Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Gjithnjë e më shumë familje, po lënë përfundimisht çadrat për t’u kthyer në shtëpitë e reja, në zonat ku tërmeti rrënoi e shkatërroi, pak më shumë se një vit më parë.

Në Rrashbull të Durrësit, janë përfitues të programit të Rindërtimit 90 familje, ndërkohë që në punë e sipër janë 30 shtëpitë e para. 2 familje nga kjo njësi administrative, morën çelësat e banesave të reja nga Kryeministri Edi Rama, i cili së bashku me Ministrin e rindërtimit Arben Ahmetaj dhe Kryetaren e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ishin miq në shtëpitë e tyre.

“Ju faleminderit nga zemra” janë fjalët e mirëseardhjes së të zotit të shtëpisë përfitues i një banese të re 2+1. “Shtëpisë që kishim mund t’ja hiqje tullat me dorë, pa qenë nevoja për mjete të tjera, tregon ai për gjendjen e amortizuar të shtëpisë së vjetër të cilën tërmeti e rrënoi plotësisht. Ndërkohë që ministri Ahmetaj bëri të ditur se me përfundimin e shtëpive njëra pas tjetrës, numri I banorëve që janë ende në çadra po zvogëlohet dita ditës.

“Sot kam një shtëpi shumë më të mire, më të fortë dhe më të bukur” shprehet e zonja e shtëpisë në familjen tjetër përfituese, teksa falenderon kryetaren e bashkisë dhe kryetarin e komunës për punën e palodhur dhe gatishmërinë e tyre.

Në bisedë me ta, kryeministri Rama theksoi se vizita të tilla shërbejnë për të përcjellë mesazhin se puna vijon dhe se po bëhet maksimumi. “Ne duhet vimë për të treguar që po punohet, po bëhet maksimumi. Tani filloi dhe Ds4 në Durrës” – u shpreh ai. Ndërkohë që Kryebashkiakja tha se  paralelisht me punën për pallatet ka edhe 120 banesa individuale që janë në riforcim dhe riparim dëmesh në strukturë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.