Lavanteria industriale “Balkan Laundry”, është një sipërmarrje e re italo-shqiptare, me vendndodhje në autostradën Tiranë-Durrës, e ngritur që prej vitit 2013.
Ndonëse ka vetëm pak vite që operon në tregun vendas, ajo është e mirënjohur në aktivitetin e saj të dhënies me qera të artikujve të përdorimit për hotele, restorante, spitale e fjetore (çarçafë, peshqirë, mbulesa tavoline, syprina, peceta, etj), ku qeramarrësit nuk paguajnë për çmimin e qerase, por vetëm për larjen.
Kryeministri Edi Rama ishte në “Balkan Laundry”, një biznes i dominuar nga gratë, një prej të cilave është edhe administratorja e kompanisë. “Është një lavanteri industriale, një investim italian. Pak a shumë jemi të specializuar në fushën e restoranteve të hotelerisë dhe të spitaleve. Numri i punonjësve varion nga 50 punonjës deri në 60-70 punonjës në sezonin verës. Kryesisht punonjëset tona janë femra. Kemi marrëdhënie shumë të mira me zyrën e punës, ku ne marrim edhe pjesën më të madhe të punonjësve, që janë nga qyteti i Durrësit dhe nga zonat përreth.” – shprehet ajo.
Puna e tyre është e lidhur ngushtë me turizmin dhe sipërmarrësit, një prej të cilëve është investuesi italian, dëshmojnë se këtë vit me rritjen e fluksit të turistëve, edhe puna e tyre është shtuar ndjeshëm. Kjo edhe si pasojë e hapjes së strukturave të reja pritëse, siç janë hotele, bujtina apo ristorante.
“Puna jonë është e lidhur me turizmin. Kemi vënë re që me rritjen e turizmit, puna na është rritur shumë këtë vit me kërkesa të shtuara nga hotelet dhe restorantet, nga struktura të reja. Janë shtuar 4 hotele të reja. Këtë vit ka patur 50 % më shumë kërkesa për produktet e biankerisë. Sepse nëse ne lidhim kontratë më një hotel, ne merremi me pjesën e biankerisë, duke e furnizuar me çarçafë, peshqirë, etj dhe në bazë të një kontrate, larja bëhet tek ne. Tani jemi një biznes që po vjen në rritje.”- shprehet administratorja.
Ajo tregon se është pikërisht teknologjia bashkëkohore dhe cilësia që e bën lavanterinë të suksesshme në treg. Kapaciteti maksimal që ajo përballon është 8000 kg në ditë dhe kjo vjen si pasoje e një linje profesionale larje, hekurosje edhe paketimi.
“Kapaciteti ynë maksimal është 8 mijë kilogram në ditë. Linjat e hekurosjes janë dopio në mënyrë që puna të jetë e vazhdueshme dhe e pandërprerë.”- shpjegon administratorja.