Fjala e Kryeministrit Edi Rama në kremtimin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë:
Nuk ka mënyrë më të mirë për të bërë dikë të ndihet keq, sesa t’i tregosh sesa është plakur në 25 vjet. Megjithatë unë e di që nuk ishte ky qëllimi juaj, kështu që ju falënderoj që më kujtuat që këtu mund të ketë shumë që kanë lindur në vitin 1990 dhe 25 vjet janë sa një gjeneratë.
Kjo e bën interesante çdo lloj diskutimi apo reflektimi mbi raportin mes asaj që sot është kjo gjeneratë dhe asaj ishte gjenerata e mëparshme, por mbi të gjitha, e asaj që ishte ëndrra e 25 viteve më parë dhe atij që është realiteti i 25 viteve më vonë.
Unë e prita me kënaqësi zgjedhjen që bëri ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për ta bërë sot, këtë aktivitet, i cili në cilësi është vërtet shumë i rëndësishëm. Bëhet fjalë për 200 vajza dhe djem që, pasi kanë mbaruar shkollën me rezultate shumë të mira, kanë hyrë në programin tonë të intershipit, të pjesëmarrjes në jetën e administratës publike, me synimin që të shfrytëzojnë hapësirën që ka programi për ata që dallohen dhe për të marrë një kontratë njëvjeçare. Kjo i përgatit për të vazhduar të kontribuojnë në administratën publike.
Është një kontribut i posaçëm, ky i juaji, për arsye se jemi në një moment shumë të posaçëm të një procesi transformues që ka të bëjë pikërisht me administratën. Nëse do t’i referohemi asaj që kemi bërë e çka nuk kemi bërë, çka kemi bërë mirë çka kemi bërë keq në këto 25 vite, një ndër gjërat që nuk ka diskutim se e kemi bërë shumë keq ka qenë administrata. Një nga sfidat që e kemi humbur për vite e vite të tëra ka qenë sfida e ndërtimit të një administrate publike dhe shtetërore të aftë, të përgjegjshme, efikase.
Nuk e kemi bërë dot. Për vite të tëra kemi parë një rrënim të vazhdueshëm të administratës së shtetit, një degradim të vazhdueshëm të administratës publike, të shërbimit civil, pavarësisht se nga njëra anë jemi përpjekur të bëjmë ligjet e duhura për t’i dhënë administratës qëndrueshmëri, kapacitet për t’u zhvilluar dhe hapësirë për të qenë e gatshme të thithë prurjet më të mira, sipas meritës. Nuk e kemi bërë dot, sepse në vite të tëra, administrata është parë jo si shtylla vertebrale e shtetit modern shqiptar, por si instrument i partive në pushtet, për të zgjatur jetën e pushtetit të tyre.
Më kujtohet në librat e historisë shumë vite më parë, kur na mësohej Revolucioni i Qershorit dhe renditeshin gabimet, sipas historisë zyrtare të kohës së komunizmit. Gabimet e Fan Nolit, që çuan në dështimin e revolucionit dhe në kthimin e Ahmet Zogut. Pika kryesore ishte nuk e pastroi administratën nga aparatçikët dhe burokratët dhe krijoi kështu, kushtet për rikthimin e Ahmet Zogut. Pra, administrata konceptohej si një fuqi reaksionare, e cila duhej çmontuar tërësisht, për të triumfuar revolucioni fanolist.
Për fat të keq, kjo konsideratë e regjimit komunist, mirëfilli ideologjike dhe që lidhej me domosdoshmërinë që kishte regjimi për të pasur një administratë të superpolitizuar, në radhë të parë dhe profesionale, vetëm në radhë të dytë, “të pastër” – thonjëzat janë të këtyre 25 viteve, – nga elementët reaksionarë dhe nga njerëzit me njolla, siç quheshin atëherë, në biografi, nuk është se ndali pas rënies së regjimit komunist, përkundrazi. Nuk ishte më ideologjia që imponoi degradimin e mëtejshëm të administratës, por ishte gjakimi për pushtet dhe mendësia komuniste e atyre që, pavarësisht se pushtetin e morën duke tundur flamurin e lëvizjes demokratike, të Partisë Demokratike, të të djathtës së rilindur shqiptare, ishin në vizion dhe në metodë thjesht dhe vetëm një zgjatim i regjimit të vjetër.
U bënë goditje jashtëzakonisht të dëmshme, në kushte në të cilat, sigurisht është shumë më kollaj të flasësh sot, sesa të veproje dje. Për hir të së vërtetës duhet thënë edhe kjo, që duke i parë gjërat nga një distancë historike si kjo e 25 apo e 20 viteve, apo edhe 15 viteve, është më e lehtë të flasësh. Por fakti është se në gjithë këto vite nuk u ndërtua shtet.
Nuk u ndërtua shtet do të thotë që nuk u ndërtua një makineri, e cila i shërben qytetarëve, mbron dhe promovon interesat kombëtare, garanton interesin publik, siguron interesin privat dhe me radhë.
Nëse do të bënim një kthim mbrapa, për të parë ecurinë e procesit të çlirimit të vendeve ish komuniste nga diktatura, do të gjenim aty se disa vende u çliruan më parë, disa të tjera më pas dhe Shqipëria në fund fare. Por është shumë interesante të vërehet se e njëjta gjë ndodhi edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Vendet që u çliruan më parë ishin vendet që hynë më parë në Bashkimin Europian, vendet që u çliruan më pas ishin vendet hynë më pas në Bashkimin Europian dhe vendet që u çliruan shumë më vonë, përfshi edhe Shqipërinë, janë vende që ende nuk kanë hyrë në Bashkimin Europian.
Kjo nuk ka të bëjë me harkun kohor të një viti ku u shtri i gjithë procesi i rrëzimit të komunizmit në të gjithë Europën Lindore. Kjo ka të bëjë me diçka shumë më komplekse dhe shumë më larg në të shkuarën dhe jo vetëm në të shkuarën komuniste, por në të shkuarën përpara të shkuarës komuniste dhe në atë tjetrën përpara asaj.
Nëse vërejmë, duke kthyer kokën mbrapa në histori, se çfarë shohim ne, çfarë shohin gjermanët, polakët, çekët, sllovakët, të cilët ishin të parët që u përfshinë në familjen europiane, diferenca është shumë e madhe. Dhe diferencën nuk e bën klima, nuk e bën gjeografia, nuk e bën historia e njerëzve, por e bën fakti që përtej komunizmit, në të shkuarën e atyre vendeve kishte shtet dhe një traditë të shtetit, kishte sisteme institucionesh, administratë, universitete, institucione fetare, rrjete komunitare e me radhë. Në një farë kuptimi, shkuarja drejt Bashkimit Europian për ato vende ishte rilidhja e fillit të historisë së tyre, të këputur brutalisht nga komunizmi që në ato vende ishte një aksident i dhunshëm dhe i imponuar me forcë, që arriti të shtrihej pak në rrugët e mënyrës së të menduarit dhe arriti të influencojë pak, opinionet dhe mendjet e atyre njerëzve. Kur them pak është relative, shumë në raportin e tyre me vetveten, por shumë pak, nëse krahasojmë ata me ne.
Ndërsa në Shqipëri, komunizmi filloi të binte pa kthim në 8 dhjetor dhe praktikisht u shkërmoq në një periudhë shumë të shkurtër kohe, por ra si një bombë që, pasi kreu gjithë shkatërrimin e goditjes së vet në dekada, vazhdoi të prodhonte pasoja me rrezatimin, tipikisht siç ndodh në vendet ku kanë rënë bombat, apo janë bërë shpërthimet apo aksidentet atomike, kur pas shpërthimit dhe shkatërrimit të parë e viktimave, verifikohen deformime, sëmundje, vdekje.
Në këtë sens, komunizmi e pati shumë të gjatë dhe unë besoj e pati shumë të gjatë në dy aspekte, rrezatimin e vet negativ. Nga njëra anë, në marrëdhënien me lirinë dhe nga ana tjetër, në marrëdhënien me tjetrin.
Marrëdhënia me lirinë, ju e dini shumë mirë që në Shqipëri u kthye në një valë shumë të fortë barbarie, pushtimesh të tokave, pushtimesh të hapësirave publike, shkatërrimesh të pronës së përbashkët dhe imponimesh të së drejtës private në mënyrë të dhunshme mbi hapësirën e përbashkët.
Gjithë ajo fabul e 50 viteve, ku njerëzve iu tha se gjithçka, ngado të ktheni kokën është e jona, por asgjë nuk është e imja si individ, prodhoi këtë kundërveprim të jashtëzakonshëm, që se ka parë faktikisht, asnjë vend tjetër.
Unë besoj se ka një njësi matëse për të parë nivelin në të cilin shoqëria shqiptare u afektua nga komunizmi dhe kjo është barbaria postkomuniste. Barbaria e tranzicionit, shpërthimi i egos dhe i vullneteve individuale, për të marrë hakun e një periudhe të tërë ku u mohua prona private, u mohua liria dhe e drejta për të lëvizur, për të folur, u mohua gjithçka dhe njerëzit u kthyen në një konservë të madhe, si ato sardelet e puthitura mirë me njëra-tjetrën në një hapësirë shumë të kufizuar frymëmarrjeje dhe lëvizjeje.
Komunizmi na ka lënë trashëgim si inerci të vetën, si rrezatim të vetin, marrëdhënien me tjetrin. Në regjimin komunist nuk ekzistonte kundërshtari, ekzistonte vetëm armiku, nuk ekzistonte oponenti, por vetëm kërcënimi armiqësor që përbënte çdokush që shfaqej si i ndryshëm.
Komunizmi nuk godiste mesazhin, godiste mesazherin. Asgjësonte fizikisht mesazherin, për të fshirë mesazhin. Nuk hynte në debatin se kush ka të drejtë, apo ti mendon kështu dhe unë ndryshe dhe këtë ta debatojmë. Futja në këtë debat do të krijonte mungesa ekuilibrash, që mund të ktheheshin pastaj, në problem për vetë ekzistencën e regjimit.
Ajo që trashëguam ne, si një zgjatim i asaj periudhe, është raporti me kundërshtarin si një raport armiqësor. Me një ndryshim të vetëm që komunistët i pushkatonin, i burgosnin, i syrgjynosnin, i torturonin, i persekutonin, i tmerronin të gjithë ata që i perceptonin si kundërshtarë, ose të gjithë ata që mund të perceptoheshin si kundërshtarë, edhe në një fshat, thjesht e vetëm sepse mund të thoshin “buka sot nuk qenka e ngrohtë”. Ndërkohë që më pas, kjo vazhdoi pa pushkatime fizike, pa burgosje fizike, pa persekutime fizike, por përmes një agresiviteti të shfrenuar verbal.
Nuk është e rastit, që po të shikojmë se çfarë ka prodhuar politika shqiptare në gjithë këto vite, ka një unikalitet që e bën të pangjashme me vendet e tjera ish komuniste, gjuhën ekstreme, agresivitetin ekstrem, përballjen ekstreme, akuzat, shpifjet, goditjet ekstreme për ta rrënuar tjetrin dhe për ta bërë të parespektueshëm në sytë e të tjerëve. Një garë që zhvillohet prej vitesh e vitesh, si e si të përbaltim njëri-tjetrin, për ta bërë sa më të parrezikshëm kundërshtarin.
Kjo cenoi, ka vazhduar dhe vazhdon të cenojë cilësinë e bashkëjetesës në mjedisin publik. Jam i bindur që, nëse do të bënim statistika të konsumit të energjive dhe të fjalëve për t’u marrë me njëri-tjetrin, në raport me energjitë dhe fjalët për të diskutuar, për të debatuar, për t’u përplasur me njëri-tjetrin për vizione, për ide, për programe, për zgjidhje, do të ishte një peshore që do të anonte shumë rëndë nga e para.
Sot, ne vazhdojmë të kemi një mundësi të madhe që për shumë arsye nuk është tretur, nuk është dobësuar, që është ëndrra dhe bindja tek perspektiva europianë e Shqipërisë. Kjo perspektivë europiane na ndihmon që mos mbytemi në llumin tonë, që të mos asfiksohemi nga balta që prodhohet në mënyrë kaq intensive, prej 20 e kusur vitesh, në kënetën e politikës shqiptare.
Parafytyroni se ç’do të ishte Shqipëria sot, nëse në këto 25 vjet, Europa nuk do të ishte një ëndërr e përbashkët dhe perspektiva europiane nuk do të ishte një qëllim i përbashkët dhe nëse procesi i integrimit europian nuk do të ishte një instrument i përbashkët. Parafytyrimi, ngado që ta çosh syrin e imagjinatës, është shumë i errët. Integrimi europian na ka ndihmuar që të mbijetojmë e të lëvizim përpara në një proces që është procesi i shtetndërtimit.
Për hir të së vërtetës, pavarësisht kostove të mëdha që shoqëria jonë duhet të vazhdojë t’ia paguajë historisë e jo vetëm historisë së afërt, por edhe historisë së largët, jo vetëm historisë së rëndë të regjimit komunist, por edhe asaj përpara regjimit komunist, përsëri unë besoj se në 25 vjet, kjo kosto nuk justifikon prapambetjen tonë në ndërtimin e shtetit, nuk justifikon faktin që pas 25 vitesh, ky vend nuk arrinte dot të paguante dritat, nuk arrinte dot të vendoste një raport normal midis të drejtave dhe detyrimeve, në një aspekt shumë elementar dhe banal.
Më e bukura është se nuk ekziston një shqiptar, nga veriu në jug, nga qendra e Tiranës deri në fshatin më të thellë, që të shkojë jashtë shtetit dhe të imagjinojë të mos paguajë dritat. Nuk ekziston! Ashtu sikundër nuk ekziston një shqiptar që të shkojë jashtë shtetit, ose që është atje nga dita e parë që ka marrë anijet, që të marrë kazmën dhe të hapë themelet për të bërë shtëpinë e vet në trotuar. As në Greqi, as në Itali, lëre më në Gjermani e gjetkë. Nuk ekziston një shqiptar që të hapë një biznes jashtë, të vogël apo të mesëm dhe ka plot të tillë, që të mos respektojë detyrimet, të ketë një dyqan e të mos japë kupon. Thjesht nuk ekziston!
Atëherë, si shpjegohet që të njëjtët njerëz, i njëjti popull, këtu ka sjellje tjetër, atje ka sjellje tjetër? Sikurse nuk ekziston një shqiptar që të marrë makinën dhe të mos verë rripin e sigurisë, sapo kalon kufirin e Shqipërisë. Ndërkohë që këtu, unë vetë kam parë punonjës të ambasadës gjermane pa rrip sigurimi. Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit; Nuk janë njerëzit që i imponohen një sistemi, është sistemi që imponon sjelljet e njerëzve.
Në këtë aspekt është edhe thelbi i betejës sonë, për të ndërtuar një shtet, i cili garanton të drejta, por garanton edhe detyrimet. Nuk mund të ketë lulëzim të lirive dhe të drejtave, nëse nuk ka plotësim të detyrimeve.
Është e pamundur që në një shtet ku të gjithë përpiqen për t’ia hedhur njëri-tjetrit, shteti të bëjë për të gjithë, atë që secili do dhe meriton. Në këtë rast, duke ia hedhur njëri-tjetrit, faktikisht e kemi bërë të pamundur për vite të tëra që të ndërtojmë një shtet, të ndërtojmë një administratë, e cila të jetë në gjendje të zbatojë Kushtetutën, të zbatojë ligjet, të respektojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe të përfaqësojë meritën në këtë vend.
Ne jemi në një betejë për ta realizuar këtë. Jemi shumë larg asaj që duhet dhe duam në të gjitha fushat. Fakti është që, nëse nuk do kishim perspektivën europiane, do të ishte shumë herë më e vështirë, në këndvështrimin tim do ishte e pamundur. Pa perspektivën europiane, Shqipëria nuk kishte asnjë shans të mbijetonte, në një botë tjetër, po themi.
Duke pasur perspektivën europiane, ne kemi mundësi të mëdha që të shtyjmë përpara procese dhe reforma, që përndryshe njerëzit nuk do t‘i mbështesnin. Po ato njerëz, që kur janë jashtë e paguajnë në mënyrë rigoroze energjinë elektrike, nuk do ta kishin mbështetur reformën e energjisë elektrike. Thelbi i kësaj mbështetjeje ishte bindja e vetëdijshme, ose e ndjerë e pjesës dërrmuese të popullit shqiptar, që kështu nuk vazhdohet më, nëse duam të bëhemi si të tjerët. Që do të thotë nëse duam të bëhemi edhe ne, një vend europian, me një shtet europian në familje evropiane.
E njëjta gjë me reformën e administratës publike.
Jemi në një periudhë të ndërmjetme në të gjitha aspektet e reformave. Reformat nuk janë festa, nuk janë koncerte, nuk janë dasma, as party. Reformat janë operacione. Masat që i shoqërojnë reformat janë instrumente të frikshme operacionesh. Kush ka shkuar në një spital i ka parë në tavolinë të gjitha. Janë ilaçe të hidhura. Por nuk mund të shërohet një organizëm i sëmurë me festa. Duhen edhe festat, patjetër, për të lehtësuar dhimbjet e operacionit pas operacionit. Janë shumë të nevojshme edhe lulet që të sjellin miqtë, pasi ke dalë nga salla e operacionit, por nuk mundet që lulet të zëvendësojnë operacionin.
Përfytyroni pak sikur këto reforma të ishin bërë 20 vjet, 15 vjet apo 10 vjet përpara. Parafytyroni sikur këtu e 20 vjet përpara, shteti, një qeveri të kishte pasur kurajon të thoshte “Stop ndërtimeve pa leje!” Parafytyroni sikur një qeveri t’i kishte thënë “Stop degradimit të krizës së pronës, të ulemi e t’i japim një zgjidhje!” E me radhë të tjera: “Stop, nuk vidhet energjia!”
Pse nuk i thanë?
Për një arsye shumë të thjeshtë dhe për një shkak shumë të rëndë; Sepse patën frikë të humbasin pushtetin, patën frikë të humbasin vota, patën frikë se do të mirëkuptohen nga shqiptarët. I trajtuan shqiptarët si dele, thjesht e vetëm për t’ju marrë qumështin, duke i lënë të livadhisin vetë.
Kam qenë kryetar bashkie për vite të tëra dhe e kam ndeshur shpesh pengesën, në formën “nuk të japim mbështetje për këtë, se janë tanët ata atje”, “nuk të japim mbështetje për atë, se na mërziten këta se janë tanët.” e me radhë. Kjo është tradhtia ë e madhe që mund t’i bëhej gjeneratës tuaj. Nëse sot, ne nuk do të bënim këto reforma, do të tradhtonim gjeneratën tjetër, me vetëdije.
Unë nuk i hyj sesa të vetëdijshëm e sa të pavetëdijshëm ishin ata para nesh, apo sa vizion kanë pasur dhe sa nuk kanë pasur. Ky është një debat për të cilin unë kam pikëpamjet e mia, por mund të mos i kem të drejta. Por një gjë është e sigurt, kjo është një tradhti. T’i thuash prindit mos e paguaj energjinë se je në hall dhe t’ia mbash aty, borxhet, kamatëvonesat e të gjitha me radhë, do të thotë, së pari, ta fusësh në një kurth të madh atë vetë; së dyti, të tradhtosh fëmijët e tij. E kështu në çdo sektor.
25 vjeçarët e sotëm, bashkëmoshatarët tuaj, në një pjesë të madhe janë viktima të një tradhtie të madhe, që ishte tradhtia për të mos bërë asnjëherë reformë reale në arsim. Duke ju dhënë të gjithëve karamele, çokollata, lule iluzionesh dhe duke ju thënë se jeta është e gjitha e juaja, ju vetëm marshoni përpara se nuk do të keni asnjë pengesë; dyert e universiteteve janë të hapura për ju dhe ju mund të bëheni juristë, pa shkuar fare në universitet, të bëheni ekonomistë pa e ditur fare adresën e auditorit tuaj, apo inxhinierë pa kapur kurrë laps me dorë për të bërë një vizatim teknik, a nuk është kjo një tradhti e madhe?!
Sot, ata mijëra e dhjetëra mijëra të reja e të rinj, por edhe ata mijëra prindër që investuan paratë, kursimet e tyre për t’i çuar fëmijët në shkollë, kanë në dorë një copë letër që nuk ka asnjë vlerë.
Para disa ditësh isha në një lokal. Më erdhi një djalë e më tha nëse mund të bënim një fotografi. Duke bërë fotografinë, më tha “na gjej një punë, o burrë”. E pyeta se çfarë shkolle kishte. “Jurist si gjithë shqiptarët”, më tha.
Ja, kjo është tradhtia. Jurist si gjithë shqiptarët!
Sidoqoftë, unë kam shumë besim. Po mos të kisha kaq shumë besim, nuk do të merresha me këtë punë. Kam shumë besim dhe ky është një besim që më forcohet përditë, sepse shikoj që populli, opinioni publik, shumica dërmuese e njerëzve, ata që shohin me sytë e tyre, dëgjojnë me veshët e tyre e arsyetojnë me mendjen e tyre, – jo ata që shohin me sytë e partive dhe dëgjojnë me veshët e partive, – asnjëherë nuk i kanë rënë ndesh reformave.
Kur ne nisëm reformën e energjisë, që duhet ta kishim nisur më parë dhe ky është një nga gabimet që kemi bërë, jemi menduar gjatë. Të gjithë bashkëpunëtorët e mi më kanë bërë të mendoj gjatë, sepse ishin të tmerruar nga ideja që do të humbasim mbështetjen. Prandaj, thanë, ta lëmë për më vonë, se do të marrim goditje shumë të fortë. Edhe pse ndjesia ime ishte e kundërta.
Më në fund e nisëm reformën. Jo vetëm që nuk humbëm mbështetjen, por është një nga reformat më të mbështetura nga opinioni publik. Nëse ishin gjysma e shqiptarëve që nuk paguanin energjinë elektrike, si shpjegohet që 85% e shqiptarëve, në të gjitha anketimet tona, 90% e më shumë këtu në bashkinë e madhe të Tiranës, madje në qarkun Tiranë, mbështesin reformën. Sepse njerëzit janë larg së qeni dele dhe janë larg së qeni budallenj. Ndjesitë e tyre u thoshin të vërtetën.
Fakti që gjithë ato reforma kanë qenë të mbështetura kaq shumë, si edhe reforma e arsimit të lartë dhe mbyllja e universiteteve, për të cilën kemi bërë shumë debat derisa e kemi çuar përpara, kanë qenë reforma të mbështetura shumë. Mijëra e mijëra njerëz e familje që u dëmtuan në pamje të parë, por në fakt nuk u dëmtuan, por shpëtuan, sepse mbaroi një iluzion dhe nuk vazhduan të investojnë më për një asgjë.
Reforma e arsimit profesional është ndryshe. Është reformë që fut një element të ri, të domosdoshëm, në proces. Parafytyroni sikur këtë rritje, nga viti në vit, i numrit të fëmijëve që shkojnë në arsim profesional, ta kishim pasur 20 e kusur vite, sot do të kishim pasur një vend që do të kishte shumë më tepër zanatçinj e profesionistë, të cilët nuk do të kishin nevojë të shkonin në Gjermani për të kërkuar azil politik, por do të shkonin atje, nëse do të donin, të punësoheshin normalisht dhe as nuk do të mbeteshin këtu duke kërkuar punë në kafe e duke u marrë me Facebook-un.
Në kaq shumë vite prodhuam një gjeneratë, që është shumë e hidhur ta mendosh. Në anketimet që ne bëjmë dhe që kemi bërë edhe më përpara, numrat nuk lëvizin. Janë pak a shumë 70% që thonë “unë jam i papunë, por dua të punoj vetëm në shtet”. Në një vend që ka zgjedhur iniciativën e lirë, në një vend ku mjafton të kesh pak kurajo e shumë vullnet, për t’u vetëpunësuar me biznesin tënd të vogël, apo për të bërë shumë më tepër se kaq.
Kjo është tradhti! Tradhti e madhe!
Ne jemi këtu për të bërë çmos që gjenerata tjetër të mos jetë e tradhtuar dhe të mos paguaj kosto të pamerituara të një politike që mendon vetëm për të marrë pushtetin dhe që në pushtet mendon vetëm sesi të zgjasë jetën e pushtetit e si të zgjasë qëndrimin e vet në karrige, duke transformuar rrënjësisht sensin e misionit që ka çdo i zgjedhur e çdokush që merr besimin e popullit.
Këtu janë 200 të reja e të rinj që besuan tek një proces ku edhe mund të mos besonin. Ka plot që nuk besojnë e kanë të drejtë. Ka plot që nuk besojnë tek konkurset e kanë të drejtë. Sepse këtu, pas 20 e kusur vitesh, edhe për t’u bërë mis Sharra, bëhesh me mik, jo më për të fituar një pozicion, kur vite e vite të tëra është bërë vetëm teatër. Një teatër i shëmtuar. Por, nga ana tjetër, sot në administratën publike, si rezultat i konkurseve, vajza e djem që kanë konkurruar 7 herë, 8 herë, kanë këmbëngulur e kanë fituar. Ashtu sikundër ka edhe një fakt, që një pjesë e konsiderueshme konkursesh nuk nxjerrin fitues. Nëse konkurset do të ishin të fabrikuara, gjithnjë do të nxirrnin fitues. Por ka konkurse që nuk nxjerrin fitues dhe pse? Sepse nuk fiton asnjëri!
Për mua, për ne ka një rëndësi të madhe kjo që bëni ju. Sepse ndihmoni që të rritet, me vështirësi, por të rritet pak nga pak, në mënyrë të qëndrueshme, ky besim. Ju jeni 200 të reja e të rinj që do të filloni të punonin në administratën publike. Por në të njëjtën kohë jeni edhe 200 njerëz që do të tregoni historinë tuaj. Një vit në administratën publike do t’ju ndihmojë që të përgatiteni për të marrë konkursit dhe për të fituar si definitivë. Dëshmia juaj është një gur i rëndësishëm i këtij themeli që ne po vendosim në administratë.
Unë ju falënderoj sinqerisht, që keni marrë këtë rrugë. Nuk do jetë e lehtë. Ju keni qenë në administratë dhe është shumë e rëndësishme që, edhe pse sytë mund t’ju kenë parë gjithfarë çudirash, ju keni këmbëngulur. Keni këmbëngulur duke besuar tek dëshira juaj dhe tek merita juaj. Kjo është gjëja e vetme që mund të bëjnë njerëzit që realisht duan t’ia dalin, njerëzit që nuk e presin punën në shtëpi, nuk presin që nga ora 11 e mëngjesit, puna t’i “bjeri derës” e t’ju thotë “çohu se erdha!”, apo t’ju thotë “rri ti në kafe, se po shkoj unë ta bëj punën, për ty”, të luftojnë.
E kam përsëritur e do të vazhdoj ta përsëris sa herë të më jepet mundësia. Sa herë kemi aktivitete tek Partia Socialiste, në oborr janë gjithmonë 60-70 veta, të cilët kanë halle nga më të ndryshmet. Por më shokuese, për mua, është se gjithnjë ka 5-6 prindër që vijnë e kërkojnë punë për fëmijët. Fëmijët, 35 vjeç, 40 vjeç! E njëjta bisedë:
– Dua punë për djalin.
– E kuptoj, por pse nuk vjen djali vetë?
– Është i mërzitur. – Sa vjeç është djali?
– 42. Po ku është djali?
– Në shtëpi.
– Të nisi ty të vish këtu?
– Jo, unë erdha vetë.
Dhe kjo histori vazhdon.
Blendi Klosi e di shumë mirë, Erion Veliaj e di shumë mirë, se kanë qenë në një pozicion ku janë marrë konkretisht me shumë raste njerëzish që kërkojnë punë, për t’i orientuar dhe ndihmuar tek zyrat e punës, në mënyrë që të krijojmë besim edhe tek zyrat e punës. Po ju them se 90%, e nuk ekzagjeroj, nuk duan punë në sektorin privat. “Po që puna për privat”, – më tha njëri, burrë me dy fëmijë, – “kam pensionin e mamasë. Unë dua ndonjë punë në shtet dhe ndonjë punë tamam”. Dhe me punë tamam, kuptohet se çfarë është, domethënë, që jo vetëm të marrë rrogën, por të kapë edhe ndonjë gjë tjetër.
Shumë faleminderit!