Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme, në Kuvend:
Kërkoj ndjesë paraprakisht për bashkimin e dy temave në një fjalë sepse nuk mundet të shmang prioritetin e prioriteteve që është adresimi i pasojave të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit dhe i nevojës për rindërtimin, ndërkohë që patjetër më duhet të them dhe unë dy fjalë lidhur me ligjin kundër shpifjes.
Së pari, dëshiroj të shpreh dhe një herë ndjenjën e krenarisë sime për qeverinë që unë drejtoj dhe për shumicën tonë qeverisëse, për të gjithë ministrat dhe deputetët dhe kryetarët e bashkive, të angazhuar në vijën e parë, që në orën e parë, në përballimin e pasojave tragjike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
Unë nuk e di, nëse dikush e kishte imagjinuar se qeveria e Shqipërisë, shteti shqiptar do të arrinte të bënte atë që bëri, në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme, ku mijëra e mijëra njerëz u gjendën në rrugë, pa strehë.
Në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore shumë më të lehta dhe njerëzit janë kalbur rrugëve nëpër çadra, janë harruar dhe faktikisht u është dashur një kohë e tej gjatë për të rimarrë veten.
Në më pak se 10 ditë, mbi 13 mijë persona janë akomoduar në kushte që kurrë më parë nuk i ka pasur një banor i Republikës së Shqipërisë, pas një fatkeqësie natyrore.
4132 persona, njerëz të kategorive të ndryshme sociale, janë akomoduar në hotele që për standardet e Shqipërisë, janë hotele luksi, me të gjitha shërbimet si të ishin turistët gjermanë apo norvegjezë, të ardhur në Shqipëri dhe plus me të gjithë përkujdesjen shëndetësore dhe përkujdesjen për vijimin normal të jetës së tyre, duke filluar nga vijimi normal i shkollës për fëmijët.
3452 familje dhe 202 studentë kanë marrë qeranë për t’u akomoduar në kushte shtëpie, sipas zgjedhjes së tyre e për të vazhduar jetën normale.
Për 6178 persona në fshat, që me të drejtë e kanë të vështirë ose të pamundur të lëvizin, nga trualli i shtëpisë së rrënuar apo të pabanueshme, është garantuar përkujdesja e vazhdon procesi i plotësimit të nevojave për çadrat dimërore.
Vlerësimi i dëmeve vijon intensivisht e në total janë inspektuar 19776 objekte. Ky është numri i objekteve të inspektuara deri dje.
Deri më sot janë shembur 56 objekte, prej të cilave 49 në Durrës, 4 në Tiranë, 3 në Lezhë. Në proces prishjeje është gjithë kompleksi i ish konvikteve të universitetit bujqësor.
Mjafton të shihet tabela e përkujdesjes specifike shëndetësore për të gjithë këta njerëz, për të kuptuar se çfarë kapërcimi epokal është bërë në adresimin nga ana e shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga një fatkeqësi natyrore.
Janë plot 257 punonjës social e psikologë, të angazhuar në një rrjet të tërë, që koordinohet nga ministrja e shëndetësisë që gjej rastin dhe një herë ta falënderoj me shumë respekt për punën e saj të palodhur dhe që sigurojnë sëbashku me 340 mjekë dhe infermierë të dedikuar, një shërbim 24 orë nga afër, të të gjithë njerëzve të regjistruar si të goditur nga kjo fatkeqësi.
Janë akomoduar në shtëpi të reja, siç e kishim marrë angazhimin brenda datës 15 dhjetor, të gjitha familjet e viktimave për të cilat është akorduar nga qeveria dhe një paketë trajtimi special financiar e jo vetëm financiar.
Kjo është pamja e përgjithshme. Ndërkohë që ka nisur puna për planet e reja të zhvillimit. Falë solidaritetit të madh ndër shqiptarë, janë grumbulluar fonde të konsiderueshme, qoftë përmes platformës së vënë në dispozicion nga qeveria në adresën unike, qoftë përmes organizatave të mirënjohura solidare për njerëzit në nevoje, “Shqiptarët për shqiptarët” “Fundjava ndryshe”, “Rrënjët e shqiptarëve” e të tjerë. Por, si asnjëherë më parë, të gjitha forcat janë bashkë në një tryezë, të gjithë aktorët e nevojshëm për të çuar përpara një proces rindërtimi nga ku ne të dalim shumë më të fortë se sa ishim më përpara tërmetit e nga ku çdo i prekur të përfitojë një cilësi të re jete, duke i përqendruar, koordinuar e me transparencë të plotë, garantuar të gjitha burimet në dispozicion.
Unë besoj se shumë shpejt do të fillojnë të shihen filizat e parë të këtij procesi rindërtimi, shumë shpejt do të fillojë të shihet dallimi i madh mes të djeshmes përpara 26 nëntorit e të ardhmes për të gjitha këto familje. Shumë shpejt do të shihet transformimi tërësor urban dhe social që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë, deri tek shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme.
Me një grup arkitektësh të huaj, të mirënjohur ndërkombëtarisht e me shumë arkitektë shqiptarë e me shumë ekspertë shqiptarë, do të vijojë puna intensivisht për të garantuar që zonat e reja ku do të ndërtohet, të jenë shembuj transformues, jo thjeshtë për familjet që do të përfitojnë, por dhe për drejtimin e mëtejshëm të transformimit tërësor në funksion të një rilindjeje urbane që do të transformojë nga pikëpamja sociale jetën e shumë komuniteteve e të shumë familjeve.
Thumana e nesërme nuk do të ngjajë në asgjë me Thumanën e para 26 nëntorit dhe banorët e Thumanës, nga banorë të një zonë që gjithsesi ishte një zonë nga pikëpamja urbane e degraduar, do të jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do të jetë një shembull e jo thjeshtë dhe vetëm këtu, por një shembull që do të rrezatojë fuqinë e vizionit dhe të vullnetit tonë përtej kufijve të Shqipërisë.
Mbajini mend këto fjalë e do të jemi këtu, jo në vitin 2030, por në vitin 2020 kur do t’i shihni të verifikuara.
Tani, për të mos u zgjatur më tutje me këtë temë sepse është një temë që për mua fillon sapo gdhihet e mbaron kur të gjithë të tjerët kanë rënë në gjumë, po ndalem pak tek tema artificialisht e nxehur e ditës dhe para se sa të hyj në aspektet e ligjit po ju jap pak kontekstin ndërkombëtar që të jeni të qartë se në cilën botë jetojmë e të jeni të qartë se për çfarë flasim ne dhe ku është bota sot.
Së pari, që ta marrin vesh të gjithë se këtu jemi përballë një turme që nuk lexon dhe që madje nuk denjon të lexojë e që madje e thotë hapur, “as na intereson fare se çfarë shkruhet në ligj, ne nuk duam ligj, sepse çdo ligj, cenon lirinë tonë”.
Sipas një raporti të OSBE, të vitit 2017, në ¾, pra në 42 shtete nga 57 që janë shtete anëtare të OSBE-së, fyerja dhe shpifja është vepër penale. Nga analiza e thellë që i është bërë për të bërë këtë ligj, 28 teksteve legjislative të Bashkimit Europian, rezulton se aktualisht ka 3 qasje ndaj fyerjes dhe ndaj shpifjes. Së pari, 20 shtete, Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Greqia, Hungaria, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta dhe Holanda parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale që dënohet me burg.
Së dyti, 5 shtete, Qipro, Irlanda, Anglia, Rumania dhe Estonia, nuk e parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale, por e rregullojnë me pasojat e tyre në legjislacionin civil dhe Anglia zbaton gjobën më të lartë të vendeve anëtarë të Këshillit Europës që shkon në 200 mijë sterlina.
E së treti, tre shtete, Bullgaria, Kroacia dhe Franca e parashikojnë shpifjen si vepër penale dhe dënim vetëm me gjobë, jo me burgim, si sanksion për këto vepra penale.
Legjislacioni absolutisht më i ashpër, ndaj fyerjes dhe shpifjes, në Bashkimin Europian është legjislacioni i Republikës Federalë të Gjermanisë.
Kodi penal i Gjermanisë parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen dhe rastësisht është vendi ku ka më pak shpifje e më pak fyerje, rastësisht!
Përgjegjësia civile për shpifjen dhe fyerjen, rregullohet sipas modelit të vendeve që kanë një ligj të veçantë, që nga Kosova, tek Maqedonia e Veriut, tek Britania e Madhe, tek Irlanda. Ndërkohë që shtete si Kroacia, Austria dhe Luksemburgu, kanë miratuar ligje të përgjithshme që kanë parashikime serioze për fyerjen dhe për shpifjen.
Në tetor 2018, për shkak të rritjes së ndikimit të rrjeteve sociale në aspektin social, kulturor dhe ekonomik dhe politik të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, direktiva e BE-së është përafruar plotësisht me Republikën e Shqipërisë, me ligjin përkatës për mediat audio vizuale dhe është rishikuar dhe përditësuar rregullimi ligjor.
Parlamenti francez ka miratuar një ligj kundër lajmeve të rreme. Është ligji që mban emrin e Presidentit të Francës që krijon rregulla të reja, tejet të ashpra për t’i dhënë autoriteteve fuqinë për të hequr përmbajtjet e rreme përhapur përmes mediave sociale dhe madje për të bllokuar aksesin e vendeve që e publikojnë atë, si dhe për të zbatuar me transparencë për përmbajtjen e sponsorizuar, deri 5 muaj para periudhave zgjedhore, një disiplinë super strikte.
Në SHBA-të byroja federale e hetimit ndërhyn pa vendim gjykate fare, pa asnjë vendim gjykate dhe mbyll me urdhër çdo lloj ëebsite dhe çdo lloj përmbajtje që konsiderohet cenuese në shumë aspekte.
Në Gjermani është miratuar ligji për përmirësimin e zbatimit të ligjit ekzistues, në rrjete sociale. Ligji gjerman është sot përpjekja më e suksesshme për të shuar përmbajtën potencialisht të dëmshëm në internet.
Tani, vijmë tek ne. Gjithë kjo punë e bërë për të analizuar shtetet e BE dhe gjithë entuziazmi ynë për të ndërtuar një ligj që i referohet këtyre shteteve, ndeshi që në fillim pengesën nga përfaqësuesit e BE-së dhe të OSBE-së dhe të Këshillit të Europës në formën e një fjalie. “Mos ju referoni këtyre shteteve se këto i kanë ligjet shumë të ashpra. Nuk janë këto shembulli që duhet të ndiqni”.
Ndërkohe që, padiskutim nëse ligji gjerman do të kishte subjekte ata që janë tek dera e parlamentit, ata sot do ishin të gjithë me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së të drejtave të njeriut.
Ata janë shkelës të të drejtave të njeriut.
Janë shkelës të të drejtës themelore të njeriut që të mos i cenohet në publik integriteti i tij.
Janë shkelës të të drejtës e të lirisë themelore të njeriut në demokraci për të ndërtuar sipërmarrjen e tij të lirë.
Janë shkelës të të drejtës së shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga pasojat katastrofike të lajmeve të rreme apo të shpifjes.
Në 26 nëntor ka vdekur një njeri i pafajshëm si rezultat i veprimtarisë së atyre që janë tek dera e parlamentit. Ka vdekur, ka humbur jetën një baba dhe janë plagosur dhjetëra njerëz sepse dikush nga ata atje ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet dhe dalja e atij lajmi e ka kthyer spitalin e Durrësit, nga një vend pritës për të ndërhyrë e për të shpëtuar jetë dhe kuruar plagë të renda, në udhëkryqin e një kaosi me mjekë me infermierë, me familjarë e me të sëmurë që donin të dilnin një orë e më parë nga dera e spitalit. E pra, deri këtu mund të shkojë sepse shkoi efekti negativ i fjalëve të lëshuara pa asnjë përgjegjësi. Liria e shtypit, liria e fjalës, liria për të thënë çfarë të duash është dhe përgjegjësi në të njëjtën kohë, nuk është vetëm e drejtë, por është dhe përgjegjësi.
Po ata që janë atje kanë publikuar lajmin se qeveria fshihte 100 të vdekur në morgun e spitalit, duke krijuar një situatë kaotike atje me familjarë që për një arsye apo një tjetër kishin humbur kontaktet me anëtarë të familjes që ishin shëndoshë e mirë dhe që u turrën te morgu.
Po ju jap raste shumë të freskëta. Nuk po ju flas as për veten time, nuk po ju flas as për familjen time, nuk po ju flas as për nënën time, nuk po ju flas as për vajzën tonë, as për djalin tim, nuk po flas as për prindërit e Ditmir Bushatit, nuk po flas aq për familjaret e të gjithë atyre që janë këtu mbrapa meje, nuk po flas as për familjarët e Taulant Ballës e të askujt tjetër këtu mes nesh.
Po flas për ata që ndryshe nga ne, nuk e kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre, për ata që ndryshe nga ne nuk e kanë facebook-un live me 1 milion ndjekës si e kam unë për të treguar që çfarë bëj dhe nuk i kanë kushtet tona për të qenë sidoqoftë në mundësinë që t’i themi atyre që lexoni shpifjet e përditshme dhe agresionet e përditshme ndaj nesh dhe ndaj familjeve tona sesi është versioni i të vërtetës. Këtu e kam për dhjetëra sipërmarrës të cilët janë të detyruar të shkojnë t’i paguajnë ata, t’ju paguajnë nën dorë për të hequr lajmin se qumështi është i helmuar, se frutat janë me hormone, se specat sjellin deformime për bebet në barkun e nënave, etj, etj. Ata si mbrohen? Në çfarë forme? Në formën që duhet të presin siç pres unë me shumë durim gjyqet? Ndërkohë që një lajm i tillë u shkatërron biznesin? Kështu do mbrohen ata?! E derisa të ketë mbaruar gjyqi biznesi i tyre të ketë falimentuar, me djathin që është me miell apo me bukën që është me niseshte?
Le të kthehemi tek përmbajta.
Së pari, kush thotë që ky është një akt individual ose unilateral i qeverisë, gënjen.
Kjo është paketë e cila është konsultuar 1 vit rresht.
Unë kam patur komunikimin edhe me ata të BE, edhe me ata të Këshillit të Europës dhe u kam thënë që ju nuk e keni lexuar ligjin për të cilin flisni dhe jeni nën presionin e organizatave të rreme, si organizata e Mero Bazes – e ka dhe Merua një organizatë që e përdor herë pas here kur i duhet për të ngritur ndonjë çështje të të drejtave të shtypit sepse e di shumë mirë se kur ata andej shohin që organizata po ankohet, nuk shohin se kush është organizata, por menjëherë ngrihen për të mbrojtur lirinë. Organizata të rreme fals si profilet fals në Facebook apo si dikush që në emër të një organizate del te Rai3 pa pikën e turpit dhe flet për burgjet që janë mbushur me gazetarë, flet për censurën dhe hatatë që bëhen këtu. Këtu në fakt të censuruar janë ata që kanë të drejtë, ata janë të censuruar dhe që nuk kanë asnjë kapacitet mbrojtës sot që flasim dhe nuk është se do të ketë ndonjë kapacitet të jashtëzakonshëm mbrojtës kur të kalojë ky ligj.
Absolutisht jo! Por të paktën do të kenë një instrument në dispozicion, ata janë të censuruarit e mëdhenj.
Gra dhe vajza që hidhen në tezgat e këtyre si prostituta. I bëjnë prostituta këta.
Shërbëtorë të shtetit që i bëjnë hajdutë, kusarë matrapazë dhe oligarkë, nga mëngjesi deri në dark, këta.
Kjo nuk është çështje opinionesh se kurrë nuk i ka shkuar mendja kujt, as përpara dhe as tani që t’i kontestojë këta, kur japin opinione që shkojnë deri në fyerjet më ekstreme. Kjo nuk është çështje lirie shprehje. Kjo është çështje e kufizimit të lirisë për të shpifur duke ngritur akuza që janë penale, për të shpifur, duke i treguar njerëzve qindra milionat e mia nëpër offshore, qindra pallatet e mia në Spanjë dhe të tjera e të tjera, që janë fakte të cilat ose duhet të më largojnë mua nga jeta publike, ose duhet të demaskohen. Njëra nga të dyja. Si mund të vazhdojë kjo bashkëjetesë kështu? Dëgjoj Rudina Hajdarin që flet dhe harron Rudina Hajdari veten e vet. Ishte vajza e Heroit të Demokracisë e ngritur në piedestal sa kohë mendonte siç e urdhëronte partia. Ditën kur mendoi si mendon vetë, e pa vetë se çfarë i bënë. Liri është kjo? Cila liri? Liria për të thënë “u shite”, liria për të thënë “more lekë”, liria për të thënë “more leje ndërtimi”, liria për të thënë “u korruptove”? Ku? Këto nuk janë liri shprehje, këto janë akuza dhe për çdo akuzë të tillë kush merr përsipër të shkruajë duhet të japë fakte ose përndryshe të përballet me personin që akuzon dhe patjetër që duhet të paguajë ndëshkimin e ligjit, që këtu në këtë ligj është qesharak në raport më dëmin që bëjnë ata. Kujt ia tregojnë këta lirinë e shprehjes?
Shikoj atë Peçi Vasilin atje që del dhe u solidarizohet. Del Peçi atje për lirinë shprehjes. Në 7 fjalë, 6 fjalë i ka sharje dhe shpifje. Po bëjmë ligj që të mbrojmë ne veten nga Peçi Vasili dhe Peçi Vasili është heroi i fjalës së lirë që del bashkohet me ata heronjtë e tjerë atje.
Artur Zheji e bëri vajzën tonë dashnore të ministrit dhe tani thotë “do largohem nga Shqipëria po u bë ky ligj”. Mbasi shkoi edhe në gjykatë humbi dhe gjyqin atje se s’kishte jo fakte, por një shpifje e ulët. Po pse çfarë është kjo? Kjo nuk është për mua, unë e me këta kështu jetoj dhe mbijetoj dhe 1000 vite të tjera dhe si kam problem fare.
Por kjo është për shoqërinë. Kjo është për të lehtësuar, gjithë atë koncentrate helmi, që këta hedhin në gjakun e shoqërisë nga mëngjesi deri në darkë.
Një tjetër hero atje jashtë, është Mark Mark Marku që jo më larg se dje, – unë nuk i ndjek, por pashë një reflektim në të gjithë portalet e lirisë, – nuk lë fjalë të ndyrë në mexhlis pa i thënë një deputeti duke e kërcënuar se do t’i thyejë kokën me shishe. Ky është profesori i letrave, Mark Mark Marku që duhet markuar me pullë të kuqe kur merr përsipër të flasë për lirinë, por që ka të gjithë lirinë të thotë të gjitha ato që do.
Ky ligj nuk është për deputetin që te çojë përpara autoritetit Mark Mark Markun se iu shthur goja, në një moment të caktuar. Jo. Ky është një ligj për të garantuar që publiku të mësojë më shumë mbi atë që thuhet.
Nëse një qytetar lexon tërë këto të zeza, ka të drejtën të dijë janë vërtetë të tilla? Janë të gjitha kështu? A jemi të gjithë këtu njësoj? Të gjithë ata që merren me politikë janë të destinuar që të kenë në kurriz atë turmë atje, që t’i ngrejë dhe t’i ulë, kriminela e hajdutë, dhe banditë e maskarenjtë e të korruptuar apo secili ka të drejtën që të kërkojë llogari publike për atë çfarë i thuhet?! Për çfarë po flasim këtu? Ku është këtu liria e shprehjes që po cenohet?! Ku është këtu, liria e opinionit që po cenohet?! Këtu nuk ka lidhje fare me opinionin. Kur kam dhënë një intervistë të gjatë për revistën “New Yorker”, kur isha kryetar i bashkisë më dedikuan një portret të gjatë. Kanë intervistuar disa njerëz dhe kanë përmendur disa njerëz. Ka zgjatur një muaj. Për një muaj, pasi gazetarja Jane Kramer, një nga gazetaret më të njohura të Amerikës dorëzoi shkrimin, departamenti i verifikimit të fakteve i merrte në telefon të gjithë njerëzit që ishin përmendur dhe deri tek pyetja; A është e vërtete që ditën që i referohet kryesori i bashkisë, kishe veshur fustan të kuq? Unë e mora në telefon dhe i thashë çfarë bëhet? Jeni bërë si prokurori dhe i merrni të gjithë njerëzit në telefon. “Eh, – tha, – falë asaj prokurorie që kur ka lindur revista, nuk kemi humbur asnjë gjyq.”
Tani nuk po i kërkojmë këtyre që të verifikojnë deri në pikën çfarë kishim veshur ne, kur thamë këtë apo atë, por që këta të marrin përsipër në mëngjes, të lëshojnë akuza penale dhe për këto të mos marrin asnjë përgjegjësi, mos japin asnjë llogari, dhe të mos marrin përsipër minimalisht ta heqin vullnetarisht artikullin që nuk e provojnë, si mund ta pranojmë këtë?
Qëllimi i këtij ligji është një kornizë ligjore për të rregulluar dhe disiplinuar veprimtarinë e një xhungle.
Është një xhungël skllevërish të pa siguruar që merren në punë sot dhe hidhen në rrugë nesër.
Xhungël shëmbëlltyrash të paregjistruara me domene të regjistruara jashtë Shqipërie, me histori nga më të ndryshme që nuk i japin llogari asnjë njeriu.
Xhungël, që merr para pafund, lart e poshtë dhe nuk paguan asgjë, asnjë detyrim.
Xhungël që prodhon në vijimësi urrejtje, që prodhon në vijimësi dezinformim, që prodhon në vijimësi dëshpërim.
Ky ligj nuk e cenon asnjë fije, Rudina Hajdari, të drejtën e shprehjes, lirinë e opinioneve, të drejtën për të dhënë lajme nga të gjitha burimet mundshme, asnjë fije. Por ama, ky ligj garanton mbrojtjen e dinjitet, dhe të drejtave të tua kur të ulin dhe të ngrenë sipas qejfit, sepse ti në një moment të caktuar mendon me kokën tënde. Nëse ty, kjo nuk të bën përshtypje për veten tënde, mua më bën përshtypje edhe për ty, edhe për të gjithë të tjerët. Jo për veten time, por për njerëzit e familjes time, por që nuk mësohen dot me këtë, që nuk qetësohen dot me faktin që “lëre se kështu e kanë këta”. Për autoambulancën që duhet të marrë nënën time dhe ta çojë në spital, që megjithëse ka 30 vjet që i ndjek këta, nuk arin dot që t’i thotë “ik” nuk të dëgjoj.
Nga ana tjetër, ky sistem është sot, për mediat audivizuale, është sot që po flasim, i njëjti sistem, i njëjti mekanizëm. Sot, e kushedi sa kohë gjithëkush ka të drejtë të shkojë tek AMA dhe të ankohet për një lajm ose një informacion që ai e konteston në lidhje me veten e vet, në një ekran.
E pse nuk ka ndodhur si pasojë e kësaj që të ketë një unifikim të ekraneve në shëmbëlltyrat e ERTV-së. Vetëm një të mirë ka kjo zhurmë, që bën publicitet për ERTV-në . “Televizion” – thotë. Mjafton të vesh një logo në një faqe video të facebook-t dhe ta quajnë televizon. Ky është qëllimi në fakt që ta quajnë televizion dhe ta ndjejnë konkurrent, ndërkohë që ERTV nuk pranon publicitet dhe nuk merr para nën dorë dhe kushton 100 herë më pak se portali më irrelevant, por është çështje vizioni dhe inteligjence, nuk është çështje parash.
Të gjithë ndryshimet që janë bërë, janë bërë në konformitet të plotë me ekspertët e përcaktuar të OSBE-së dhe po ju them dhe diçka. Unë nuk e kam problem fare, është pjesë e detyrës që deri ne fund të jesh i hapur për të dëgjuar dhe të të pranuar gjithçka që e përmirëson një projekt. Por, po ju them që drafti ynë është përmirësuar në çdo detaj, deri në fund.
Thelbi është po ai, që kur kemi pranuar që nuk na lejohet të bëjmë një ligj si Gjermania, apo vend tjetër i BE-së, se ato i kanë shumë të ashpra. E kemi pranuar këtë. Ok, do të bëjmë një më të butë. Ky ka qenë momenti i tërheqjes, “sepse vendet BE-së nuk i kanë si duhet ligjet e shpifjes, i kanë shumë të ashpra. Por atyre, ne u themi, po ata ne s’na pyesin, kurse juve mund t’ju kthejmë në target, na dëgjoni mire, sepse ndryshe ne ju bëjmë të dukeni sikur jeni kthyer në mbretërinë e shtypjes së lirisë”. Ky është thelbi i së vërtetës. Ok, nuk e kemi ne fuqinë e Gjermanisë që të themi “Si është puna, kush je ti? Ti do na thuash si të bëjmë ne ligjin për tu mbrojtur nga këta?!” Ne nuk e kemi këtë fuqi, nuk ka problem. Por ama në ligjin ekzistues rregullohet gjithë veprimtaria e ofruesve të këtyre shërbimeve, jo veprimtaria e rrjeteve sociale, nuk kemi shkuar tek rrjetet sociale. Këto vendet që janë anëtare të BE-së, këto vendet që kanë ligjet më të rënda kundër shpifjes kanë hyrë te rrjetet sociale.
Këto vendet ta këpusin në kryq profilin në sekondë. Kanë edhe mekanizma të ashtuquajtur “Facebook reputation”. Profilet fals nuk hapen dot atje, nëse ata s’duan të hapen. Me algoritme bëjnë bombardime brenda pak sekondash edhe pastrojnë gjithë fushën. Ne nuk kemi shkuar atje.
Ne po synojmë të vendosim standarde për respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave themelore të njeriut, pikërisht për të drejtat themelore të njeriut. Nuk janë vetëm këta njerëz, larg qoftë, këta që janë te dera e parlamentit, – se ne të tjerët jemi forca kundër njeriut, Jo, – njerëz janë edhe ata që hapin portalet e tyre dhe ata meritojnë të mbrohen në të drejtat e tyre.
Ata nuk janë mish për t’u shkelur nga “këta” sa herë që klikojnë dhe iu del përpara shkelmi i shpifjes edhe i gjithë bolorisë që prodhohet për të vënë nën presion shoqërinë dhe njerëzit dhe për të treguar forcë në raport me burimet e mundshme të financimit, që, “unë të bëj gjëmën, prandaj ti duhet të më paguash”, “unë të shantazhoj, prandaj ti duhet të më përgjigjesh”.
Sigurisht që ky ligj siguron procedura të shpejta administrative për të trajtuar ankesat, sepse e thashë, nuk mundet dot që për një efekt imediat të dëmshëm ndaj personit, personi të presë një vit, ndërkohë që efekti bëhet i plotë nëse ajo përmbajtje, që është dëmtore, nuk lëvizet. Sigurisht, kush e ka publikuar atë përmbajtje ka të drejtën e dëgjesës, të shkojë atje dhe të thotë, jo, ankesa nuk qëndron, sepse unë këtë përmbajte e kam ekspozuar bazuar në këto fakte.
Krijohet një regjistër ku këto subjekte duhet të regjistrohen, se këto subjekte bëjnë biznes, marrin reklama. Si qenka kjo?! “Ne nuk kemi gjë me ligjin”. “Ne nuk duam ligj fare”. E thonin atje. “Interneti është liria jonë”. D.m.th. “ne jemi pushtuesit këtu dhe të gjithë njerëzit që futen në internet, ose duhet të bashkëjetojnë me pushtuesin ose nuk duhet të futen në internet, se ne jemi këtu, ne jemi pushteti i pakufizuar mbi internetin”.
Identifikimi i pronësisë mundësohet për të gjithë, që të dish se me kë ke të bësh, jo me prita, me ferra, pas të cilave dikush të gjuan dhe ti s’di nga të erdhi dhe s’di ku të shkosh për t’u ankuar. Ndërkohë që, ajo që gjuhet ndaj teje, e keni parë, nuk mbetet aty, por e marrin të gjithë, multiplikohet gjithandej. Kudo ku klikon ti je përpara një plotoni pushkatimi dhe ti nuk di ku të shkosh. Si është kjo? Si mund të bashkëjetohet me këtë?! Në emër të kujt lirie dhe në emër të kujt të drejte, njeriu duhet të vendoset para një plotoni ekzekutimi për diçka që është komplet shpifje!
Ndërkohë që nuk ekziston mbyllja. Thjesht nuk ekziston. Kush thotë që ky ligj mbyll portalet gënjen. Nuk ka lexuar ligjin. Nuk është. E nëse ka një element që nuk ka qenë fare pjesë e diskutimit që në variantin e parë fare, në variantin gjerman, ose në variantin që aspironte t’i ngjante variantit gjerman, ka qenë e drejta për të mbyllur në sekondë çdo portal që ka pedofili, – nuk besoj se keni ndonjë kundërshtim me këtë apo jo, – nëse një portal ka elementë që nxisin apo frymëzojnë apo turbullojnë përmes pedofilisë, s’ka çfarë presim; terrorizëm edhe kërcënim të sigurisë kombëtare. Askush nuk mundet dot, që nga unë e deri te i fundit të pretendojë se një shkrim kundër tij kërcënon sigurinë kombëtare. Jo. Kërcënon patjetër qetësinë familjare. Po.
Dhe në fund, AMA nuk zëvendëson gjykatën.
Ajo është instanca ku konkludohet. Por Gjykata dhe vetëm Gjykata, – jo AMA – shqyrton çështjet ku ngrihet problemi i shpifjes. Por, kur nuk lexon ligjin, ose kur thua ma kanë thënë miqtë e më dëgjoni mua se unë kam disa miq atje, atëherë flet kot se ligji e ka qartë fare këtë.
Nuk ka ligj të përsosur. Çdo ligj është i përmirësueshëm. Patjetër! Por ne nuk mund ta shtyjmë në pafundësi në kërkim të perfeksionit miratimin e ligjit sot.
Ky ligj do miratohet sot si një e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga lumi i shpifjes.
Ne do vazhdojmë punën për aspektet procedurale rregullatorë, siç kemi rënë dakord dhe nga fjalia e parë te fjalia e fundit ligji është, jo 99%, por 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare.
Këtë nuk jua them unë, se kështu them unë, por këtë ua them të konfirmuar 100% me shkrim nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë proces që është OSBE. Pasi u morën rekomandimet e OSBE-së, u aplikuan 100%, jo 99% në tekst. U la detyra që procesi të vazhdojë me OSBE-në. Procesi vazhdoi me OSBE-në. Duke qenë se edhe OSBE-ja pati një ndjesi të veçantë nga ofensiva e 47 organizatave, se këtu çdo anonim ka një organizatë, u bënë edhe disa saktësime të fundit dhe duan organizatat, s’duan organizatat, duan heronjtë që janë te dera me Peci Vasilin në krye, duan, s’duan ata, ky ligj do kalojë sot dhe do i japë thjesht e vetëm një instrument, jo ndonjë instrument fatal, por një instrument, sidoqoftë të thjeshtë, çdo individi që, mbasi kur del te dera e shtëpisë ha një batare me llum e me baltë syve, – të ketë një adresë ku të shkojë e të ankohet e të thotë, “më fal, këtë baltën ma hodhën, kjo u bë, po a ka mundësi që mos vazhdojnë të ma hedhin se kjo është shpifje?” Kaq.
Unë jam në krahun e këtij lloj individi. Jo për veten time. Dhe po ju them edhe këtë, unë personalisht nuk merrem fare me AMA-n, që ta dini. S’do më shihni ndonjëherë mua të shkoj te AMA. Unë me këta do vazhdoj në Gjykatë. Janë bërë deri tani 60 çështje, mund të shkojnë dhe 600, edhe 6000, varet se sa do rri këtu, por unë këtyre nuk u ndahem. Këta, ose do vijnë të provojnë në Gjykatë që ato që thonë janë të vërteta dhe nëse njëri do dalë që do ta provojë unë do iki që këtu, ose këta do të dënohen në Gjykatë si fajtorë për përhapjen e shpifjeve.
Duke qenë se pas tërmetit kam hapur librat e shenjtë për t’i ndarë edhe me ju, se i kam hapur edhe më përpara, por kam hapur ato koleksionet e mia, nuk po ju them këtu se çfarë thonë librat e shenjtë që nga Bibla deri te Kurani e deri te Talmudi po të doni, për shpifjen e për shpifësit, por, po ju siguroj që, ato që thotë Kurani për ata që janë atje janë shumë herë më të rënda se ato që mund të them unë në ditën kur mund të jem më i angazhuar se kurrë kundër tyre. Po ju siguroj për këtë.
Nga sot, të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që kanë në dorë një instrument që do ta vënë në punë pas Vitit të Ri, se Presidenti do na e kthejë para Vitit të Ri.
Faleminderit!
* * *
Replikë me deputeten Rudina Hajdari
Zonja Hajdari, nëse do ta përmblidhja replikën në një fjali do ti referohesha avokat Ngjelës, që në këto raste thoshte, “amanet mushkat!”.
Por unë do them pak më shumë se kaq.
Së pari, më nxore mallin e liderit legjendar të partisë tënde të vjetër që që kur e përdorte atë fjalinë, “je i lodhur”, “ka ikur koha jote”. Juve jeni e freskët zonja Hajdari. Koha juaj nuk ka ardhur akoma, por unë nuk mendoj se kjo është mënyra për të bërë politikë të re, siç ju pretendoni. E aq më tepër pastaj, nuk është mënyra për të bërë politikë të re, duke mos lexuar ligjin për të cilin merr përsipër të flasësh, sepse qartësisht nuk e ke haberin fare të ligjit që ne sot do ta miratojmë, me gjithë keqardhjen që nuk ua plotësoj dot dëshirën që të tërhiqemi urgjent, sikundër na bëni thirrje.
Ju thatë që kriminelët kanë të drejtat e tyre. Po, zonja Hajdari. Kriminelët kanë të drejtat e tyre për një proces ligjor të ndershëm, por nuk kanë të drejtën e tyre që të vazhdojnë të bëjnë krime kur kapen në krim, apo jo zonja Hajdari?
Unë nuk e kuptoj dot se me çfarë logjike, me çfarë sensi arsyeje një person që i ka kënduar dy libra dhe lëre pastaj një person që merr përsipër të përfaqësojë të tjerë dhe këtu flas për të gjithë në këtë sallë, të verë në diskutim një fakt shumë të thjeshtë, të drejtën e një personi të akuzuar pa fakte për të kërkuar të vendoset në vend dinjiteti i tij. Është shumë e thjeshtë.
Cila qenka kjo liri e cila u cënoka, nëse një personi, cilitdo individi i jepet e drejta të mbrohet nga shpifja?!
Kurani i shenjtë e quan shpifjen “aksion çnjerëzor” zonja Hajdari. Shpifësit i quan mishngrënës njerëzish që kërkojnë të vdekur. Kështu thotë Kurani i shenjtë. Unë nuk e thashë. Të ngrihesh këtu e të më tregosh “putinizmin” e “erdoganizmin”, e të më tregosh se këtu po ndodh një gjëmë e madhe kur po të them se s’ke haberin fare se për çfarë po flet, kur po të them që është një ligj që krahasuar me ligjet e vendeve të BE është limonadë, kur po të them që në Gjermani të marrin shpirtin nëse guxon të shpifësh edhe s’di të japësh pastaj llogari për shpifjen, është e tepërt.
E thashë dhe do ta përsëris. Nuk e dua fare unë këtë ligj për veten time. S’keni për të më parë ndonjëherë mua të shkoj te AMA, por shembujt që solla ishin për të thënë diçka tjetër dhe për t’ua thënë këtë, për ta ndarë këtë me njerëzit.
Nuk të mora në mbrojtje sot zonja Hajdari. Ti nuk ke nevojë për mbrojtjen time. Të solla si shembull të një keqkuptimi të madh se ti je në fakt një keqkuptim i madh që, në ndërkohë që flet dhe mban fjalime për diçka që nuk e di, je viktima tipike e gjësë për të cilën ligji merr masë.
E kam thënë dhe po ta përsëris që kush merr përsipër të hyjë në këtë valle, duhet të marrë përsipër që të mbajë dhe baltën në kurriz, po ne nuk mund të lëmë që kjo gjë të kthehet në standard.
Nuk mund ta lëmë këtë gjë të paluftuar.
Nuk mund ta lëmë këtë gjë që të bëhet trashëgimi kulturore e politikës shqiptare se janë shumë e shumë njerëz më të mirë se ne që jemi këtu, që do ishin këtu nëse nuk do frenoheshin njëmijë herë përpara se ta çojnë nëpër mend që të vinin këtu sepse e dinë se çfarë kalvari i pret nëse i hyjnë kësaj rruge, sepse shohin. E mos më trego mua as PE as OSBE as BE, as KiE, se unë këtu flas me përgjegjësi, nuk tregoj përralla siç tregon ti dhe po të them që ligji është i dakordësuar, jo 99%, por 100% me OSBE-në.
Ligji është i përputhur jo 99%, por 100% me standardet ndërkombëtare.
E fundit që kam, po hajde na thuaj si ta bëjmë. Dil këtu dhe na thuaj “hiqni këtë, vini këtë”. Ka një vit që ne merremi me këtë, është e vërtetë, ka një vit. Pse ka një vit? Sepse kemi bërë shumë konsultime, ik e eja, pastaj nuk i kemi në dispozicion se nuk i kemi nëpunës parlamenti ekspertët e huaj, kanë 100 mijë punë të tjera atje në OSBE. Një vit ka. Hajde na e thuaj si ta bëjmë. Ke dalë të thuash ti ndonjë ide meqë je politikane e re e ideve të reja për Shqipërinë e re? Ke dalë të na thuash ndonjë ide këtu, apo gjithmonë nga pllaka e gramafonit, “putinizmi, erdoganizmi, liria…”? Këto janë broçkulla. Ke ndonjë ide konkrete si bëhet kjo punë më mirë? Hajde na e thuaj: “Këtë e keni gabim, ja si mund ta bëjmë,” po të folura në hava, njësoj si ata te dera?!
Atyre te dera iu falet se ata s’duan ligj fare, ata e thonë vetë, nuk duan ligj. Ti je deputete. Si mund të dalësh këtu të flasësh në hava?! Pastaj, çfarë ishte kjo që unë shpifkam gjithë ditën? Ku e gjete këtë? Nga e nxore këtë? Ku? Nëse unë ty të dukem si shpifje kur dal në ekran ky është perceptim dhe jeni e lirë të më shikoni mua si shpifje fizike në sytë tuaj, por më shumë se kaq unë nuk e di. Juve thoni ra tërmeti, po mos merremi me tërmetin. Me çfarë të merremi? Me ty? Ja të merremi me ty. Çfarë do nxjerrim? Asgjë. Ta votojmë ligjin zonja Hajdari tani, sa të vijë votimi. Të votojmë se është gjëja e duhur për të garantuar të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga shpifësit dhe pa cenuar asnjë sekondë lirinë e atyre që duan të shkruajnë, duan të informojnë, duan të jetojnë në votën e informacionit. Asgjë nuk cenohet asgjë. Por legjitimimi i shpifjes, jo. Kthimi i shpifjes në standard dhe pranimi i shpifjes si kosto e lirisë, kjo nuk bën vaki. Këtë ne nuk mund ta pranojmë. Mos e sillni 1000 herë këtu AMA-n, se po ju them përsëri, ky mekanizëm nuk është kontestuar ndonjëherë që nga drafti i parë deri në fund, sepse është mekanizëm ekzistues, është sot, e dini ju këtë, se ju jeni të çuditshëm, është sot, ka nuk e di sa vjet që është aty për audiovizualet, nuk kemi prekur pjesën e ligjit për audiovizualet, nuk kemi prekur asgjë për shtypin e shkruar, s’kemi prekur asgjë. Çfarë jemi ne tani? Ku e ke parë ti këtë Putinin që merret me portalet e nuk merret me ekranet? Ku e ke parë? Në ëndërr? Te ajo ëndrra e re, e botës së re që do vijë nga politika, e re, e partisë së re, që ndahet në dy pjesë të reja, pastaj në tre të tjera. Aman, mos ia lejo vetes të bëhesh qesharake se nuk është mirë.
Mekanizmi është sot, është aktual. Keni parë ju ndonjë represion politik përmes AMA-s? Nuk e kanë bërë as ata që ishin përpara me thënë të drejtën, e kanë pasur aty, nuk kanë vajtur, kanë bërë luftëra nga më të çuditshmet dhe bizantinet me ekranët që i kishin inat, nuk kanë vajtur tek AMA. Është aty, është ekzistues, shkon tek AMA dhe ankohesh për një ekran që të ka cënuar ty, sot që flasim. E çfarë kemi bërë ne? Thjesht dhe vetëm, edhe këta të xhunglës, i kemi marrë e i kemi futur në këtë kuadër. Çfarë është kjo? Pse duhet nisur nga fakti që, “çfarë do më bësh ti mua, kur unë të shkel ligjin”. “Çfarë do më bësh t’i mua kur unë të vras ose kur unë të vjedh”? Pse të mos nisemi nga fakti që mos e shkel ligjin, mos shpif, thjesht mos shpif, thuaj çfarë të duash, thuaj 1001 të zeza, opinione për kë të duash.
Fyerja, ok, po e përballojmë, por të thuash gjëra që implikojnë persona me detyrën e tij ndaj publikut apo me punën e tij si sipërmarrës, është përtej mundësisë për ta duruar, se publiku meriton të dijë zonja Hajdari, meriton ta dijë dhe nuk i mjafton publikut që e tha ai që “ti ke lekët offshore” dhe e the ti që “nuk i kam”. Jo, publiku meriton të dijë të vërtetën dhe e vërteta mund të dalë vetëm përmes një procesi ku futet një i tretë. AMA nuk është gjykata dhe nuk zëvendëson gjykatën, e merrni vesh ju?
Tek AMA nuk shkohet për të bërë gjyqin.
AMA është një stad i parë për t’i dhënë mundësi shpifësit që të tërhiqet, është shumë e thjeshtë ndërsa përmbajtja e shpifjes shkon në gjykatë. E kuptoni ju këtë gjë? Siç është sot, i vetmi ndryshim është që efekti dëmtues i shpifjes mund të eliminohet në një kohë të shkurtër, duke i dhënë mundësi shpifësit të tërhiqet, përpara një trupe siç është Këshilli i Ankesave. Këshilli i Ankesave nuk merr vendim mbi përmbajtjen. Vendimin final e merr gjykata. Por unë nuk do pres 1 vit Gjykatën për të sqaruar publikun për një shpifje që e ka efektin sot. E ka efektin sot mbi detyrën time publike.
Lideri yt legjendar thotë që “qentë me nuhatje molekulare qenkan marrë e qenkan tregtuar në kuadrin e trafikut të qenieve jonjerëzore, e prandaj nuk paska pasur qen në dispozicion”.
Kjo është shpifje dhe kjo efektin e ka tani, për publikun, jo për personin të cilit ai i adresohet. Publiku duhet ta dijë, është e vërtetë kjo apo jo? Dhe ky moment është momenti i ballafaqimit në instancën e parë. Pastaj vazhdon procesi, por i jepet mundësi shpifësit, -e solla shembullin por këtu flasim për onlinet, jo për liderin, mos u shqetëso, ai ka gjyqe të tjera me mua në gjykatat tradicionale, – që të tërhiqet. Është super e thjeshtë. Çfarë problemi ka këtu? Pse duhet të mblidhemi ne e të qajmë hallin e shpifësve, për çfarë? Për çfarë duhet të kemi ne kundërshti për shpifësin? Pse? Pse duhet të qajmë ne hallin se si do vejë fati i atyre që shpifin e nuk do qajmë hallin si do vejë fati i të vërtetës në këtë shoqëri e si do vejë fati i transparencës mbi faktet në raportin mes politikës dhe shoqërisë apo mes sipërmarrjes dhe konsumatorit. Pse? Për çfarë arsye? Kush është interesi jonë?
Të qajmë hallin e atyre që sulmojnë dhe dëmtojnë apo të qajmë hallin e kujt për shkak të detyrës sulmohet dhe efekti negativ shkon mbi gjithë publikun. I kemi ne ndonjë detyrim publikut t’i themi në një kohë të shpejtë, kjo nuk është e vërtetë. Por nuk mjafton fjala jonë se kështu e bëmë ne njëri-tjetrin, njëri thotë ti kështu, tjetri thotë ti ashtu dhe thonë pastaj të gjithë njësoj. Jo, publiku duhet ta dijë. U publikua kjo gjë është e vërtetë apo nuk është e vërtetë? Kaq e thjeshtë është. Pse duhet të qajmë hallin e tyre ne? Reflekto zonja Hajdari, politika e re është reflektim.
Po ta përsëris për të tretën herë, patjetër, por si karakteristikë dhe duke njohur dhe praktikën e gjyqeve të mia që po i zhvilloj pavarësisht se nuk më intereson fare t’i bëj publik, i kam fituar disa, me ata që ishin këtu, do t’i fitoj të gjitha, jo se kam ndonjë pushtet mbi gjykatat, por sepse kur vijmë tek fakti, duhet të thuash tregoje faktin. Tregoje. “Ke blerë 17 mijë këmisha Hugo Boss në Neë York”. Mi trego tani, ku janë. Është shumë e thjeshtë. Mi trego këmishat, unë iki nga detyra. Nuk i tregove dot këmishat, ke shpifur. Po sjell një shembull metaforik kuptohet se nuk dua të zbuloj proceset. Pra, shpifësit si karakteristikë e di çfarë bëjnë? Shtyjnë gjyqin, pastaj vijnë avokatët thonë që është i sëmurë, pastaj vijnë prapë thonë që shiko se ka një çështje këtu, pastaj vijnë prapë, pastaj çojnë fjalë se kështu e ka politika, hajde pajtohemi, se ti e kupton. Jo, nuk kuptoj fare unë, asnjë gjë. Kështu që duke njohur këtë karakteristikë të shpifësit mendoj që kjo instancë e parë i jep mundësinë që të tërhiqet. Çfarë do bëjë? Thjesht do tërheqë artikullin. E bën atë gjënë, por do tërheqi artikullin e do të japi ty të drejtën që të publikosh ti përgënjeshtrimin tënd e lexuesi i tij kur të hyjë atje nuk do gjejë më pocaqi ndaj teje, por do gjej versionin tënd, faktet, të dakordësuar me atë. Nëse ai nuk e pranon, patjetër që shkon në gjykatë. Është shumë e thjeshtë. Çfarë ka këtu? Ku është këtu mohimi i lirisë? Kush do insistojë në shpifje, do insititojë deri në fund, siç insiston edhe sot.
Sot ka një procedurë të caktuar, por nuk është vetëm kjo ligji, ligji është dhe shumë gjëra të tjera që ka të bëjë me regjistrimin, me regjistrin, që ka të bëjë me sigurimin e punonjësve, që ka të bëjë dhe me lehtësirat fiskale për ta, që ka të bëjë dhe me transparencën e fondeve, janë shumë gjëra, nuk është kjo, por ne po përqendrohemi këtu meqë kemi Peçi Vasilin atje e meqë kanë ardhur gjithë ata mashkulloritët e post tërmetit që janë mbledhur bashkë për të ruajtur Shqipërinë nga ky ligj.
Kjo ishte zonja Hajdari!