Rindërtimi i objekteve arsimore, ringrihen brenda vitit 38 shkolla

Programi i Rindërtimit të objekteve arsimore pas tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit ka vijuar edhe në Krujë, një prej bashkive më të goditura nga fatkeqësia natyrore e vitit të shkuar. 

Kryeministri Edi Rama ishte në një prej 12 kantiereve të rindërtimit të infrastrukturës arsimore, ku do të ngrihet nga themelet shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Hajdar Hoxha”, në Larushk, Fushë Krujë.

“Shkolla ka qenë goxha e amortizuar edhe me parë, por tërmeti e ka dëmtuar në atë formë saqë ishte e pamundur të vijohej më me atë objekt,” shprehet kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi.  

Synimi i qeverisë shqiptare është që brenda këtij viti të futen në ambiente tërësisht të reja arsimore një numër sa më i madh nxënësish dhe për këtë qëllim shkollat më të mëdha janë përfshirë në objektet me financim nga buxheti i shtetit.

“Këto janë shkollat me numrin më të madh të nxënësve. Kjo ka qenë edhe zgjidhja që Ministria bëri në ndarjen midis financimit nga donatorët dhe financimit nga buxheti i shtetit, meqënëse me buxhetin e shtetit ne proceduam shumë më shpejt, ndërsa donatorët kanë procedurat e tyre,” shpjegon Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.

Ai shton se, përmes këtij programi financimi rimëkëmbjeje përfitojnë 38 shkolla, ku akomodohen afro 27 mijë nxënës. “Pra, në fund të këtj viti ne do kemi 27 mijë nxënës në ambiente tërësisht të reja dhe moderne,” shprehet Agolli. 

Shkolla 9-vjeçare “Hajdar Hoxha” në Fushë-Krujë parashikohet që të akomodojë 320 nxënës, nga të cilët 76 ndjekin ciklin parashkollor dhe 246 nxënës ndjekin ciklet e tjera. 

Shkolla është projektuar për të realizuar të gjitha funksionet: mjedise për mësim, laboratorë, mjedise shërbimesh, si dhe ambiente sportive.

Pjesë e projektit do të jenë dhe sistemimet e jashtme dhe gjelbërimi.