Rrëshen, nis faza e parë për ndërtimin e infrastrukturës

Në Rrëshen, në zonën e re ndërtimore ku do të ndërtohen 35 banesa individuale, 6 pallate dhe 68 apartamente, nisi faza e parë për ndërtimin e infrastrukturës, rrugë, kanalizime dhe shtrimi i rrjeteve. Lagjia e re pritet të përfundojë në tetor 2021 bashkë me të gjithë infrastrukturën urbane. Në këtë kantier ishte sot Kryeministri Edi Rama. Në përfundim të tij, tha kryebashkiaku i Rrëshenit do të kemi një zonë të mirëfilltë urbane, me institucionet arsimore, njësi shërbimi dhe lulishte.
Është një zonë e re zhvillimi, me infrastrukturë tërësisht nga e para, që do të japë një cilësi tjetër jetese, e ndryshme nga ajo e deri sotmja, e cilësoi drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli.
“Zonat e reja për zhvillim janë për hir tē së vërtetës si resortet turistike, si zhvillimet e blloqeve rezidenciale. Ndryshimi i madh i rëndësishēm është që ato janë për ata që kanë mundësi t’i blejnë. Këto janë për ata që nuk kanë mundësi t’i blejnë. Kjo është mënyra më e mirë për të dalë nga kriza e rëndë e fatkeqësisë natyrore shumë më të fortë të gjithë ata që u goditën dhe u goditën ata që ishin më të dobët. Nëse ne do të ndiqnim formulën e ndjekur në të gjitha vendet në raste si këto me kredi të buta, do të ishte një barrë e madhe. Kështu që të gjitha do t’i marrin falas dhe do të jenë shumë më të lehtësuar e me shtëpi më të mira se ato që kishin e sidomos për fëmijët do jetë kalimi në një botë tjetër, në krahasim me aty ku deri para tërmetit jetonin”, – u shpreh Kryeministri.
Infrastruktura parashikohet të mbarojë në 5 muaj dhe pas saj nis puna për ndërtimin e banesave individuale dhe atyre kolektive.​