Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe Ministres së Financave, Anila Denaj, me fokus ekonominë: 

 

Kryeministri Edi Rama: Këtë ditë e kemi të përjavshme vetëm për ekonominë. Sot duam të ndajmë me ju dhe me publikun disa aspekte të ekonomisë që lidhen drejtpërdrejtë me rindërtimin dhe për rindërtimin si një proces që, përtej faktit që do të rikthejë në shtëpi të gjithë familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit dhe do të rikthejë në shkollat e tyre tërësisht të reja të gjithë fëmijët, nxënësit dhe mësuesit, sepse janë edhe kopshtet që sot vazhdojnë të kryejnë procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies në shkolla të tjera, ka edhe një impakt të padyshim ekonomik që i  vjen në ndihmë vendit dhe njerëzve në këtë periudhë kaq të vështirë, si rezultat i goditjes së dytë për Shqipërinë nga COVID-19.

Deri një ditë para tërmetit, projeksionet e 2020-s për ekonominë shqiptare ishin shumë optimiste dhe pozitive.

Duke ju referuar shifrave shqiptare dhe të konfirmuara nga institucionet financiare, me shkrim, në raportet dhe konkluzionet përkatëse të Bankës Botërore, papunësia, e cila për vitin 2019 – statistikë e Bankës Botërore – ishte më e ulëta në rajonin tonë, me 11%, pritej të shkonte edhe më poshtë;

Borxhi në trajektore rënëse nën 65%;

Investimet e huaja dhe turizmi, falë rritjes mëtejshme të numrit të turistëve të huaj, patjetër që do të kishte një impakt të shtuar.

Por gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë të 26 nëntorit dhe me tërmetin e dytë, virusin COVID-19. Sidoqoftë, masat e marra nga qeveria në të dy drejtimet, Konferenca e Donatorëve, jashtëzakonisht e suksesshme në Bruksel, që na çliroi përfundimisht nga ankthi, se do të na duhet të spostonim krejtësisht gjithçka nga pikëpamja financiare tek rindërtimi, duke lënë mënjanë çdo investim dhe çdo shpenzim tjetër, si dhe paketat e shpëtimit në periudhën e karantinës së përgjithshme kanë ndihmuar që sot të mund të themi pa frikë, parë edhe rezultatet pasuese të periudhës së hapjes nga pikëpamja ekonomike-financiare se, nëse mund të kishim kaluar lehtësisht në më shumë se minus 10% të Prodhimit të Përgjithshëm, presim të kufizohemi në më pak se 4.5%.

Nuk është pak si parandalim.

Përpos masave të marra në këto muaj, vetëm gjatë javës së fundit kemi marrë tre masa të tjera thelbësore për nxitjen e ekonomisë në vend. E para; Programi për ripunësimin e personave ende të paripunësuar që humbën vendin e punës gjatë karantinës së përgjithshme. Sot, ne kemi një shifër të saktë, 13 mijë persona ende të pa riintegruar nga rreth 33 mijë që e humbën vendin e punës si pasojë e karantinës, flas për emra dhe mbiemra konkretë, persona të regjistruar. Nuk flas në tërësinë për të bërë llogari dhe kalkulime spekulative, duke patur parasysh edhe punën në të zezë. Krahasuar me vendet e tjera besoj se hymë tek vendet që kemi humbur në terma relativë më pak. Mjafton t’ju them që jemi sot në kushtet kur numërohen gati 1 milionë minus në Rumani, apo shifra zyrtare në Kosovë është 45 mijë, për të marrë dy pika referimi, Serbia 200 mijë, Kroacia rreth 200 mijë, Bullgaria rreth 100 mijë.

Megjithatë këto nuk janë për të thënë se jemi përballë ndonjë çudie, mrekullie aq më pak, por thjeshtë për të thënë që duam t’i ripunësojmë ata që ishin në punë, të regjistruar dhe që sot numërohen rreth 13 mijë. Për këtë arsye kemi vënë në dispozicion programet e ripunësimit që ofrojnë avantazhe specifike për këtë kategori specifike. Qëllimi është që në harkun e një viti ta tejkalojmë nivelin e muajit shkurt të këtij viti, muaji i fundit përpara karantinës, ku me 11% papunësi, shifër zyrtare e konfirmuar nga Banka Botërore, ne kemi arritur nivelin më të ulët të papunësisë që prej vitit 1991. Dhe këtu flasim jo për papunësi relative, në kuptimin relative në raport me numrin e përgjithshëm dhe jo në raport me spekulimet që bëjnë ata që i kundërshtojnë këto shifra duke thënë “ju del e ulët sepse kanë ikur njerëz nga Shqipëria”. Flasim në raport me numrin e përgjithshëm. Pra, nuk është 11% e njerëzve që janë sot në Shqipëri, por është 11% i popullsisë në tërësi. Ky është niveli më i ulët i papunësisë në rajon.

Banka Botërore, duke thënë këtë, nuk harroi asnjëherë që ne kemi një sfidë shumë të madhe për të fituar, që është raporti midis vendit të punës dhe pagës. Patjetër duhet atakuar në radhe të parë me rritjen e pagës minimale, gjë që do ta bëjmë në javët në vijim, siç e kemi premtuar.

Nuk do ketë më pagë minimalë nën 300 mijë lekë [të vjetra].

E dyta; çlirimi i plotë i biznesit të vogël, jo thjeshtë nga tatim-fitimi dhe TVSH-ja. E nuk flasim për një “do të”, flasim për një ligj të muajit korrik të Kuvendit të Shqipërisë.

Me ligj, sot, biznesi i vogël deri në 100 milionë xhiro – nuk ka qenë kurrë kufiri i biznesit të vogël 100 milionë, ka qenë gjithmonë 80, – është i çliruar nga tatim-fitimi dhe nga TVSH-ja plotësisht zero.

Biznesi i vogël deri në 140 është i çliruar plotësisht nga tatim-fitimi, por ka TVSH-në.

Por nuk është vetëm kjo, është edhe çlirimi përfundimtar i biznesit të vogël nga inspektimet dhe inspektorët, një gjë që e dimë shumë mirë, pavarësisht gjithë përmirësimeve që janë bërë që përbën problem rëndom për biznesin e vogël si pasojë e sjelljeve arbitrare të padenja të papëlqyeshme. Nuk do ketë më inspektime në biznesin e vogël. Sigurisht, me procesin e fiskalizimit dhe me dixhitalizimin e përgjithshëm, gjë për të cilën ne jemi tanimë në fazën finale të përgatitjes, biznesi i vogël do të përfshihet thjeshtë në sensin e mbajtjes së llogarive, për të ndihmuar që biznesi i madh të mos e përdori të voglin për të bërë evazion. Duke çliruar biznesin e vogël plotësisht, ne kemi ndërtuar bazat e një aleance të fuqishme mes shtetit dhe biznesit të vogël në funksion të garantimit që çdo e ardhur e biznesit të madh taksohet dhe që biznesi i vogël nuk është peng i biznesit të madh dhe nuk hynë në lojën e vjetër, 30 vjeçare, të faturave false. False për shtetin dhe thjesht reale mes njëri-tjetrit.

E treta; plani për të rritur pagën minimale është një masë që do të rrisë automatikisht fuqinë blerëse dhe  do të lehtësojë shtresën e paguar më pak. Por nuk është një masë definitive, është një masë e ndërmjetme mes të djeshmes dhe të nesërmes.

Me treguesit dhe nevojat aktuale të ekonomisë është fakt që pezullimi i përkohshëm i procesit të rindërtimit nga tërmeti, ishim të detyruar, mund të kishte qenë një rrezik real nga pikëpamja ekonomike. Prandaj  procesi i rindërtimit  ka qenë edhe në atë kohe një përparësi e vazhdueshme, të paktën në atë pjesë ku ne ishim në terren.

Janë 70 projekte të rindërtimit që janë në zbatim apo në prag të fillimet të zbatimit në Bashkinë e Tiranës, me një vlerë të përgjithshme 80 milionë euro dhe këtu hyjnë banesa, qendra shëndetësore, shkolla etj. dhe me një impakt direkt ekonomik për 17 mijë persona. Projekte, të cilat në fazën e tyre të zbatimit të plotë do të gjenerojnë rreth 15 mijë vende pune.

Në pjesën tjetër të territorit të impaktuar nga tërmeti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është në fazë zbatimi, apo në prag të  nisjes tani. Kanë mbaruar të gjitha procedurat për rreth 30 projekte të tjera, me një vlerë rreth 62 milionë euro. Edhe këtu, kopshte, shkolla, infrastrukturë dhe përgjithësisht banesa. Në total, kjo impakton direkt jetën e rreth 25 mijë personave. Bëhet fjalë për  shumë familje që do të rikthehen në shtëpi. Gjeneron 2 mijë vende pune direkte, pa llogaritur vendet e punës indirekte.

Paralelisht, Agjencia Kombëtare e Planifikimit ka në proces 35 procedura të tjera projektesh, studimesh e projektimesh, 18 zona të reja zhvillimore, 31 pallate, 2235 banesa individuale. Këto të gjitha prekin 33 mijë qytetarë të tjerë.

Këto projekte nga Bashkia Tiranë ku është dhe një volum i madh investimi që do të implementohet me hapjen e kantiereve në lagjet ku do ndërtohen pallate dhe në pjesën tjetër të  zonës së prekur nga tërmeti përmes FSHSH-së janë gjithë pjesa e luanit, po themi, të Paketës së Rindërtimit, ku hynë edhe pjesa tjetër, ajo e financimeve të donatorëve, ku vetëm Bashkimi Europian si entitet, pa llogaritur shtetet e tjera anëtare, fillon në ditët në vijim injektimin e rreth 100 milionë euro. Brenda gjithë kësaj kini parasysh impaktin në punësim.

Në vitin e ardhshëm, ne parashohim 25 miliardë shtesë, pra, 250 milionë dollarë pak a shumë dhe 6 miliardë në finale në vitin pas vitit të ardhshëm, sepse kini parasysh që gjithë ky volum i madh ndërtimesh intensive pallatesh banimi është në një kohe shumë ambicioze për nga shtrirja, por është njëkohësisht edhe  një volum që kërkon një injektim të rëndësishëm financiar.

E tërë kjo e bën procesin e rindërtimit një proces rimëkëmbjeje ekonomike të konkretizuar nga një rritje ekonomike e konsiderueshme në këtë periudhë në vijim. Një gjë është e sigurt dhe këtë e them me shumë krenari që në periudhën afatmesme, duke filluar nga viti që sapo vjen brenda pak muajsh dhe në dy vitet e shtrira, Shqipëria ka paketën më të madhe të investimeve publike në historinë e saj dhe pa cenuar konsolidimin fiskal. Pra, pa e cenuar nivelin e borxhit publik përtej domosdoshmërisë që kemi patur në këtë fazë dhe që ka prekur borxhin publik të Republikës së Shqipërisë, siç ka prekur borxhet publike të të gjitha vendeve, pa përjashtim.

Po e kaloj fjalën tek ministri. Për të detajuar kemi përgatitur dhe një sërë pamjesh grafike, për ta bërë më të lehtë komunikimin.

Ministri Arben Ahmetaj: Slide i parë i prezantimit i referohet angazhimit të burimeve të brendshme dhe donacioneve të brendshme deri tani, 2020, 2021 dhe 2022. Vitit aktual, 2020-ta ka 34 miliardë lekë apo 340 milionë dollarë, nëse do t’i referoheshim një kursi këmbimi, rëndom siç i referohemi 1 me 1.

Viti 2021, – 250 milionë dollarë dhe ndoshta në diskutimet që po  bëjmë për buxhetin të shkojë 280 milionë dollarë. Sigurisht që faza përmbyllëse e pagesave në 2022-shin, por jo e punëve. E punëve do të mbarojë pak më përpara.

Ndërkohë, në slide-n e dytë mund të ndiqni shumën 33.1 miliardë të alokuara tashmë në programe të ndryshme. 30.7 miliardë lekë janë burime të brendshme dhe 2.45 miliardë lekë janë donacione, kryesisht donacione të brendshme nga sipërmarrje apo individë, që kanë avancuar donacionet e tyre në Thesar.

Financimi i Programeve të Rindërtimit 2020; janë 4 programe dhe janë objektet arsimore 7.29 miliardë lekë që përbëjnë 22% të totalit. Janë banesat, ku dua që t’ju tërheq vëmendjen, nuk janë shuma totale, janë shuma  në përqindje të alokuara, pra, 20%, 30%, 40% në varësi të kërkesës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe të Bashkisë së Tiranës dhe të avancimit gradual të punimeve.

Programi i tretë janë grantet e rikonstruksionit. Nga vlerësimi që kanë bërë njësitë vendore në të 11 bashkitë, shuma për DS1, DS3, pra, për vlerësimet “dëme të lehta” dhe “dëme mesatare” është 9.42 miliardë lekë, ose 94 milionë dollarë. Qeveria praktikisht ka akorduar këtë vit nëpërmjet buxhetit të shtetit 9.40 miliardë lekë, të cilat do të jenë në duar të familjarëve, banesat e të cilëve janë dëmtuar lehtë ose mesatare. 50 milionë dollarë tashmë janë shpërndarë dhe procesi vazhdon.

Programi i katërt është specifik. Është infrastruktura publike qe shoqëron ndërtimin e pallateve dhe ndërtimin e banesave individuale aty ku bëhen, le të themi, kolektive në zona rurale për t’u afruar me infrastrukturën e shëndetësisë, të arsimit apo dhe infrastrukturën utilitare.

Njësitë zbatuese deri tani janë AKPT, bashkitë për grantet. Fondi Shqiptar i Zhvillimit për infrastrukturën, njësitë individuale dhe pallatet. Bashkia e Tiranës për njësitë individuale dhe për banesat kolektive. Ndërkohë ka dhe të tjera, ka dëme të ndryshme si ura, hidrovorë si hidrovori i Durrësit që merr financim për rikonstruksion ose për upgrade-im.

Në detaje për rikonstruksionin, miratuar janë 27407 përfitues. Janë 27 mijë familje që përfitojnë pak më pak se 100 milionë dollarë brenda tetorit të këtij viti. Deri më sot janë lidhur kontrata me emër, mbiemër, adresë dhe numër llogarie, 20381 familje. Janë paguar 19795 familje dhe në dorë familjet kanë marrë 5,44 miliardë lekë. janë dhe 2000 përfitues në vlerësim e sipër nga njësitë individuale.

Përsa i përket objekteve arsimore, dje firmosa me qeverinë sllovake për shkollën në Pezë Helmës, e cila ka qenë një nga diskutimet në daljet e opozitës. Ne e paralajmëruam opozitën, ashtu siç na takon në zë zyrtar, që Pezë Helmës është pjesë e rindërtimit e marrë përsipër nga qeveria sllovake. Gjithsesi, opozita doli dhe doli blof me firmosjen e djeshme.

Janë 143 objekte arsimore deri më sot të financuara nga buxheti i shtetit. 34 me FSHZH-në dhe 14 objekte nga Bashkia e Tiranës. 33 objekte kanë filluar punimet. Sot, në kthim nga Durrësi ndaluam tek një nga objektet, “Vëllezërit Haradinaj” që është në 80% të punimeve dhe mbaron në fund të nëntorit. 4 objekte pritet të fillojnë punimet në bazë të loteve. Ndërkohë kemi 92 shkolla nga donatorët. Kemi vetëm në dy programet EU for School 1 dhe EU for School 2 që shkojnë të dyja 75 milionë euro për 82 shkolla. Qeveria gjermane ka 3 shkolla me KFV-në, sllovenët kanë 1 shkollë, sllovakët kanë 4, Katari ka 3.

Objektet arsimore i kemi të detajuara sipas bashkive. Edhe në vazhdim, ju e keni dosjen për ta marrë edhe me vete, por edhe në e-mail tuaj.

Përsa i përket banesave individuale dhe kolektive, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përfunduar procesin e tenderimit për paketën B, e cila përfshin 743 objekte në bashkitë Durrës dhe Krujë. Sot kemi tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit në konsekuencë përfundimin, prokurimin, madje në 2 tetor përfundojnë edhe 3 paketat e tjera. Në prokurim janë 3470 banesa individuale dhe ju i keni me numër, Shijakun, Kavajën, Manzën, Rajoni2, Bashkinë e Kurbinit, Bashkinë Mirditës. Ndërkohë në Tiranë, me banesat individuale, – ju e keni parë që Kryeministri, edhe në Tiranë, edhe në Shijak ka dorëzuar në mënyrë simbolike, por edhe emocionale dhe konkretisht, çelësa shtëpish familjesh që nuk u besohej se do i merrnin ndonjëherë, – një pjesë e mirë e banesave individuale do të mbarojnë brenda 31 dhjetorit të këtij viti dhe një pjesë tjetër do të vazhdojnë deri në 3 apo 4-mujorin tjetër, në bazë të procedurës së prokurimit dhe angazhimit të kompanive, qoftë në aspektin financiar. qoftë në aspektin kohor.

Banesat kolektive në të 11 bashkitë e dëmtuara fillon brenda 15 tetorit. Dje, Bashkia e Tiranës ka konkluduar vlerësimin e marrëveshjes kuadër me operatorët që do të ndërtojnë “5 Majin”. Nëse e mbani mend, disa muaj më parë, dikush qëllimisht, ose i painformuar i referohej “5 Majit” si 3D. Brenda datës 15 tetor, “5 Maji” kthehet në një realitet ku fillojnë hapen themelet.

Në banesat kolektive, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka të detajuara në total apartamentet. Me Durrësin kemi dakordësinë zyrtare, të detajuar, për ndërtimet e pikëzuara dhe me banorët. Ndërkohë, Kryeministri është në diskutim te përjavshëm me Princin e Kurorës së Emirateve. Unë jam një herë në 2-3 ditë me Fondin e Abhu Dhabi-t për të filluar në muajin tetor punën me 2 mijë apartamentet që ka marrë donatori përsipër. Prandaj kemi proces hartimi gjithë numrin e apartamenteve që merren përsipër nga ata dhe që FSHZH do të ndërtojë.

Përsa i përket banesave kolektive në Tiranë, kemi 92 objekte kolektive. Kemi objekte për shembje, objekte për rikonstruksion, objekte për rivlerësim të mëtejshëm, sepse ka dhe ankesa qytetarësh dhe 12 objekte ende në proces.

Tek infrastruktura ka 6 kantiere ku i ndjek FSHZH-ja. Ndërkohë, përsa i përket Tiranës, janë brenda 2 siteve  të mëdha të “5 Majit” dhe të Kombinatit. Kantiere të mëdha janë në Fushë Krujë, Kavajë, Thumanë, Vorë, Shijak, Bubq, që janë në punë e sipër dhe vazhdojnë 12 projekte të tjera të infrastrukturës publike. Është Laç 1/2, Marikaj, Golem, Durrës zona 2, Durrës zona 3,  Durrës zona 4, Lezhë zona 1, Lezhë zona 2, Kruja, Durrës zona 5, Valias, Rrëshen.

E theksova për infrastrukturën publike në Tiranë. Deri më tani ka 16 projektime që do të realizohen për infrastrukturën sipas PDyV.  Janë shpallur 2 procedura, është “5 Maji”, ndërtimi i rrugëve kryesore të zonës për zhvillimin e njësisë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”. Ju e keni parë edhe në leje që ka dalë nga KKT, aty zona do të kthehet në një qendër të re urbane të Tiranës. E njëjta gjë ndodh edhe me Kombinatin, që besoj se maksimumi për 8 ditë përfundon procedura e marrëveshjes kuadër.

Janë 175 kompani të angazhuara në procesin e rindërtimit. Kompani të vogla, të mesme dhe të mëdha. Sot, në bazë të përqindjeve të angazhimeve financiare janë të prokuruara rreth 80 milionë dollarë. Brenda FSHZH-së janë 104 operatorë, ku ka studim, projektim, mbikëqyrje, ndërtim.

Dua të ndaj me ju, – verifikojini me njësitë e zbatimit, – në prokurim, qoftë tek FSHZH-ja, qoftë tek Bashkia e Tiranës, deri tani nuk ka asnjë ankesë për procesin e tenderimit të objekteve të rindërtimit, qoftë arsimore, qoftë pjesa tjetër. Bashkia e Tiranës ka 55 operatorë, AKPT ka angazhuar 20 studio projektimi dhe EKB ka vetëm 1 studio projektimi që ka ndihmuar njësitë që do të ndërtohen nga qeveria turke, që tashmë kanë filluar, nuk janë më 3D, por janë në thellësi dhe në gjerësi në punë intensive.

Përsa i përket të punësuarve, jemi duke folur për shkurt 2020 deri përpara një muaji, janë 2065 të punësuar më shumë në sektorin e ndërtimit në rindërtim, 5% kemi rritjen e punësimit në biznesin e madh në procesin e rindërtimit dhe 26% rritje e punësimit të biznesin e vogël në ndërtim.

Dy fjalë përmbyllëse me procesin me donatorët. Sot, Kryeministri nga Durrësi ju referua, donatorët praktikisht i bëjnë procedurat vetë dhe kanë institucionet e tyre të zhvillimit që i angazhojnë. 115 milionë euro nga Komisioni Europian, angazhohen në terren nga UNDP për shkollat, EU for School1; EU for School 2. Përsa i përket EU for Culture, 40 milionëshi është nga UNOPS.

Qeveria turke po ecën me kontraktorët e vet, e ka bërë procedurën vetë.

KFV-ja po e bën procedurën vetë. Katari vetë, sllovakët vetë, sllovenët vetë. Por, përveç përfundimit që kemi tani në dorë me qeverinë greke, pjesa tjetër është e gjitha e avancuar  dhe një pjesë është në projektim, një pjesë është tashmë në terren.

Përsa i përket dy siteve të mëdha, pra, TOKI që i referohet qeverisë turke, janë 524 apartamente, 400 parkime, një qendër komerciale, të cilat janë në proces ndërtimi. Megjithëse vetë qeveria turke ka patur vështirësitë e veta me tërmetin, nuk e ka cenuar për asnjë sekondë, përkundrazi e ka rritur me 24 apartamente, nga 500 në 524, angazhim që ka marrë në Bruksel.

E njëjta gjë vlen edhe për Emiratet.

Përsa i takon marrëveshjeve në proces, kemi mbyllur kredinë me qeverinë franceze, AFD-në, 60 milionë që angazhohet në ujësjellësin e Durrësit. Italia me 90 milion që jemi në proces. Praktikisht është energjia dhe industria e peshkimit që është konceptuar si pjesë e rimëkëmbjes dhe jemi në diskutim me Bankën Europiane për 100 milionë euro, të cilat besoj do të detajohen në 4 muajt që vijnë.

Kryeministri Edi Rama: Dua t’i jap shumë shpejt dy, tre përgjigje, duke filluar nga dikush këtu që shkruante ekzaktësisht,” bjeri, bjeri se i bie bukur, por shkollat po bëhen me lekë borxh”.

Në fakt jo!

Asnjë shkollë në Republikën e Shqipërisë, në zonën e prekur nga tërmeti nuk ndërtohet me lekë borxh!

Shkollat ndërtohen me leket tona të buxhetit të shtetit dhe me fondin e  vënë në dispozicion nga BE-ja, pjesa tjetër. Pra, asnjë lek borxh.

Dikush tjetër thotë “unë jam i pari që humba tre muaj punën dhe nuk mora asgjë nga ky shtet”.

Unë i them që nga ky shtet, paketat e vëna në dispozicion janë disbursuar totalisht, duke i shtyrë edhe afatet për t’u dhënë mundësi të gjithëve. Megjithatë, nëse ka ende ndonjë që nuk është kujtuar t’i bëjë në kohë dhe në drejtimin e  duhur kërkesat dhe ankesat, mund t’i bëjë dhe përsëri, ne nuk do ta lëmë vetëm.

Përsa i përket “të kujtuarit”, që e kam vënë re në këtë periudhë që është një lloj kënge e porositur nga shtëpia diskografike e SHQUPIT, që “tani u kujtove të ulësh taksat”, në fakt jo, ne jemi kujtuar për uljen e taksave në fund të vitit 2013. Kemi premtuar përgjysmimin e taksës së biznesit të vogël dhe taksimin e ndershëm si alternativë e taksës së sheshtë dhe kemi ulur me paketën e parë fiskale në 2014-ën, gjysmë për gjysmë taksën për biznesin e vogël. Por këtë e dinë ata që merren me biznesin e vogël dhe jo ata që këndojnë për shtëpinë diskografike të SHQUIP, apo ata që e ndjekin Shqipërinë nga larg përmes kanaleve dhe portaleve.

Këtë nuk mund ta dijë askush tjetër që nuk është interesuar të marrë të vërtetën, apo që nuk është drejtpërdrejtë i lidhur. Ulja e tanishme që nuk është një premtim, nuk është një “do të”. Premtimin e kemi dhënë më parë dhe e kemi dhënë në mos gabohem, përpara sesa të vinte karantina e përgjithshme dhe  COVID-i, që në vitin 2029, ne do të garantojmë – natyrisht, deri në 2029 do të garantojmë duke patur njëkohësisht të drejtën për ta bërë këtë nga shqiptarët, – që nuk do të ketë taksë dhe TVSH për biznesin e vogël. Atëherë u bë premtimi e megjithëse na ra flama si gjithë botës nga COVID-i, në korrik e kemi bërë  ligj. Nuk është premtim dhe ne këtë do ta mbajmë ashtu siç është e shkruar në ligj dhe siç e kemi thënë deri në vitin 2029.

Kur flas për pagë minimale, nuk flas për pagë minimale në shtet, flas për pagë minimale të  imponuar në Republikën e Shqipërisë, pra, në sektorin privat. Sepse dikush shkruante “si mund të punosh me 200 mijë lekë, si mund të punosh me 230 mijë lekë”.

300 mijë leke do të jetë paga minimale e detyruar për çdo kompani private që punëson njerëz, apo për çdo të vetëpunësuar në Republikën e Shqipërisë.

Në shtet, ne nuk kemi paga të tilla. Prej kohësh, në shtet e kemi vendosur limitin, por tani limiti do të vendoset edhe për sektorin privat.

Ministrja e Financave, Anila Denaj: Dua të shtojë dy elementë buxhetorë, të cilët nuk kanë lidhje me fondin e rindërtimit që kolegu përmendi, por kanë një lidhje të drejtpërdrejtë në mënyrë indirekte me situatën e tërmetit. Ne kemi akorduar në vitin 2020 një bonus qiraje, i cili sot ndihmon më shumë se 13.700 famile, me një fond prej 3 miliardë lekësh ose 30 milionë dollarë. Sigurisht, ky do të vazhdojë për gjithë vitet gjatë kohës që bëhet rindërtimi, duke presupozuar se do të jetë më i ulët për sa kohë shtëpitë do të përfundojnë. 

Së dyti, ne kemi bërë në fillim të vitit lehtësi fiskale, të cilat vlejnë për t’u përmendur. Duke filluar nga lehtësimi i bizneseve për të njohur si shpenzime të zbritshme të gjitha shpenzimet që lidheshin me dëmet apo me akomodimet e punonjësve të tyre. Duke lehtësuar bizneset dhe pezulluar taksën e pronës, duke pezulluar dhe shtyrë detyrimet tatimore apo gjobat që ishin të lidhura me deklarimet e vonuara. Përjashtuam nga TVSH-ja ndërtuesit dhe kontraktorët si dhe përjashtuam nga taksa e ndikimit në infrastrukturë individët dhe bizneset përpara disa javësh. Kjo e kompleton të gjithë paketën e mbështetjes për vitin buxhetor 2020 dhe më herët për 2021 i gjithë impakti, jo vetëm në aspektin e shpenzimeve kapitale, por njëkohësisht dhe të gjithë impaktin në ekonomi dhe rritjen ekonomike të parashikuar vitet e ardhshme. Jo më larg se dje ne konkluduam misionin me FMN-në , ku për të 3 vitet e ardhshme FMN-ja parashikon një rritje mesatare të PBB-së në 7% nga 4.5% që ne e kemi parashikuar në projekt buxhetin afat mesëm. Specifikisht, ne presim që bujqësia të ketë një rritje mesatare me rreth 1.3% në vit, përgjatë viteve 2021-2023, industria me një rrije mesatare vjetore me 5,2%, ndërtimi me 3,6% dhe shërbimet me 5,7%. 

Parashikimet e Bankës Botërore janë akoma më optimiste, për një rritje ekonomike në vitet e ardhshme me 9-10% që sigurisht rindërtimi dhe të gjithë paketat mbështetëse kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Zoti Kryeministër, nuk e di, a keni patur mundësi të dëgjoni kandidatin për kryeministër, kreun e opozitës në prezantimin që ai bëri për një paketë për rimëkëmbje të ekonomisë me fokus kryesisht tek shëndetësia. Ju, përveç paketës së prezantuar javën e shkuar për tre paketat për punësimin, a keni një plan me këtë fokus, kryesisht tek shëndetësia?

Po javën e shkuar, ju prekët, paralajmëruat që do të ketë një rishikim të taksës progresive, a mund të na zbuloni diçka më tepër për çfarë bëhet fjalë?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, për atë që ju e quani kandidati për kryeministër, përgjigja ime është shumë e thjeshtë, është shalqi me provë. Domethënë, i pangrënshëm, sepse nuk është i ardhur nga hëna, por ka qenë në provë disa herë dhe natyrisht, shkuarja në ekstrem me propozime të ashtuquajtura platforma alternative është thjesht shprehje e mungesës së seriozitetit. Të një mungese serioziteti të provuar në kohën kur këtë vend e qeveriste tjetër kush. E largqoftë të kishte ndodhur që flama e COVID-it ta kishte gjetur këtë vend me atë kandidatin dhe me klubin e asaj të ashtuquajture opozitë e bashkuar në pushtet dhe të kishte gjetur në këtë vend spitalet që gjetëm ne, kur na besuan shqiptarët, shërbimet shëndetësore që gjetëm ne, kur na besuan shqiptarët, kapacitetet profesionale që gjetëm ne, kur na besuan shqiptarët.

Mjafton ta kujtoni atë kohë për të kuptuar që kjo nuk është një betejë midis nesh dhe atyre. Kjo nuk është një betejë, aq më pak, midis meje dhe shalqiut me provë, që është në krye të opozitës. Kjo është një betejë e jona me vetveten dhe me kohën. Ne kemi shumë për të bërë. Koha nuk pret sepse shqiptarët kanë pritur shumë dhe ne kemi shumë për të përmirësuar dhe shumë për të përshpejtuar pa diskutim. Por kjo nuk është midis nesh dhe atyre. Kjo është midis nesh, në betejë me kohën dhe me vetveten.

Përsa i përket asaj që unë kam thënë një javë më parë, po e rikonfirmoj, ne po bëjmë një sërë studimesh e dua të përfitoj nga rasti ta them përsëri. Ata, të cilët nuk duan të kuptojnë, nuk kanë për ta kuptuar ndonjëherë. Ata, të cilët duan ta kuptojnë, e kuptojnë thjeshtë, ndërkohë që ata që e kuptojnë, e kuptojnë dhe nuk kanë nevojë për shpjegimet e mia. Jam i bindur që shumica e shqiptarëve e kupton që masat e marra nga qeveria janë masa, të cilat merren në bazë të mundësive. Nuk i kemi pasur dje mundësitë që kemi sot. Nuk mund ta ulnim dje, në zero, as tatim-fitimin për biznesin e vogël, as TVSH-në.

Fakti që sot e bëjmë nuk ka lidhje me faktin që po vijnë zgjedhjet. Ky ka qenë synim i kahershëm dhe ka lidhje me faktin që kemi krijuar mundësi. Pra, rrisim mundësitë dhe hedhim hapa të tjerë në këtë funksion. Përndryshe, nëse do kishim bërë të gjithë këto gjëra që po bëjmë sot, menjëherë pasi fituam, do kishim qenë magjistarë, por kjo nuk është e mundur.

Përsa i përket taksës progresive, po, jemi duke bërë një plan dhe sapo ta kemi gati do ta ndajmë me ju. Edhe aty me synimin që të lehtësojmë barrë të atyre që jetojnë me punë, flas për ata që jetojnë me një pagë dhe njëkohësisht që të rrisim fuqinë blerëse të gjithsecilit, aq sa të jetë e mundur, kudo ku të jetë e mundur, kurdo që është e mundur. Përndryshe, me platforma të krijuara e të trumbetuara në kushtet kur nuk ke asnjë përgjegjësi, kur nuk mban asnjë përgjegjësi dhe kur edhe e di që shanset që ta japin atë përgjegjësi i ke minimale e prandaj lëshohesh si Sudja dhe si Vebiu për të kapur, çfarë të kapësh, Shqipëria nuk bën përpara, bën vetëm mbrapa. Shqiptarët e kanë shumë të qartë, shalqinjtë me provë që kanë rezultuar kunguj nuk ka shans t’i blejnë për shalqi të ngrënshëm.

Ministri Arben Ahmetaj: Dy komente se iu referuat paketës. Në respekt të punës së kujtdo, edhe nga opozita, serioziteti duhet të jetë në themel të gjësë. Praktikisht, po t’i shikoni, të gjitha shkojnë tek 6 muaj. Plani jonë shkon 20-30 dhe vizioni jonë është i konsoliduar përtej 6 muajve, sepse ju e keni parë që kjo qeveri dhe ky kryeministër pjesën e emergjencës e kanë kaluar me përgjegjshmëri, me minimumin e humbjeve të jetëve nga COVID-i dhe me akselerimin e rindërtimit.

Opozita i referohet sërish 9%. Dua ta sqaroj me gazetarët, por dhe me qytetarët, çfarë është 9%. E thënë thjeshtë, nëse biznesit të madh, po përdor terminologjinë, – jo të duhur dhe ndjesë për këdo, – të oligarkisë, të ndihmës ndaj oligarkisë, merreni pak në historinë, le të themi shtetërore institucionale dhe njerëzore të mazhorancës sot dhe të opozitës sot.

Ne e kemi rritur 15% tatim-fitimin për ata që rëndom quhen nga ana tjetër oligarkë.

E di çfarë ndodh me propozimin 9%?

46 milionë dollarë ikin nga buxheti dhe i kalojnë “oligarkisë”.

Gjë që ne kemi bërë të kundërtën e do të vazhdojmë siç iu referua Kryeministri, të bëjmë të kundërtën e asaj që iu referova me 9%.

Kemi bërë taksën progresive që vitin e parë në 2014-ën e çka dolën nga buxheti në drejtim të qytetarëve, kryesisht të atyre me të ardhura të ulëta, ishin 90 milionë dollarë dhe në vazhdimësi, nga 120 milionë dollarë çdo vit.

Dikush mund t’i ketë harruar, por shumëkush nuk i ka harruar sepse ato janë para që shkuan në xhepat e tyre.

Një shifër tjetër, 46 milionë dollarëshi që iu referova të “oligarkisë” është baras  me ndihmën ekonomike. I bie që një ndihmë ekonomike hiqet nga ata që i referohemi si njerëz e qytetarë në nevojë dhe i çohet atij grupi, që ata i quajnë pa të drejtë oligarkë. Kjo për të sqaruar se çfarë do të thotë politikë pro oligarkësh dhe pro qytetarësh në nevojë.

Pjesa tjetër që është po kaq e rëndësishme, këtu flitet për 1200 euro pagë e mjekëve, 700 euro pagë e infermierëve. Jemi duke folur, Kryeministri ka avancuar dhe ka marrë vendim vetëm për infermierët dhe mjekët, 45 milionë dollarë rritje në fondin e pagave. Imagjino çfarë krahasimi.

Thuhet dalja me humbje e pothuajse 2/3 e bizneseve shqiptare. Ne sollëm një shifër javën e kaluar, fitueshmëria e biznesit të vogël ka qenë 16.8 milionë dollarë në 2014-ën, tani është 42 milionë dollarë fitueshmëria, kur flitet që bota ka humbur 28 trilionë. Nga 80 trilionë që është GDP-ja e botës, ka humbur 28 trilionë, gati 1/4 e vetë. Me elasticitetin modest që ka ekonomia shqiptare po provon atë ringritje që iu referuam. Janë 3000 biznese të reja, në krahasim me 6 muaj më parë dhe konsumi ka kapur nivelin e vitit 2019. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Javën tjetër do kemi besoj komunikimin final për pagat e mjekëve, infermierëve dhe mësuesve, që do t’i mbështesim shumë fort. Do vijmë përsëri me llogari, me fakte dhe me shifra, sepse ky refuzimi për të konsideruar shifrat dhe përqeshja e shifrave në emër të popullit është bërë vërtetë një sëmundje që duhet kuruar nga gjithsekush që ka një përgjegjësi dhe përgjegjësia juaj është t’i verifikoni të gjitha këto që ne themi. Nëse juve ju rezulton se që nga viti 2014, kur ne kemi pasur vendimmarrjen tonë në aspektin e taksave, deri në vitin 2019, të pasurit, – përfshirë edhe këta që ata i quajnë paturpësisht oligarkë, që nuk janë oligarkë, sepse nuk ka jo një grup, por një të pasur në këtë vend që të diktojë një vendim të vetëm të qeverisë, – nuk kanë paguar taksa më shumë, sesa kanë paguar në 8 vitet kur këta drejtonin, atëherë bëjeni publik.

Ndërkohë që shifrat thonë se në vitin 2014, ne kemi përgjysmuar taksën për biznesin e vogël dhe kemi rritur taksën për biznesin e madh. E kishin10% të dy palët, si 15-katëshi,  si furra e bukës, aty poshtë tek këmbët e 15-katëshit, paguanin 10%. Por 10% i furrës së bukës është më shumë në xhepin e asaj familjeje, sesa 10% në arkën e 15-katëshit për sipërmarrjen. Nga ana tjetër u bë 15% për 15-katëshin dhe 5% për furrën e bukës.

Sot e nesër e deri në 2029-ën do jetë zero për furrën e bukës, ndërsa për 15-katëshin, – nuk e di çfarë do ndodhë në 2029-ën, por di që nuk do ndryshojë sot, – do të jetë 15%.

Ne nuk do ta ulim taksën për biznesin e madh. Ne nuk i ofrojmë sipërmarrjeve të mëdha ulje takse. Ne atyre u kërkojmë të bëjnë atë që kanë për detyrë, të kontribuojnë më shumë, sepse fitojnë më shumë. Ky është dallim i thjeshtë. Të thuash sot, do kthehemi prapë aty ku ishim, do të thotë të thuash në fakt atë që mendon se ishim më mirë kur ishim më keq. Është shumë e thjeshtë.

Për të vijuar pak më tej me pyetjen e koleges, më datë 24 maj, 2 qershor dhe 9 qershor, ju keni paralajmëruar që brenda muajit qershor do të paraqisni, citoj, planin kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale, me qëllim që gjatë 4 muajve të fundit të këtij viti t’i kthehen normalitetit të të ardhurave të familjeve, ekonomisë dhe shtetit. Kur jemi 3 muaj nga fundi i vitit, pse nuk e keni publikuar ende këtë plan?

Kryeministri Edi Rama: E drejtë dhe arsyeja është e thjeshtë. Ajo që ne nuk kemi mundur të bëjmë, ka qenë rezultat i pamundësisë për të pasur një proces, siç do të dëshironim në atë kohë, për shkak të kufizimit të madh të kontakteve dhe të ndërveprimeve. Por çka po dëgjoni sot, ç’do dëgjoni çdo javë e çdo ditë janë pjesë e këtij plani. Nuk flasim për gjëra që janë sot për sot, ose që janë të lidhura me zgjedhjet, por janë pjesë e planit tonë për 20-30. Ndërsa planin në total kemi vendosur që ta publikojmë duke mbledhur një nga një të gjithë mozaikun, edhe për një arsye tjetër. Për fat të keq dhe jo vetëm në Shqipëri, aspektet politike që lidhen me ekonominë lihen në fund dhe dominojnë aspektet që lidhen me kronikën e zezë, me kronikën rozë, me kronikën blu. Ne duam që këtë plan ta publikojmë hap pas hapi e në fund do të jetë i gjithi i përmbledhur. Të mos kalojmë nga përmbledhja tek detajimi, por nga detajimi tek përmbledhja, në mënyrë që të mund të fitojmë më shumë kohë të konsumuar me publikun. Nëse do ishte një plan i madh e i përgjithshëm, ju do e kishit dhënë me shumë gjasë lajm të fundit një herë dhe nuk do kishim folur më. Nëse do kishte fat të ishte lajm i fundit, por nuk besoj se do të kishte edhe atë fat. Por ajo pyetje është e saktë.

Duke qenë se jemi në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021-shit, ku ju kërkoni një mandat të tretë qeverisës, cilat do të jenë shtyllat e planit tuaj ekonomik, që qytetarët t’ju votojnë sërish?

Kryeministri Edi Rama: Ka kohë për këtë. Këto që ne po themi sot janë gjëra që do ndodhin sot, pra nuk janë gjëra që do ndodhin nesër. Pra, nëse ne themi taksa e biznesit të vogël bëhet zero dhe TVSH-ja bëhet zero, kjo është një gjë që ndodh sot. Është ligj i korrikut, pra është në fuqi. Nëse ne sot, jemi këtu duke bërë një pasqyrë të rindërtimit dhe themi që kaq vende pune, kaq kompani të përfshira, kaq apartamente, kjo gjë po ndodh sot. Nuk është gjë që do ndodhi nesër.Desha të shtoj dhe një gjë, që ne po bëjmë një kontratë tip për të gjithë familjet që ju takon shtëpi apo apartament nga rindërtimi. Pra, jo vetëm që deri në fillim të vitit tjetër të gjithë do mund ta shohin, duke u ndërtuar pallatin, ku do të kenë apartamentin e tyre, por do të kenë dhe një kontratë me qeverinë shqiptare që do të garantojë që kjo gjë, jo vetëm do të ndodhë, por kontrata do të ketë dhe penallti për qeverinë, në rast se nuk respektohet marrëveshja në kuptimin e afateve që është diçka e vështirë për 1001 arsye sepse procesi ne na u pengua shumë nga gjithë kjo ndërhyrje në mes e Covid, na ka penguar disa procese.

Besoj që në pak ditë, Ministrja e Infrastrukturës do të lajmërojë rihapjen e garës për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, që do të rihapet për fat të mirë në atë pikë ku u ndalua, pra nuk do fillojë nga e para se u hap gara dhe u ndalua. Tani ka dhe një numër ditësh për t’u mbyllur, por kaluan gjithë këto muaj dhe është një pengesë që është vonesë, por është një pengesë objektive, nuk është se u vonua se ne e lamë punën pas dore e kështu na janë penguar disa punë, por të gjitha tani hynë një nga një në proces e të gjitha këto janë impakt ekonomik dhe financiar. Ndërkohë që, jo më larg se sot paradite, mora një tjetër informacion të detajuar për aeroportin e Kukësit e unë jam i bindur që nëse larg qoftë ndonjë forcë maxhore nuk do ndërhyjë në formën e një pengese objektive, kuksianët nga Londra që janë tallur dhe më kanë përqeshur në facebook për aeroportin, do t’i marr në Londër, do t’i ul në Kukës unë, e do t’i sjell nga Londra të votojnë PD-në në Kukës. Me avion në aeroportin e Kukësit. Kështu që PD-ja do të ketë nga unë 120 vota në Kukës, falas. Jo nga ato me pagesë që është mësuar të bëjë ose ishte mësuar të bënte kur kishte kompani private ajrore.

– Zoti Kryeministër, më kujtohet mirë konferenca e donatorëve në Bruksel ku në mënyrë të shpeshtë u artikulua fjala transparecnë. Ministri Ahmetaj me të drejtë na sqaroi se çfarë po ndodh me donatorët, se si ata i zhvillojnë programet. Do doja të dija, a ka qeveria shqiptare një organizëm, një watchdog për të gjitha këto investime që po bëhen nga buxheti i shtetit për hir të trasnparecnës? Pyetja e dytë ka të bëjë me turizmin, të gjithë tur operatorët, shoqatat e turizmit kërkojnë një paketë të tretë ndihme. A është e gatshme qeveria tja ofrojë një paketë të tillë? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Tani me shumë kënaqësi konstatojmë që goditja në sektorin e turizmit ka qenë shumë më e lehtë se sa ne e parashikonim për shkak të turizmit të brendshëm dhe për shkak të turizmit “patriotik” që u mundësua si rezultat i hapjes, që ne i bëmë kufirit me kosovën dhe me Maqedoninë e Veriut dhe me Malin e zi e me gjithë rreth e rrotull për t’i mundësuar të vijnë të bëjnë turizëm dhe të ardhurat flasin qartë për këtë. Ndërkohë, ka dhe një element tjetër, sektori i turizmit posaçërisht ka në dispozicion një garanci sovrane të rëndësishme. Është ajo garancia e dytë sovrane për të cilën thuhej se nuk do funksiononte, siç thuhej dhe për të parën, por të dyja po funksinojnë dhe sot që flasim janë mbi 120 milionë dollarë të dhëna për kompanitë, përfshirë dhe kompani që operojnë në sektorin e turizmit.

E të mos harrojmë dhe një gjë tjetër që në sektorin e turizmit kemi shtyrë tatim fitimin. Nuk kanë asnjë ngarkesë dhe obligim ndaj shtetit. Për vitin e ardhshëm, nuk shoh një paketë të tretë në horizont që të jem i sinqertë dhe i drejtëpërdrejtë  që do të thotë njëkohësisht që çfarë flasim, ne nuk kemi parasysh zgjedhjet kur flasim se ne mendojmë për shumë më larg se zgjedhjet.

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj: Praktikisht, brenda strukurës së rindërtimit ka dy le të themi institucione, të cilat monitorojnë, përveç institucioneve normale sic është KLSH apo auditet e brendshme të institucioneve përkatëse. Është Komisioni Shtetëror i Rindërtimit i përbërë nga 9 ministra e në këtë komision – me të drejtë, ne i ofruam votën, donatorët nuk e deshën të kishin të drejtë vote, – ka dhe 5 donatorë, ndërkohë që ka një institucion po brenda procesit të rindërtimit që është Sekretariati sëbashku me task forcën. Sekretariati sëbashku me task forcën nuk fokusohet vetëm tek donatorët dhe donacionet.

Ne i dërgojmë rregullisht, – vërtetojeni me ambasadat, – të detajuar në hard dhe në soft të gjitha vendimet që marrim ne në KSHR, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit. Të gjitha këto publikohen në websiten e rindërtimit i cili update-ohet përditë. Mund ta verifikoni madje dhe me foto nga sitet, mund t’i verifikoni përditë e mund të më thoni një ditë që nuk është update për ta korrigjuar, por çdo ditë update-ohet. Nesër kam një takim me Komisionin Europian vetëm për të, le të themi, ribërë dhe një herë detyrat e taskfocës dhe për t’i ofruar dhe projekte specifike ose në tërësi ose random që ata t’i auditojnë, jo thjesht të tyre, por flas  për të gjithë procesit të rindërtimit. Ajo që theksova që nuk ka pasur asnjë ankesë në procesin e tenderimit, është edhe për arsye e për shkak të transparencës së proceseve që janë ndjekur, jo vetëm nga të dyja, nga të treja njësitë zbatuese.

Kryeministri Edi Rama: Kam dhe një kolegun tuaj këtu që thotë “o Ram, lëre ekonominë, por shih atdheun se po ta merr greku”. Një përgjigje shumë të thjeshtë për këtë, Atdheun nga greku mbroje me Liken i dashur. E ke Liken gati aty dhe Lulin dhe Saliun dhe Monikën, me kanoe dil dhe t’i mbroni atdheun nga greku bile bjeri nga Vjosa se Likja po mbron dhe Vjosën tani. Vazhdoni mbroni gjithë ujërat e Shqipërisë nga grekët dhe nga armiqtë imagjinarë të Ilirit, Lulit, Saliut dhe Monikës.

– FMN ka sugjeruar thjeshtëzim të sistemit të tatimit dhe njëherazi dhe rritje nga të ardhurat për taksat. Si mendoni ta realizoni këtë? Duke pasur më shumë aksione në terren apo do të ketë një rritje të taskave? Dhe e dyta nëse më lejoni, ju folët për mundësinë e rishikimit të taksës progresive, folët për rritje të pagës minimale e njëherazi edhe për shifra të rritjes së pagës së mjekëve e mësuesve, e keni thënë dhe më herët, jo sot, por dhe në takime tuajat të mëparshme, keni thënë që do ketë një rritje gati deri në 40%, për mjekët dhe infermierët. A mendoni që po kopjoni pak nga programi ekonomik i Partisë Demokratike duke qenë se këto janë artikuluar edhe më herët nga zoti Basha? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: E para, këtë fjalën kopje programesh unë them që ta përjashtoni nga fjalori i komunikimit sepse është diçka pa lidhje. Së dyti, ka një ndryshim të madh midis kujt e thotë dhe kujt e bën dhe në rast se marrim për të mirqenë që bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Së treti, ka dhe një ndryshim më të madh akoma, midis rritjes së pagës për mjekët dhe infermierët deri në 40% që do ta bëjmë ne dhe do të jetë e shkruar e do të miratohet me ligj në Kuvendin e Shqipërisë dhe idesë se mund të shkojnë pagat 1200 euro, se mund të shkojnë subvencionet 150 milionë euro për bujqësinë, se mund të shkojnë ku di unë se çfarë, 100 këtu, 100 atje, 200 atje, 300 atje dhe se mund të bëhet deti kos. Jo!

Të rrisësh pagat në këto kushte, deri në 40% për mjekët dhe infermierët dhe në mënyrë të konsiderueshme edhe për mësuesit, të rrisësh pagën minimale 300 mijë, të heqësh fare tatim fitimin dhe TVSH-në dhe të mbash financat nën kontroll, duke e konsoliduar aspektin makroekonomimk të vendit, kjo është qeverisje. Kurse të hapësh thesin se po vijnë zgjedhjet, duke hapur gojën e duke lëshuar për të gjithë lugët e floririt është thjesht për të qeshur. Kështu që, nuk ka asnjë krahasim, asnjë mundësi krahasimi sepse i kemi parë.

Fati i mirë në këtë rast për të gjithë është që këta i kemi parë. Pra, nuk është se janë të paparë. Janë të paparë në mënyrën se si bëjnë sikur nuk i kemi parë, por që ne i kemi parë, janë shalqi me provë. Madje këta njëherë, sidomos këta, Saliu, Luli, Iliri, Monika janë shalqi të provuar disa herë dhe në asnjë nga provat nuk kanë dalë të pjekur, kështu që janë të papjekshëm. Besoj që është brenda përgjigjes, nuk ka kontradiktë në këtë. Ne jemi në një rrugë, ku faktikisht sot po ndajmë me njerëzit frute të punës dhe të përpjekjeve të përbashkëta. Janë punë dhe përpjekje e përbashkët këto frute, pra nuk është një asfalt elektoral, siç është gjithë programi i ashtuquajtur platformë i Partisë Demokratike. Ai është asfalt elektoral, nga ato asfaltet që hidheshin në kohën e Saliut me daulle e që u dilte boja në shiun e parë pas fushatës. Ato janë si tramvaji i Tiranës, njësoj. Në çdo sektor një tramvaj. Po ku është tramvaji? Me siguri, po të shkoni tek SHQUP-i do t’ju tregojnë dhe tramvajin kështu që bëni kujdes, merrni maskë me vete.

Ministrja e Financave, Anila Denaj: Dua vetëm të saktësoj diçka në lidhje me sugjerimin e bërë në raportin e FMN-së dhe deklaratës që ju i bëtë referencë. Po, FMN ka sugjeruar që ne mund të rrisim me 2.3% në një hark kohor prej 4 vjetësh mbi produktin e brendshëm bruto, por nga kjo 2.3%, 1.5 % vjen nga mirëadministrimi fiskal dhe sot që flasim ne kemi 4 ligje, të cilat synojnë të sjellin vitin e ardhshëm nëpërmjet sistemeve një mirëadministrim fiskal. Unë dhe më herët kam folur për këto 4 ligje. Tre janë të aprovuara dhe të ratifikuara nga parlamenti shqiptar dhe fiskalizimi, këmbimi automatik i informacionit, pronarët përfitues dhe i fundit që do jetë në nëntor për llogaritë bankare. Këto i mbarojmë këtë vit e përsëri po flasim me ligje të aprovuara e të ratifikuara për sistemet e ngritura që do të menaxhon këtë administrim fiskal. 1.5% është një synim i mundshëm. 

 – Unë kam dy pyetje, nga një hulumtim që ka bërë televizioni SCAN për periudhën janar – korrik ka rezultuar që nga skema e sigurimeve shoqërore janë larguar rreth 78 mijë persona. Ju thatë që plani për nxitjen e punësimit përfshin 13 mijë persona. Mos ndoshta duhet zgjeruar shifra? Ndërsa pyetja e dytë lidhet me një nismë të re që ka marrë Kosova, ku ka shpërndarë rreth 60 milionë euro së fundmi për ndihmë për biznesin që u godit nga covid. Ndërkohë që ju thatë që për 2020 nuk parashikohen më paketa ndihmëse ndaj biznesit. Mos ndoshta duhet riparë kjo pjesë e duke lidhur prapë me Kosovën, edhe federata e futbollit e Shqipërisë ka kërkuar që të aplikohet i njëjti model siç aplikohet në Kosovë, ku shteti jep diku tek rreth 12 milionë euro për futbollin, ndërkohë që në Shqipëri jepen në vit rreth 700.000 euro? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Kjo është situata e punësimeve, (grafiku) me rënie, gjatë mbylljes dhe me ngritje hap pas hapi, sipas hapjes së sektorëve. Kjo është situata sot e këto nuk janë piktura, janë shifra të verifikueshme lehtësisht nga regjistrat e shtetit. Nuk janë piktura. Kështu që merrini regjistrat e shtetit, merreni regjistrin e sigurimeve shoqërore, merrni regjistrin e tatimeve, merrini regjistrat dhe verifikojeni e do të isha shumë admirues, nëse do të provonit të kundërtën, me fakte! Udhëtimet nëpër Shqipëri që bën një televizion, respekte, por nuk e di si del nga udhëtimet një shifër alternative. Merrini shifrat e shtetit dhe këto janë shifra që lidhen me kontribute, nuk janë regjistrime emrash. Çdo emër aty ka të lidhur kontributin në sistemin e taksave, në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Nuk flasim për punën në të zezë, aty nuk bëjmë spekulime se mund të bënim dhe aty spekulime e të thonim që po të llogarisim dhe ata që punojnë në të zezë, atëherë papunësia është dhe më e ulët. Ne nuk nisemi nga kjo. Ne marrim shifrën papunësisë zyrtare që bazohet tek punonjësit e regjistruar, në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullatës, jo të popullatës që jeton sot, në Republikën e Shqipërisë se këtë e them për shumë që thonë a se kanë ikur gjysma… jo fare,  por të numrit të përgjithshëm të popullatës së regjistruar në Republikën e Shqipërisë, jo të atyre që banojnë sot, këtu. Ndërkohë që atyre që thonë kanë ikur gjysma, u them bashkohuni me kanoen e Monikës, futuni atje, me Liken, me Lulin, me Saliun dhe jepini kanoes sepse këto janë përralla. E vërteta është, jo absolutisht jo rozë, nuk ka vend këtu për folur për rozë, por e vërteta është shumë më komplekse e shumë më domethënëse se sa dokrrat që përsëriten përditë e përditë. Në këtë aspekt, unë mendoj që është një komunikim i lehtë sepse ne japim shifra këtu, ju merrini e verifikojini, ne jemi gati që të pranojmë gabimin ose të kërkojmë ndjesë në rast se shifrat tona nuk përkojnë me realitetin. Pra nuk janë spekulime. Kur del një zë autoritar i platformës opozitare dhe ngrihet si balonë tabake në qiell e thotë këtu janë mbyllur gjithë bizneset, kjo është poezi, kjo është bejte. Ne flasim për shifra konkrete. Ne flasim për të ardhura nga puna, ne flasim për punonjës të regjistruar, këtyre u referohemi, nuk i referohemi balonave, as tabake, as tauke.

Nuk mendoj që ka vend më për të diskutuar për dhurata apo për mbështetje nga taksapaguesit se është nga taksapaguesit, drejtpërdrejtë në formë dhurate që ishte e domosdoshme në atë moment kur mbyllja ishte hermetike për kompanitë që kanë akses e mund të marrim garancinë sovrane, pra nuk ka mundësi. Nuk mund të marrim ndihmën ekonomike e të marrim gjysmën e pagave të mjekëve e t’ia japim biznesit. Pse duhet ta bëjmë këtë gjë? Kur realiteti tregon diçka tjetër dhe kur e dimë shumë mirë që biznesi i madh, megjithëse ne e kemi rritur taksën, ka rezerva të padeklaruara që të jemi realist. E për sa i përket pastaj aspektit të fuqizimit të kontrollit, ne do ta fuqizojmë kontrollin mbi biznesin, por jo me inspektime e me inspektorë, por përmes revolucionit dixhital e do të jetë një kontroll soft, pa subjektivizma, por efikas.

Tani, miqtë e mi, ne kemi bërë një ligj për sportin dhe kemi dhënë incentiva posaçërisht për futbollin që nuk i ka bërë askush më parë,  por që të na kërkojnë 10 vjet pa taksa futbollistët, kjo nuk funksionon.

Jemi dakord për një periudhë starti pa taksa, për të formalizuar pagat.  E dimë shumë mirë që futbollistët nuk paguhen me minimum jetik. Nuk paguhen me 230 mijë lekë si pastrueset. Ne kërkojmë 300 mijë lekë minimumin edhe për pastrueset, këta deklarojnë nga 230 mijë lekë pagë. Që të mos nisim spekulimet, por marrin shumë më tepër. Marrin mijëra euro dhe ne nuk mund t’iu themi 10 vite nuk keni taksë. Kjo nuk funksionon, në një botë ku Ronaldo dhe Messi përfundojnë nëpër gjykata dhe prokurori për taksat.

Ndërkohë, patjetër një ulje fillestare, patjetër një TVSH siç e kemi kaluar në parlament, 6% për investimet në sport. Mund të shihet taksa e ndikimit në infrastrukturë për infrastrukturën sportive, sepse fusha, stadiumi është infrastrukturë. Ne jemi gati të bëjmë atë që duhet edhe për zinxhirin e fëmijëve. Por, ndërkohë, historia e futbollit me pronarë që duan të shkarkojnë nëpër klube paratë që i detyrohen shtetit si pronarë aktivitetesh të tjera nuk kalon. As historia me biznesmenë të pasur, që kanë veshur fanellën e futbollit dhe mendojnë se mund të luajnë topash me qeverinë, nuk kalon.

Jemi gati për të gjitha, ama ka ardhur koha që edhe mbështetjet e bashkive direkte për klubet profesioniste të kalojnë në mbështetje për sportin, për fëmijët që luajnë futboll. Ka gjëra që mund të bëhen për fëmijët, për akademi, gjithçka që ka të bëjë me fëmijët jemi OK, s’ka problem. Por jo tek pjesa e profesionistëve. Gjërat janë të ndara.

Historitë me modele nga këtej andej është mirë të mos na i tregojnë më, se i tregojnë keq. I kemi parë modelet, e dimë shumë mirë sesi janë zhvilluar në vende të ndryshme, por në sa vjet ka shtet shqiptar, mblidhini të gjitha bashkë dhe për futbollin në radhë të parë nuk është bërë saç është bërë në këto vite. Është shumë e thjeshtë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë për futbollin, por ama ka limit. Dhe habitem sesi nuk e kanë mësuar akoma që gjuha e forcës, e bojkotit dhe shantazhit, me mua nuk funksionon. Nuk e kuptoj dot arsyen, pse këtyre i duhet bojkoti, nëse nuk bëjnë një kalkulim që janë më rehat me bojkot. Mund të jetë dhe kjo. Unë nuk i akuzoj, por nuk e di. Mbase e kanë më rehat me bojkot që i japin futbollistëve një minimum real, nuk kanë shpenzime të tjera dhe ndërkohë bëjnë luftë me qeverinë. Kjo nuk funksionon dhe nuk ka për të funksionuar kurrë. Duan të bojkotojnë, le të bojkotojnë, është e drejta e tyre. Ata janë ent i pavarur nga qeveria. Ata me qeverinë duhet thjesht dhe vetëm të bashkëpunojnë dhe çfarë të marrin është OK. Qeveria nuk ka detyrime ndaj futbollit profesionit. Qeveria ka detyrime ndaj sportit për të gjithë, fëmijëve, basketbollit, volejbollit. Të gjithë sportet të tjera bashkë mund të ngrihen dhe të thonë “po ne”, sepse nuk janë pjesë, as në Itali e jo më këtu, e një industrie fitimprurëse. Futbolli është industri. Nëse këta mendojnë që mund ta mbajnë futbollin në epokën e feudalizmit me ngastra, ku hidhet top e pritet top e nga ana tjetër fshihen lekë, këtë mund ta bëjnë, janë të pavarur. Por jo me ne.

Kështu që e përsëris, çdo gjë që është e mundur, e arsyeshme, e dobishme për vendin dhe për futbollin jemi gati. Por unë nuk shoh arsye, pse duhet që ata të kenë 10 vjet pa taksa? Çfarë bëjnë futbollistët sot, në Shqipëri, më shumë se ju? Ka shumë gjasa që shumë nga ju vrapojnë më shumë se ata. Dhe nga pikëpamja e vrapit i keni parë ndonjëherë kur luajnë. Kështu që, më gjithë respektin për ta, jo!

Një pyetje për Ministrin e Rindërtimit. A mund të flasim me shifra konkrete se sa banesa për familjet janë dorëzuar deri më tani? Pra, sa familje kanë marrë në dorëzim banesat e reja? Po ashtu me shifra dhe për objektet arsimore, sa kanë përfunduar së rindërtuari?

Kryeministri Edi Rama: Asnjë objekt nuk ka përfunduar sepse, nëse do të kishte përfunduar ndonjë objekt, ne do të duhej të merrnim përsipër të gjitha ndërtimet publike në planet për nga shpejtësia e ndërtimit. Nuk ka përfunduar asnjë objekt. Një pjesë e tyre do të përfundojnë në 26 nëntor, një pjesë tjetër do të përfundojnë më tutje. Për banesat mund të thotë ministri.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj: Çfarë ishin shifra, ishin konkrete. Gjithë këto shifra që të dhashë ishin konkrete, jo se kjo do ishte më konkrete. Praktikisht janë 14 shkolla nga Bashkia e Tiranës dhe 37 në 10 bashkitë e tjera që përfundojnë brenda këtij viti. Shtëpitë individuale, ka nisur para një muaji shumica e tyre. Ka patur dorëzime, mund të jenë mbi 30, por ne marrim 31 dhjetorin si faza përfundimtare  e fazës së parë, pra, 5.5 muaj dhe pastaj vazhdon 4-muajshi tjetër për shkak të prokurimit. Por ishin shifra konkrete, jo virtuale, janë tulla, llaç, çati, beton etj..

Kryeministri Edi Rama: Dua ta mbyll këtu me një gjë që është e rëndësishme të theksohet.

Është përhapur një fjalë gjithandej, edhe me ndihmën e  mediave tuaja, që këtu janë rihapur kazinotë, është rihapur bixhozi. Kjo është komplet gënjeshtër.

Nuk ka asnjë rihapje të bixhozit në Shqipëri.

Nuk ka asnjë lëshim dore për të dhënë leje e licenca për kazino.

Është hapur vetëm një procedurë specifike, e cila lidhet me përfundimin e afatit të licencës së të vetmes kazino që ka qenë prej shumë e shumë vitesh në mes të Tiranës dhe duke pritur që cilidoqoftë të ofertojë nëse ka ofertë për të bërë në një zonë të caktuar të definuar. Pra, nuk është ashtu siç është përkthyer, që tek rruga filan do të hapet një kazino e tek rruga tjetër do të hapet një tjetër. Jo, janë vetëm kufijtë e një perimetri, sepse në ligjin ekzistues kemi të drejtën e kazinove vetëm në struktura me 5 yje, ose kazino të veçanta në zona strategjike për zhvillim dhe për turistët. Gjë që nuk e kemi ushtruar masivisht dhe nuk do ta ushtrojmë masivisht.

Nuk ka hapje kazinosh. Në hotele me 5 yje po. Është në ligjin specifik për incentivimin e hoteleve me 5 yje, por hotele me 5 yje me Brand-e, jo hotele të tipit që i ve unë emrin hotelit “Ezali”, Edi, Zaho, Linda dhe i vë 5 yje. I pres vetë, i pikturoj vetë. Ato janë 5 yje të miat, por nuk janë 5 yje Brand-i. Keni parë plot nga këto. Njëri thotë Ezali Palace, tjetri thotë Ezeli Palace. Ata mund t’i bëjnë, por nuk marrin licencë. Licencë për kazino, në rast kërkese marrin vetëm  Brand-et ndërkombëtare, të kuotuara ndërkombëtarisht.

Nuk ka kthim mbrapa në këtë pikë.

Në ndërkohë jemi shumë të shqetësuar për fenomenin e përdorimit të online, siç ndodh në të gjithë vendet, edhe në Kinë, në Turqi, në vende ku është i ndaluar. Për këtë jemi duke menduar se çfarë do të bëjmë. Por nuk bëhet fjalë aktualisht për asgjë të tillë. Është komplet një fake news. Më fake news nuk ka!

Çfarë po ndodh me amnistinë fiskale, mos është tërhequr qeveria?

Kryeministri Edi Rama: Kam dhënë më shumë se një provë që unë edhe tërhiqem kur ka arsye për t’u tërhequr, por këtu nuk ka arsye për t’u tërhequr, ka arsye për të punuar me durim dhe për të bashkëpunuar me të gjithë strukturat ndërkombëtare, për të arritur në një draft, në këtë rast konsensual me ta. Konsensusi 100% për drafte të brendshme nuk është i detyrueshëm. Në këtë rast është i detyrueshëm, deri kur do them jo, por do themi OK, nuk arritëm 100%, por do të shkojmë përpara. Por për momentin jemi duke bashkëpunuar shumë mirë me një sërë strukturash ndërkombëtare. Kështu që kuptohet në këtë rast nuk mund t’i vëmë vetës një afat, të themi një apo dy muaj, sepse varet edhe nga ata. Ata kanë edhe punë të tjera.

Pak muaj më parë keni shprehur idenë tuaj për të legalizuar kanabisin.

Kryeministri Edi Rama: Nuk heq dorë nga ajo ide.

Meqë nuk hiqni dorë, do ta bëni këtë mandat, apo do ta ruani për mandatin e tretë?

Kryeministri Edi Rama: Do ta bëjmë kur të jetë gati.

Keni thënë para pak muajsh që do ta bëjmë në këtë legjislaturë.

Kryeministri Edi Rama: Legjislatura nuk ka mbaruar akoma dhe do të jetë gati, kur të jetë gati dhe njësoj si amnistia fiskale është i lidhur edhe me konsultime dhe me ekspertizë ndërkombëtare. Kështu që mos u nxitoni. Ne këtu jemi dhe këtu më keni të paktën edhe 5 vjet. Pastaj 2025-2029 flasim. ​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.