Deklarata e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë z. Arben Ahmetaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, për Buxhetin 2019 dhe Paketën Fiskale:
Përshëndetje të gjithëve,
Sot dua të ndaj me ju lajmin dhe informacionin që Këshilli i Ministrave kaloi në mbledhjen e sotme të qeverisë buxhetin e shtetit për vitin 2019.
Në tërësinë e tij, ky buxhet dhe paketa fiskale që e shoqëron reflekton vëmendjen e plotë të kësaj qeverie ndaj qytetarëve, qoftë në vazhdimin e konsolidimit fiskal, pra të uljes së borxhit të trashëguar ndër vite, qoftë rritjen e të ardhurave, qoftë dhe në rritjen dhe mbi të gjitha prioritizimin e investimeve publike, në favor të rritjes ekonomike.
Konkretisht:
- Rritja ekonomike për vitin 2019 projektohet në nivelin 4.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Thënë ndryshe, vendi ynë, Shqipëria planifikon të ketë një rritje dhe duke iu referuar raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore, apo parashikimeve të institucioneve të tjera, ndër më të lartat në rajon.
- Deficiti buxhetor për vitin 2019 është planifikuar të jetë – 1.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, është niveli më i ulët historik i deficitit buxhetor, që shkon me atë angazhim dhe mendësi të kësaj qeverie për të ulur ngarkesën e borxhit public mbi shpatullat e qytetarëve.
- Për të katërtin vit radhaz, e kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët, buxheti planifikon suficit primar. Është term teknik dhe e thënë thjeshtë për qytetarët, do të thotë që për të katërtin vit radhaz qeveria Rama nuk prodhon borxh të ri, por krijon suficit i cili shkon në adresimin dhe pagesën e borxheve të trashëguara ndër vite.
- Megjithëse jemi duke ulur borxhin publik, prapë do të kemi një inevl investimesh të konsiderueshme prej 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, qeveria si aktor ekonomik, nëpërmjet invesimeve publike, do të vazhdojë të investojë në nivele të konsideueshme dhe në terma nominal investimet publike do të shkojnë rreth 900 milionë dollarë.
Në të njëjtën kohë, ajo që ne e përdorim si spiranca kryesore e shëndetshmërisë së financave publike, pra borxhi publik, në fund të vitit 2019 borxhi publik pritet të bjerë në nivelin 64.9 %.
Të dashur qytetarë, e mbani mend, e trashëguam 74%, plus rreziqet në kurriz të ekonomisë dhe të qytetarëve, shkonte 84 %, ndërkohë vitin tjetër do të jetë 64.9 % dhe do të vazhdojë të ulet për të lehtësuar barrën e borxheve të trashëguara në kurriz të familjeve shqiptare.
- Të ardhurat buxhetore do të jenë 27.8 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dikush mund të thotë çfarë janë këto përqindje. E kemi pasur, e kemi trashëguar dikur nën 25 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto e ndërkohë kemi ulur taksat çdo vit.
Projektbuxheti 2019 financon politika të reja, dhe ky është lajm i mirë që Kryeministri u kujdes të transmetohet drejtpërsëdrejt te qytetarët dhe te punonjësit sot, për:
- Rritje të pagave në sektorët shëndetësi, arsim, mbrojtje dhe sistemi penitenciar, si dhe trupi diplomatik i Shqipërisë në vendet e ndryshme.
- Në shëndetësi përfitojnë 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, në total 18,415 punonjës me një fond vjetor mbi 1 miliardë lekë;
- Në arsim përfitojnë 35,783 staf mësimor me një fond vjetor prej rreth 1.4 miliardë lekë;
- Në mbrojtje përfitojnë 6,800 ushtarakë, më një fond vjetor prej rreth 300 milionë lekë;
- Në sistemin penitenciar përfitojnë 3,560 policë të burgjeve më një fond prej gati 200 milionë lekë në vit;
- Do të ketë një rritje të ndjeshme të pagave të diplomatëve shqiptarë me mbi 20 %.
Politika e dytë që ia vlen ta ndajmë me qytetarët është iniciativa e fundit e Kryeministrit, e quajtur dhe bonusi i bebeve, shpërblimi i lindjeve, nga ku parashikohet të përfitojnë rreth 30 mijë familje me një fond total prej 2 miliardë lekë;
Përsa i përket politikës fiskale
Synojmë një lehtësim të mëtejshëm të barrë fiskale, nga e cila përfitojnë:
- Mbi 15 mijë punëmarrës përfitojnë nga ulja e normës së tatimit mbi pagat e nivelit të mesëm dhe të lartë;
- 20 mijë biznese ose mbi 50 mijë investitorë të kapitalit nga ulja e normës së tatimit mbi dividentin, nga 15 % në 8 %;
- Mbi 50 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor nga incentivimi i fermerëve të bashkuar, inkorporuar;
- Nga ulja e taksave të ndryshme si ajo e ambalazhit, e kërkuar me vite e vite, përfitojnë ulje kostoje dhjetra operatorë të fushës;
- Nga përjashtimet e parashikuara në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, lehtësohet veprimtaria e qindra operatorëve ekonomikë në industrinë e fasonit, makinerive bujqësore dhe farmaceutikës.
Arsimi:
Arsimi do të vazhdojë të jetë mbi 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe, siç e përmenda më lart, do të ketë rritje të pagave të mësuesve rreth 7%.
- Do të vazhdojë ofrimi i teksteve shkollore falas për 190 mijë nxënës të arsimit para-universitar, nga të cilët 125 mijë nxënës të klasave I-IV;
- Transporti falas për 28 mijë nxënës dhe 10 mijë mësues;
- Trajtimi me kuotë ushqimore për 1000-1400 nxënës.
- Ndërkohë, do të vazhdojmë projektet e shkollave të reja.
Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale:
Dua të ndaj me ju që paketa sociale e kësaj qeverie, të cilën do ta detajojmë në javët që vijnë me publikun, me qytetarët, është zgjeruar konsiderueshëm që nga viti 2013 deri në vitin 2019.
Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rritet në terma nominalë me mbi 24 milionë dollarë apo 2.4 miliardë lekë, ku kemi përfshirë Bonusin e Lindjeve dhe pagat, të cilat mbahen si politikë më vete pagash në tabelën e buxhetit.
- Do të vazhdojmë atë iniciativë të ndërmarrë nga Ministrja dhe Kryeministri për rikonstruksionin e të gjithë qendrave. Këtë vit do të kemi 100 qendra shëndetësore të rikonstruktuara. Mbarojmë sivjet 80, atë premtim që ka dhënë Kryeministri. Për vitin 2019 kemi 100 qendra të reja dhe deri në 2021 të 380 qendrat shëndetësore në Republikën e Shqipërisë do të jenë të rikonstruktuara.
- Sigurisht që ka një sërë spitalesh që kalojnë në rikonstruksion të plotë, si Lushnja, Elbasani, spitali i Vlorës, Berati, Lezha, Pogradeci, Mati.
Patjetër që infrastruktura merr pjesën e vet të konsiderueshme.
- Do të vazhdojnë akset rrugore nacionale si Rruga e Arbrit. Pastaj kemi në procedurë Thumanë – Vorë – Kashar, Milot – Balldren; Orikum – Dukat.
- Vazhdimi i financimit për akset rrugore:
- Kardhiq – Delvinë, Lotet 4,5,6,7 Dhe 8
- Fushë Krujë-Milot-Morinë
- Qafë Thanë-Lin-Pogradec
- Unaza Verilindore e Tiranës
- Unaza E Tiranës, Pallati me Shigjeta Rrethrrotullimi Shqiponja ( me kënaqësi e them që do të bëhet një investim spektakolar, i një standardi pa asnjë mungesë krahasuar me standardet më të mira europiane).
- By Pass Tepelenë
- By Pass Shkodër
- Fillimi i tunelit “Kardhiq – Delvinë”
- Finalizimi i ndërtimit të linjës së hekurudhës Tiranë – Durrës dhe Tiranë – Rinas (Aeroport)
Vitin tjetër do të bëhet i kalueshëm dhe By Pass-i i Fierit dhe do të avancohet puna në By Pass-in e Vlorës, e në mars apo prill do të bëhet plotësisht i kalueshëm autostrada e Elbasanit, pas gjithë atij kalvari gabimesh në projektin e parë, ku kosto shkoi gati 40 % nga tenderimi fillestar.
Bujqësia dhe Zhvillimi Rural:
- Viti 2019 fare thjesht mund të quhet dhe viti i bujqësisë, gjithashtu. Do të vazhdojë mbështetja buxhetore prej 2.6 miliardë, pra për fermerët, por lajm i mirë është që do të vazhdojë dhe skema IPARD e në funksion të IPARD-it është akorduar nga qeveria shqiptare një financim prej 1 miliard, që të kemi mundësi të tërheqim 3 miliardë lekë nga IPARD-it për sektorin e bujqësisë.
Dua të theksoj se buxheti i vitit 2019 financon plotësisht reformën në drejtësi, të dyja korsisë kryesore financiare të reformës në drejtësi: rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët dhe financimin e krijimit të të gjitha institucioneve të reja të reformës në drejtësi dhe financimin e plotë të Vetting-ut. Shkon më shumë se 2.2 miliardë. Do të financohen institucionet KLP, KLGJ, Byroja e Hetimit dhe SPAK-u me 500 milionë lekë.
Pra, këto formatojmë të plotë dhe financimin për reformën në drejtësi.
Këto ishin ato që unë desha të ndaja përsa i përket buxhetit të vitit 2019.
Sot pasdite draftbuxheti i aprovuar nga qeveria do të shkojë në Kuvend, ku sigurisht do të fillojë diskutimi në komisione deri në momentin e aprovimit të tij.
Faleminderit.