Vaksinimi masiv është sot në ditën e 7 të tij. Edhe në Roskovec, ky proces vijon intensivisht në respektim të plotë të protokollit të parashikuar.
“Në Roskovec kemi ngritur një qendër vaksinimi të përqëndruar për të mos shkëputur shërbimet në qendrat shëndetësore”, – u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës që Kryeministri Rama bëri sot në këtë qendër. Ministrja përditësoi se “në të gjithë Qarkun e Fierit janë kryer më shumë se 22 mijë vaksinime dhe ndërkohë, sot është arritur mbi 180 mijë të vaksinuar në total dhe mbi 120 mijë të moshuar të vaksinuar.”
Kryeministri Rama u shpreh lidhur me një artikull të botuar mbi të dhëna të efikasitetit të vaksinave. “Dje kishte nxjerrë New York Times një artikull bazuar në të dhënat globale të eficencës së vaksinave dhe Sinovac ishte e para”, – u shpreh Kryeministri. Ndërsa ministrja Manastirliu shtoi se efikasiteti i saj rritet për shkak të faktit se ka më pak efekte anësore.
***
Edhe në Ballash, procesi i vaksinimit shënon ritme të kënaqshme. Nga të dhënat e ditës së djeshme janë mbi 2000 të vaksinuar, ndërkohë që edhe dita e sotme po vazhdon me ritme të kënaqshme.