Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Berat një takim me mësues dhe drejtues shkollash të qytetit mbi arritjet e reformës në sistemin arsimor, shpërblimi i së cilës është rritja e rrogave për mësuesit dhe pedagogët e të gjitha niveleve të arsimit.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e cila shoqëronte Kryeministrin në këtë takim informoi se mësuesit e Beratit, por edhe nxënësit dhe maturantët e shkollave të tij, spikasin për performancën e tyre me standarde të larta, përkatësisht të mësimdhënies dhe përvetësimit të dijeve, duke u renditur të parët në klasifikimet e bëra. Ajo u shpreh se portali “ Mësues për Shqipërinë” është një realitet për Drejtorinë Arsimore të Beratit dhe mënyra më efikase e përzgjedhjes dhe përfshirjes së mësuesve në trupën arsimore, bazuar mbi meritën, larg ndikimit të politikës dhe korrupsionit. “Keni qënë të parët në të gjitha rezultatet që reforma po kthen mbrapsh, si një standard i ri në sistemin tonë arsimor. Në Drejtorinë Arsimore të Beratit në trupën arsimore, portali tashmë është një standard, një realitet dhe janë qindra mësues të Beratit, Kuçovës që janë përfshirë në sistemin tonë arsimor falë këtij standardi të ri, larg politikës dhe korrupsionit, por duke sjellë vetëm meritën në arsim.” – u shpreh ministrja Nikolla.
Duke vlerësuar punën me përkushtim dhe përgjegjshmëri të mësuesve, shpeshherë e kryer jo në kushtet optimale, kryeministri Rama theksoi se qeveria po përpiqet me të gjitha mundësitë për tu rikthyer atyre mundin e investuar, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë morale dhe financiare.
Në takim, Kryeministri Rama iu komunikoi atyre masën e fundit të qeverisë, rezultat i reformës në arsim, rritjen e rrogave për mësuesit, duke i kthyer këta të fundit ndër rrogëtarët më të mirëpaguar në Shqipëri. Kryeministri shpjegoi se rroga do të bëhet më e arsyeshme, ndërkohë që taksa nuk do të rritet.
“Ne kemi bërë një rritje rrogash në fakt, nëse ju do ta masni me paratë që ju ngelen në xhep e jo me paratë që merrni në bordero, duke e ulur taksën e sheshtë që ishte 10% dhe duke bërë që paratë që mbeteshin në xhepin tuaj pavarësisht se rroga ishte po ajo, por kemi besuar e besojmë që nuk mjafton. Me këtë nuk po ju them që kjo që do bëjmë mjafton, por po ju them që kjo që do bëjmë i bën mësuesit nga rrogëtarët më të mirëpaguar në Shqipëri. Dhe faktikisht, rrit rrogën e mësueseve mesatarisht 10% e mesatarisht 10% është një shumë konsistente po të kemi parasysh që në tërësi, shteti do të vendosi 100 milionë dollarë plus një subvencion për rrogat dhe pensionet ku 18 milionë pre tyre janë vetëm për arsimin. Ju do keni të njëjtat taksa, sistemi i taksave nuk ndryshon, por do keni një rrogë më të lartë e nga kjo rrogë më e rritur do të përfitojnë 34 660 punonjës arsimor. Në pjesën e poshtme rritja do jetë shumë e fortë, në pjesën e punonjësve që hyjnë tek rrogat minimale. Rrogat e tyre do ti rrisim 35% në të gjithë fashën e rrogës minimale.” – u shpreh Kryeministri.