Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetje të gjithëve!

Në fakt, ky proces ka qenë që ditën e parë të marrjes së detyrës, një nga prioritetet tona. Sëbashku me Artanin, Drejtorin e Përgjithshëm, kemi diskutuar që në ditët e para për domosdoshmërinë e zhbllokimit të këtij procesi dhe të dhënies fund të një zvarritjeje shumë të gjatë, për të cilën ju jeni dëshmitarë ashtu si qindra e mijëra familje shqiptare.

Pas një periudhe 6 mujore që u desh për të gjetur dosjet, për të sistemuar dokumentet dhe për të bërë inventarin e strofullës së Shabanit, ku me vite, kërkesat e njerëzve ishin lënë realisht rrugëve, në një vit, ne intensivisht kemi çuar përpara këtë proces. Sot jemi në kushtet kur nga njëra anë mund të themi se brenda një viti të vetëm kemi bërë më shumë se 10 mijë legalizime më tepër sesa qeveria e tetë viteve të shkuara. Por sigurisht që ky nuk është ngushëllim, sepse të krahasohesh me ata dhe të ndjehesh mirë pse ke bërë më shumë se ata, do të thotë që të kesh një problem të madh në raport me ambiciet e njerëzve dhe me të ardhmen. Krahasimi vlen vetëm për të thënë sesa pak është bërë në gjithë ato vite dhe se sa shumë mund të bëjmë.

Pasi procesi ka hyrë në një rrugë që mund ta quajmë normale, numri i dosjeve të trajtuara dhe numri i legalizimeve falas do të shkojë duke u rritur nga muaji në muaj. Ne besojmë se brenda këtij mandati, kapërcimi në raport me tetë vitet e shkuara do të jetë i jashtëzakonshëm. Mjafton shembulli këtu. Kjo është një komunë, ju e dini mirë, që ia ka dhënë votën historikisht, me sy mbyllur me thënë të drejtën, PD-së, për arsye që ju i dini, unë e kam të vështirë t’i kuptoj, por kjo nuk ka rëndësi. Nëse në Rrashbull janë që nga periudha 2006 deri në 2013, 5500 kërkesa, ndër të cilat edhe kërkesat tuaja, qeveria e Partisë Demokratike, në tetë vjet në këtë zonë ka legalizuar 59 objekte, as 60 nuk i bënë dot. Dhe akoma më keq, nga këto 59 legalizime, pjesa më e madhe nuk janë shtëpia, por biznese, magazina, karburante, biznese, motele.

Nëse në tetë vjet, në gjithë Shqipërinë, ata arritën të legalizojnë vetëm 21 mijë godina, atëherë fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre, afro 2/3 e tyre janë biznese, të legalizuara në të shumtën e herës në dëm të komunitetit, në dëm të shoqërisë, në dëm të buxhetit të shtetit. Biznese të legalizuara mbi rrugë, të legalizuara mbi kanale ujitëse apo kulluese, të legalizuara mbi monumente kulture, mbi hapësira të gjelbra apo sportive, vetëm e vetëm sepse, kuptohet, duke legalizuar bizneset, ryshfeti ishte shumë më interesant. Ndërkohë që duke legalizuar shtëpitë e njerëzve që lëvizën nga vendlindja për një jetë më të mirë ishte mundim më i madh, megjithëse jam i bindur se të gjithë ju keni historinë tuaj edhe me ryshfetin, edhe me zvarritjen, edhe me pengesën, edhe vonesën e pafundme.

Për të bërë një krahasim shumë të thjeshtë, nëse në tetë vjet, këtu në Rrashbull u legalizuan 59 ngrehina, nga të cilat pjesa më e madhe biznese, sot ne do të shpërndajmë këtu 1200 leje legalizimi falas, të gjitha shtëpi. Praktikisht, me këtë ditë, ne kalojmë 7 mijë legalizime vetëm në bashkinë e re të Durrësit. Sigurisht ka shumë ende për të bërë. Nëse shohim atë që duhet të bëjmë, jemi ende larg destinacionit, por nëse shohim atë që kemi bërë në 18 muaj në raport me atë që është në 8 dhe në 18 vjet, padyshim që jemi në drejtim e duhur për çdo familje shqiptare që kërkon që në këtë vend të ketë shtet, të ketë rregulla të barabarta për të gjithë, që në këtë vend ta paguajnë energjinë të gjithë, jo ta paguajnë disa dhe disa të tjerët të bëjnë rolin e budallait, duke bërë për budallenj ata që paguajnë dhe që të gjithë ata të cilët kanë ndërtuar një shtëpi për të jetuar më mirë dhe jetojnë në zona informale, që në pjesën më të madhe janë vërtet zona të varfra, qoftë ekonomikisht, qoftë në infrastrukturë, të mund të bëhen pronarë të shtëpive të tyre. Duke u bërë pronarë, të disponojnë edhe një pasuri të patundshme që është jo vetëm legalizimi i mundit dhe i kursimeve të një jete për prindërit, por është edhe mundësia për ta kthyer këtë pasuri të patundshme në një garanci për të marrë kredi për të zhvilluar një fermë, për të zhvilluar një biznes të vogël, për të mbështetur studimet e fëmijëve. Pra, për ta kthyer këtë kapital që ju e keni shpenzuar, por që sot është praktikisht i vdekur, në një kapital të qarkullueshëm, siç bëjnë të gjithë ata të cilët janë pronarë të një pasurie të patundshme. Ky është ndryshimi i madh, që procesi i legalizimit do të sjellë në jetën e familjeve tuaja dhe në jetën e të gjithë atyre familjeve që do të legalizohen.

Zotimi ynë është i pandryshueshëm. Në të gjitha zonat informale, ne do të bëjmë legalizimin e shtëpive falas. Por nuk është vetëm kaq. Sot këtu ky komunitet nuk është më jetim, nuk është më në dorë të Zotit dhe të atyre mundësive që ka çdo familje, pa absolutisht asnjë kujdes nga administrata vendore. Deri sot keni qenë pjesë e një komune që do të hyjë në histori si një prej komunave ku ka ndodh një shkatërrim i pashoq i një pasurie të madhe, të përbashkët, kombëtare dhe publike, që është gjithë pjesa e territorit pranë detit dhe do të hyjë në histori si një nga komunat ku i është hapur rrugë dhe është nxitur një barbari e pashoqe, duke ndërtuar pallate nëpër kodra. Pallate nëpër kodra ndërtojnë vetëm barbarët dhe leje për të ndërtuar pallate nëpër kodra mund të japin vetëm barbarët. Ndërkohë që kur ka ardhur fjala për legalizimet dhe për shërbimet tuaja, ju e dini më mirë se unë, që nuk keni marrë absolutisht asgjë mbrapsht nga gjithë ai investim i madh që keni bërë, duke votuar PD, PD dhe PD. Në fund fare, çfarë? Ata që janë nga veriu këtu, i thonë “Noc Rrokun”.

Unë besoj se në 21 Qershor, ju jeni pjesë e një historie krejt të re. Një histori e re që fillon për të gjithë vendin tonë, falë reformës administrative dhe që fillon edhe për këtë komunë dhe për gjithë komunat që bëjnë pjesë në bashkinë e Durrësit. Për këdo që ka sy në ballë dhe për këdo që mendon me kokën e vetë, jo me mendjen e SHQUP-it, mjafton të shikojë transformimin e jashtëzakonshëm që ka ndodhur në këto vite dhe veçanërisht në këto 18 muaj në Durrës, për të kuptuar që ajo që ka ndodhur atje, patjetër që do të shtrihet edhe deri këtu. Për të kuptuar që, nëse për banorët e qytetit të Durrësit, ky qytet është sot më i bukur, më i pastër, më shpresëdhënës sesa asnjëherë në këto 20 vite, patjetër që kështu do të jenë dhe këto komuna në 4 vitet e ardhshme. Unë nuk them që në 4 vitet e ardhshme do të bëhet ndonjë mrekulli. Por unë ju siguroj se 4 vjet më vonë, të gjithë ju dhe të gjithë ata që do investojnë besimin e tyre tek vota për Vangjush Dakon nuk do të pendohen, siç mund të jenë penduar shumë që kanë investuar besimin e tyre me vite dhe me herë të tëra, tek shkopi i flamurit të Partisë Demokratike.

Unë e di që jo të gjithë do pendohen. Po të mos ishin kokëshkretë, nuk do të ishin me PD-në. E rëndësishme është që edhe ata do të shohin dhe do të prekin një ndryshim rrënjësor që do të ndodhë. Ne nuk do të ndalojmë thjesht që të japim letrat e legalizimit. Ne do të bëjmë investime, siç kanë filluar të bëhen investime të paimagjinueshme vetëm 18 muaj më parë, tek Durrësi i ri siç i themi ne, ose tek Këneta siç i thonë ata të PD-së. Aty kanë marrë vota vazhdimisht dhe vazhdojnë t’i thonë Këneta, se Kënetë e duan. Sepse për ata, sa më në Kënetë të jenë njerëzit, aq më kollaj mund t’i gënjesh. Nuk diskutohet që njerëzit sa më mirë të jenë, aq më e vështirë është t’i gënjesh. Shkoni  Durrësin e ri dhe kaloni edhe tek Këneta e PD-së, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë këtu dhe në gjithë komunat e tjera. Ne kemi një vizion, kemi një program dhe një vendosmëri të madhe që të transformojmë jetën e komuniteteve. Ne kemi treguar kudo ku kemi qeverisur qytetet, se ne i kemi shembujt. Vangjush Dako është një shembull, është një model dhe një arsye shumë e fortë për të besuar se nuk është fjala thjesht tek një njeri, por është fjala tek një vizion dhe një projekt.

Më thoni çfarë shembulli kanë ata, më thoni një komunë. Shikoni Rashbullin, kiamet! Dy vjet më parë kemi ardhur këtu për të bërë një takim në fushatën elektorale. Erdha prapë sot dhe njësoj. Asnjë ndryshim. Vetëm se të gjithë ju jeni dy vjet më të vjetër, bashkë me mua. Më thoni një komunë, një bashki, por nuk keni çfarë thoni dhe s’kemi çfarë themi. Llogariteni që për më të mirin kanë atë në Tiranë. Ju shkoni e vini në Tiranë. A keni parë gjë në këto 4 vjet? Asnjë punë! Zero! Do thoni mirë, se mund të kishte bërë edhe keq. Patjetër, gjysma e të keqes nuk bëri asgjë. 4 vjet gjumë. Siç hyri, doli. Atëherë si mund t’i besohet vota atyre dhe për çfarë?!

Tani në fushatë thonë do ulim çmimin e dritave. Po kush do e uli çmimin, Grida?! Si do e uli?! Thonë do grisim hartën e reformës administrative, domethënë të kthehemi prapë tek komunat dhe ju të kthehemi prapë te Ceni këtu, kur ju thoni shyqyr që shpëtuam nga Ceni. Në çfarë forme do e grisin hartën? Vota e 21 Qershorit nuk është votë as për të ulur dritat, as për të grisur hartën. Këto nuk janë probleme që i trajton bashkia, nuk janë çështje që i zgjidh bashkia. Vota e 21 Qershorit është: Sa më shumë legalizime do bëhen; Sa kanale ujitëse do pastrohen dhe do kthehen në dispozicion të atyre që duan të punojnë tokën, por nuk e punojnë dot se nuk vjen uji dhe pastaj përmbyten se nuk ka kanale kulluese kur bie shi me tepricë; Sa çerdhe, kopshte, shkolla do të ndërtohen dhe sa nga ekzistueset do të përmirësohen; Po qendrat shëndetësore do shtohen apo do bëhen më të mira; Po transporti si do të jetë, apo të gjithë në fugonin e vet; Po me plehrat çfarë do bëhet, apo po si deri më sot, që një komunë i merr plehrat i çon tek tjetra, ajo tjetra i çon tek tjetra dhe plehrat kanë 21 vjet që bëjnë xhiro, pasi nuk ka as pika grumbullimi, as pika përpunimi dhe ndotin mjedisin, helmojnë tokën, helmojnë dhe mushkëritë e kalamajve.

Për të gjitha këto janë zgjedhjet e 21 Qershorit. Ne kemi programin dhe përgjigjet për këto. Ata nuk flasin për këto fare, sepse nuk kanë çfarë thonë dhe se nuk dinë t’i bëjnë. Po të dinin, do na kishin treguar një shembull dhe do na thoshin se siç e bëmë atje, do ta bëjmë edhe këtu. Prandaj kanë kaq shumë vite që i bien Tiranës, sepse kujtojnë se duke i rënë Tiranës, do i bëjnë njerëzit për budallenj dhe gjithë ata që thonë se siç u bë Tirana, siç po bëhet qyteti i Durrësit, siç po bëhet qyteti i Korçës apo i Elbasanit, do të bëhen dhe qytetet e tjera. Por, në fakt, njerëzit nuk janë budallenj, për fat të mirë. Për këtë arsye, unë besoj se jemi plotësisht në drejtimin e duhur.

Duke votuar në 21 Qershor, të gjithë duhet t’i bëjnë vetes një pyetje shumë të thjeshtë. Edhe ata që janë demokratë. Unë nuk them që të bëhen socialistë, mjaft jemi, s’na duhen më shumë. Por duhet të pyesin veten për çfarë po votoj? Po votoj për fëmijën tim që dua ta çoj në çerdhe dhe nuk ka çerdhe, apo po votoj për kalamajtë jetimë të Saliut te SHQUP-i? Në qoftë se po votoj për fëmijë tim, se dua që të ketë një çerdhe, sigurisht që nuk do të shoh flamurin e partisë, por do të votoj për Vangjush Dakon, sepse ai ndërton çerdhe. Por nëse se po votoni për jetimët e Saliut tek SHQUP-i, atëherë është histori tjetër, vazhdoni dhe njësoj siç kanë pritur të gjithë ata që janë këtu dhe ka plot këtu që do marrin sot lejet e legalizimit, – në fakt prisnin t’ia jepte ai tjetri, por më vjen keq, do t’jua jap unë, – do të presin për të gjitha.

 

***

1200 shtëpi të legalizuara, pas vitesh të gjata pritjeje, janë realiteti më i ri në Rrashbull. Rezultatet e punës intensive të Drejtorisë së ALUIZNI-t në Durrës u finalizuan sot, me shpërndarjen e certifikatave për banorët e kësaj zone, në prani të Kryeministrit Edi Rama.

Në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme, në këtë komunë, votuese tradicionale e së djathtës u bënë 5500 kërkesa për legalizim, prej të cilave u legalizuan vetëm 59 objekte,  pjesa më e madhe biznese. Ndërkohë që në një 1 vit, numri i legalizimeve vetëm në bashkinë e re të Durrësit shkon në 7000.

Kryeministri Rama dhe drejtues të ALUIZNIT iu dorëzuan kryefamiljarëve, lejet e legalizimit, të shumëpritura. Një pjesë e tyre, emigrantë prej kohësh në vendet fqinje u shprehën optimistë se më në fund po shohin në Shqipëri, ndryshimet e dëshiruara. Vasil Meta, njëri prej tyre, duke marrë certifikatën nga Kryeministri u shpreh: “Unë jam emigrant prej 20 vjetësh. Nuk e kam parë asnjëherë  këtë ndryshim. Ndryshimi i parë që po shoh vetëm, si rezultat i punës së kësaj qeverie. Kam 6 vjet që e kam bërë kërkesën për legalizim.”

Shumë prej certifikatave të legalizimeve iu dorëzuan bashkëshorteve dhe vajzave të kryefamiljarëve, për të cilat Kryeministri përcolli një mesazh të veçantë, atë të ndërgjegjësimit se gruaja ka një rol të shumë të rëndësishëm në familje dhe në shoqëri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.