Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja:

Mirëdita të gjithëve! 

Jemi këtu për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për Rindërtimin. Sikundër është bërë e ditur dje gjatë një konference për shtyp mes të gjithë ministrave, tanimë jemi në fazën e dytë të këtij projekti dhe kemi ardhur në këtë moment pikërisht të nënshkrimit për të vazhduar me zbatimin e këtij programi bashkëpunimi.

Janë 500 njësi të reja banimi që ndërtohen nga miqtë e ardhur nga Turqia me porosi të Presidentit Erdogan dhe ne kemi zgjedhur pikërisht zonën e Laçit ku besojmë se me këtë projekt i hapim rrugën një transformimi rrënjësor në funksion dhe të qëllimit tonë që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi më të mira se ato që kanë humbur.

Nuk është thjesht zëvendësimi i godinave të rrënuara, po aty, me godina të reja, por do të jetë dhe një tjetër transformim i rëndësishëm i të gjithë situatës urbane. Ndaj dhe me ministrin kemi folur për një plan më të gjerë, ku nga një anë agjencia e angazhuar për ndërtimin e këtyre 500 njësive do të bëjë të mundura këto 500 njësi banimi, nga ana tjetër ne do të angazhohemi me FSHZH për gjithë infrastrukturën dhe hapësirat publike. Ashtu sikundër kemi folur edhe për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare një problemi të vjetër të trashëguar në zonën e Bashkisë së Laçit që lidhet me përmbytje të shkaktuara në mënyrë të vazhdueshme si pasojë e bllokimit të një kolektori kryesor. Pra është një program kompleks ku të dyja palët do të ndajnë punët dhe bashkërisht do mundemi që në një kohë relativisht të shkurtër të krijojmë një nga shembujt më kuptimplotë të këtij programi rindërtimi.

E falënderoj me shumë mirënjohje ministrin, të gjithë delegacionin masiv që ka ardhur bashkë me të, përfaqësues nga të gjitha strukturat që janë të specializuara për programet e ndërtimeve me karakter social në Republikën e Turqisë! 

* * *

U nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit për ndërtimin e 500 njësive të reja të banimit në zonën e Laçit, mes Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe Ministrit turk të Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit u shpreh se ky projekt i rëndësishëm nuk është thjesht zëvendësimi i godinave të rrënuara, me godina të reja, por do të jetë dhe një tjetër transformim i rëndësishëm i të gjithë situatës urbane. 

* * *

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Edi Rama dhe ministri turk Murat Kurum vizituan në Laç zonën ku do të zbatohet projekti, atje ku një lagje e re do të ngrihet në vend të pallateve të vjetra, me infrastrukturë nëntokësore e mbitokësore model.

Kryeministri Rama i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit Majlinda Shqalsi, vizituan familjen Tanushi, të cilët janë akomoduar me qera deri në përfundimin e banesës së tyre të re. Kjo familje së bashku me shumë të tjera, nga zonat e dëmtuara më rëndë, në Laç janë nga përfitueset e para të bonusit të qerasë. Ata shprehen të kënaqur me kushtet komode, që u janë siguruar në banesën e përkohshme.

Kryeministri tha se po bëhen të gjitha përpjekjet që projektet të zbatohen sa më shpejt dhe jo vetëm kaq. Rindërtimi i lagjeve të reja do ta shndërrojë Laçin në destinacion turistik. “Sot ishim së bashku me ministrin e turk të urbanizmit. Të parët që do të ndërtohen janë ato pallatet që u prishën. Ambicia është për t’i bërë shpejt. Do të mundohemi t’i përfundojmë sa më shpejt. Unë besoj se deri nga fundi i verës, maksimumi shtatori do të jeni në shtëpi. Do të jenë shumë më të mira se ato që i kishit, nuk diskutohet, dhe ajo do të bëhet një lagje shumë e bukur si zonë. Kemi punuar shumë shpejt me projektet, sepse në kohë normale një projekt do 6 muaj. Ne po punojmë që ta shkurtojmë maksimalisht kohën e projektimit, duke angazhuar shumë projektues. Pastaj do të vazhdojmë me infrastrukturën me të gjitha, plus do zgjidhim dhe këtë problemin e tmerrshëm që ka Laçi për përroin që përmbyt dynjanë.  Kështu që tërmetin nuk e deshëm, por duhet ta shfrytëzojmë këtë për të dalë më të fortë dhe për të dalë më mirë. Gjithashtu në kishën e Laçit  kemi mesatarisht 3 milion njerëz në vit që vijnë. Deri tani nuk kanë qëndruar në Laç se s’kanë ku të rrinë, ndërkohë po të bëhet një transformim i tillë mund të bëhet edhe një qytet me profil turistik, ku mund të vijnë njerëzit dhe të rrinë pak më shumë.” – u shpreh kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.