Rindërtimi, arritjet, sfidat dhe risitë në sistemin e arsimit

Nga cikli i takimeve me gazetarë “Ekonomia në Fokus”, me ministren e Arsimit Evis Kushi:

Kryeministri Edi Rama: Takimin e sotëm do ta zhvillojmë në këtë format (online) si rrjedhojë e faktit që jemi nën imponimin e disa masave të reja, ndër të cilat, masa për të pasur maksimumi 10 persona në çdo rast grumbullimi. Duke qenë se ju që më ndiqni, gazetarët dhe ne së bashku, plus teknika këtu, ishim më shumë se ky numër, atëherë jemi të detyruar ta zhvillojmë këtë takim të radhës në këtë format.

Sot do të fokusohemi tek arsimi, me fokus të posaçëm tek gjithë procesi i rindërtimit, por jo vetëm. Së bashku me mua është ministrja e Arsimit, e cila do të bëjë një panoramë tërësore të aktualitet në arsim.

Përpara se t’ia jap fjalën ministres dhe duke e shkurtuar ndjeshëm këtë here, edhe për shkak të formatit, hyrjen time, dua të nënvizoj faktin se është me një rëndësi të posaçme dhe do kërkoja edhe ndihmën e të gjithëve ju që më ndiqni, që të jemi sa më të vetëdijshëm që kemi në dorë të gjithë, secili në pozicionin e vet, por së bashku si komunitet, si bashkësi që jetojmë në këtë vend, të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal në vazhdimësi të të gjithë atyre që janë në nevojë dhe qoftë mbylljen e përgjithshme.

Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar dhe qytetare e këtij vendi të vetëdijësohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime, në radhë të pare, për të mbrojtur shëndetin e vet dhe të familjes së vet dhe të gjithë të afërmve dhe miqve. Duke bërë këtë, jep një kontribut të jashtëzakonshëm, sado që e çuditshme mund të duket, por është i jashtëzakonshëm kontributi i çdo individi, për të ndihmuar luftën e përditshme dhe të përnatshme që bëhet në vijën e zjarrit, aty ku trajtohen pacientët e prekur me COVID dhe që kanë simptoma të rënda, qoftë për të shmangur një mbyllje, e cila do të kishte edhe pasoja të padëshirueshme në të gjitha aspektet dhe nuk diskutohet në aspektin e ekonomisë së çdo familje dhe të ekonomisë së familjes sonë të përbashkët.

Duke qenë se sot jemi këtu për arsimin dhe duke qenë se kam ndjekur me vemendje që ka, së paku për sa kam mundur unë të konstatoj nga çfarë lexoj në faqen time dhe në rrjetet e mia sociale, një zë të përsëritur për mbylljen e shkollave. Dua ta theksoj edhe njëherë se çfarë hapet dhe se çfarë mbyllet, kjo është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara që kanë të gjithë ekspertizën, por patjetër kanë dhe detyrimin ligjor që të marrin vendime në këto kohë kaq të vështira.

Thënë kjo, dëshiroj t’ju përcjell ju dhe nëpërmjet jush të gjithë atyre që na ndjekin aktualisht, apo që do të na ndjekin përmes kronikave tuaja, që, sipas të gjitha të dhënave dhe duke ndjekur të gjitha orientimet e autoriteteve shkencore, shëndetësore në të gjithë vendet, që ne i ndjekim me shumë vëmendje, për të mësuar sa më shumë, shkollat nuk konsiderohen një vatër e nxehtë, por si një hapësirë që si të gjitha hapsirat e tjera kanë potencialin e tyre të rrezikut. Që do të thotë se nga njëra anë është shumë e rëndësishme që masat të zbatohen rigorozisht në çdo shkollë, siç po ndodh, që personeli drejtues dhe personeli pedagogjik të jetë sa më i durueshëm dhe sa më këmbëngulës në zbatimin e tyre. Nga ana tjetër, ajo çka unë kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur nga ekspertët tanë, me të cilët e kam konsultuar për të mësuar unë dhe për të mundur ta komunikoj unë këtë temë, është që në vlerësimet e përgjithshme që bëhet lidhur me shkollat, domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër midis këtij aspekti, pra, mbrojtjes së drejtëpërdrejtë dhe mbrojtjes psikologjike të fëmijëve është në rendin e ditës në këtë vendimarrje.

Sidoqoftë, kjo është një vendimmarrje që i takon autoriteteve tona, nuk më takon mua, nuk na takon ne, nuk i takon askujt që edhe nga shqetësimi, edhe nga pasiguria, edhe nga dëshira për të folur edhe kur s’ka asgjë për të thënë, jep mendime, nganjëherë në mënyrë dhe jo etike, që shkollat duhen mbyllur.

Unë jam shumë i vetëdijshëm për të këtë sfidë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, por kryesorja është që secili duhet të bëjë detyrën e vet. Kemi nevojë për të kapërcyer këtë provë të madhe të karakterit të secilit dhe të karakterit tonë si komb, si popull, si shoqëri.

Po ia kaloj fjalën ministrës së Arsimit. Pastaj që do të marrim të gjitha pyetjet tuaja, edhe njëherë me kushtin që të vazhdoni të mbani fjalën, siç e keni mbajtur deri tani, për hir të së vërtetës, që tema të mos lihet jashtë përcjelljes tek publiku dhe çfarëdo pyetje që ka secili prej jush, për sa i përket interesit të posaçëm jashtë temës, të trajtohet në kronikat tuaja në mënyrë të veçantë.

Shumë faleminderit!

Ministrja e Arsimit Evis Kushi:  Më lejoni që ta nis këtë prezantim me disa nga raportet dhe vlerësimin e institucioneve ndërkombëtare për sektorin e arsimit në Shqipëri. Së pari do të ndalesha tek raporti më i fundit i Bankës Botërore, i muajit shtator, i cili e vlerëson Shqipërinë si një ndër 10 vendet me përmirësimin më të madh në arsim dhe shëndetësi, në vlerësimin që është bërë midis 174 vendeve nga e gjithë bota.
Dhe ndërkohë do të theksoja edhe testin PISA. Shqipëria në vitet e fundit ka patur rritje në krahasim edhe me vendet e rajonit, po edhe me shumë vende të tjera Evropiane. Pse i përmenda që në fillim këto dy raporte. Jo për të thënë që ne jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë në sektorin e arsimit. Përkundrazi, madje ne jemi shumë të ndërgjegjshëm që kemi shumë punë për të bërë. Kemi akoma probleme për të adresuar dhe jemi maksimalisht të angazhuar për ta bërë këtë. Por i përmenda për të thënë që jemi në rrugën e duhur.
Dhe është shumë e rëndësishme sepse këto raporte janë jo thjesht inkurajuese, por janë edhe shumë sfiduese për të ecur përpara, për të thelluar akoma më shumë këto reforma që kemi nisur në këto vite. Dhe prandaj në buxhetin e vitit 2021, pavarësisht goditjeve që ka marrë ekonomia shqiptare për shkak edhe të tërmetit edhe të 26 nëntorit por edhe për shkak të pandemisë, dy goditje të njëpasnjëshme, megjithatë me buxhetin e 2021-shit për sektorin e arsimit ne i përmbahemi të gjitha objektivave dhe po ashtu reflektojmë edhe masat e marra për të përballur këto situata të fatkeqësive natyrore.
Konkretisht buxheti i vitit 2021 ka një rritje të konsiderueshme nga 41.1 miliardë në vitin 2013, po ta krahasojmë rritjen në gjithë këto vite, ne tashmë kemi 75.8 miliardë lekë të akorduara të akorduara vetëm, të destinuara për arsimin.
Po të bëjmë një llogari me përqindjen e Produktit të Brendshëm Bruto, se ky është gjithmonë treguesi që vërteton apo më saktë le të themi tregon angazhimet e një qeverie për sektorin e arsimit. Këtë vit, pra në vitin 2021 për herë të parë, kjo përqindje do të jetë 4.51 (të PBB).
Natyrisht duke përfshirë këtu rritjen e pagave dhe buxhetin e rindërtimit. Pra buxhetin për shkollat që janë të dëmtuara nga tërmeti.
Rritja e pagave është një nga lajmet më të mira që sjell ky buxhet. Nuk është hera e parë. Edhe në vitin 2017, edhe në 2019 ne jemi konsistent në premtimin tonë për t’i rritur pagat e mësuesve. Dhe të të gjithë punonjësve të sektorit arsimor. Por sidomos sot që po përballemi me këtë pandemi, dhe mësuesit, pas mjekëve dhe infermierëve janë heronjtë e ditës, sepse po punojnë çdo ditë pranë rrezikut, po punojnë çdo ditë me një përkushtim maksimal dhe unë jam e bindur që 15% që parashikon buxheti i vitit 2021është pak për përkushtimin, sakrificën që ata po tregojnë këto ditë.
Dua ta theksoj dhe një herë, pra në vitin 2017 paga e mësuesve është rritur me 10%, më pas në 2019-ën me 7%, dhe në 2021 15%.
Po të bëjmë një krahasim sa ka qenë paga në vitin 2013 dhe sa është sot, duket ndjeshëm rritja. Po t’i referohemi pagës mesatare mujore neto, nga 46 137 lekë në vitin 2013, sot pra në vitin 2021 paga do të jetë 57 451 lekë. Ndërsa po t’i referohemi pagës bruto nga 60 mijë përafërsisht, paga bruto bëhet 74 mijë.

Një nga arritjet më të mëdha në sistemin tonë arsimor është portali “Mësues për Shqipërinë”, i cili është vlerësuar maksimalisht, madje edhe nga Këshilli i Evropës. Dhe është sugjeruar si një model shumë pozitiv edhe për vendet e tjera të rajonit. Portali siguron jo vetëm transparencë dhe efikasitet, por sidomos meritokraci në punësimin e mësuesve.
Ju e mbani mend shumë mirë se si funksiononte për punësimin e mësuesve. Ose miqësia, ose ndërhyrja e ndonjë deputeti, aq më keq akoma ryshfeti. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm, madje edhe studentë, janë të ndërgjegjshëm që nëse nuk janë pjesë e portalit është e pamundur që një mësues të punësohet sot në sistemin arsimor.
Kemi një tabelë që tregon numrin në rritje të sektorit arsimor sipas portalit. Nga viti 2014 deri në këtë vit shkollor 2020-2021. Ka ardhur gjithmonë në rritje, çka tregon që portali funksionon më së miri dhe rezultatet ne i shohim çdo ditë edhe në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, sepse kjo është arsyeja, meritokracia këtë sjell. Cilësi në mësimdhënie.
Natyrisht bashkë edhe me trajnimet e mësuesve që vazhdojnë dhe që janë tashmë në një program të hartuar më së miri nëpërmjet agjencisë së sigurimit të cilësisë në Arsimin Parauniversitar, por po ashtu edhe me projektin më të fundit të shkollës së drejtorëve, kjo gjithashtu po funksionon më së miri për të garantuar që ata mësues që zgjidhen për të drejtuar shkolla të jenë trajnuar dhe të jenë jo thjesht mësues profesionistë, por të jenë edhe menaxherë të mirë në shkollat tona.
Një tjetër politikë, e cila është mirëpritur shumë në të gjitha familjet shqiptare është “tekstet falas”. Tashmë nga viti në fit duke e zgjeruar gamën e përfituesve. Në fillim kjo politikë përfshiu vetëm nxënësit e arsimit fillor, klasat 1-4. Pastaj u shtua klasa e pestë. Dhe këtë vit kemi parashikuar me buxhetin e ri që të përfshihet edhe klasa e 6-të dhe 7-të me qëllimin që deri në vitin tjetër të përfshijmë edhe klasat e 8-ta dhe të 9-a, të gjithë ciklin e arsimit bazë.

Numri i përfituesve është 250 mijë nxënës. Këtu përfshihen jo vetëm nxënësit e klasave nga e para në të shtatë, por edhe të gjithë ata nxënës që vijnë nga kategori të veçanta. Ose familje me ndihmë ekonomike apo 12 kategori të tjera të cilat janë të përcaktuara qartë jo vetëm për nxënësit e arsimit bazë, por edhe të arsimit të mesëm.

Edhe këtu grafiku tregun qartë se si është rritur numri i nxënësve që përfitojnë nga politika e teksteve shkollore falas nga viti 2013 deri në vitin shkollor 2020-2021.
Po t’i referohemi mësuesve ndihmës. Në fakt kjo është një risi që në vitet e fundit, po të shikoni vitin 2013 ne nuk kemi patur asnjë mësues ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe. Ndërkohë që nga viti në vit jo vetëm që e kemi rritur numrin, por edhe cilësinë e shërbimit ndaj kësaj kategorie të veçantë.

Tashmë mësuesi i arsimit special, pra mësuesi ndihmës, është edhe pjesë e profesioneve të rregulluara. Ka filluar licencimi i tyre. Janë licencuar 20 të parët, të cilët natyrisht kanë prioritet për sa i takon punësimit, është që nga viti në vit të rritet numri i mësuesve ndihmës që u shërbejnë nxënësve me kategori të veçantë.
Deri tani kemi arritur në treguesin një mësues për katër nxënës me aftësi ndryshe.
Po t’i referohemi një tjetër elementi të rëndësishëm që është shërbimi psiko-social. Shërbimi psiko-social gjithashtu në vitin 2013 kur ne erdhëm në pushtet kishim vetëm psikologë dhe numri ishte shumë i kufizuar. Ndërkohë që sot jo vetëm që është rritur numri i punonjësve të shërbimit psiko-social në shkollë, por dhe këtu trajnimet e vazhdueshme që bëhen, si nga MASR, si nga ASCAP, por po ashtu edhe nga partnerët tanë zhvillimorë të cilët unë gjej rastin që t’i falënderoj sepse edhe në këtë situatë të pandemisë na janë gjendur me një mbështetje maksimale edhe për programe të ndryshme të trajnimit, por sidomos përsa i takon mjeteve, materialeve për përballimin e situatës së pandemisë, duke filluar që nga maska, dezinfektantë, termometra, por po ashtu edhe tableta digjitale.
Për sa i takon mësuesve psiko-socialë, lajmi i mirë është se numri i tyre do të rritet. Aktualisht po zhvillohen konkurset në të gjithë vendin, në të gjitha ZVA-të, DRAP-et, për dyfishimin e numrit të punonjësve psiko-socialë.
Është shumë e rëndësishme që sidomos pas tërmetit dhe COVId-it, dhe nxënësit edhe mësuesit për shkak të situatave stresonte, problematikave, por edhe fenomeneve të ndryshme siç është bullizmi apo dhuna nëpër shkolla, rritja e numrit të punonjësve psiko-socialë do të sjellë një shërbim, dhe është pritur maksimalisht mirë edhe nga nxënësit edhe nga mësuesit, por edhe nga prindërit.
Së shpejti në të gjitha shkollat tona, në sistemin parauniversitar ne do të kemi 600 psikologë dhe punonjës socialë.

Për sa i takon investimeve në infrastrukturë, tashmë e dimë që procesi i rindërtimit parashikon rindërtimin e 155 shkollave të reja. Jo vetëm nga buxheti i shtetit por edhe donatorë të ndryshëm, apo nga bashkia e Tiranës, në 3 qarqe të vendit, në Tiranë, në Lezhë dhe në Durrës.
Së shpejti deri në datën 26 nëntor përfundojnë 12 shkolla, të cilat po inaugurohen nga dita në ditë. Ndërkohë që deri në fund të vitit, pra deri në muajin dhjetor parashikohen 28 shkolla të përfunduara.

Po t’i referohemi arsimit të lartë, Pakti për universitetin mbetet një prioritet i padiskutueshëm, për qeverinë shqiptare dhe për MASR. E theksoj edhe një herë që pavarësisht problematikave nga tërmeti apo pandemia, ne u qëndrojmë një më një të gjitha angazhimeve që kemi marrë për Paktin.
Kjo i referohet jo vetëm punësimit të ekselentëve në institucionet tona, qoftë në shërbimin civil, apo jashtë tij, dhe konkretisht kemi 845 nxënës ekselentë që janë punësuar gjatë vitit të kaluar. Dhe çdo vit do të vijojnë të punësohen në administratën tonë.
Po kështu kemi programin kombëtar të praktikave të punësimit. Që siç e dini, deri në 1000 studentë fillimisht lidhin një kontratë për praktikë 3 mujore në institucionet tona, dhe nga këta çdo vit 200 të rinj dhe të reja, fitojnë një kontratë pune 1 vjeçare. Ne do ta vazhdojmë çdo vit sepse ka rezultuar shumë pozitive dhe është mirëpritur jashtëzakonisht nga studentët dhe të diplomuarit tanë.

Patjetër bursat janë një element shumë i rëndësishëm për Paktin për Universitetin. Bursat edhe për studentët ekselentë por edhe për studentët që vijnë nga kategori të veçanta.
Numri i këtyre bursave dhe buxheti në dispozicion të bursave është rritur nga viti në vit. Po kështu edhe për sa i takon fondit të ekselencës
Ky fond është katërfishuar nga viti 2013 deri më sot.
Kur erdhëm në vitin 2013 e gjetëm vetëm 50 milionë lekë, ndërkohë që sot fondi i ekselencës është 200 milionë lekë.
Po kështu edhe me bibliotekën digjitale kemi avancuar. Kemi deri më sot të hapura 30 148 sesione. Ndërkohë që 89 668 janë kërkime dhe me një shikueshmëri 60 253.
Edhe për sa i takon infrastrukturës nëpër universitete, dhe sidomos për sa i takon konvikteve të studentëve. Ne tashmë kemi 3 konvikte të rikonstruktuara me kushte, standarde bashkëkohore përkatësisht Shkodra, Vlora dhe Korça, të cilat janë rikonstruktuar me buxhetin e shtetit.
Kemi dy konvikte të tjera, ai i Elbasanit dhe i Gjirokastrës të cilat janë rikonstruktuar me fonde nga donatorët.
Nëse më lejoni unë mund të them diçka edhe për masat që ne kemi marrë si MASR për përballimin e situatës së COVID që në fillim të vitit të ri shkollor.
Vendimi për të hapur shkollat ishte një vendim jo i lehtë, por ne për të marrë këtë vendim u konsultuam edhe me eksperiencat më të mira evropiane, me vendet fqinje. U bënë takime edhe me ekspertë ndërkombëtarë. Po ashtu takime edhe me ekspertë të shëndetësisë në vend apo të sektorit të arsimit.
U zhvillua një sondazh me 120 mijë mësues, nxënës dhe prindër. Nga të cilët 86% ishin pro hapjes së shkollave dhe zhvillimit të mësimit në bankat e shkollës, ndërkohë që u bë edhe një analizë e hollësishme e situatës në shkollat tona, ashtu sikurse edhe kapaciteteve njerëzore.
U hartuan skenarët. Aktualisht kemi tre skenarë. Skenari i parë që është mësimi në bankat e shkollës. I dyti është i përzier dhe skenari i tretë është mësimi në distancë. Aktualisht ne jemi në skenarin e parë.
U hartua një udhëzues për të gjitha shkollat që në fillim të vitit shkollor, ku ishin të përcaktuara qartë të gjitha rregullat dhe masat, gjithçka që duhet të zbatojnë punonjësit e institucioneve arsimore. Ndërkohë edhe protokolli i MSHMS zbatohet me përpikmëri në të gjitha shkollat tona. Ne kemi një rrjet shumë të mirë koordinimi në çdo shkollë. Ku bëhet raportimi i situatës në fund të çdo dite dhe në kohë reale. Ne çdo ditë e dimë sa mësues janë të infektuar, apo sa nxënës janë të infektuar, në çdo shkollë, në çdo zonë të vendit.
Unë që nga dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor kam qenë në terren duke parë nga afër edhe vijueshmërinë e procesit mësimor, por sidomos si zbatohen masat anti-Covid. Ju siguroj, sepse shpeshherë kam bërë edhe vizita të paparalajmëruara, pikërisht për të parë realitetin, sepse është e qartë që kur vjen ministrja për vizitë apo një drejtues tjetër predispozita dhe angazhimi është i mësuesve dhe nxënësve është më i madh, por kam bërë vizita të befasishme pikërisht për të parë realitetin në shkollat tona. Rezulton që ndërgjegjësimi i nxënësve dhe i mësuesve është maksimal.

Shpeshherë madje e kam thënë që nxënësit janë më të mbrojtur aty brenda ambienteve të shkollës, se sa kur luajnë poshtë pallatit apo kur shkojnë në dyqan apo ambiente të tjera. Sepse vërtetë ju garantoj që ndërgjegjësimi dhe angazhimi i të gjitha ekipeve tona atje është maksimal për të respektuar këto masa. Dhe për të raportuar çdo rast, me përgjegjësi maksimale nëse një mësues apo një nxënës paraqet shenja, duhet të bëjë tamponin.

Kemi patur vetëm disa raste, ku për shkak të numrit pak më të rritur të rasteve të infektimit të mësuesve apo të nxënësve, na është dashur ta mbyllim shkollën vetëm për të bërë dezinfektimin, por ajo masë kryesore që kemi marrë që në fillim të vitit shkollor, ka qenë pikërisht miratimi i një VKM-je për 1000 mësues shtesë në sistem, që të përballojmë çdo nevojë që krijohet.

Natyrisht këtë numër prej 100 mësuesish shtesë ne e kemi shpërndarë në të gjithë vendin, sipas zyrave arsimore. Dhe e përditësojmë në bazë sipas problematikave sepse në disa zyra arsimore apo disa bashki që janë zona të kuqe, ka më shumë infektime, çka do të thotë se ne e rrisim numrin e mësuesve shtesë në ato zona. Ndërkohë që ka disa bashki që numrin e infektimeve e ka të vogël dhe pak nga këta mësues që ne kemi vënë në dispozicion, shfrytëzohen, sepse nevojat mbulohen me mësuesit që janë në sistem.

Edhe këta mësues shtesë ne i marrim nga portali mësues për Shqipërinë, sepse është shumë e rëndësishme që jo thjesht të zëvendësohet mësimi, por mësimi të bëhet me cilësi. Dhe vijueshmëri a e procesit mësimore të jetë normal.

Një tjetër element i rëndësishëm që ne kemi investuar dhe po punojmë fort sidomos në këtë situatë, është shpërndarja e tabletave digjitale në të gjitha shkollat, sidomos aty ku ka klasa kolektive.
Për fat të keq klasat kolektive janë akoma një realitet në sistemin tonë arsimor. Pavarësisht përmirësimeve dhe uljes së numrit të nxënësve që mësojnë në klasat kolektive nga viti në vit, falë reformave dhe politikave tona. Konkretisht, në vitin 2013 gjetëm 45 mijë nxënës që mësonin në klasa kolektive, dhe sot kemi përgjysmimin e tyre. Por fatkeqësisht akoma janë realitet dhe ne jemi të angazhuar fort për ta luftuar këtë fenomen.
Ne jemi të ndërgjegjshëm që vështirësitë e tyre janë shumë më të mëdha se sa nxënësit në klasat normale. Prandaj ne kemi garantuar nëpërmjet edhe donatorëve. Tableta digjitale për këta nxënës, jo vetëm për situatën kur mësimi do të bëhet online, por edhe në kushte normale. Ne i kemi marrë të gjitha masat që edhe nëse do të kalojmë në mësimin e përzier apo në mësimin online, procesi mësimor të vazhdojë.
E para gjë që kemi bërë është kanali i dedikuar RTSH Shkollë. Siç e dini kjo filloi dy ditë pas izolimit, në muajin mars. Menjëherë pas mbylljes filluam transmetimin e të gjitha orëve mësimore.

Këtë vit ne kemi edhe një marrëveshje me RTSh, jo vetëm që mësimi të vazhdojë çdo ditë, por ne marrëveshjen e kemi edhe për situatë normale. Ky kanal do të vazhdojë edhe përtej pandemisë me programe të ndryshme argëtuese, kreative për fëmijët për të rritur cilësinë e arsimit, që nxënësit t’i përforcojnë më shumë njohuritë e tyre.
Përveç kanalit RTSH Shkollë, ne kemi lidhur një marrëveshje edhe me platformën online akademi.al, ku edhe këtu digjitalizimi sot është një element shumë i rëndësishëm në të gjithë sektorët, por edhe në sektorin e arsimit.
Janë trajnuar tashmë 1200 mësues në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që regjistrimi në platformë vazhdon çdo ditë. Pjesa më e madhe e mësuesve janë regjistruar, po ashtu edhe e nxënësve.
Janë krijuar klasat virtuale. Paralelisht po punohet që në çdo lloj situate ne të jemi të përgatitur.

Edhe një herë unë e theksoj që ne jemi çdo ditë në territor, çdo ditë në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e zyrave arsimore, me drejtuesit e drejtorive rajonale të Arsimit Parauniversitar pikërisht për të garantuar që mësimi të vazhdojë normalisht, në radhë të parë që të jemi të kujdesshëm për shëndetin e nxënësve dhe të mësuesve, nëpërmjet atij sistemi që thashë, në bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me institucionet tona shëndetësore por edhe për të garantuar cilësinë e arsimit.
Dhe ndërkohë e fundit fare. Desha të them edhe dy fjalë për mësimin online në universitetet tona. Edhe ky ishte një vendim jo i lehtë, por Komiteti i Ekspertëve sugjeroi që universitetet dhe sidomos konviktet e universiteteve mund të jenë vatra infeksioni që do të thotë që studentët që vijnë nga rrethe të ndryshme mund të marrin virusin në Tiranë dhe mund ta çojnë në ato zona që mund të jenë deri tani jo shumë të prekura. Nuk po ndalem në këto detaje sepse komiteti i ekspertëve e ka bërë më se të qartë.

Ajo për të cilën unë jam e kënaqur është që universitetet tona janë të përgatitura për ta përballuar këtë situatë. Sepse edhe para fillimin të vitit të ri akademik unë kam zhvilluar takime të shpeshta me rektorët e universiteteve pikërisht për masat e marra në këtë situatë.
Ajo që kishim rënë ne dakord dhe që ua kemi bërë edhe publike, ishte që mësimi do të bëhej i përzier, pra leksionet do të bëheshin online, meqë numri i studentëve që i frekuentojnë është më i madh, ndërsa seminaret do të bëheshin në prezencë fizike nëpër auditorë, por dinamika e situatës e solli që mësimi të bëhej vetëm online.

Universitetet tona janë të përgatitura për sa i takon pjesës teknologjike, programeve. Unë i mirëkuptoj studentët të cilët natyrisht nuk ishin të kënaqur ditët e para. Është më se normale, e kam thënë që po të isha studente nuk do të doja ta bëja mësimin nga shtëpia por do të doja të isha në auditor. Por kjo është një sakrificë që ne duhet ta bëjmë të gjithë për të mirën e përbashkët. Për të frenuar përhapjen e virusit.
Nga dita në ditë situata në universitete përmirësohet, për sa i takon numrit të studentëve që frekuentojnë mësimin online. Universitetet e kanë një eksperiencë të parë nga pandemia gjatë semestrit të dytë të vitit të kaluar akademik.

Unë shpresoj që të gjithë t’i respektojmë sa më shumë rregullat, dhe kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm në sistemin parauniversitar, por për të gjithë qytetarët në mënyrë që t’i rikthehemi sa më shpejt normalitetit që dëshirojmë.

 

Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë, përpara se t’ua kaloj radhën gazëtarëve që na ndjekin, dua vetëm të bëj një përmbledhje të shkurtër me shifra të procesit të rindërtimit në sistemin arsimor.

Janë 155 objekte arsimore në 11 bashki. Janë18.5 miliardë lekë të vendosura në dispozicion, ose rreth 185 milionë dollarë, nga të cilat janë në realizim 7.5 miliardë nga buxheti i shtetit dhe hyjnë së shpejti në realizim edhe 11 miliardë nga donatorët.

E theksoj këtë për të gjithë ata që janë të paqartë kur ndekin kantierët e rindërtimit, që çfarë kantierësh keni parë deri tani, janë kantiere të financuara plotësisht nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, kantierët e reja që po hapen, janë kantiere që do të financohen nga vendet partnere, duke filluar nga BE-ja që do të financojë ndërtimin e 62 shkollave; qeveria gjermane 3 shkolla; qeveria e Sllovakisë 4 shkolla; qeveria e Sllovenisë 1 shkollë; qeveria e Katarit 3 shkolla. Dhe plus këtyre janë dhe 23 objekte të tjera të reja për financim.

Në proces kemi ose të përfunduara, ose në përfundim e sipër, ose drejt përfundimit objektet e financuara nga buxheti i shtetit, por këtu do t’ju bëj një përmbledhje edhe me objektet që do të financohen nga donatorët dhe që janë tani në fazën e ngritjes së kantiereve, për shkak se procedurat e tyre kanë qenë më të ngadalëta se tonat.

Në Tiranë janë 37 objekte arsimore nga të cilat 30 shkolla të reja, krejtësisht nga e para dhe 7 shkolla për rindërtim të pjesshëm;

Në Durrës – 30 të tjera, 23 për ndërtim nga e para dhe 7 për rindërtim të pjesshëm;

Në Krujë – 18 shkolla, 14 të reja dhe 4 në rindërtim të pjesshëm;

Në Kamëz – 21 objekte, 10 shkolla të reja dhe 11 për rindërtim të pjesshëm;

Në Kavajë -12 objekte, 3 shkolla të reja dhe 9 për rindërtim të pjesshëm;

Në Kurbin – 10 objekte, 6 të reja dhe 4 për rindërtim të pjesshëm;

Në Shijak – 6 objekte, të gjitha të reja;

Në Lezhë – 6 objekte. 1 shkollë e re plotësisht nga e para, shkolla e Shën Kollit që faktikisht është gati dhe 5 për rindërtim të pjesshëm;

Në Rrogozhinë – 6 objekte, 4 të reja dhe 2 për rindërtim të pjesshëm;

Në Vorë – 7 shkolla të reja, nga e para;

Në Mirditë – 2 objekte, 1 shkollë e re dhe 1 për rindërtim të pjesshëm.

Këto janë shifrat, për t’ju dhënë një pamje me shifra të shpërndarjes të të gjithë kantiereve në zonën e prekur nga  tërmeti.

– Zoti Kryeministër, kam një pyetje për ju. Duke marrë shkas nga masat antiCOVID, dua të pyes çfarë po e pengon shtetin shqiptar që të fusë në treg testet e shpejta, ndërkohë që privati e ka futur atë, madje duke u kthyer në një biznes shumë fitimprurës.

Pyetja e dytë, nëse më lejoni, me masat e reja janë ndaluar dhe takimet elektorale, pasi nuk lejohen më shumë se 10 persona. Si do veproni në këtë situate, pasi jemi vetëm 5 muaj përpara zgjedhjeve dhe si i keni parë kundërshtarët tuaj politikë në respektimin e kësaj mase për të mos zhvilluar takime elektorale apo takime me mbi 10 persona?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk vendos masa. Masat i vendos Komiteti Teknik. Dhe as nuk monitoroj respektimin e masave. Ka institucione që merren me monitorimin e zbatimit të masave. Kështu që më duket e pamundur t’i përgjigjem pyetjes si i kam parë kundërshtarët në këtë drejtim.

Kuptohet që si gjithë të tjerët kam në parë atë që nuk do doja ta shihja as unë dhe as asnjë qytetar i vendit, shembullin më skandaloz të shkeljes së ligjit nga Presidenti i Republikës, nga Zonja e Parë dhe e gjithë çeta e tyre, që, ndërkohë që është shumë e qartë për të gjithë se nuk mund të ketë grumbullime më shumë së 10 persona dhe nuk mund për më tepër të bëhen festa e dasma, deri ceremonitë e dhimbshme mortore me më shumë sesa familjarët, na shfaqen në një spektakël të pështirë të karshillëkut, jo vetëm me ligjin, por edhe me vetë shëndetin e të tjerëve, në rast se nuk janë të interesuar për shëndetin e tyre. Më shumë se kaq nuk kam parë ndonjë gjë të veçantë.

Ndërkohë që shëndeti është padiskutim mbi të gjitha dhe sot nuk ka asnjë aktivitet tjetër, asnjë aktivitet politik, përfshirë dhe aktivitete elektorale, që mund të diskutohen si me ndonjë rëndësi që vë në diskutim shëndetin. Për më tepër nuk jemi në fushatë elektorale, nuk kemi ndërprerë ndonjë takim elektoral. Thjesht e vetëm na duhet të reduktojmë aktivitetet me pjesëmarrjen e më shumë se 10 personave. Kjo është e gjitha e mundësisht, edhe më pak akoma, mundësisht, edhe fare nëse edhe kjo është e mundur.

Të gjithë duhet të bëjmë çmos të reduktojmë e të shmangim maksimalisht daljet e panevojshme nga shtëpia, ose jo të domosdoshme, për të qenë i saktë. Do shkosh në punë, nuk mund të mos dalësh nga shtëpia. Do shkosh të bësh një shpenzim për shtëpinë, nuk mund të mos dalësh nga shtëpia. Por, nëse do të mund të evitonim të gjithë daljet për kafe, takime, dreka e darka jashtë shtëpisë, kjo do të ishte kontribut shumë i madh, për të mundësuar që edhe spitalet të bëjnë punën e tyre dhe të mos ndeshen pa pritur e pa kutjuar me një fluks të papërballueshëm, nga njëra anë dhe që ne të gjithë së bashku të mos bëhemi shkak për të cenuar shëndetin e kujtdo qoftë rreth nesh, edhe shëndetin tonë, patjetër

Përsa i përket testeve, do më falni, po unë nuk flas më për teste. Është bërë një teatër i shëmtuar dhe shumë banal që nuk kam ndërmend më të jap asnjë kontribut në këtë teatër, sepse diskutimet për teste janë diskutime ekspertësh, diskutim shkencëtaresh, nuk janë diskutime kafenesh e nuk janë diskutime për më tepër për mua që nuk jam as ekspert e as i interesuar të ushqej më këtë diskutim komplet çorientues për njerëzit.

– Zoti Kryeministër, në faqen e rindërtimit, opsioni transparencës nuk nxjerr asnjë të dhënë, ndërkohë çfarë ka ndodhur me akademinë e transparencës për fondet e tërmetit të mbledhura në Konferencën e Donatorëve? Kujtojmë këtu që për këtë akademi u zotua dhe Zoti Palmer, duke thënë se SHBA-të do të ndihmonin me 3.9 milionë dollarë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di çfarë do me thënë nuk nxjerr asnjë gjë opsioni i transparencës, sepse aty janë të gjitha transparente. Ҫdo veprim që është bërë me rindërtimin nga pikëpamja financiare apo procedurale është në faqe e mund ta gjeni. Në rast se keni ndonjë pyetje specifike, mund ta drejtoni tek zyra e ministrit të Shtetit për Rindërtimin e të merrni përgjigje, përfshirë edhe akademinë për të cilën pyetët.

– Zoti Kryeministër, kemi marrë përgjatë këtyre ditëve të fundit disa shqetësime nga shumë prindër, të cilët thonë se në shkolla mungojnë mësuesit për fëmijët e tyre, por që nuk ka pasur asnjë lloj raportimi si të prekur me COVID. Pra, ka pasur mungesa të mësuesve, por nuk raportohen mungesat e tyre prej 2 javësh si të sëmurë apo të kontaminuar nga COVID-19. Çfarë po bëhet me këtë situatë? Ju keni një numër të mësuesve të saktë, se sa janë të prekur? Dhe së dyti, ka pasur në fakt dhe një komunikim të Zotit Basha me mësuesit përgjatë ditëve të fundit për situatën e COVID-it dhe vetë mësuesit janë shprehur të frikësuar se, nëse ata e raportojnë faktin që janë prekur me COVID, kanë rrezik të humbin vendin e tyre të punës.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, është një absurditet i madh të thuhet nga cilido qoftë që e ka thënë që, nëse raportohem me COVID, humb vendin e punës. Ky është një absurd që mund të natyrisht të tingëllojë normal në aktet absurde të teatrit të Lulzim Bashës, me aktorë që shfaqen rreth tij dhe që ndërkohë që kanë një profesion apo një aktivitet të caktuar në jetën e përditshme, rreth tij vijnë si fanatikë të partisë që janë në gjendje të flasin edhe absurditete për partinë. Nuk ndodh, si mund të ndodhë! Kush mund ta konceptojë e jo më ta besojë që mësuesi humbka vendin e punës nëse sëmuret? Është një marrëzi e madhe. Nuk ka të tilla.

Për sa i përket që një prind apo një prind tjetër thotë që fshihen rastet, edhe ky është një absurd total. Nuk ka shans që të ketë raste për t’u konsideruar nga sistemi dhe sistemi të mos i konsiderojë, flas këtu për sistemin shëndetësor. Nuk ka shanse. Janë gjëra që për fat të keq thuhen midis morisë së gjërave që përfliten pa bazë në këto kushte, prandaj unë i bëj thirrje të gjithëve që t’i referohen autoriteteve shëndetësore, t’i referohen të dhënave zyrtare dhe të mbrohen nga virusi dhe nga lajmet e rreme. Unë e kuptoj patjetër stresin, e kuptoj patjetër ankthin dhe nuk ka ankth më të madh se ankthi i prindit për fëmijën, por nuk mund ta konceptoj dot të imagjinohet e jo më të ndodhë që mësuesit të humbasin vendin e punës nëse sëmuren, apo që mësuesit të largohen pa adresë e të mos deklarohen në rast se janë të identifikuar si persona të infektuar. Mos harroni që ka dhe raste, patjetër, siç ka gjithandej raste, kur dikush pranë teje është i prekur në familjen tënde dhe për këtë shkak ti karantinohesh. Wshtë gjëja më normale që mund të ndodhë, është procedurë krejt e zakonshme. Apo kur ti nuk ndihesh mirë e mund të kesh qenë në kontakt me dikë dhe ti karantinohesh. Kështu që nuk do të thotë që të gjithë rastet qenkan COVID i identifikuar. Aq më tepër që nuk ka gjëra që fshihen se nuk ka asnjë arsye, në radhë të pare, për t’i fshehur. Nuk ekziston një arsye. E dyta, nuk mund të fshihen, është teorikisht e pamundur, jo më praktikisht.

Kështu që do t’ju bëja thirrje të gjithëve që të ishit sa më të fokusuar tek burimet zyrtare të informacionit. Të gjitha burimet e tjera janë burime të diskutueshme, për të thënë më të mirën, për të mos folur për burimet ku përhapet me qëllim panik, ku përhapet me qëllim pasiguri dhe nxitet me qëllim ankth.

– Zoti Rama, kish dy pyetje. E para ka të bëjë me amnistinë fiskale. Edhe pse jemi në një situatë pandemie, në fund të muajit korrik, Komisioni i Ekonomisë shtyu për diskutim amnistinë fiskale për të parë më nga afër të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e grupeve të interesit, të shoqatës së bankave, por dhe të FMN-së dhe të Këshillit Europian. Duke qenë se ne jemi në një situatë pandemie, më lind pyetja, mos vallë qeveria është tërhequr nga amnistia fiskale në këto momente, për ta rishqyrtuar projektligjin në një moment të dytë, qoftë vitin tjetër, apo qoftë pas zgjedhjeve të prillit?

Kisha një pyetje për Ministren e Arsimit, Zonjën Kushi. Pak minuta më pare, në redaksinë e Neës24, koleges Ola Bruko i ka mbërritur një mesazh dhe një shqetësim nga prindërit e shkollës “Shyqri Peza” në kryeqytet. Janë ato prindër, të cilët kanë ngritur si shqetësim nxjerrjen nga ora e mësimit të nxënësve për shkak të dezinfektimit të shkollës. A ju duket ky një moment i përshtatshëm që fëmijët të nxirren jashtë nga ora e mësimit në një orar mësimor?

Kryeministri Rama: Pyetja e parë ka një përgjigje shumë ë shkurtër, thjeshtë nuk kanë lidhje të dyja, amnistia dhe pandemia. Nuk kanë asnjë lidhje.

Përsa i përket pyetjes tjetër, ministrja mund të japë përgjigje, por më lejoni t’ju them dhe t’ju them edhe atyre prindërve që gjithçka mund të bëhet në këtë kohë. Po, mund të nxirren nga ora e mësimit nxënësit, në rast se duhet bërë për një arsye apo një tjetër një dezinfektim. Nuk jam shumë i qartë se çfarë është rasti konkret dhe çfarë ka ndodhur konkretisht, por në parim, patjetër që mund të nxirren nga klasa për të bërë një dezinfektim. Çfarë shqetësimi ka këtu, ndërkohë që nuk jemi në një kohë normale?

Ministrja e Arsimit Evis Kushi: Edhe unë kam nevojë të informohem çfarë ka ndodhur konkretisht në shkollën “Shyqyri Peza”, por ajo që dua të theksoj është që protokollet janë shumë të qarta dhe shumë të sakta në çdo situatë, si duhet të reagojë shkolla, në bashkëpunim edhe me institucionet shëndetësore. Pra, për çdo rast, nëse evidentohet një mësues apo një nxënës që është me temperature, apo që shfaq shenja të tjera të infeksionit, patjetër janë të përcaktuara, të detajuara si duhet të veprojë drejtori i shkollës, si duhet të veprojë mësuesi, kush duhet të njoftohet, kur duhet bërë dezinfektimi, pra, çdo gjë. Shkollat deri më tani i kanë respektuar maksimalisht këto rregulla. Kështu që, në rastin konkret, unë do ta bëj menjëherë verifikimin pas këtij takimi me ju. Madje mua më pëlqen që ata kanë reaguar menjëherë, për mua është shenjë e mirë që nuk kanë pritur të mbarojë procesi mësimor për të bërë dezinfektimin, por kanë ndërhyrë menjëherë. Gjithsesi më duhet ta verifikoj.

Edhe diçka tjetër, se më ngeli pak në mendja ajo çështja, nëse mësuesit kërcënohen se do të humbin vendin e punës, unë mund t’jua them me garanci të plotë dhe me përgjegjësi të plotë për detyrën që kam, që nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë. Madje, ne bëjmë të kundërtën. Nëse një mësues karantinohet, apo rezulton që është i infektuar me COVID, ne e mbështesim maksimalisht. Unë vetë kam një orar të caktuar gjatë ditës, për të bërë telefonata me mësues apo drejtues shkolle, të cilët janë sëmurë, janë në kushte shtëpie, apo të marr informacion për ata që janë në kushte spitalore. Ju garantoj që nuk na ka shkuar as në ëndrrën më të keqe të bëjmë një gjë të tillë. Po ashtu, paguhen që të gjithë mësuesit, pavarësisht se sa mungojnë, një javë, dy javë, tre javë, deri sa të marrin veten nga sëmundja. Domethënë mbështetja jonë dhe e institucioneve shëndetësore, bashkëpunimi me institucionet shëndetësore ka qenë i tillë që mësuesit madje të kenë prioritet për sa i përket bërjes së tamponëve apo marrjes së përgjigjeve. Gjithmonë shkollat kanë qenë shumë prioritet në menaxhimin e kësaj situate.

Kryeministri Edi Rama: Është humbje kohe të diskutojmë këtu një marrëzi të tillë. Është marrëzia më e madhe që kam dëgjuar për sot, se dje ka pasur të tjera. Nuk bëhet fjalë, nuk diskutohet fare.

– Duke qenë se një pjesë e pyetjeve të mia lidheshin me një pjesë të çështjeve që u ezuruan që ishte çështja e shkollës, sepse ministrja Kushi tha pak më herët, por edhe ju, që shkollat nuk janë ndër ato vatra, le të themi, më të rrezikshmet që përcjellin virusin, por nga ana tjetër, deri në këto momente prej fillimit të pandemisë qindra mësues janë infektuar dhe 7 prej tyre kanë humbur jetën. Duhen rishikuar masa të tjera, në mënyrë që të shmangim sa më shumë infektimin nëpër shkolla? 

Pyetja e dytë është për ju Kryeministër. Disa ditë më pare, kryetari i PD-së Lulzim Basha hodhi akuza përsa i përket fshehjes së vdekjeve të personave që humbin jetën nga COVID-i. Ju i jeni kundërpërgjigjur përmes akuzave politike, por pa përmendur shifra dhe fakte. Nëse qeveria mund të na japë një shifër, sa përqind e personave që kanë vdekur në spitalet COVID janë raportuar me COVID dhe sa të tjerë, të cilët kanë qenë me COVID dhe kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të tjera dhe nga ana tjetër, fatalitetet që ndodhin në shtëpi, sa përqind e tyre regjistrohen me COVID dhe sa jo? A janë raportuar vdekjet e personave që kanë humbur jetën nga COVID-I, kur kanë qenë për t’u kuruar jashtë shtetit?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, për shkollat nuk di sa herë duhet ta përsëris, por do e përsëris pa u lodhur që nuk merr qeveria vendime për hapje apo për mbyllje të asgjëje. Nuk është qeveria që i merr vendimet, i merr Komiteti Teknik i Ekspertëve, sepse është autoritet që disponon ekspertizën dhe ka mandatin për të marrë një vendim të kësaj natyre, bazuar në ligj. Komiteti Teknik i Ekspertëve të gjithë kohën e vet e ka për të bërë studim, analizë, krahasime, për të diskutuar me struktura të ngjashme në vende të tjera dhe për të dalë në konkluzione. Nuk jemi në një ndeshje futbolli ku 25 mijë në shkallët e stadiumit bëjnë trajnerin dhe natyrisht e dinë më mirë sesa trajneri punën, apo i bëjnë më kollaj golat sesa lojtarët që janë në fushë. Jemi në një luftë ku duhet disiplinë, duhet sens përgjegjësie e ku patjetër, secili ka të drejtë të thotë opinionin e vet, por në fund të ditës duhet të jetë i vetëdijshëm që zbatimi i rregullave është domosdoshmëri për të, për familjen e tij dhe për të gjithë.

Edhe një herë tjetër, çka unë them, përshembull, kur them që për shkollat, në tërësi, në të gjithë botën nuk është konstatuar, nuk ka rezultuar ajo që mendohej përpara sesa eksperienca të jepte më shumë informacion për autoritetet, që shkollat do të ishin vatra shpërthyese infeksioni. Askund nuk ka rezultuar. Nga ana tjetër, autoritetet e përsërisin që ekuilibri mes hapjes dhe mbylljes për shkollat duhet të jetë shumë i kujdesshëm, sepse vërtetë duke i mbyllur shkollat i bie më shkurt, por pasojat e natyrës psikologjike tek fëmijët janë të konsiderueshme. Kur i them këto, nuk i di unë, po unë i mësoj nga ata që i dinë dhe jua përcjell juve. Edhe një herë tjetër, shfrytëzoj rastin t’ju them juve dhe përmes jush gjithë të tjerëve, që ata që e ndjekin këtë punë, ekspertët përsërisin në mënyrë këmbëngulëse kërkesën ndaj meje që kur dal, të kërkoj sa më shumë fokus të njerëzve tek informacionet zyrtare e sa më shumë masa për njerëzit për t’u mbrojtur prej lajmeve të rreme dhe prej dokrrave dhe marrëzive. Sepse edhe kjo fut në një psikozë të caktuar dhe ky është edhe qëllimi i marrëzive dhe i dokrrave që shpërndahen në mënyrë të papërgjegjshme, komunitetin përkatës dhe krejt shoqërinë.

Përsa i përket çështjes së numrit të të vdekurve, më vjen shumë keq që vazhdon kjo bisedë. E kam shpjeguar unë, e kanë shpjeguar të tjerët. Është teorikisht e pamundur, jo praktikisht, teorikisht nuk mund të bëhet, nuk realizohet dot. Nuk janë vota në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike që praktika ka treguar në mënyrë të përsëritur, numërohen sipas qejfit. Shfaqen dhe treten sipas qejfit. Nuk ndodh, është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Nuk ndodh. Pse?

Sepse nuk ka asnjë autoritet tjetër dhe asnjë forcë tjetër që të vendosë diagnozën e pacientëve e të mbushë kartelën mjekësore të atyre që fatkeqësisht humbin jetën, përveç mjekut dhe mjeku ka përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për këtë. Të thuash një poshtërsi të tillë, duhet të mendosh ndër të tjera që mjekët janë jo vetëm të papërgjegjshëm, por dhe budallenj që të shkelin mbi vete, të shkelin dhe ligjin, për të ndryshuar diagnoza. E se kujt do t’i duhej, se kujt do t’i hynte në punë, se kush do përfitonte nga kjo, këtë mund ta thotë vetëm imagjinata e atyre që arrijnë të përdorin edhe të vdekurit, edhe vdekjen, thjesht e vetëm si nevojë e një lufte të dëshpëruar për pushtet. Nuk ka këtu asnjë gjë për të diskutuar, fare. Është e shëmuar, është e turpshme për ne këtu që diskutojmë këtë gjë. Është vërtetë e turpshme, sepse nuk ka se si ndodh, është e pamundur. Diagnozat i vënë mjekët. A është kështu, a është ashtu, janë vetëm mjekët dhe këtë e bëjnë në gjithë botën. Nuk jemi ne që ta diskutojmë këtu e aq më pak politika, partitë politike të vënë diagnoza. Kështu që, nuk di se çfarë përgjigje tjetër mund të jap, por di që përgjigja është kjo e për mua nuk ka një përgjigje tjetër.

– Pyetja e parë lidhet me vaksinën. Në treg, duken shenjat e para, duket se do kemi dy lloje, të lira dhe të shtrenjta. Shqipëria kë do zgjedhë? Pyetja e dytë lidhet me qeverinë, a ka ndonjë plan ekonomik qeveria për mbështetjen e turizmit dhe fasonerisë, sepse janë dy sektorë që e kanë ndjerë më fort dhe vazhdojnë të ndjejnë pjesën e goditjes nga pandemia?

Kryeministri Edi Rama: I kemi mbështetur me të gjithë ato që kemi mundur dhe mos e harroni asnjëherë që ne nuk jemi si të tjerët në këtë luftë, se kemi dhe një luftë tjetër që është shumë e madhe edhe ajo, që mijëra e mijëra familje t’i kthejmë në shtëpi. Ato mijëra e mijëra familje kthehen në shtëpi duke ndërtuar shtëpitë e reja, duke ndërtuar apartamentet e reja dhe apartamentet dhe shtëpitë nuk ndërtohen me frymën e shenjtë, ndërtohen me fonde dhe fondet, kjo qeveri i ka vënë të gjitha në dispozicion, pa lënë asgjë mangët as për njërën, as për tjetrën.

Përsa i përket vaksinës, nuk jemi një fazën ku mund të zgjedhim të lirë apo të shtrenjtë, jemi në fazën kur po bëjmë çdo përpjekje, çdo ditë, që në radhë të parë të garantojmë që të kemi vaksinën në dispozicion, duke filluar nga vaksinimi i mjekëve, infermiereve, buzave të bardha, mësuesit, punonjësit e policisë e pastaj të gjithë me radhë. Kini parasysh që po bëhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjitha vendet, për të pasur në dispozicion sasira të caktuara dhe sasia që do prodhohet nuk do jetë e gjitha ajo që është e nevojshme që ditën e parë, pra, do ketë një shkallëzim.

Ajo që ne na duhet është e para, të mos mbetemi në bisht; E dyta, të vëmë në dispozicion për këto kategori njerëzish si fillim, vaksinën sa më shpejt. Nuk jemi në avantazhin që janë vendet prodhuese të vaksinës, apo vendet e mëdha e të fuqishme, apo vetë BE-ja. Për këtë arsye po bëjmë të gjitha përpjekjet që të mos mbetemi jashtë këtij procesi dhe të mos detyrohemi të presim në fund. Kjo është sfida jonë. E lirë, e shtrenjtë, kjo është një temë tjetër. Nuk i kemi lënë ne gjë mangët popullit, kur ka qenë puna për gjëra që lidhen me elementët më të rëndësishëm të jetës. Fola për shtëpitë, por mund të flas dhe për shumë të tjera. Kështu që nuk do ta lëmë mangët as këtë detyrim, pavarësisht çmimit të vaksinës. E nuk do të thotë që do marrim vetëm 1, pra, një lloj. Mund të marrim nga të gjitha llojet, nëse do kemi mundësi, siç po bëjnë dhe të tjerët. Asnjë vend, me sa unë po shoh, nuk po fokusohet vetëm tek një vaksinë. Por, sidoqoftë, ky është një proces shumë intensiv që po zhvillohet aktualisht çdo ditë. Ne kemi një grup njerëzish që merren vetëm me këtë diplomacinë e vaksinës dhe shpresoj që të mos mbetemi mbrapa. Kjo është kryesorja. Pastaj, çmimi është gjëja e fundit që diskutojmë në këtë moment.

– Nga të dhënat nga FMN-ja thuhet se ekonomia shqiptare është më e nënkredituara në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pse bankat nuk kanë mbështetur planet e biznesit dhe madje as PPP-të tuaja dhe pse Shqiperia nuk është e besueshme nga bankat që nuk japin kredi?

Një pyetje për zonjën minister. Nga një raport i publikuar javën e kaluar thuhet se 6 universite kanë shpenzuar në total vetëm 0.1% të buxhetit, ose e përkthyer ndryshe në 38 mijë euro për kërkim shkencor nga 32 milionë në fakt nga një vit akademik. A ka Ministria e Arsimit dijeni për këtë dhe a bën MASR monitorime se ku shkojnë shpenzimet e universiteteve, pra, për kërkime shkencore dhe për studentët, apo për shpenzime luksi?

Kryeministri Edi Rama: Kreditimi nga bankat në këtë fazë të fundit, me shifra, ka qenë më i lartë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe në një periudhë të shtrirë në disa vite, që të jemi të qartë. Të tjerat pastaj janë mënyra leximi dhe unë kam hequr dorë nga pritshmëria që leximi i mediave dhe i gazetarëve, kur vjen puna tek ekonomia, të jetë më i thellë sesa thjesht kapja e një fjalie dhe pastaj përdorja e saj për të bërë pyetje ose komente që gjithmonë janë çuditërisht negative. Por nuk është absolutisht mundësia dhe puna ime që të korrigjoj këtë, përgjigja ime është kjo që thashë. Verifikoni këtë, se është më e thjeshtë të verifikoni këtë, sesa të kuptoni atë që lexoni nga FMN-ja.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi: Përsa i takon raportit lidhur me shpenzimet e universiteteve, ne, në fakt, si Ministri, kur bëjmë vlerësimin e performancën financiare, apo mënyrës se si unviersietet shpenzojnë paratë e tyre, nuk i referohemi këtyre burimeve, por kemi dy burime zyrtare, i pari, auditi i Ministrisë dhe i dyti, Kontrolli i Lartë i Shtetit. Së shpejti, ne në fakt do të bëjmë një audit në të gjitha universitetet e vendit. Madje, përpara pak ditësh firmosa planin e auditit, sepse është një proces që kryhet rutinë, një herë në disa vite apo një herë në disa muaj, kështu që e kam këtë plan përpara e së shpejti në çdo universitet do të jetë auditi i Ministrisë për të parë pikërisht performancën financiare. Në Universitetin e Elbasanit sapo ka filluar ky proces nëpërmjet një grupi auditi ekspertësh nga Ministria, por së shpejti do të ketë dhe në universitetet e tjera pikërisht për të vërtetuar këto informacione që japin organizata të ndryshme, fondacione të ndryshme, por që, natyrisht, ne duhet t’i verifikojmë nëpërmjet institucioneve zyrtare, siç thashë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditi i Ministrisë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit!