Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Roshnik, Berat, ku starton agroturizmi i parë dhe do të vijojnë investime të tjera në agroturizëm e trashëgimi kulturore: 

Përpara se sa t’i japim fjalën njeriut më të rëndësishëm këtu, ministrit të Turizmit që është edhe i plotfuqishmi i zonës, unë dua të them disa fjalë, lidhur me arsyen pse jemi këtu, sepse në pamje të parë, dikush mund të thotë, gjithë kjo përfaqësi nga Tirana për një shtëpi.

Në fakt, nuk është një shtëpi, është një model. Është një model që ne duam ta shtrijmë në sa më shumë, fshatra të Shqipërisë, është një model zhvillimi i ekonomisë së fshatit dhe i ekonomisë familjare që kombinon bukurinë natyrore, trashëgiminë kulturore, potencialet blegtorale, bujqësore me gjithë traditën e mikpritjes. Faktikisht, unë jam absolutisht i bindur që familja e angazhuar në këtë projekt me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, vitin e ardhshëm do të jetë në një epokë tjetër të historisë së saj sepse nga një familje e mirë, punëtore, që ka jetuar gjithë këtë kohë me prodhimin e verës dhe të rakisë dhe ka tregtuar në këtë rajon, duke garantuar një ekonomi modeste familjare, do të kthehet në një agroturizëm me të ardhura shumë më të larta e jo vetëm kaq, por do të bëhet shtysë që edhe të tjerët rreth e rrotull të kuptojnë se jetojnë në një territor ku mjafton të kesh fuqinë të ëndërrosh dhe të shkosh pas ëndrrës tënde për t’ia dalë që të garantosh një fitim shumë më të madh se sa të gjitha fitimet e emigracionit të mbledhura sëbashku.

Kjo nuk është një histori që po e shkruajmë ne për herë të parë, është një histori që e kanë shkruar të tjerët përpara nesh, në vendet që e kanë agroturizmin një nga shtyllat më të qëndrueshme të ekonomisë familjare në fshat, por dhe një shtyllë të ekonomisë kombëtare.

Nga ana tjetër, shtrirja në Rroshnik dhe në zonat përreth këtu, – ne kemi disa fshatra që janë pjesë e programit të 100 fshatrave, – lidhet me ambicien që tanimë turistët që rriten në mënyrë të konsiderueshme çdo vit, në drejtim të Beratit, të kalasë, të urës, të traditës historike, të shtrihen edhe përreth tij dhe të mund t’i mbajmë më shumë sesa një mbrëmje, në këtë territor.

Të mbash turistët më shumë se një mbrëmje do të thotë të krijosh më shumë mundësi ekonomike e t’i bësh të paguajnë më shumë, pra të lënë më shumë nga paratë e tyre para se të ikin që këtu.

Një shembull shumë i thjeshtë është shtëpia e Qyprillinjve këtu mbrapa, një dinasti, e cila i ka dhënë nuk e di se sa kryeministra perandorisë së madhe, një rrënojë që me ndërhyrjen në kuadrin e programit të 100 fshatrave, do të bëhet një arsye më shumë për ta vizituar këtë zonë, me historinë e saj, me edhe këtë kuriozitet të jashtëzakonshëm që pikërisht nga ky fshat, kanë dalë kaq shumë burra të një super shteti të asaj kohe.

Po ashtu, e tha ministrja, për të mos u zgjatur me kanionet e me malin e Tomorrit, pra me shumë itinerare turistike, ajo që vlen të theksohet nga ana tjetër është që ne duam të bëjmë çmos që të përfshijmë edhe të rinjtë në këtë proces. Të rinj që e kanë parë vijimësisht të ardhmen e tyre jashtë fshatit dhe që kanë menduar gjithmonë se jashtë fshatit fitohet më shumë se sa duke qëndruar në fshat. Patjetër, jashtë fshatit fitohet më shumë se sa duke qëndruar në fshat, kur në fshat nuk ka asnjë mundësi, por me mundësitë që ne kemi krijuar që, thjesht shtëpinë tënde ti ta kthesh në një mekanizëm ekonomik, duke e kthyer në një pikë mikpritje për të cilën, ne, qeveria, të japim kontributin në dorë, e këtu është shembulli konkret që 80 mijë USD ne i kemi dhënë si bashkëfinancim për të bërë gjithë këtë transformim të madh këtu dhe jo si kredi, por dhuratë në mbështetje të një projekti.

Janë 10 milionë që janë në dispozicion të programit të “100 fshatrave”, të vendosura për të gjithë ata që kanë një ide, që kanë një projekt për të zhvilluar dhe që duan të bëhen pjesë e këtij procesi, ku flasim për agroturizëm, ku flasim për trashëgimi kulturore, ku flasim për startup në fshat dhe për itinerare turistike.

I thashë pak mikut tonë këtu, i cili sot mori certifikatën, është certifikata e parë dhe tani ne do të vazhdojmë dhënien e certifikatave të subjekteve të agroturizmit që janë subjekte të trajtuara në mënyrë speciale nga shteti, me të njëjtin regjim si hotelet me 5 yje. Me TVSH 6%, me tatim-fitimi 5%. Tatim-fitimi më i ulët që ekziston në gjithë rajonin, me mbështetje direkte financiare dhe me një perspektivë të padiskutueshme. Kush investon sot në agroturizëm, garanton pa asnjë diskutim një ekonomi të qëndrueshme familjare për familjen e tij dhe patjetër nëse projekti zhvillohet krijon edhe punësim.

Ajo që ne presim të shikojmë është që edhe të tjerët këtu në zonë të përfshihen. Ja ku është shembulli. Nuk ka asnjë gjë më shumë kjo familje se sa familjet e tjera në kuptimin që mbështetjen do ta kenë edhe të tjerët, natyra është edhe e të tjerëve, edhe shtëpia e Qyprillinjve aty, si një pikë atraksioni është edhe e të tjerëve, edhe dija e përfituar në vite në bujqësi e në zhvillim është edhe e të tjerëve, mjafton që të rrjetëzohemi për të thënë që shkon në Berat, – patjetër, qyteti i një mbi një dritareve, i njohur botërisht, pasuri kulturore botërore, por ka Berat, ka dhe Rroshnik, por ka dhe një fshat tjetër, edhe një fshat tjetër. Kjo gjë do bëjë që në harkun e disa viteve, Shqipëria të jetë vendi ku ka turizëm tradicional në bregdet apo në qytetet muze të njohura prej vitesh, por ka edhe një lloj turizmi tjetër që është turizmi që tërheq sot një masë të madhe njerëzisht që vijnë për mikpritjen, vijnë për kuzhinën, vijnë për dhomën tradicionale, vijnë për ushqimet tradicionale, vijnë për trashëgiminë kulturore, vijnë për natyrën, e kështu me radhë.

Kështu që shumë faleminderit që na jepni mundësinë që ne ta tregojmë këtë shembull. I ftoj të gjithë që të përfshihen, të tjerë shembuj janë në proces, në ndërtim e sipër. Ka filluar procesi i hapjes së aplikimeve të thirrjes së parë që është bërë nga AZHBR-ja me fondin e Bashkimit Europian.

Jam shumë i gëzuar sepse rezultati është inkurajues.

Kemi pasur dyfishin e aplikimeve të parashikuara si nivelin optimal edhe nga Komisioni, tani do të shqyrtohen dhe të gjitha këto janë para që jepen pa asnjë interes, zero dhe nuk janë kredi, janë grante dhe janë bashkëfinancime.

Ishim më parë në disa pika të tjera. Sigurisht që, kur dëgjon për fshatin shqiptar në foltoret dhe gojtoret e Tiranës, “në fshatin shqiptar njerëzit janë duke vdekur për bukë.” Kur lexon për fshatin shqiptar në komentet e kazanëve të botës virtuale, “në fshatin shqiptar është territori ku mbretëron skamja, mjerimi dhe ku pritet fundi i botës”. Por, faktikisht, sot në fshatin shqiptar punohet në një masë të madhe. Nuk diskutohet që kanë edhe ato probleme. Nuk diskutohet që, nëse e merr kamerën dhe e kërkon nuk e ke të vështirë ta gjesh edhe familjen që i futet shiu brenda në shtëpi, ama shumica dërrmuese punon.

Sot kemi dyfishin e eksporteve që kemi pasur kur jemi nisur.

Sot kemi një ndryshim të balancës tregtare dhe kemi një ulje të importeve të ushqimit të produkteve bujqësore, që do të thotë se kemi rritje të prodhimit vendas.

Sot, e tha ministri, në eksportin e domates ne kemi arritur në nivele që s’kemi qenë kurrë.

Pra janë shenja shumë të rëndësishme të një transformimi që ka nisur.

Patjetër që duhet shumë më tepër!

Patjetër që do bëjmë shumë më tepër!

Por ama, bazat janë hedhur dhe shembujt janë.

Këtu ne nuk flasim për histori që ne i kemi parë jashtë shtetit. Këtu flasim për histori reale, njerëzish realë. Zotëria është person real. Familja e tij është familje njerëzish realë që jetojnë në fshat dhe që kanë zgjedhur të jetojnë këtu.

Gjatë gjithë rrugës tonë, sot kemi parë pikat e grumbullimit, kemi parë serat. Këtu është zotëria tjetër që kishte ndërtuar një super serë fantastike që e ka rritur eksportin, ka rritur volumin dhe kështu janë plot në të gjithë këtë zonë. Pra, është një zonë ku punohet, ku prodhohet, ku eksportohet dhe ku mungon elementi i agroturizmit, por nuk mungojnë ata që mund ta bëjnë.

Kemi një bos këtu përballë. I duhet dhe këtij të kalojë nga shishet e verës që i ka të famshme, – ti bëj dhe pak reklamë këtu se e meriton, Çobon, – tek një pikë agroturistike që duhet të jetë e famshme, që të shkohet edhe, duke pasur edhe verën t’i dehë ata dhe t’i mbajë me ditë të tëra aty. Por, ama, që ata të rrinë me ditë të tëra, është që kur zgjohen në mëngjes të kenë të tjera arsye përveç atyre arsyeve që i thotë gota e verës në darkë.

Po kështu është kantina tjetër fantastike e mjeshtrit këtu, Nurellarit, që është në kryevepër. Ama ne duam t’i mbështesim dhe më shumë që të forcojmë komponentin e mikpritjes, jo thjesht pika ku prodhohet, ku ruhet vera dhe ku vizitohet, por dhe pika ku rrihet. Rrihet dhe pastaj për të bërë xhiron e zonës dhe për të parë objekte të trashëgimisë dhe për të parë natyrën, ka plot e plot për të parë.

Është koha që bukurinë që i ka dhënë Zoti këtij vendi, ta kthejmë në burim rritjeje ekonomike të fshatit. Është plotësisht e mundur. Këta janë shembuj të pakët, por shumë cilësorë që tregojnë se sot mendja në vend, zemra e fortë dhe këmbëngulja për të shkuar përpara e bëjnë fituese çdo iniciativë në fshat.

E kemi bërë zero taksën për imputet bujqësore, pas 28 vitesh. Të gjithë e kishin premtuar. Sot u bë e mundur.

Atëherë, çmimet do të bien në mënyrë të ndjeshme për të gjithë imputet, që do të thotë, do të rritet fuqia. Na duhet vetëm të kemi mendje kthjellët dhe të përgatitemi gjithmonë e më shumë për të bërë projektet.

Është e vërtetë, ne kemi sot shumën më të madhe në dispozicion që ka pasur ndonjëherë bujqësia. Po t’i mbledhim, Komisionin Europian, skemat tona, “100 Fshatrat”, ne shkojmë në rangun e 100 milionë eurove e më shumë.

Çështja është, si do t’i thithim ato para, sepse duam projekte të shkruara mirë?

Nuk të jep BE kokërr leku, – i ke aty dhe nuk i merr dot, – nëse nuk ke projektin e duhur dhe nuk ke dokumentet e duhura, jo si ajo që e solla si shembull më parë. Kaloja njëherë rrugës andej nga Lezha dhe në anë të rrugës shoh një tabelë: “shesim tokë pa letra” edhe ishte dhe një numër telefoni celular i shkruar me dorë, d.m.th., të shesim një hall, e kemi ne, po ta kalojmë ty, pa letra, e pastaj shih e bëj ti, a e kalon, apo nuk e kalon dot atë jetën që të ka dhënë Perëndia, apo do të pritet rrugës nga toka pa letra. Mirëpo me tokë pa letra nuk të jep kokërr euro KE dhe këtu vijmë te çështja e regjistrimit të tokës që është në proces me ligjin e ri.

***

Roshniku është pjesë e Programit Kombëtar 100 Fshatrat për profilin e tij dhe potencialet e zhvillimit në bujqësi, agropërpunim, agroturizëm, turizëm natyror e kulturor.

Në fshatin Roshnik ndodhet dhe monumenti i kulturës “Banesa në Roshnik”, shpallur monument kulture i Kategorisë së Parë. Është hartuar projekti i restaurimit të kësaj banese me vlera të rralla për të rijetësuar fshatin, duke rikthyer shkëlqimin e harruar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.