Rindërtimi dhe impakti në ekonomi

Konferenca e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj me fokus ekonominë: 

 

Kryeministri Edi Rama: mirëdita të gjithëve! Faleminderit!

Sot kishim planifikuar një seancë komunikimi për  shëndetësisë, por, për fat të keq, mbrëmë ministrja humbi babanë dhe seancën për shëndetësinë do ta zhvillojmë javën  e ardhshme, besoj.

E pamë të udhës të fokusohemi tek rindërtimi, për të bërë një përditësim të programit, i cili po ecën me ritme shumë të larta. Natyrisht, për të folur edhe për impaktin e programit në ekonomi dhe në punësim. Programi adreson një problem jashtëzakonisht të mprehtë për mijëra familje, por ndërkohë krijon kushtet për një përfshirje masive të të gjithë kompanive të ndërtimit dhe për një përfshirje në punë të një numri të konsiderueshëm individësh.

Edhe projektbuxheti i vitit 2021 vazhdon të adresojë në mënyrë prioritare pasojat e tërmetit dhe fatkeqësinë tjetër të madhe, goditjen e vendit, të shoqërisë e të njerëzve tanë nga COVID-19.

Për programin e rindërtimit parashihen 28 miliardë lekë në projektbuxhetin e vitit që hyn. Gjithashtu, paralelisht është parashikuar edhe fondi në vazhdim prej 1.5 miliardë lekësh për bonusin e qerasë për familjet që do vijojnë të qëndrojnë në kushte shtëpie, deri në ditën që do të kthehen në apartamentet e reja.

Këtë vit janë 34 miliardë lekë të buxhetit të shtetit, të vendosura në dispozicion të rindërtimit, prej të cilave 32 janë të alokuara plotësisht. Nga këto, deri në fillim të tetorit janë 70 milionë dollarë të derdhura. Bëhet fjalë për shtëpitë për të cilat, një masë, përditë e më e konsiderueshme, banorësh po marrin çelësat. E gjithë pjesa tjetër e shumës është në themelet ose në strukturat e ndërtesave të reja, të shkollave, të qendrave komunitare dhe të infrastrukturës rrugore e nëntokësore të atyre që do të jenë së shpejti lagje të reja, të ngritura plotësisht nga e para në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti.

Qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira, më të forta dhe në shumë raste, edhe më të mëdha se shtëpitë që familjet e goditura nga fatkeqësia humbën. Duke patur parasysh edhe faktin që ne kemi zgjedhur të bëjmë një politikë të mirëfilltë strehimi për të gjitha kurorat që ishin bashkë, në një kulm, në shtëpitë e shembura nga tërmeti, për të cilat do të ndërtohen shtëpi të veçanta dhe po ndërtohen ndërkohën që flasim.

Në Shijak, në Laç, në Durrës dhe në Fushë Krujë kemi tanimë një pamje evidente të një pune që shtrihet shumë përtej një rindërtimi mekanik. Bëhet fjalë për një rindërtim që niset nga bindja se kjo është një krizë që duhet të krijojë një mundësi dhe  kjo krizë po kthehet në një mundësi, jo vetëm për familjet individualisht, por për komunitete të tëra që do të jetojnë në kushte krejtësisht të tjera, me standarde optimale. Mjafton të shikoni zhvillimet në Fushë Krujë, në Laç, në Thumanë apo zhvillimet në zonën e Kavajës, sikundër dhe të Shijakut.

Ndërkohë, me Durrësin, lajmi i mirë është se më në fund kemi përfunduar procesin e hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara. Tanimë jemi gati për firmën përfundimtare, për të cilën thjesht presim edhe pak ditë, sepse në ndërkohë po punojmë ngushtësisht me miqtë tanë në Emiratet e Bashkuara edhe për një marrëveshje të re ndërmjet dy qeverive për investime direkte në vendin tonë,  posaçërisht investime direkte në zonën e prekur, investime direkte që lidhen me aspekte jashtë rindërtimit, kryesisht në funksion të zhvillimit të turizmit.

Në zonat Krujë, Vorë, Thumanë dhe Tiranë janë ndërtuar apo janë në rindërtim 850 shtëpi individuale, si dhe 3 lagje të reja. Ashtu sikundër kemi edhe një lage tjetër të re, më saktë, një bllok të konsiderueshëm pallatesh të reja në Krujë, gjë për të cilën po punohet ende intensivisht me projektin për shkak të terrenit jashtëzakonisht sfidues dhe të nevojës për të pasur një projekt, i cili të jetë një prurje e re, por në respekt të atij qyteti nga pikëpamja arkitekturore, në mënyrë që të sjellë një vlerë të shtuar për qytetin.

Në Shijak kemi 270 banesa individuale që, siç parashikojmë, do të jenë gati në fund të nëntorit me çatitë dhe brenda muajit dhjetor do të përfundojmë të gjitha rifiniturat. Të gjitha familjet do të hyjnë në shtëpi, siç ua kemi premtuar, për  Vitin e Ri.

Ka filluar pjesërisht ndërtimi i 215 banesave individuale në Manze dhe i banesave të para individuale në Durrës. Ndërkohë po përfundon projekti i madh i infrastrukturës për lagjen e re të Durrësit, e cila do të ndërtohet në zonën e Spitallës. Do të jetë një lagje absolutisht me standarde optimale, ashtu sikundër edhe një vlerë e shtuar në atë zonë ku tanimë po merr formë Eco-parku, aty ku deri para pak kohësh gëlonte kanceri i madh i plehrave të Porto Romanos.

Në total janë 13 kantiere banesash individuale dhe 6 kantiere zonash të reja, punimet për të cilat do të përfundojnë 2-3 muajt e ardhshëm, kantier pas kantierit.

Po ashtu, besoj e keni parë që jemi në një proces jashtëzakonisht pozitiv me shkollat. Programi i rindërtimit do të akomodojë rreth 14 mijë fëmijë në shkolla dhe në 26 nëntor do të hapim pjesën e parë të shkollave që janë të financuara drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Një pjesë e rindërtimit të shkollave do të mbulohet nga financimi i Komisionit Europian dhe procesi tani është drejt fundit nga pikëpamja e të gjithë kontratave dhe së shpejti do të jemi në hapjen e themeleve edhe për pjesën tjetër të shkollave.

Brenda këtij viti, ne parashohim të kemi rindërtuar 37 objekte arsimore, për të cilat do të shpenzohen 40 milionë dollarë nga buxheti i shtetit.

Brenda marsit të vitit të ardhshëm, ne besojmë që do të arrijmë në mbi 2500 banesa individuale, edhe këto të financuara drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit me rreth 60 milionë dollarë.

Siç e kemi thënë që në krye të herës, pak më i gjatë është procesi me apartamentet. Janë 16 zona në total, në të cilat do të rindërtohen 4800 apartamente dhe janë një financim prej 160 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit. Janë 1.2 milionë metra katrorë sipërfaqe ku do ndërtohet infrastrukturë, ku përfshihen rrugë, rrjete kanalizimesh, rrjet ujësjellësi, rrjete ndriçimi, trotuare. Të gjitha këto do të jenë gati, besoj, brenda 9 mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Me projektin e shkollave dhe kopshteve jemi në një fazë të avancuar dhe mund të themi se kemi kryer 60% të punëve të parashikuara. Ndërkohë që me infrastrukturën jemi në 30% të punimeve ndërtimore.

Thënë këto, natyrisht mbetet nevoja për t’iu kërkuar të gjitha familjeve pak durim. Kini parasysh dhe të mos e harrojë askush se procesi i rindërtimit ka patur një pengesë të madhe, të krijuar nga karantina e përgjithshme. Natyrisht, procesi i rindërtimit ka edhe një aspekt tjetër që lidhet me donatorët, me të cilët kemi ecur më ngadalë sesa me fondet e buxhetit të shtetit për arsye të procedurave të tyre administrative, të cilat nuk mundet veçse t’i respektojmë deri në fund. E kam shpjeguar disa herë, donatorët nuk japin fonde drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe as nuk ia lenë qeverisë shqiptare të menaxhojë fondet e tyre. Nuk e bëjnë askund në botë, nuk e bëjnë as këtu. Donatorët i menaxhojnë vetë fondet dhe të gjitha proceset me fondet e donatorëve bëhen nga vetë donatorët. Gjëja që ne kemi arritur e që është shumë pozitive dhe për këtë i kam falënderuar shumë herë partnerët tanë, është të disiplinojmë të gjithë procesin, duke standardizuar projektet dhe duke krijuar një sinergji mes nesh dhe gjithë forcave të tjera që do hyjnë në procesin e rindërtimit, në mënyrë që nga pikëpamja urbanistike, arkitekturore, cilësore të kemi një standard bazë të garantuar. Ky standard bazë është standardi optimal i të gjitha vendeve të Bashkimit Europian. Siç e keni parë, shkollat janë njësoj, asnjë ndryshim nga shkollat që frekuentohen nga fëmijët në vende të  Bashkimit Europian, me të gjitha parametrat dhe të gjitha kushtet.

Po kështu do të jenë shtëpitë. Po kështu do të jenë apartamentet. Sfida jonë është  të ndërtojmë apartamente, të cilat të jenë absolutisht niveli më i mirë i ndërtimit në vendin tonë dhe të mos ketë asnjë dallim nga pikëpamja e cilësore mes një apartamenti në mes të bllokut në Tiranë dhe një apartamenti në Spitallë, në Fushë Krujë, tek “5 Maji”, në Kombinat apo në Kavajë.

 

– Zoti Kryeministër, në një prej grafikëve që u shfaqën përsa i përket rindërtimit të shkollave, informacioni që vinte ishte se Bashkia e Tiranës ishte duke rindërtuar 38 shkolla, duke përfshirë dhe shkollën “Sami Frashëri”. Gjatë paradites së sotme, shefja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaron se pronësia e kësaj shkolle është tjetërsuar. Çfarë informacioni keni për ketë çështje?

Kryeministri Edi Rama: Është një betejë e përditshme për të mos lejuar që faktet të bëhen si avujt e rakisë presidenciale. Për fat të keq jetojmë në një kohë, globalisht, ku faktet janë viktimë e rrjeteve sociale, e volumit marramendës të informacionit të paverifikuar, e shpërndarjes së qëllimshme, masivisht, të shpifjeve dhe gënjeshtrave. Për fakt të keq, Monika, Iliri, Saliu janë absolutisht në vendin e duhur e në kohën e duhur, me instrumentet e duhura, që të jep kjo kohë, për t’u lëshuar në një shfrim marramendës, si ky që po e dëshmojnë çdo ditë, në funksion të çoroditjes së njerëzve me shpifje dhe gënjeshtra. Duke patur parasysh faktin që gënjeshtrat janë botërisht të provuara si më të shpejta në arritjen e audiencës dhe më efikas në lënien mbresë tek audienca, sesa të vërtetat, kjo betejë është jashtëzakonisht e vështirë.

Çfarë t’i thuash Monikës?!

Shkolla “Sami Frashëri” po rindërtohet dhe projekti është absolutisht i shkëlqyer falë përfshirjes së një prej arkitektëve më të famshëm italianë sot, Cucinella me studion e tij. Puna aty ka nisur. Dokumentet e pronës janë publikuar përsëri  edhe sot nga kryetari i Bashkisë dhe Monika thotë “shkolla do ndërtohet në Paskuqan”. Domethënë, “kap ça të kapësh”, ta hajë kush ta hajë. Ashtu sikundër vazhdon thotë se shërimin nga COVID duhet ta kërkojë në kisha dhe xhamia dhe jo tek shkenca e tek shëndetësia. Apo insiston që LSI-në nuk e zë virusi. Shpërthimi i kësaj injorance në mjedisin publik përmes zërit të individëve që kanë mandate përfaqësimi si kryetarë partish apo zëdhënës të një komuniteti të caktuar zgjedhësish, është një flamë problematike, në kushtet kur në duhet të ballafaqohemi me ide, me fakte dhe shifra. Ju e keni edhe më të vështirë punën, seç e kanë pasur paraardhësit tuaj, pikërisht sepse vala e intensitetit të gënjeshtrave, sajesave,  fabrikimeve, shpifjeve, akuzave është aq e madhe, sa nuk di ç’të verifikosh më parë.

Shkolla “Sami Frashëri” është aty. Pse nuk shkoni me kamerën tuaj dhe të këqyrni në vend, kush thotë të vërtetën dhe kush gënjen.

Është vërtetë për të ardhur keq, COVID-i është shumë serioz për të bërë humor, por, realisht, kur Monika thotë që LSI-në nuk e zë COVID-i, ofron një tjetër mirësi nga mirësitë e LSI-së që ofronte patenta për leje drejtimi të makinave për persona nën moshën e lejuar nga ligji, në formën e mirësive në këmbim të votës; apo ofronte vende pune për infermierë që nuk kishin bërë shkollën dhe ngatërronin gjilpërën me gozhdën; apo ofronte vende pune për mësues që nuk kishin diplomë; apo ofronte diploma. LSI-ja ka furnizuar me diploma false një dynja të tërë me të rinj në këmbim të pjesëmarrjeve në ato tallavatë me tiganë ku hidhen përpjetë karkaleca dhe ofrohet një e ardhme e ndritur për çdo djalë dhe vajzë që i bashkohet kësaj force. Tani ofron bashkimin me LSI-në për të mos u prekur nga COVID-i, duke lënë të kuptohet që virusi e ka frikë LSI-në. Edhe virusi i druhet LSI-së kur i afrohet, kjo është ideja. Luli nuk e ka kuptuar akoma.

– Zoti kryeministër, unë kisha një pyetje përsa i përket situatës së pandemisë në vend. Marr në konsideratë së ditët e fundit ka patur rritje  të numrit të infektuarve dhe jetëve të humbura. A ka menduar qeveria, a po mendoni ju një mbyllje të pjesshme për të parandaluar përhapjen e pandemisë?

Kryeministri Edi Rama: Asgjë nuk është jashtë parashikimeve. Rritja e numrave ishte e parashikuar. Ne kemi një strategji të vjeshtë-dimër që është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Ministrja Manastirliu ka folur pa pushim çdo ditë për rrezikun e madh të valës së dytë si rezultat i relaksimit dhe i marrjes lehtë të kësaj përballjeje, pasi u kalua një fazë e ndërmjetme ku gjërat u dukën sikur po shkonin drejt një normaliteti, që nuk ishte e vërtetë dhe e kemi thënë në mënyrë të përsëritur që nuk është e vërtetë. Ajo që dua t’iu them me bindje është se po bëjmë gjithçka dhe askush tjetër askund nuk po bën asgjë më shumë.

Më lejoni t’iu them që është fatkeqësi e madhe, është pjesë e fatkeqësisë për të cilën fola pak më parë, që një parti që pretendon se do bëhet shumicë, siç ka pretenduar prej shumë vitesh dhe pretendimi ka rezultuar i tepruar dhe që do qeverisë vendin pas 25 qershorit, sikundër u lajmërua dje nga kryetari i Partisë Demokratike në atë dilemën e tij mes shifrave dhe që përsërit çdo ditë që spitalet janë në kolaps, përsërit çdo ditë që në Shqipëri nuk po bëhen teste, përsërit çdo ditë që duhet bërë kjo e ajo, a thua se është i autorizuar nga ndonjë mandat eksperti, është shumë e dëmshme. Sepse spitalet janë larg së qeni në kolaps. Vetëm para dy ditësh është hapur COVID 3m, ku bëhet transferimi i pacientëve që janë pak më lehtë, pasi qëndrojnë në dy spitalet bazë. COVID 4 është gati dhe pret, në rast se do të jetë nevoja që të hyjë në sistem në funksion të kujdesit për ata që kanë nevojë të shtrohen.

Ndërkohë dua t’ju informoj që kam patur një bisedë të gjatë, shteruese, me ekspertët e Komitetit Teknik dhe është e nevojshme të mësohet se ne nuk i numërojmë testet që bëhen në privat, përveçse pozitivet, pra, në rastet e pozitivitetit të testeve që përfshihet në statistikat e përditësuara, por numri i testeve i përgjithshëm, i cili i jepet publikut, është vetëm ai i testeve të bëra në institucionet publike dhe ne nuk kemi teste të shpejta, jo sepse nuk i gjenim dot, por sepse është parë e arsyeshme nga ekspertët që të testohet vetëm me PCR. Testet e shpejta do hyjnë së shpejti në proces, por kini parasysh se kur flasim për vende të tjera, një pjesë e madhe e numrit të testeve të deklaruara, janë teste të shpejta. Janë çështje ekspertësh dhe këtu nuk është fare fjala për t’u justifikuar se nuk kam çfarë të justifikoj asgjë. Unë thjeshtë e kam thënë dhe përsëritur që bëj atë që sugjerojnë ekspertët e Komitetit Teknik dhe kam besim absolut tek ata njerëz. I kam parë, i kam dëgjuar dhe kam mundur të shoh që vazhdimisht fjala e tyre ka dalë.

Ama nëse dikush do t’i japi përgjigje pyetjes që, përderisa Lulzim Basha paska gjetur formulën që ta frenojë infeksionin, duke i çuar testet nga X në Y, si ka mundësi që këtë formulë nuk e kanë gjetur as Gjermania, as Franca, as vende të tjera që kanë bërë numra të mëdha testesh? Pse nuk e ka frenuar numrin marramendës i testeve që janë bërë në Francë, rritjen e infeksionit?

Sepse nuk ka lidhje fare. Në këtë luftë, ne e shikojmë, ju e shikoni, të gjithë e shohin që nuk ka gjëra të shkruara në gurë. Ekspertët më të mëdhenj dhe më të famshëm, para X kohe thonin “maska nuk bën punë”, pastaj filluan të thonë “në mjedise të mbyllura”, pastaj thanë edhe “jashtë”. Pra, evolon qasja edhe e atyre që janë të padiskutueshëm në profesionalizmin, eksperiencën dhe fjalën e tyre.

Na del këtu një çift, njëra thotë “shkoni në kisha e xhamia”, tjetri thotë “unë e frenoj infeksionin, mjafton të bëni këtë” dhe ky quhet op-ozita e bashkuar që kërkon të marrë pushtetin dhe vihemi rëndom si shoqëri në pozitën e një 100 të mençurve që i gjëmojnë gurit të budallait. Çdo ditë, budallai hedh një gur në lumë dhe turren të gjithë të gjejnë gurin. Një rënie e nivelit, aty ku nuk thuhet. Mohime sy për sy të fakteve, refuzime sy më sy për të konsideruar realitetin dhe një paaftësi dhe papërgjegjshmëri që ka marrë proporcione që do shkojnë duke u zmadhuar, me simptoma që të bëjnë të mendosh që këta duhen çuar për shpifje apo për kurim.

Unë nuk e di si flitet me këta njerëz dhe nuk kuptoj çfarë dëgjon, shikon dhe beson akoma ajo pakicë që i ndjek nga mbrapa këta sharlatanë, ose këta individë të sharlatanizuar në atë farë feje që tregon mungesën më të madhe të respektit për njerëzit, për shoqërinë, për çdo normë të edukatës dhe një ftesë e vazhdueshme për sherr, për llum dhe degradim.

Është dëshpërim i madh, unë e kuptoj. Siç i shohim ne sondazhet, i shohin dhe ata. Siç e dimë ne se çfarë ndodh në terren, e dinë dhe ata. Por si mund të shkohet deri këtu? Si mund të arrihet deri në simptomat që po shfaq Ilir Meta? Se të kërkosh më shumë nga Monika është gjithmonë ambicie që mund të rezultojë e tepërt. Po Ilir Meta, Presidenti i Republikës me një gjuhë  që nuk e di si mund të shkojë kjo punë me ardhjen e dimrit dhe afrimin akoma më shumë të 25 qershorit të Lulit?

– Zoti kryeministër, tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, i pandodhur më parë në ato përmasa, nxori në pah problematika logjistike që në fakt nuk u vunë re tek grup shpëtimet nga Serbia, Greqia apo Kosova. Në harkun kohor të një viti, çfarë është përmirësuar në këtë aspekt?

– Së dyti, nëse më lejoni, a keni ju një të parapëlqyer në garën presidenciale mes Joe Biden dhe Donald Trump?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi bërë një proces reformimi të Agjencisë së Emergjencave Civile dhe është një reformim që ka nisur kohë më parë. Tanimë kemi një agjenci absolutisht ndryshe dhe që është e mirëpajisur, e mirëtrajnuar dhe trajnohet në mënyrë të vazhdueshme dhe një nga kontributet e këtij procesi, siç e përmendi dhe ministri, është kontributi i qeverisë italiane për të financuar dhe për të bashkëpunuar me Emergjencat tona Civile në afat të gjatë dhe në mënyrë të qëndrueshme. Emergjencat Civile italiane janë nga më të shquarat e Europës dhe kanë një ekspertizë fantastike. Është fat dhe nder që jemi në bashkëpunim të ngushtë me ta. Nga pikëpamja e përgatitjes, e logjistikës dhe e të gjitha aspekteve që e bëjnë një agjenci të emergjencave civile një agjenci serioze, besoj se jemi në nivelin e shumë vendeve dhe besoj që jemi në të njëjtin nivel të vendeve të rajonit sot që flasim.

Nëse më pyesin për preferencën midis Lulzim Bashës dhe Monikës, mund t’jua them pa asnjë hezitim që më pëlqen Lulzim Basha. Por tani më çoni në Amerikë e më kërkoni parapëlqimin për dy njerëz që i kam edhe miq të dy, kjo nuk shkon. Se mes Lulit dhe Monikës dihet që kam mik Lulin dhe jam në konflikt interesi.

– Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, por edhe Presidenti Ilir Meta janë parë jo pak herë në publik pa maskë, me një numër të konsiderueshëm njerëzish. A mendoni që duhen marrë masa ndaj këtyre njerëzve, të cilët duhet të jenë shembull në kushtet kur për qytetarët nuk ka tolerancë?

– Një pyetje edhe për ministrin Ahmetaj. Kryeministri Rama tha që 2500 banesa individuale do të jenë gati brenda marsit të vitit tjetër. Po brenda këtij viti, sa qytetarë do t’i kenë gati banesat e tyre?

Kryeministri Edi Rama: Besoj që lali Eri e ka korrigjuar gabimin, sepse duke qenë se kaloi COVID, harroi se maska duhet mbajtur aq më tepër nga dikush që është përfaqësues i institucioneve. Ndërkohë që për dy të tjerët, natyrisht që duhen të marrin masa, por nuk jam unë që i marr këto masa. Janë institucionet që kanë detyrimin të marrin masa. Është skandaloze në të gjitha aspektet. Kur thotë populli jam pa fjalë, është tamam të jesh pa fjalë. Një president republike që predikon katastrofën, një kryetar opozite që i ka varur shpresat tek përhapja sa më shumë e infeksionit dhe pret që COVID-i të bëjë atë që ai nuk bën dot, pret që COVID-i të bëjë atë që opozita nuk bën dot, që të shkatërrojë qeverinë, duke shkatërruar nervat e popullit.

Një tjetër që është në mes Presidentit dhe Kryetarit të Opozitës si aleate thotë “shkoni nëpër kisha e xhamia, unë nuk mbaj maskë”, “LSI-së nuk i afrohet virusi se e ka frikë”, “hajdeni me LSI-në që mos keni nevojë të prisni për vaksinën”. Gjëra që i përkasin një niveli që është kiamet i madh. Këto lloj qasjesh t’i vësh në një estradë, më duket ekzagjerim i madh dhe për vetë estradën.

Të mendosh që këta janë njerëz pretendojnë të marrin  në dorë fatet e këtij vendi, pretendojnë të drejtojnë këtë vend, pretendojnë të marrin përsipër financat. Imagjinoni për një moment Lulzim Bashën kryeministër, me Monikën ministre të Financave, Ilir Metën, ministër të Brendshëm. Dihet që kjo lloj qeverie, që nuk do të vijë për fat të mirë ndonjëherë, është në fakt qeveria e çiftit presidencial dhe Luli është thjesht dhëndri. Një dhëndër që e nxjerrin përpara këta 3 të tjerët, Saliu, Iliri dhe Monika dhe thonë merreni se është goxha djalë. Është e vërtetë, është goxha djalë, por kur e sheh se kë ka mbrapa, o duhet shpëtuar nga ata të tre, ose duhet lënë që ta hanë ata të tre. Se në fund, ata do ta hanë. Do i thonë ne të mbajtën për të shitur, po ti nuk qenke i bleshëm.

Kiamet i madh është të marrësh pyetje të tilla dhe të japësh përgjigje të tilla, por as ju nuk keni faj, unë kam pak më shumë faj, por jo aq shumë faj. Kështu që duhet të flasim dhe për këta individë të dalë nga binarët komplet, që na shfaqen çdo ditë në formën e alternativës. Çfarë do bëjmë, taksirati juaj, taksirati im. Do ta përballojmë dhe këtë.

Ministri Arben Ahemtaj: Një sqarim për pyetjen përsa i përket agjencisë së emergjencave. Ashtu siç iu referua dhe Kryeministri, me kërkesë të dy kryeministrave, të Italisë dhe të Shqipërisë, praktikisht Italia do të jetë donatori lider, sepse ka disa donatorë përsa i përket agjencisë, me shtylla të ndryshme financiare dhe trajnim. Italia do të financojë nëpërmjet kredisë 30 milionë euro, plus 1 milionë grant për ndërtesën e përkohshme deri kur Agjencia të ketë ndërtesën finale. Pastaj kemi Izraelin, kemi disa donatorë të tjerë dhe Kombet e Bashkuara që vazhdon ndërkohë që flasim.

Përsa i përket pyetjes që bëtë për banesat individuale, të garantuara janë në fund të nëntorit, 270 banesa individuale vetëm në bashkinë Shijak dhe në dhjetor 400, ndërkohë që do të kemi një pjesë të banesave individuale në Fushë-Krujë të mbaruar deri në dhjetor. Gjithsesi unë po numëroj ato që në proces janë të verifikuara e të verifikueshme që mbarojnë brenda afatit që i referohem. Në Tiranë do të kemi 357 banesa të garantuara, që do të kenë mbaruar brenda 31 dhjetorit. Pjesa tjetër është janar, shkurt, mars, edhe për shkak të procesimit të lotëve në procedurën e prokurimit.

– Zoti Kryeministër, pak më përpara në Kryeministri ishte këshilltari i Presidentit për Sigurinë Kombëtare, Zoti Bahri Shaqiri. Ishte një takim që lidhet me ndonjë vigjilencë në rritje, institucionale apo ndërinstitucionale, pas ngjarjeve terroriste në Vjenë, apo për diçka tjetër që ju lidh ju dhe Ilir Metën? A mund të na shpjegoni arsyen pse Zoti Bahri Shaqiri ishte në Kryeministri pak më përpara?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam roje i Kryeministrisë? Unë isha në Pezë,  nga Peza erdha këtu, tani jam me ju

– Por nuk besoj se është një takim aksidental që këshilltari i Presidentit të jetë në Kryeministri, kur marrëdhëniet mes jush nuk janë si avujt e rakisë që ju përmendni.

Kryeministri Edi Rama: Nuk është një vizitë që ka të bëjë me mua dhe me zyrën time. Mund të ketë ardhur për punë të tjera, normalisht ka dhe marrëdhënie institucionale që vazhdojnë në nivelet e administratës. Unë habitem me këtë pyetje, nuk ka lidhje fare.

– Kam disa pyetje për ministrin Ahmetaj, në bazë të të dhënave që publikoi. E para lidhet me paratë e donatorëve. Ju u shprehët se janë 538 milionë euro grante, kredi dhe 11 marrëveshje në proces. Totali nga 1.15 miliardë që u premtuan në shkurt? Pse është kjo vonesë e këtyre fondeve, pasi pak më shumë se gjysma e parave që u premtuan dhe nuk kanë ardhur ende?

Një pyetje tjetër që lidhet me projektet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, konkretisht për projektet S, D, E dhe F që janë 6 bashki. Në çfarë faze janë këto? Janë ende në fazë prokurimi apo ka nisur ndërtimi në këto bashki?

Për bashkinë e Tiranës, ju u shprehët se 3 objekte arsimore janë në proces ndërtimi nga 38 në total. Pse është kjo vonesë në bashkinë ku është përqendrimi më i madh i popullsisë, çka praktikisht mund të përkthehet edhe përqendrimi më i madh i nxënësve?

Ministri Arben Ahmetaj: Do ta ftoja teknikën që të kthehej tek harta e donatorëve, tek procesi me donatorët. Janë grante 277 milionë euro, po ta shikoni janë 260 milionë euro të miratuara marrëveshjet dhe jemi duke iu referuar granteve. Siç e shikoni, grantet janë në nivelin gati 100% të miratuara, ose në proces përfundimtar. Pjesa e kredive varet nga shpejtësia, nga nevoja dhe nga kapaciteti fiskal që ka Republika e Shqipërisë. Po ta shikoni, 250 milionë euro janë në proces, të cilat mos kujtoni se do t’i kemi nesër. Unë ju marr shembull BEI-n, ne po e fillojmë këto dy muajt e fundit dhe të jeni të bindur se për buxhetin e 2022 do të jenë gati. Ndërsa grantet, ato që nuk kanë kosto, janë një dhuratë për popullin shqiptar, po ta shikoni këtu, janë të ezauruara në procedurë dhe në proces përfundimtar. Kreditë, e theksoj, kurrë nuk vijnë menjëherë. Në krahasim me rajonin, po të doni ta krahasoni, ne grantet i kemi marrë në kohë rekord, Serbia në kohën e fatkeqësisë para disa vitesh arriti deri diku në 36%  të totalit. Ne jemi gati tek gjysma brenda 9 muajve. Sepse është shkurti, nuk është 26 nëntori. Grantet janë të ezauruara, kurse kapaciteti fiskal, aq sa do na lejojë, do tërheqim. Përshembull, kredia me Bankën Islamike që është 360 milionë, ne po diskutojmë për financimin për ringritje për akset që ata kanë rënë dakord të financojnë në vazhdimësi. Me lejen e Kryeministrit, është segmenti i Qukës – Qafë Plloçë, i projektuar me këmbë dhe jo me duar e me kokë, që kërkon edhe 107 milionë dollarë plus për shkak se nuk përputhem akset e rrugës dhe Banka Islamike, së bashku me disa fonde të financave arabe janë gati për ta financuar, që janë pjesë e rimëkëmbjes.

Ndërsa për banesat individuale, për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, paketa A dhe B ka mbaruar dhe janë në terren. Paketat e tjera, përveç Kamzës, ka përfunduar procesi i prokurimit me fitues dhe janë rishtazi në terren, përveç Kamzës që e kemi për ta rihedhur shumë shpejt. Ndërsa në Tiranë janë me lote, janë të detajuara dhe me njësi administrative. Ka filluar ndërtimi 357, në proces janë pjesa tjetër. Edhe Tirana i hedh me lote.

Përsa i përket shkollave, Bashkia e Tiranës ka ecur me shumë shpejtësi me të gjithë procesin. Përsa i përket shkollave, ata zgjodhën një procedurë ndryshe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ata i bënë projektet vetë, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit zgjodhi një variant më të shpejtë, me çelësa në dorë dhe me projekt-ide, e njohur shumë shpesh në investimet publike. Megjithatë, edhe Tirana tani është në fazën përfundimtare, të gjitha shkollat janë prokuruar, janë në proces ndërtimi i kantierit. Një informacion që iu referua dhe Kryeministrit, përsa i përket shkollave që ndërtohen nga donatorët, loti i parë prej 5 shkollash sapo ka filluar këto 2-3 ditë hedhjen e themeleve me Kombet e Bashkuara.

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di si mund të flitet për vonesë në këtë proces, por hiq Turqinë që ka një eksperiencë gjigande me tërmetet dhe që ka struktura super të gatshme  për t’u hedhur menjëherë në punë dhe një kuadër ligjor absolutisht unik për këtë punë, kërkoni kudo ku ka rënë tërmet në këtë kontinent dhe më gjeni një vend që ka bërë më shpejt se kaq. Nuk po ju them Italinë, ku burokracia është e mirënjohur për vonesat, por ku ka edhe problematika që lidhen me objekte të trashëgimisë kulturore botërore dhe ku vonesat janë edhe me 10 e 15 vjet, por më gjeni një vend.

Shpejtësia e këtij procesi është absolutisht maksimale, nuk ka më shpejt se kaq. Nuk ekziston për 1001 arsye dhe përfshi brenda edhe pjesën që na u bllokua për shkak të karantinës së përgjithshme. Kështu që nuk ka asnjë dyshim që ne po ecim me një shpejtësi maksimale dhe keni parasysh krahasimin me donatorët, me Komisionin Europian. Ne po i mbarojmë shkollat me buxhetin e shtetit, Komisioni Europian tani do t’i fillojë, sepse kanë procedura. Projektet nuk fillojnë kur shikoni ekskavatorët. Projektet fillojnë kur konceptohen, kur hidhen në letër e pastaj kur bëhen të gjitha verifikimet në terren, çështje pronësie, çështje gjeologjike. Në Laç dhe në Thumanë kemi ndryshuar projektin për shkak të gjeologjisë. Thumana ishte e pandërtueshme, nëse ne nuk do të kishim vendosur shtresa ekstra për të garantuar konsolidimin e tokës. Në Laç, kompania turke që po punon u përball me një sasi uji që duhej marrë parasysh dhe ka ndryshuar projektin, kanë shtuar elementë në projekt që nuk ishin. Është pilotuar e gjithë zona e Laçit, me pilot, është lidhur gjithë kuartava për të konsoliduar tokën. Kështu që nuk e di për çfarë flasim.

Ndërkohë që ne kemi arritur një sukses, që do të jetë i vështirë të përsëritet në Bruksel, në Konferencën e Donatorëve dhe ato fonde që ju numëroni janë disponibilitet financiar që shkon përtej nevojave imediate dhe ne kemi garantuar thithjen e të gjitha granteve. Për pjesën e kredive ecim hap pas hapi, duke pasur parasysh nevojat tona dhe ne nuk kemi lënë asnjë nevojë zbuluar. Sa për vonesën e tyre, merrni Serbinë që pati përmbytjen e madhe. Pati një konferencë donatorësh, nuk e di se sa vite u bënë dhe shiko sot që flasim, sa përqind e atyre fondeve janë realizuar.

Ne, sot jemi në optimum dhe e them me shumë krenari sepse kemi bërë një punë stërmunduese, për të bashkuar bashkë të gjithë elementët e për të mos lejuar që të kemi çkoordinim në këtë proces. Ne jemi në një tryezë me të gjithë, edhe me donatorët ndërkombëtarë dhe me donatorët shqiptarë, edhe me projektuesit, edhe me grupet e verifikimit. Është një punë kolosale. Vetëm të llogarisësh sa shumë riverifikime që janë dashur të bëhen për shkak të ankesave të njerëzve, herë legjitime, herë jo legjitime. Të llogarisësh letrat e pronës, sepse dikujt i është shembur shtëpia në një tokë që nuk e ka me letra. Një tokë që nuk është me letra është një burim potencial konflikti. Atëherë është dashur të shkohet të qërohet oriz dhe edhe sot që flasim vazhdojnë bëhen riverifikime. Sot që flasim janë disa bashki që janë bërë si call center, duke marrë në telefon përditë njerëz që nuk janë në Shqipëri e nuk përgjigjen. Për arsyet e tyre, nuk është se po i fajësoj, por faktikisht janë shtëpitë e tyre që duhen rindërtuar dhe këta njerëz janë jashtë shtetit. Nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë në kohën e duhur dhe tani me telefon duke i ndjekur nga mbrapa. Unë marr raport telefonatash me njerëz që nuk dihet se ku janë dhe janë një numër jo i madh, por janë një numër njerëzish, familjesh. Kështu që procesi është top.

Shkollat që po ndërtohen janë super, janë realitete komplet të paimagjinueshme në ato zona ku u shembën ato shkolla që ishin të dobëta e që nuk i reziston dot goditjes.

Problemi i vetëm që kemi është durimi i njerëzve që do të hyjnë në apartamente. Nuk po bëjmë fjalë për të ndërtuar pallate strehimi social, si ato pallatet që ndërtonin këta. Nuk po bëjmë kafaz pëllumbash për të futur LSI-në. Po ndërtojmë lagje me standarde europiane. Apartamente që do t’i marrin falas dhe që do ta kenë vlerën si të ishin apartamente në një zonë brenda Tiranës, pra, tek “5 Maji” do të rritet vlera e gjithë pasurisë atje dhe ata që humbën shtëpitë do të kenë një apartament që do të jetë dyfish, trefish apo katërfish më me vlerë sesa ai që humbën. Sepse do të jetë cilësor dhe jo vetëm cilësor apartamenti, por do të ketë brenda lagjes të gjitha shërbimet, si në asnjë lagje tjetër, për shkak se në lagjet e tjera janë ndërtuar shtesa, zgjatime, është ndërtuar afër oborrit apo është ngrënë oborri i shkollës. Aty do të jenë kuadrat. Në Gjermani që është superfuqi, një vepër publike merr dhjetë vjet. Kuptohet, nga momenti që përcaktohet që do fillojë kjo punë deri në momentin kur mbaron është mesatarisht 10 vjet. Këtu, sikur po ndërtojmë shtëpi pa leje në një zonë informale, me ato tullat gri, shto ujë e shto miell.

– Për pak ditë do të bëhen 1 vit nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit, a mund të më jepni një shifër se sa familje vazhdojnë ende të jetojnë në çadra?

– Kur qeveria dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve mori vendimin për të njoftuar tre ditë para fillimit të vitit akademik se mësimi do të zhvillohet online, a keni menduar për të gjithë ata studentë që kanë paguar qeratë dhe konviktet dhe ishin përgatitur që mësimi të zhvillohej fizikisht?

– Holanda ka paralajmëruar disa ditë më parë se Shqipëria nuk është ende gati për t’u ulur në tryezën e parë ndërqeveritare, duke kërkuar dialog politik gjithashtu dhe formimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një kohë kur për Maqedoninë e Veriut jepet drita jeshile dhe nuk ka rezerva ndaj Shkupit, a vazhdoni ju të mendoni se kjo sjellje e Holandës lidhet me punët e brendshme të saj dhe me zgjedhjet që do zhvillohen atje?

Kryeministri Edi Rama: Me çfarë lidhet tjetër, përveçse me punët e brendshme të saj? Se unë nuk mund ta pranoj dot që Holanda është më e vëmendshme ndaj standardeve sesa Suedia, Finlanda, Gjermania, Franca e të gjithë me radhë. Këtë nuk e pranoj dot.

– Nëse do të lidhej me çështjet e brendshme, atëherë dhe për Maqedoninë e Veriut do të jepnin një bllokim. Nuk do të thonin që meriton dritën jeshile.

Kryeministri Edi Rama: Jo, është pak më e komplikuar se kaq, por këtë nuk mund ta komentoj publikisht. Është pak më e komplikuar se kaq.

– Shifrën për banorët që janë në çadra?

Ministri Arben Ahmetaj: 1324 familje. Po ta mbani mend disa muaj më parë ishin nga 10 mijë dhe kanë zbritur, pra, 1324. Ndërkohë që për ta parë më mirë, bonusi i qerase vazhdon. Janë 13 mijë e 356 familje që marrin bonus qeraje me një vlerë vetëm këtë vit 23 milionë dollarë.

Kryeministri Edi Rama: Duhet të jemi shumë të qartë që në qëndrimin e Holandës influencon situata e brendshme në mënyre shumë të qartë, përveçse Holanda tradicionalisht ka pasur gjithmonë pozicionet më skeptike në raport me vendet që janë afruar. Ama, merrni shtypin holandez, meqë jeni gazetarë dhe jemi të interesuar për Holandën. Shikojeni shtypin holandez, prej sa kohësh shqiptarët përdoren si “gogol” në Holandë. Shikoni artikujt që flitet për banda shqiptarësh të shpartalluara dhe pastaj kur lexon përbërjen e bandës, janë dy shqiptarë dhe janë 12 të tjerë që janë nga holandez, tek belg, maroken, polak etj.. Është politike, është elektorale. Holanda ka zgjedhje në mars të vitit të ardhshëm dhe bëni dhe një studim tjetër. Shikoni kalendarin e zgjedhjeve në Bashkimin Europian, vend për vend dhe shikoni qëndrimin e vendeve në raport me zgjerimin. Do shikoni që nuk janë pa lidhje njëra me tjetrën temperaturat e organizmit të vendeve të caktuara, kur vjen puna tek zgjerimi, në raport me kalendarin e zgjedhjeve. Por thënë të gjitha këto, unë mendoj që duhet të presim deri në fund e nuk duhet të biem pre e këtyre lloj lajmeve, që janë shumë të pjesshme e që janë ende të parakohshme për të nxjerrë konkluzione. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me autoritetet holandeze, unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me Kryeministrin e Holandës. Por kjo nuk është çështje e autoriteteve dhe kryeministrit, kjo është çështje e situatës së brendshme atje që ka, për fat të keq, një komponent shumë negativ, të stimuluar, të instrumentalizuar, mbi shqiptarët. Është e thjeshtë fare. Para shumë kohësh tanimë, kur do hynin bullgarët, ishin bullgarët, kur do hynin rumunët, ishin rumunët. Mos harroni që në Europë, kur bullgarët donin të bënin këtë që duam të bëjmë ne, kishte vende ku thuhej “këta janë ata që donin të vrisnin Papën”. Për rumunët thonin “këta hanë lejlekë, do na hanë lejlekët kur të vijnë në BE”. Sepse u kap një rumun duke ngrënë lejlek. Në një vend që ruante, e kishte marrë lejlekun, e kishte pjekur, kishe thirrur dhe shokët për festë dhe doli që këta erdhën në BE të hanin lejlekë.

Përsa i përket çështjes së studentëve, kjo situatë është situatë lufte, nuk është situatë ku mund të planifikosh në afat të gjatë dhe këto masa nuk vijnë si rezultat i dëshirës apo i improvizimit. Këto masa vijnë si rezultat i studimit përditë të kurbës së numrave dhe në të gjithë vendet rreth e rrotull, sot  që flasim mësimi bëhet online. Ne nuk kemi ndaluar mësimin, ne kemi thënë që mësimi do bëhet në distancë për shkak se është tanimë e qartë që në këtë valë të dytë, të rinjtë luajnë një rol shumë të madh negativ në transmetimin e infeksionit, për shkak se shumica e tyre janë asimptomatik, nuk e dinë fare që e kanë dhe për shkak se nuk janë të prirur të respektojnë me rigorozitet rregullat dhe marrin në qafë pastaj, largqoftë, të gjithë njerëzit më vulnerabël në familje.

Ne nuk e kemi ndaluar mësimin, ne kemi thënë do bëhet online. Natyrisht që tarifat e paguara për konviktet do të mbahen për muajt e tjerë, nëse ata do të vijnë në konvikt, ose do t’u kthehen një për një. Nuk do u thuhet ju nuk erdhët dhe ne po e mbajmë, se nuk është hotel privat.

Ama ajo që është e sigurt, që ne nuk po bëjmë asgjë të veçantë dhe befasuese nga ç’po bëjnë të tjerët. Kjo është histori ku të gjithë punojnë duke hedhur nga një hap. Askush nuk bën dot plane të gjata. Shikoni çfarë i ndodhi Francës. U bë çdo përpjekje që bëhet, për të shmangur këtë që ndodhi. Çdo përpjekje deri në sekondën e fundit. 24 orë përpara se të ndodhte është bërë një debat i madh i brendshëm, me të gjithë analizën përkatëse, a duhet bërë a s’duhet bërë dhe të nesërmen u mbyll, mbaroi. Shikoni Gjermaninë, e cila është kampione në çdo aspekt, kur vjen fjala për situata të tilla. Është vendi që po e menaxhon në mënyrë spektakolare nga pikëpamja e respektit të njerëzve në radhë të parë për shkencën. Aty ka opozitë, aty ka diskutim, por nuk ka dalë akoma asnjeri të thotë “shkojmë nëpër xhamia dhe kisha ta zgjidhim këtë problem” dhe prapë, edhe Gjermania u ndesh me faktin e kryer, që duhej të mbyllej. E në një kohë që për gjermanët dhe për Gjermaninë është shumë e shkurtër nga momenti i marrjes së vendimit tek zbatimi i vendimit.

Kjo është një situatë që ne do ta përballojmë patjetër, me gjithë pengesat artificiale që krijon katërshja serioze. Por gjëja kryesore që unë dua të përsëris është që me çdo çmim duhet të shmangim mbylljen. Mbylljen e përgjithshme apo qoftë mbylljen e pjesshme të një zone dhe çmimi nuk është aspak i lartë, por është një çmim i pranueshëm dhe i pagueshëm; të vëmë maskën.  Sepse shoh një pjesë që e kanë bërë maskën si shall, fular. Të vëmë maskën, të ruajmë distancat sa të mundemi dhe të evitojmë sa të mundemi vendet ku ka njerëz, sepse duket sikur nuk ndodh, por aty ndodh, kur mblidhesh nëpër klube, kur mblidhesh në vende të mbyllura me ajër të kondicionuar, aq më tepër kur kërcet dhe ndonjë muzikë si papritur e fillon ngrihet zëri, hidhen më me guxim ato spërklat e famshme dhe ja ku e more. Ti nuk e ndjen fare, shkon në shtëpi dhe ia lë peshqesh prindërve, gjyshërve apo një vëllai a motre, që mund të jenë me probleme shëndetësore dhe pastaj gjen belanë.

Nuk është një çmim i pamundur ky, për të qenë serioz secili, në raport  me këto gjëra të vogla, shumë të vogla. E përsëris dhe e përsëris, tmerr e kam kur duhet ta vë sa dal nga shtëpia, por nuk ka rrugë tjetër për të mbrojtur njerëzit.

– Ju ndoqa sot në Pezë. Në fakt, këtë vit, kryetari i bashkisë ka qenë disa herë në Pezë, por gjithmonë destinacioni është i njëjtë. Shkoni deri në dalje të Pezës, tek serat, aty ku ishit dhe sot, por po të vazhdosh edhe dy kilometra më lart, infrastruktura është skandaloze. Në fshatin Pojan janë të paktën 5 familje që jetojnë në çadra, të cilat i kam kontaktuar personalisht dhe nuk ka patur verifikime për ta, nuk figurojnë gjëkundi. A ju kanë njoftuar për këto familje, Zoti Kryeministër dhe a do të merret shteti, për të verifikuar të gjitha familjet që banojnë ende në çadra dhe bëhet fjalë për familje që jetojnë jashtë që prej tërmetit të 21 shtatorit të viti të kaluar, jo prej 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë kontribut të çmuar, seriozisht. Të gjithë duhet të ndihmojnë në këtë proces. Natyrisht ka raste, nuk janë 5, janë më shumë se 5 dhe hynë tek ato, të cilat ministri i prezantoi këtu si raste që po verifikohen sot që flasim dhe që lidhen kryesisht me familje që nuk kanë ndjekur rrugën që ju është kërkuar, për të bërë aplikimet dhe për të sjellë dokumentet etj..

Por dua t’u them shumë prej atyre që bëjnë këto komente, “1 kilometër më tej, infrastruktura është e tmerrshme”, se padiskutim që ka plot, jo vetëm ajo që keni parë ju. Mund t’ju them që kam parë unë më shumë për shkak të detyrës. Kam bërë një llogari shumë të thjeshtë dhe besoj se mund ta them pa frikë se si kryeministër kam bërë më shumë kilometra, sesa të gjithë kryeministrat e Shqipërisë që nga viti 1912. E kam të kalkuluar, nuk e kam muhabet. E kam bredhur Shqipërinë cep më cep shumë herë dhe po të llogarisësh edhe cep më cep si kryetar i opozitës, ju siguroj se e njoh Shqipërinë më mirë se të gjithë,  për shkak të detyrës, jo se jam më i zoti. Di çdo cep të këtij vendi dhe patjetër ka shumë rrugë rurale që janë në gjendje të keqe. Por mos më kërkoni as drejtpërdrejtë, as me ironi llogaritë e 50 vjetëve, e 100 vjetëve apo të 30 vjetëve. Mos harroni që 7 vjet më parë kur mora detyrën, sfida e parë ishte si të mos ulnim rrogat dhe pensionet menjëherë.

Nëse mendon se ke gjetur 5 me 1 raportin, atëherë je gabim shumë. Sepse raporti nuk është  5 “Jo” dhe 1 “Po”, meqë e paske gjetur këtu. Raporti është mijëra “Po” dhe 50 që janë në këtë situatë.

Të falënderova për kontributin dhe patjetër do t’i shikojmë edhe ato familje. Por kjo përmbysje raportesh, nëse s’është e qëllimshme, është minimumi e dëmshme për publikun, nëse duam t’i themi publikut të vërtetën.

Po të isha unë korrespondent i “Syri”-t ose i “Fax”-it dhe të merrja detyrën që audiencës përkatëse t’i tregoja që në çfarë mjerimi jeton Parisi, ju siguroj se do të mjaftonte një kamera dhe t’i tregoja njerëzve një Paris që të thoshin “o Zot, larg këtij vendi”. E kur them Parisi, them një vend të mrekullueshëm. Po ta vendosësh kamerën me tendencë, çdo vend e bën zi. Po të më jepnit mua një detyrë në vendin tuaj  dhe të më thoshit shko në Londër dhe trego sa veta jetojnë në çadra apo flenë në rrugë, apo vdesin në rrugë se s’kanë shtëpi, unë po them se do arrija të bëja reportazhe që të tmerroja të gjithë kuksianët që ëndërrojnë të shkojnë në Londër dhe të mos i shkonte më mendja të shkonin në Londër. Por ky nuk është informacion, është dizinformacion, sepse është manipulim, nëse thuhet vetëm njëra anë, nëse tregohet vetëm njëra anë. Nëse tregohen të dy anët, është informacion.

Patjetër ka ashtu, ka dhe ndryshe. Çfarë po thua, që gjete 5 veta  atje dhe kjo vë në pikëpyetje programin e rindërtimit?

Prandaj qëndro tek ajo që the, merr falënderimin dhe respektin për punën që ke bërë në zbulimin e këtij rasti dhe ne patjetër do ta shikojmë menjëherë. Na fal që nuk e shoh kanalin përkatës, unë nuk shoh asnjë kanal në fakt. Kjo është e meta ime, nuk është vlera ime.

Ju faleminderit!