Kruja, një nga bashkitë më të dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, do të rindërtohet jo vetëm me një infrastrukturë të re model, por edhe me një vizion të ri për të ardhmen turistike të qytetit, të njohur deri më sot për Kalanë historike dhe Pazarin karakteristik. Këtyre atraksioneve do t’u shtohen edhe një sërë të tjera në itinerarin e ri turistik, që do i japin një impakt të madh ekonomik të gjithë zonës.
Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti kanë shpalosur përmes një videokonference Programin ambicioz të Rindërtimit në Krujë.
Ministrja Margariti, ndërsa prezantoi projektin u shpreh se përveç rindërtimit të banesave kolektive do të ketë një rigjenerim tërësor urban të të gjithë zonës së planifikuar për ndërhyrjen infrastrukturore me një sipërfaqe në total prej 35 mijë metrash katrorë.
“Ashtu si dhe në zonat e tjera është hartuar dhe miratuar Plani i Detyruar vendor Krujë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe me Bashkinë e Krujës. Zona për Rizhvillim Krujë ka një shtrirje prej rreth 9.5 ha dhe në ndryshim nga sitet e planet e tjera të zhvillimit është parë e nevojshme edhe një rigjenerim urban i të gjithë kësaj zone, duke e lidhur ngushtësisht me afërsinë me Kalanë e Krujës, pra, me të gjithë pjesën turistike. Kemi identifikuar të gjitha banesat kolektive që kanë pasur dëme të rënda. Në total sipërfaqja e rindërtimit e propozuar është 35 mijë metra katrorë. Shërbime publike mbi 8300 metra katrorë,” u shpreh Margariti.
Kapaciteti i strehimit, sipas këtij Plani është 370 familje, 310 prej të cilave janë aktualisht të dëmtuara, ndërsa pjesa tjetër do të jenë familje që ndodhen jashtë perimetrit të zonës. Në total parashikohen të ndërtohen 26 banesa kolektive (pallate). Veç pallateve do të rindërtohen edhe disa ndërtesa me funksione publike, konkretisht një çerdhe, një qendër komunitare dhe një qendër shëndetësore. Të gjitha ndërtesat kanë një lartësi prej 4 katesh banim dhe një largësi prej 30 metrash nga njëra nga tjetra në vijë ajrore, në mënyrë që të sigurohet fushëpamje për të gjithë apartamentet. Katet përdhe janë projektuar për të mbajtur funksionin e parkimeve të mbuluara, por të hapura publike. Për të ofruar një ekuilibër të masës ndërtimore dhe hapësirave publike të hapura propozohet krijimi i një zinxhiri sheshesh publike.
Ministrja e Kulturës është ndalur veçanërisht në aspektin turistik të qytetit, ku aktualisht itinerari përfshin shëtitje në Pazarin e Krujës, si dhe ngjitjen për në kala.
“Në planin e propozuar janë prezantuar një sërë funksionesh që do bëjnë të mundur nëpërmjet edhe shëtitoreve panoramike dhe shkallareve të vendosura në terrenin e thyer me funksione të ndryshme, si një treg, një shesh teatral, një sërë hapësirash të tjera që lidhen me prezencën e ujit, të gjitha këto me një itinerar të dedikuar për turistët për atraksion më të madh, duke i sjellë një benefit zonës së re të zhvillimit,” u shpreh ajo.
Kryeministri Rama u shpreh se kjo është një mundësi e madhe transformimi për Krujën
“Ky është plan goxha ambicioz, sepse përveç akomodimit të banorëve ka dhe disa elementë që ndryshe kushedi sa vite do duhej të ndërtoheshin, ndërsa tani është mundësia të ndërtohen të gjitha sëbashku dhe të shërbejë kriza e madhe që shkaktoi tërmeti si një mundësi e madhe për të sjellë një transformim”.
Sipas drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, Kruja është gati për të filluar prishjen e objekteve të klasifikuara DS4, DS5. “Jemi duke vlerësuar situatën e pronës, nëse ka nevojë për shpronësime, pasi një pjesë e madhe e sipërfaqes përfitohet nga prishja e ndërtimeve. Prishjet mund të fillojnë menjëherë, që javën tjetër,” tha ai.
Sa i përket shpronësimeve, Kryeministri Rama propozoi si më praktik kompensimin me sipërfaqe ndërtimi për pronarët që do të preken nga plani i rindërtimit. “Ofertën e parë duhet t’ua bëni për një shkëmbim në natyrë; Ata që do humbasin një objekt, apo një hapësirë të caktuar, qoftë të përdorshme, qoftë truall, t’iu propozohet që të marrin si kompensim nga ndërtimi një hapësirë shumë më të mirë dhe shumë më të favorshme, sesa ajo që kanë sot me ato situata absurde që janë atje. Edhe për të shmangur shpenzime të tepërta, edhe për ata vetë që të kenë mundësi të fitojnë një pronë të patundshme realisht dinjitoze, t’iu jepet mundësia që të nënshkruajnë një marrëveshje të tillë. Nëse nuk duan, të procedojmë me pjesën ligjore të shpronësimit,” u shpreh Kryeministri.
Nē takim u raportua edhe në lidhje me ecurinë e planit të rindërtimit të Thumanës, zona më e dëmtuar e tërmetit, ku aktualisht pritet të bëhet shpronësimi vetëm i pak objekte, ndërsa pjesa tjetër janë prishur. Në harkun kohor të 10 ditëve do të thirren për ofertë kompanitë e parakualifikuara.