është një segment rrugor shumë i rëndësishëm që e përshkon fushën e Maliqit në mes. Janë rreth  8 km  rrugë, në të cilën Bashkia e Maliqit nëpërmjet qeverisë shqiptare, me një fond rreth 105 milion lekë bën të mundur asfaltimin e këtij segmenti që  banoret në Terovë, në Rëmbec dhe Orman për 25 vjet e kishin kërkuar, por normalisht nuk ua kishte bërë njeri,” – u shpreh kryetari i Bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu.

Më shumë se kushdo për investimin flasin vetë banorët, për të cilët rruga ishte kthyer në pengesën kryesore edhe në mbarëvajtjen e punës së tyre në bujqësi.

“Faleminderit shumë për atë çka ju keni bërë. Në 25 vite, ne nuk kemi parë asnjë ditë të bardhë, me kalimin e rrugës, në të gjitha drejtimet. Shumë faleminderit dhe shumë urime!” – u shpreh një banore.

“Na plotësuat një dëshirë që kishte kohë, që e kishim shumë të madhe,” – u shpreh një tjetër.

Një tjetër banore shprehet se ndryshimi është i dukshëm jo vetëm nga banorët: “Kënetë ka qenë. Kushdo që vinte këtu çuditej. Në të tërë ka vajtur asfalti në maj të malit dhe këtu jo. Po shyqyr që u bërë ti Kryeministër që na dhe këtë rrugë.”

* * *

Rilindja Urbane ka prekur edhe në njësitë më të vogla administrative. Në sajë të projektit të rikualifikimit urban, qendra e bashkisë Devoll ka nisur të transformohet në një model që rrit cilësinë e jetesës në qytet dhe nxit ekonominë lokale. Me investimin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, u mundësua jo vetëm rikonstruksioni i rrugëve, trotuareve, shesheve dhe lulishteve, por edhe ndërtimi i një shëtitoreje të re. Po ashtu është bërë i mundur restaurimi i fasadave të ndërtesave përreth sheshit, si dhe ndriçimi i tij. Pjesë e rëndësishme e projektit për rikualifikimin urban të qendrës së Bilishtit është edhe gjelbërimi, ku do mbillen rreth 3500 pemë të reja, vendosja e rreth 150 stolave, një këndi lojërash si dhe 4 stacione biçikletash.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zvkryeministri Niko Peleshi inspektoi punimet e deritanishme të këtij projekti.

Kryetari i  Bashkisë së Devolli Bledion Nallbati shpjegoi  se “Në qendër të qytetit shkon 500 metra linearë do të jetë pedonale. Është parashikuar të bëhen shkallë-shkallë, sheshe pushimi.”

Ai shtoi gjithashtu se pjesë e projektit janë edhe fasadat e ndërtesave përreth.

Kryetari i Bashkisë Devoll Bledion Nallbati, përfaqësues i PD, shprehu dëshirën që ky bashkëpunim të jetë më i ngushtë në të ardhmen. “Punët e mira nuk ka nevojë për komente. Unë ju kam falënderuar që në çeljen e projektit. Uroj që të kemi të tjera bashkëpunime. Populli i Devollit ka nevojë për  më shumë mbështetje.” tha ai.

Ndërsa Kryeministri Rama e cilësoi këtë bashkëpunim të frytshëm kur ekziston vullneti dhe gatishmëria nga ana e pushtetit lokal për të bërë më të mirën për qytetarët. “Pasqyrë e mirë e bashkëpunimit, kjo, me Partinë Demokratike,” u shpreh ai.

Për zëvendëskryeministrin Peleshi, ky projekt “është dëshmi e mbështetjes pa ngjyrime politike që i kemi bërë bashkive.”

Kryeministri siguroi se nga ana e qeverisë bashkëpunimi do të jetë gjithnjë i pranishëm në dobi të qytetarëve, gjithmonë mbi bazë projektesh konkurruese.

* * *

Një kombinat i teknologjisë së fundit për përpunimin e mishit është ngritur prej një viti ne Korçë, sipas të gjitha standardeve të BE. Ai është një kombinat multifunksional, që i përmbush të gjitha nevojat e qarkut dhe më gjerë. Me mbështetjen e Fondit të Garancisë, sipërmarrësi vazhdon investimin për të rritur standardet e garancisë ushqimore.

Kryeministri Edi Rama pa nga afër këtë investim dhe bisedoi me sipërmarrësin. Sipërmarrësi shpjegoi vështirësitë e nisjes së biznesit të tij, i cili falë angazhimit të tij dhe lehtësive fiskale të kryera në këto 3 vitet e fundit ka arritur të zgjerohet me shpejtësi: “Këtu janë një pjesë kasapësh. Faktikisht kam vuajtur për t’i trajnuar. Kam marrë nga Maqedonia 4 persona që i kam paguar shumë, d.m.th. edhe për therje se nuk është kjo e gjitha,” shpjegon sipërmarrësi.

Në një tjetër repart ai tregon: “Teknologjia është italiane. Është bërë me një vëmendje të veçantë. Është punuar rreth 1 vit e gjysmë për projektin. Nga ana e standardeve BE, është totalisht BE-ja. Tani po punojmë edhe me një projekt të BERZHIT, për menaxhimin  e pjesës së therjeve, për ta mbyllur komplet pjesën e sigurisë ushqimore.”

Interesimit të kryeministrit për përfitimet nga Fondi i garancisë, sipërmarrësi iu përgjigj se kjo mbështetje ka qenë shumë e rëndësishme që në hapat e parë të këtij investimi dhe vendimtare për vazhdimësinë e tij. “Me atë jam marr që kur u hap në fillim.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.