Në Roskovecin e rilindur, i cili sot është si nata me ditën, krahasuar me disa vite më parë, vijoi takimi i Kryeministrit Edi Rama me banorët e zonës për bilancin e rezultateve të prekshme e lehtësisht të dukshme të bashkisë, si dhe për masat e ndërmarra nga qeveria për të mirëmenaxhuar sfidat e vështirësitë e kohës.
* * *
Shumë faleminderit dhe më vjen sinqerisht shumë keq për gjithë ata njerëz që ishin jashtë në shi, në pamundësi për të hyrë këtu brenda, si dhe për pamundësinë që gjithë ajo punë realisht kolosale që Majlinda ka bërë këtu në Roskovec, nuk mundëm që ta shihnim të ekspozuar ashtu siç duhet me të gjithë komunitetin, sepse jam i bindur që ndër shumë punët e bëra, jo të gjitha, të gjithë i dinë dhe i kanë parë, sepse janë bërë në vende e në pika të ndryshme të bashkisë, e cila është nejç bashki e vogël mbase në numrin e njerëzve, por nuk është e vogël në shtrirjen e saj gjeografike.
Megjithatë ne shi kërkonim, kështu që nuk mund të qahemi edhe pse po bie më shumë në jug se sa aty ku duhet të bjeri në veriun e vendit ku janë dhe hidrocentralet që prodhojnë sasinë më të madhe të energjisë elektrike.
Ndërkohë që më lejoni të përfitoj nga rasti për të komunikuar me ju edhe disa gjëra që shkojnë përtej bashkisë së Roskovecit, shkojnë përtej qarkut të Fierit, madje shkojnë edhe përtej vendit tonë, i cili duke qenë i pozicionuar në këtë pjesë të Europës, duke qenë i pozicionuar në aleancën euroatlantike është pjesë e një lufte që ne as nuk e kemi nxitur, as nuk e kemi kërkuar, as nuk mund ta ndalojmë, por që na takon ta bëjmë pjesën tonë, duke qenë në radhë të parë të vetëdijshëm për faktin që jemi në luftë dhe kush thotë të kundërtën, natyrisht që ose i shërben dikujt tjetër, do mundohem ta shpjegoj pse dhe si, ose nuk di çfarë flet.
Jemi në luftë sepse arsyeja kryesore, qëllimi kryesor që e ka nxitur Putinin dhe Rusinë të nisë ofensivën ndaj Ukrainës, nuk është për të marrë disa copa e për të aneksuar disa zona në lindje të Ukrainës, por është për të gjunjëzuar perëndimin, për të gjunjëzuar të gjithë pjesën perëndimore, të gjitha vendet që janë në këtë pjesë dhe që i përkasin në tërësi bashkësisë euroatlantike. Ky është qëllimi i luftës! Për ta bërë këtë, bombat hidhen në Kiev e në vende të tjera të Ukrainës, shkatërrimet ndodhin në Ukrainë, vrasjet e njerëzve të pafajshëm bëhen në Ukrainë, plagët hapen në Ukrainë por në ndërkohë, mbi ne dhe mbi gjithë këtë pjesë të Europës janë lëshuar dy armë, të cilat nuk bëjnë zhurmë, të cilat nuk bëjnë shkatërrime të dukshme por të cilat godasin pikërisht aty ku dhemb më shumë. Godasin arkën e familjeve, godasin arkën e shteteve.
Njëra është energjia e kthyer në armë. Tjetra është inflacioni i luftës. Janë të dyja armë përmes të cilave Putini synon të gjunjëzojë Europën. Duke provokuar rritjen më stratosferike në histori të çmimit të energjisë, Rusia ka futur në një situatë shumë të vështirë të gjithë, duke filluar nga vendet më të pasura, duke filluar nga Gjermania, për të vazhduar me gjithë vendet e tjera. Natyrisht, ne nuk i shmangemi dot kësaj vështirësie sepse ne na duhet të dalim në treg për të importuar energji. Shqipëria prodhon kur ka hidrocentralet plot 75% të energjisë për të cilën ka nevojë, 25% i blen jashtë. Kur hidrocentralet nuk janë plot, siç ndodh dhe në vitin ku jemi, për të katërtin vit radhazi, për shkak të thatësirës, kjo shifër, 75% shkon në 70% dhe në nën 70%, gjë që e bën nevojën për energji nga tregu ndërkombëtar më të madhe e gjë që na bën drejtpërdrejtë subjekte të krizës, të çmimit stratosferik.
Që përpara luftës, kur kriza e energjisë filloi të shfaqej, si rezultat i fillimit të ngacmimit nga Putini të gjithë kësaj pjese të Europës, ne thamë që do të bëjmë çmos që kriza e çmimit të mos preki familjet, të mos preki biznesin e vogël. E deri sot megjithëse është bërë gjithmonë e më e vështirë, ne ia kemi dalë që të mbrojmë familjet e të mbrojmë biznesin e vogël, të cilët paguajnë të njëjtin çmim si përpara fillimit të krizës.
Në faturën e energjisë elektrike që ju vjen në shtëpi, ju keni dhe një fashë të kuqe që ju shpjegon për çmimin, por duhet ta dini që ju keni një çmim që është 20% i çmimit real e ju paguani 20% dhe 80% i paguan buxheti i shtetit me vendim të prerë të qeverisë për të mos e transferuar krizën e çmimit tek familjet. Nga ana tjetër e njëjta gjë vlen dhe për biznesin e vogël që mbrohet nga kjo mburojë financiare e vendosur nga shteti, sepse nëse ne do të mbronim çmimin e familjeve por nuk do të mbronim çmimin e energjisë në ato dyqane e pika shërbimi ku ju blini, atëherë vetvetiu rritja e çmimit të energjisë për to do të përkthehej në një transferim të kostos tek çmimet e produkteve që ju blini, gjë që nuk ndodh. Për këtë arsye, ne kemi dhe inflacionin më të ulët në gjithë rajonin tonë, ndërkohë që në vende të tjera të rajonit inflacioni po shkon drejt 20%, ne jemi nën 10%, pra jemi midis 7%-8% dhe do përpiqemi të bëjmë çmos që ta mbajmë në këtë nivel. Kjo nuk do të thotë që është një nivel i kënaqshëm, nuk ka asnjë gjë të kënaqshme kur vjen inflacioni i luftës, inflacioni i luftës nuk vjen për të sjellë kënaqësi, vjen për të sjellë dhimbje dhe qëllimi i kësaj dhimbje është që nxisë njerëzit të revoltohen, të nxjerri njerëzit në rrugë, të bëjë që njerëzit tu turren qeverive të tyre, këtë kërkon Putini. Kjo është mënyra se si ai synon që ta fusi të gjithë Europën në një kaos politik, në një instabilitet politik, në një situatë ku shumë gjëra të tjera pastaj zinxhir të vihen në pyetje.
Tani, ne po bëjmë gjithçka mundemi. Do donim të bënim më shumë, por nuk është e mundur dhe në ndërkohë janë jo pak por 460 milionë euro që gjatë këtij viti janë vënë në dispozicion të mbrojtjes së familjeve nga goditja e çmimit të energjisë se po u godit çmimi i energjisë, aty goditet gjithçka. Aty gjithçka tjetër shkon zinxhir.
Nga ana tjetër, ne sot shikojmë që përveç kësaj përplasje të përditshme të të gjithëve, sepse inflacioni i luftës është shumë më i keq dhe është shumë më gjithëpërfshirës se sa të këqijat që kaluam më përpara. Tërmeti ra në një zonë që fatmirësisht nuk ishte zona juaj. Mori për fat të keq disa dhjetëra jetë njerëzish. Shkatërroi disa mijëra shtëpi por ama nuk preku gjithë Shqipërinë. Pjesa më e madhe e vendit e pa me dhimbje dhe e ndoqi me solidaritet gjithë atë përpjekje. Sigurisht, cënoi gjithë procesin e punës tonë sepse na detyroi të spostojmë fonde të cilat mund të ishin të dedikuara diku për Roskovecin, diku për Fierin, diku për Kukësin, diku për Lezhën dhe për t’i vënë në dispozicion të ndërtimit të shtëpive. Ne vërtetë morëm një mbështetje të konsiderueshme nga BE, por në atë mbështetje pati fonde për shkollat, me të cilat vazhdojmë t’i ndërtojmë një pjesë të shkollave. Pati fonde për monumentet e kulturës me të cilat vazhdojmë të restaurojmë një pjesë të monumenteve të kulturës, pati fonde edhe për ujësjellësit e Durrësit, një kontratë që do ta nënshkruajmë këto ditë. Imagjinoni, që kur ka rënë tërmeti dhe këto ditë do nënshkruajmë kontratën, por dhe ka edhe fonde të tjera për portin e peshkimit e të tjera që janë në proces, por nuk pati asnjë fond për ndërtimin e shtëpive dhe fondet për ndërtimin e shtëpive, mbështetëse, ne i gjetëm gjetkë në Turqi ku falë presidentit të Turqisë u dha mbështetja për 500 apartamentet në zonën e Kurbinit. Në Emiratet e Bashkuara ku falë Princit të Kurorës u dha mbështetja për lagjen e re që po ndërtohet në Spitallë, gjithçka tjetër është ndërtuar me fondet tona, gjithçka tjetër. Këto kanë kërkuar që të kalojë një pjesë e mirë e fondeve që ishin të dedikuara për gjëra të tjera për të përballuar tërmetin dhe kjo sigurisht ka ndikuar në një farë mënyrë tek pjesa tjetër, por deri këtu.
Ashtu sikurse pandemia! Pandemia i futi të gjithë nëpër shtëpi, por nuk i preku të gjithë se pandemisë mund t’i ikje duke u futur në shtëpi. Inflacioni i luftës të gjen në fund të botës, ti nuk i ikën dot se ti nuk rri dot pa ngrënë, nuk jeton dot pa ngrënë, do duhet të dalësh nga shtëpia dhe do duhet të blesh çfarëdo qoftë për të ngrenë, në atë moment do të kapë dorën do të thotë: “dua pjesën time”, sepse çmimi aty nuk është ai që ishte, por është një çmim më i lartë. Do blesh një kokërr vezë, do blesh një kilogram çfarëdo qoftë që mos t’i marr të gjitha me radhë. Të gjitha kanë një çmim plus, një kosto plus sepse është inflacioni i luftës. Është krijuar për këtë, që të ta bëjë jetën sa më të vështirë dhe që të fillosh të shfrysh sa më shumë dhe pastaj kush e sjell, të përdori si armë kundër kujt është shënjestra dhe shënjestra është bota demokratike. Shumë e thjeshtë.
Ndërkohë që përveç kësaj, janë dhe veglat pluse. Janë dhe ata që bëjnë punën e mbjelljes e vazhdueshme, e kultivimit të vazhdueshëm të mërzisë. Shqipëria sot që flasim është pak kohë përpara mbylljes së vitit dhe ne na gënjen mendja, e them në mënyrën metaforike që e përdor populli, që këtë vit do ta mbyllim me gjysmë miliardi eksporte bujqësore. Një shifër e paimagjinueshme kur ne morëm detyrën dhe Shqipëria eksportonte 120 milionë eksporte bujqësore. Gjysmë miliardi dollarë eksporte bujqësore janë një shifër shumë domethënëse që tregon çfarë? Që tregon që Shqipëria në të kundërt nga ajo që tregohet përditë në media dhe në pasqyra të deformuara nga interesa dhe nga shërbime që i bëhen politikës apo fuqive apo forcave të tjera është sot në kulmin e saj të prodhimit bujqësor. Në kulmin e vet, nuk ka eksportuar kurë më parë siç eksporton sot dhe kush i bën këto eksporte, UFO-t? I bëjmë ne. Që do të thotë që fshati nuk është ai që nxjerrin nëpër televizorë, disa që në anë të rrugës hedhin mollët, disa të tjerë që hedhin patatet, disa që ankohen që nuk po shesin dot atë apo këtë, të gjitha këto janë të vërteta. Patjetër, ka disa që i hedhin mollët, ka disa që hedhin patatet, po edhe ka disa që nuk shesin akoma, pse? Për 1001 arsye, por ama ka një shumicë në fshat që punon, prodhon, shet, ky është fakt.
Siç është fakt që Shqipëria sot punon dhe nxjerr nga puna mbi dyfishin e tokës bujqësore që punonte kur ne morëm detyrën. Është dyfishuar puna me tokën bujqësore. Kush e ka dyfishuar punën, unë? Ministria e Bujqësisë, drejtorët e bujqësisë, kryetarët e bashkive? Jo! Njerëzit që punojnë, ata e kanë dyfishuar punën. Ne i kemi mbështetur, patjetër, ne kemi çuar ujin se nëse parcela s’ka pasur ujë, jo prodhim për eksport por mezi dilte buka e gojës. Mirëpo në media, shkoni sot në darkë në shtëpi hapni televizorin, me siguri do të keni lajme nga zonat ku unë kam qenë se sa keq është puna. Me siguri. Sepse kudo mund të gjesh keq, kudo. Edhe jashtë shtetit mund të gjesh keq dhe nuk do gjeni asgjë, zero, se sa shumë punë bëhet në zonat rurale dhe se sa shumë prodhim mblidhet dhe sot ne zonën këtu përreth, në Mallakastër, është dyfishuar prodhimi i ullirit sepse ka qenë një stinë e mbarë dhe natyrisht që ka probleme me shitjen për shkak të nevojës për tu organizuar më mirë dhe televizori nuk thotë që u dyfishua prodhimi, por thotë sa keq, shitet vaji i ullirit më lirë se vaji vegjetal, nuk thotë “blini vaj ulliri o njerëz, mos blini vaj vegjetal që vjen nga jashtë, blini vajin e ullirit vendas sepse është më i lirë”. Nuk e thotë këtë jo, thotë sa keq dhe kështu është çdo ditë.
Janë qepur tani dhe shkojnë kapin njerëz nëpër maja malesh, nëpër zonat më të largëta, ata të cilët janë tani në procesin e ndërtimit të shtëpive të veçuara sepse i kemi bërë me radhë gjërat, nuk e thonë që ata njerëz që dalin në një situatë që në pamje të parë është vërtete e vështirë, marrin bonusin e qirasë. Qeveria iu jep bonusin e qirasë që ditën e parë, vazhdojnë ta marrin çdo muaj bonsusin e qirasë, nuk e thonë, që kjo zonja merr bonusin e qirasë, por nuk ka lënë këtë tokën këtu për të shkuar për të jetuar në një apartament të marrë me qira nga leket që jep qeveria, por sepse në këtë tokën këtu ka gjënë e gjallë dhe ato leket e bonusit të qerasë i merr dhe i përdor për jetën e vet, nuk e thonë këtë, jo, por thonë “shiko si i la qeveria këta”. Mbushur me gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha. Unë nuk po them që njerëzit këtu duhet të çohen në mëngjes të duartrokasin qeverinë, unë nuk them që këtu çdo gjë shkon fjollë, unë nuk them që ne kemi bërë këtu ndonjë mrekulli, absolutisht, unë them një gjë shumë të thjeshtë. Mjafton të dalësh këtu në Roskovec. Unë kam ardhur në Roskovec kur ishim në opozitë, tani Roskoveci ishte të futeshe në një xhep falso edhe ta gjeje daljen me zor, të mbeteshe në xhep falso. Ishte tmerr. Këtu ishte një ferr. Unë vija këtu dhe thoja si munden njerëzit të jetojnë në këtë vend? Natyrisht që njerëzit punonin tokat. Po fëmijët, çfarë bënin fëmijët këtu? Ku dilnin, ishte kjo rruga dhe kaq. Po sot si është Roskoveci? Nuk ka krahasim fare, zero! Është e paimagjinueshme, është qytet tjetër komplet. Është fakt. Pra, si me Roskovecin e me gjithë të tjerët, unë them që krahasuar me nga e nisëm rrugën, sot jemi dita me natë; krahasuar me ku duhet të jemi, jemi në të gdhirë. Nuk flas as për diell, as për ndriçim, jemi në të gdhirë. Kemi akoma shumë punë për ta bërë komplet ditë, nuk diskutohet, por ama, me të mirat dhe të këqijat tona, ne jemi këtu për t’i shërbyer njerëzve dhe për t’i shërbyer vendit dhe unë jam shumë krenar që sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht siç nuk është vlerësuar kurrë, që sot ne kemi arritur të imponojmë respekt, të respektojmë që të gjithë, por ama askush të mos na trajtojë si “këta shqiptarët”, siç ndodhte deri përpara.
Sot ne, kudo ulemi, pavarësisht se sa të mëdhenj janë ata e të vegjël jemi ne, sa të pasur janë ata e sa të varfër jemi ne, raporti është raport i barabartë dhe unë nuk besoj se më parë ia ka thënë kush troç gjërat siç janë, nuk besoj; unë nuk mbaj mend, troç për çdo gjë që nuk shkon, për çdo herë që na kanë rënë në hak, për çdo herë kur na kanë lënë në hije, për çdo herë kur kanë harruar se ekzistojmë siç ndodhi me vaksinat, për çdo herë kur është fjala për të bërë drejtësi për shqiptarët.
Ne i shërbejmë interesit kombëtar dhe gjëja që e kam thënë gjithmonë dhe është gjithmonë e më e qartë është se Partia Socialiste në historinë e saj, edhe përpara se unë të isha kryetar, qysh në ditën e parë të saj dhe deri më sot është e vetmja parti politike shqiptare e Shqipërisë, e cila nga dita e parë deri më sot, kurrën e kurrës nuk e ka lënduar interesin kombëtar, asnjëherë.
Dikur, diku me më shumë force, por kurrë nuk mund të akuzohet Partia Socialiste për asnjë moment të historisë së saj, qoftë në qeveri qoftë në opozitë, që ta ketë lënduar interesin kombëtar. Po këta, këta çorba ruse këtu?
Imagjinoni, sot ne kemi, përveç inflacionit të luftës, përveç energjisë që na godet, kemi një çorbë ruse në mes të Tiranës, kemi veglat e rublave në mes të Tiranës, kemi njerëz që nuk kanë as fe, as atdhe, as din, as iman, nuk kanë lidhje fare me asgjë dhe është shumë e habitshme si akoma arrijnë të kenë ndjekës nga mbrapa që nuk e shohin se kush janë këta.
Po shikoja, tani më dërguan një mesazh, Ilir Metën duke marrë në mbrojtje qeverinë britanike nga unë. E kuptoni ju se ku ka ardhur puna, Ilir Meta?
Ilir Meta ish president, njeriut që ja ka dhënë të tëra. Çfarë t’i jepte më Shqipëria Ilir Metës? Kryeministër, kryetar Kuvendi, president, të gjitha. Është akoma i ri dhe mbron qeverinë britanike nga unë, qeverinë britanike që vetë partia që e ka atë qeveri nuk e mbron dot për atë që bëri ajo ministrja ndaj shqiptarëve dhe e mbron Ilir Meta “Jo, se e ka fajin Edi Rama”. Jep intervista atje, e kuptoni çfarë jemi këtu, e kuptoni cfarë janë këta?
Këta janë tipi i njeriut politik që i është qepur Shqipërisë qysh në 1912, ndërron emër, ndërron fytyrën, ndërron mënyrën, por është i njejti. Është sikur të vdekurit i kalojnë stafetën të gjallëve dhe të gjallët vazhdojnë punën e të vdekurve; nuk i ndahen.
Më thoshin mua “Çfarë ke ti me këta të dy”, kur i thosha Lulit “Lulzim, ndahu nga këta se more veten në qafë”. Më thoshin “Ç’ke ti që ia përmend”, kur ishte fushata, “Se njëri është plak i shkreti atje në punë të vet, tjetri president. Ti ç’punë ke me këta”?
Ja ku i ke. Po Luli, ku është Luli? Nuk dimë gjë.
Sepse këta janë në mision miqtë e mi dhe nuk duhet më asnjë lloj shkence dhe asnjë lloj inteligjence të veçantë për ta kuptuar që Partinë Demokratike e kanë futur në kllapë paratë ruse. Nuk ka lidhje fare çfarë shikoni e çfarë ju thonë. Është shumë e qartë.
Kur doli dhe ne e thamë, thonin “E sajoi Sorosi me Edvinin”. Po tani që e nxorri raporti i CIA-s, i Shërbimit Sekret Amerikan? Gjysmë milioni dollarë dhënë Partisë Demokratike në kohën e çadrës, 2017, për të rrëzuar qeverinë socialiste? Pse u dashkan paguar këta se këta nuk janë as të zotë? Pse paguhen këto lloj honxho-bonxhosh nga paratë ruse? Për çfarë paguhen? Paguhen që çfarë të sjellin më shumë liri dhe të drejta në Shqipëri? Paguhen që t’i japin dinjitet Shqipërisë? Paguhen që të forcojnë demokracinë në Shqipëri?
Për çfarë paguhen, për çfarë?
Paguhen për të bërë çorap këtë vend të NATO-s. Prandaj, të mos e hajë njeri atë që non grata ka dalë atje për dinjitetin e vet. Ta mendojnë mirë njerëzit që si mundet Shtetet e Bashkuara të shpallin non grata një individ që ka qenë president, që ka qenë kryeministër, me të cilin kanë bashkëpunuar? Nuk është çështja se bëri këtu korrupsion, bëri këtu luftë me reformën në drejtësi. Është më e thellë se kaq.
Kur shikon raportin e CIA-s që i kanë financuar paraja ruse këta, kur kujton që ky i tha ambasadorit amerikan, e ka thënë vetë “Ia refuzova kategorikisht që rusët të kenë paguar Partinë Demokratike”. Kur kujton që qeveria e këtij bashkoi votat me delegacionin e Vladimir Putinit në Strasburg për të deklaruar UÇK-në një bandë që trafikonte organe njerëzore në Shqipëri, atëherë çfarë duhet më shumë për të kuptuar që dhe kjo Shqipëria në rrezik është vazhdim i të njejtës lojë me shqiptarët.
Çfarë është kjo verbëri, si mund të ketë akoma njerëz kaq të verbër sa mos ta shikojnë, se kjo është haptazi kundër interesave të vendit tonë, e gjitha. Të ngresh njerëz, të marrësh njerëz mbrapa, të thuash “Ne jemi këtu, ne vendosim këtu, nuk është Amerika, nuk është qeveria amerikane, nuk është ky e nuk është ai”, çfarë është kjo?
Kjo është njësoj si të të paguajnë për papagall, je papagall i paguar. Kush e pëlqen këtë lloj gjuhe, e pëlqejnë aleatët e Shqipërisë apo e pëlqejnë ata në Kremlin këtë lloj gjuhe?
Aleatëve jo, atëherë është fiks gjëja.
Nuk ka nevojë që ne të presim që të dalin në televizor duke i marrë paratë. Mund të kenë marrë aq sa nuk kanë nevojë të marrin më, mund të jenë futur aq thellë sa nuk e kuptojnë as vetë se çfarë bëjnë, por fakti është që këta janë vegla, këta nuk janë as burim i dëshirës dhe nevojës së njerëzve që kanë të gjithë të drejtën e tyre të jenë kundër qeverisë së Partisë Socialiste, të jenë kundër meje, të jenë kundër Majlindës, të jenë kundër Taulantit, të jenë kundër. Sado kundër të jenë, nuk mund të jenë kundër Shqipërisë, nuk mund të jenë kundër interesit të shqiptarëve, nuk mund të pajtohen me idenë që këtu nuk ka luftë, që këtu inflacionin e shkakton Edvini, se këtë do Putini. Këto janë të gjitha gjëra që i shkaktojnë këta. Qeveritë që janë me Ukrainën, megjithatë ne e dimë shumë mirë që si vazhdon kjo, në kuptimin që kemi kohë që e kemi këtë mallkim, që nuk është mbi ne, është mbi vendin. Është një mallkim mbi vendin ky, që e ndjek vendin që nga 1912 me këta lloj tipash, që i dalin përpara njerëzve dhe i çojnë në rrugë të gabuar. Ne e dime po ashtu që në fund këta prapë do marrin atë që kanë marrë dhe atë që meritojnë, prej vitesh. Gjëja që unë mund t’ju them ju, është që ne do vazhdojmë të bëjmë çmos të mbështesim ata që janë në nevojë, ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos ta mbajmë mburojën për të mos lejuar që çmimi i energjisë të mos ju godasë, ne do bëjmë çmos që të shtojmë të ardhurat për pensionistët në radhë të parë. Për këtë arsye, megjithë vështirësinë buxhetore, përsëri në dhjetor do t’i japim një paketë mbështetëse të gjithë pensionistëve. Për këtë arsye kemi vendosur që 3 eksportuesve më të mëdhenj të energjisë që fitojnë në mënyrë marramendëse për shkak se ju ra fati se u rrit çmimi, t’ju vëmë një taksë të jashtëzakonshme, t’u marrim një pjesë të atij fitimi dhe përsëri atë në radhë të parë, do t’i japim atyre që janë më në nevojë, do ia shpërndajmë direkt. Nuk do e çojmë as për rrugë, as për ura po do e çojmë direkt në mbështetje financiare për të përballuar inflacionin e luftës.
Për këtë arsye, do vazhdojmë të rrisim pagat, për këtë arsye do ta rrisim përsëri pagën minimale të cilën sot e kemi 340 mijë lekë, do ta rrisim përsëri kështu do të bëjmë gjithçka, por nga ana tjetër, dhe për ta mbyllur unë ju them, që është koha që të bëjmë më shumë në vendin tonë, sidomos në zonën e fshatit. Vetë. Kur them vetë, ju vetë. Duke u bashkuar më shumë nën drejtimin e bashkisë dhe me ndihmën e bashkisë, duke krijuar ndërmarje të vogla. E solla në Mallakastër shembullin e asaj federatës së ullirit që ishte krijuar në Elbasan. E kishin krijuar fermerët vetë, ishte fantastike, gra dhe burra që deri përpara punonin vetë. Ishin bashkuar 130 e ca veta, mirëpo duke u bashkuar kishin marë një fond dhe duke marrë një fond, kishin krijuar një pikë grumbullimi dhe një linjë përpunimi për vajin dhe nxirrnin më shumë se ç’përfitonin përpara me thasët me ullinj që ço këtu e ço atje. Po kështu, ju e dini vetë ça nevojash ka këtu, s’mund ta di unë. E dini ju çfarë nevojash keni ju. Ju duhet një frigorifer më shumë, ju duhet një pikë grumbullimi më shumë, ju duhet një pikë përpunimi? Mos prisni të vijë dikush ta bëjë nga Tirana. Mblidhuni, bashkë me bashkinë, krijoni bashkë një shoqëri, fusni ju 1 lek, bashkia 3 lekë dhe kërkojini 20 lekë qeverisë. Dhe ne jemi gati t’ju mbështesim për t’i bërë këto, ashtu sikundër nuk mundet më që gjithë ai prodhim që ju bëni këtu, gjithë ato sera qe keni këtu, sado e vogël, 2%, 5%, 10%, nuk e di sa, e prodhimit që nuk e ka cilësinë për t’u marrë, për t’u futur në arkë dhe për shkuar i freksët diku, të hidhet. Ai duhet të përpunuar, duhet bërë salca, duhet bërë produkte të cilat shiten. Si? Duke bërë një pikë agropërpunimi. Si? Duke u mbledhur bashkë.
Me bashkinë dhe me mbështetjen tonë, ashtu sikundër gjithë këto pamje të bukura këtu që i them njerëzve, ajo është Toskana e Shqipërisë. Se njerëzit, se nuk e di tani kush e vuri këtë emër Roskovec, por ka nje emër dreqi, e dëgjon thua, po ça tani? Epo është Toskana e Shqipërise dhe kur i thua Rsokoveci është Toskana e Shqipërisë, të shohin me, se nuk e dinë, se kanë idenë fare, të fshatit. Ama këtu, ka potencial për agroturizëm. Ateherë të rinjtë e Rokovecit në vend të ikin të punojnë atje, nuk e di unë ku, nëpër fusha për grekët e për italianët, boll me këtë histori se nuk jep ajo më shumë se ç’jep toka këtu, nuk jep.
Është fakt ky, dikur po, sot nuk jep. Merre shtëpinë e gjyshit, bëj një projekt,merr një mbështetje financiare nga shteti, ktheje në bujtinë, punoje tokën rreth e rrotulll, prit turistë atje dhe shiko, të del më mirë se në Greqi e Angli apo të del më keq? Të del shumë më mirë, shumë më mirë edhe je në shtëpinë tende.
Se i bëjnë njerëzit llogaritë, rrogat atje, po sa janë shpenzimet atje? Sa i mbetet në fund dhe çfarë kostosh ka ajo, çfarë sakrificash, çfarë tmerresh?
Natyrisht që secilli ka të drejtën të çohet e të thotë “unë do iki”, të shkojë e të provojë diku tjetër. Kjo është gjëja që ka bërë njeriu që kur ka dalë njeriu. Ne ishim të mbyllur që s’na linin të dilnim nga asnjë lloj vrime. Sot, kush do ikën, kush do vjen. Jemi në një tendencë historike që më shumë ikin sesa vijnë, do të ndërrojë tendenca.
Nuk vazhdon pa fund kjo histori, do të ndërrojë tendenca. Kanë filluar njerëz të kthehen. Janë shumë më pak se ata që ikin, do të ndërrojë, por lum kush e kupton sot që këtu është e ardhmja, realisht, jo me sloganë, paralelisht me atë që, unë e kuptoj, do të bëhesh një shkencëtar i madh, dhe duhet të shkosh në një institut, unë e kuptoj, do të shkosh atje; do të bëhesh një sportist i madh dhe ke mundësi do shkosh atje, do luash me Chelsea-n dhe s’do luash me Roskovecin. Unë s’mund të të them rri këtu e luaj me Rroskovoecin, nëqoftëse ti mund të luash me Chelsea-n, patjetër. Çfarëdo gjëje që mund të bësh atje, si vlerë e shtuar do e bësh atje, por ama të shkosh të punosh atje punëtor krahu, ndërkohë që ke këtu shtëpinë e gjyshit në mes të nje mrekullie, në mes të një vendi ku rritet numri i turistëve çdo vit, nuk jemi më si para ca vitesh kur kishim vetëm disa turistë që vinin nga Kosova në bregdet. Jemi në një vend sot që turistët shkojnë kudo, imagjino, të arrijë në 500 mijë numri i vizitorëve vendas dhe të huaj që hyjnë në korçë, 500 mijë. Në zonën e Korçes. Imagjino të shkojë numri i turistëve që shkojnë lart në veri, në zonën e Tropojës mbi 100 mijë. Këto janë shifra të sotme, konkrete. Këta turistë për çfarë vijnë?
Këta vijnë për të parë, për të shijuar gjëra që nuk i gjejnë dot në një vend tjetër. Atëherë nëqoftëse ne kemi bujtina dhe kemi agroturizma që i hapim derën dhe i themi: “hajde vëlla, fli këtu’, shiko dhe këto gjërat e tjera që kemi, por shko shiko edhe Apolloninë, edhe Bylisin, po dil dhe këtëj, dil dhe andej”, po janë tre ditë. Po në atë 3 dit , do paguajë dhe prandaj këto po i bëjnë ato që po i shohin hajrin, prandaj unë sot jam më konfort se kur i thosha në fillim, thoshin ky flet përçart, kur i thosha unë do vijnë turistë këtu e atje, thoshin ‘’ore ky s’është në terezi’’. Në Belsh fusje makinën e mund të të humbte mes ferrave. po sot? Shkoni e shikojeni. Jetojnë me turizëm sot në Belsh, shumë familje. Po shtohen bujtinat, shtohen njerëzit që e kuptojnë, ‘’ore, pse te shkosh atje”? silli të huajt këtu dhe fito më shumë sesa atje, kjo është logjika.
Dy djem nga Anglia në majë të malit në Tropojë, bashkë me një nga Tirana. I takova dje, i di, i njoh ata se i kemi mëbshtetur ne. Kishin ndërtuar një bujtinë atje edhe i thashë, normal, mos më thoni mua që keni ardhur për tokën e për adheun, keni ardhur se fitoni më shumë këtu. Se dakord, atdheu, toka, por po s’fitove më shumë, nuk vjen këtu.
Po – tha. Patjetër fitojmë më shumë këtu. Në majë të malit, atje. Sepse shkojnë njerëzit atje, vizitorët, turistët.
Kjo është e ardhmja këtu.
Faleminderit shumë!