Fjala e Kryeministrit Edi Rama në tryezën “Dialog mbi Politikat në Reformën në Arsim”:
Erdha sepse e konsideroj shumë të rëndësishëm këtë bashkëpunim me Bankën Botërore, lidhur me pasjen e një diagnoze sa më të plotë dhe sa më të thellë të situatës. Por, edhe mbi bazën e kësaj diagnoze, për të ndërtuar bashkërisht dhe në këtë rast, jo vetëm me Bankën Botërore, por me gjithë institucionet, organizatat dhe instrumentet që kemi në dispozicion, apo mund të vëmë në dispozicion, përtej Buxhetit të Shtetit, në rrugën e një të ardhmeje që, me siguri, së paku mund të themi që bazohet mbi orientimin e rigjetur të arsimit, në tërësi.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për situatën. Është një situatë dramatike, e rënduar në vite, ku, ndërkohë që sistemi ka pasur domosdoshmërinë e një reformimi rrënjësor përmes operacionesh rrënjësore në të gjithë hallkat e veta, është preferuar një politikë e bazuar te makijazhi, e bazuar tek arnimet, e bazuar tek ndërhyrjet shumë pjesore që praktikisht kanë sjellë në gjendjen e sotme. Thënë në mënyrë të thjeshtë, sistemit të arsimit në Shqipëri i kishte humbur tërësisht busulla. E, besoj që mund të themi pas një viti pune intensive se kemi rigjetur busullën dhe kemi vendosur pika të qarta orientimi, duke u nisur nga themeli.
Po të shohim analizën e situatës është e qartë se që nga kopshtet deri në arsimin e lartë ka një mungesë tërësore standardesh dhe mbi të gjitha, sistemi nuk është koherent. Duket sikur janë copa, pa lidhje me njëra–tjetrën, sistemesh të ndryshme që po t’i shohim të lidhura me ecurinë e një fëmije deri në fund të rrugëtimit brenda sistemit, krijojnë idenë e qartë se nuk ka një vijë logjike të ecurisë në sistem. E, praktikisht, synimi bazë në gjithë paketën e reformës tonë në arsim është pikërisht, krijimi i këtij sistemi logjik që e ndjek fëmija qysh nga mosha 3-vjeç deri në moshën 18 vjeç dhe sigurisht që vazhdon në një vijë logjike deri në fund të arsimit të lartë.
E, me shumë largpamësi, puna ka filluar nga një dokumentacion, i cili përshkruan një kurrikul të harmonizuar brenda gjithë sistemit bazë, duke përfshirë edhe kornizën e re kurrikulare. Në këtë aspekt, sigurisht që mbështetja e Bankës Botërore është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse, nga njëra anë, asistenca dhe ekspertiza e ofruar na ka dhënë mundësinë t’i shikojmë gjerat thellë dhe në mënyrë të saktë, por, nga ana tjetër, mbetet domosdoshmëri sigurimi i burimeve financiare, për të vendosur standardet në realitet dhe për të kaluar nga çfarë kemi në dokumente dhe çfarë gjendet në gjithë ciklin e shkollës reale. Nuk dua të zgjatem me të dhëna, por me siguri është me vlerë në këtë diskutim, të thuhet se ka një qasje të integruar, e cila sjell që qysh nga kopshtet, të cilat janë sot institucione arsimore të mbipopulluara dhe që praktikisht plotësojnë nevojat për vetëm 14% të gjithë tërësisë së kërkesës në atë grupmoshë, deri tek arsimi parauniversitar në shkolla e deri tek universitetet.
Më tutje duhet të them që jemi në një fazë transformimi edhe tek arsimi i mesëm dhe Matura Shtetërore. Kemi pasur një të dhënë shumë inkurajuese nga Matura e parë Shtetërore, e vendosur në kushte transparence, konkurrence dhe merite. Nga ana tjetër jemi duke hedhur bazat e një transformimi që do të vijë si pasojë e futjes së teknologjisë së re në të gjithë arsimin e mesëm, në radhë të parë. Kemi filluar të pilotojmë disa projekte, duke përfshirë kompani të mëdha ndërkombëtare. Duke filluar nga Google, me të cilin kemi bërë një marrëveshje për një platformë të integruar që do t’i ofrohet falas Shqipërisë dhe duke vazhduar pastaj me një sërë kompanish të tjera që do të përfshihen në të gjithë ciklin e transformimit, nga shkollimi nëpërmjet librit tek shkollimi nëpërmjet tabletave dixhitale. Por edhe kjo, sigurisht nuk mjafton! Përkundrazi, përbën një sfidë në vetvete, sepse është e lidhur me kapacitetet që ne kemi në dispozicion sot dhe me aftësitë aktuale të të gjithë trupës mësimore, për të mundur që të jenë në lartësinë e këtij transformimi.
E, këtu vjen pjesa tjetër që është, besoj unë, pjesa më e rëndësishme dhe më delikate e reformës së ndërmarrë, që ka të bëjë me skanimin e plotë, të sapofilluar, të të gjithë profileve të mësuesve që janë aktualisht në sistem dhe të përputhshmërisë së profileve të tyre me lëndët që ata japin. Kemi një mospërputhje, që besoj është unikale në botë, mes mësuesit dhe lëndës që mësuesit japin, në një masë që shkon në zona të caktuara të vendit, edhe mbi 50 %. Mësues, të profilizuar në lëndë të caktuara, që japin lëndë krejt jashtë profilit të tyre. E mund të merret vetë me mend, pastaj, se çfarë është produkti i këtij procesi mësimor.
Nga ana tjetër është me fort rëndësi për ne, përfshirja e prindërve në gjithë këtë proces transformimi, sepse pa komunitetin e prindërve është e pamundur të transformojmë sistemin e arsimit edhe në një sistem edukimi dhe është e pamundur që të shfrytëzojmë gjithë procesin e arsimimit të fëmijëve, si proces për të përgatitur jo vetëm njerëz të aftë për veten e tyre, por edhe qytetarëve të vetëdijshëm për komunitetin dhe për vendin e tyre.
Reforma e Arsimit të Lartë është në proces. Ligji për Arsimin e Lartë do të hyjë këto ditë, në filtrin parlamentar, pasi janë kryer në mënyrë shembullore, të gjitha hallkat e dëgjesave dhe bashkëpunimit me gjithë komunitetin në arsimin e lartë dhe me një ekspertizë të posaçme, edhe ndërkombëtare. E vijmë përballë një sfide tjetër, që është sfida e akreditimit. Pasi kontrolli i ligjshmërisë ka bërë pastrimin e parë të organizmit në arsimin e lartë nga metastazat e një kanceri agresiv, që gjeneronte pafundësi diplomash të pabazuara mbi dijen, tani, të gjithë universitetet, të cilat e kanë kapërcyer testin apo kontrollin e ligjshmërisë me sukses, do të përballen me testin më të rëndësishëm, atë të akreditimit që, siç jemi zotuar do ta bëjmë me një kompani prestigjioze ndërkombëtare, e cila është anëtare e Rrjetit Europian të Agjencive të Akreditimit të Institucioneve Arsimore, agjenci britanike. Ky proces fillon në fund të këtij viti dhe është një sfidë e madhe, në vetvete, jo vetëm për institucionet e arsimit të lartë të financuara nga privatët, por, në radhë të parë, për institucionet e arsimit të lartë të financuara nga shteti. Sepse e vërteta është që kemi pasur një pozicion shumë komod, politik e shoqëror, për vite të tëra, se mangësitë dhe problemet e rënda të arsimit të lartë ia kemi hedhur të gjitha në kurriz financueseve privatë, ndërkohë që problemet janë absolutisht të njëjta dhe situata është absolutisht dramatike edhe në sektorin e arsimit të financuar plotësisht nga shteti. Në kuptimin e ligjshmërisë pamë që u mbyllën pas kontrollit të ligjshmërisë, shumë institucione të arsimit të lartë të financuara nga shtetit dhe me siguri do të shohim se të tjera do të gjenden përballë pamundësisë, për të kapërcyer testin e akreditimit.
Megjithatë, kjo është një reformë sa e vonuar, aq dhe e domosdoshme për ta ndalur një herë e mirë, gjithë këtë hemorragji në të cilën bashkëjetoi arsimi i lartë për vite të tëra, në Shqipëri dhe e cila ka përmbytur një pafundësi ëndrrash dhe shpresash të të rinjve, që me një diplomë në dorë, sot janë pjesë e asaj që e solli këtu në vëmendjen tonë, edhe zonja Goldstein, ushtrisë së të papunëve në Shqipëri.
Duke e mbyllur dua të vë theksin tek fakti që ne po bëjmë një përpjekje shumë të madhe, qoftë me Bankën Botërore, qoftë me institucione të tjera ndërkombëtare, qoftë edhe në kuadrin e iniciativës për integrimin e Ballkanit Perëndimor në qerthullin e projekteve të financuara nga Bashkimi Europian, për të përfshirë edukimin në këto projekte, për të rritur mbështetjen financiare për edukimin. Sigurisht që ka një rëndësi të dorës së parë financimi i rrugëve, ka rëndësi të dorës së parë financimi i shërbimeve publike, por është e kotë të themi se e gjithë kjo mbetet tërësisht e pamjaftueshme në raport me të ardhmen, nëse nuk financojmë shumë fort dhe në mënyrë shumë më cilësore, arsimin dhe edukimin. Për këtë arsye, edhe në Konferencën e Berlinit, ne kemi vendosur si palë shqiptare, në tryezë, si një nga prioritetet themelore për t’u fokusuar për të ardhmen e gjithë Ballkanit Perëndimor, arsimin profesional, në mënyrë që të përballim gjithë këtë valë të madhe dhe të akumuluar në vite, papunësie, duke u dhënë të rinjve jo më mundësi të vetme, atë të shpenzimit të gjithë kursimit të prindërve për t’u bërë të gjithë juristë, por dy mundësi. Mundësinë e parë, për të gjithë ata që përballojnë konkurrencën dhe ia dalin në bazë të meritës së tyre dhe mundësia e dytë, për të gjithë ata që në rrugën e arsimit profesional mund të marrin një zanat dhe me zanatin e tyre, jo vetëm mund të gjejnë punë, por mund të ndërtojnë edhe një biznes dhe mund të bëhen shumë më të pasur, edhe sesa ata që marrin një diplomë për inxhinier apo për matematikan.
Duke falenderuar edhe një herë organizatorët, duke shprehur gjithë besimin tim se nën lidershipin e Ministres së Arsimit, procesi do të shkojë përpara dhe reformat do të vazhdojnë e do të thellohen, me bindjen që çfarëdo kosto politike që këto reforma të kenë, kjo është një nga arsyet themelore pse ne jemi zgjedhur. Unë besoj se në fund të ditës, të gjithë prindërit e këtij vendi duhet të ndjehen të lehtësuar nga ky proces reformash, që i jep fund një historie iluzionesh dhe historie gënjeshtrash me shpenzimet e tyre dhe që çel një histori të re, ku për gjithkënd ka një mundësi.
Faleminderit!
***
Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Bankën Botërore zhvilluan sot, një seminar mbi politikat për reformën në arsim. I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Kryeministri Edi Rama.
Ndër tematikat kryesore ku u fokusua diskutimi ishin rëndësia e krijimit të sistemi logjik të arsimimit, rëndësia që ka përkthimi në aftësi i rezultateve të mësuara, në mënyrë që t’i përshtaten kërkesave të tregut të punës dhe modernizimi i procesit mësimor përmes teknologjisë së re.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla konsideroi sfidë, angazhimin për cilësi në sistemin e arsimit dhe të edukimit, në mënyrë që rezultatet e të mësuarit të përkthehen aftësi që përmbushin kërkesat e tregut të punës dhe nxisin rritjen ekonomike.
“Lejomëni të ndaj me ju bindjen time por dhe të Qeverisë, se hapat e ndërmarrë deri tani mundësojnë projektimin e arsimit në objektiva afatgjatë në fushat e arsimit, aftësimit dhe punësimit. Sfida jonë, por si edhe në shumë vende të tjerë, cilësi në sistemin e arsimit dhe të edukimit, në mënyrë që të garantohet që rezultatet e të mësuarit të përkthehen aftësi që përmbushin kërkesat e tregut të punës dhe nxisin rritjen ekonomike”, u shpreh Nikolla.
Gjithashtu, ministrja Nikolla theksoi se investimi në edukimin e fëmijërisë së hershme është çelësi i një suksesi afatgjatë e të qëndrueshëm. “Ne, – vijoi Nikolla, – nuk mund të projektojmë të ardhmen nëse nuk investojmë në mënyrë cilësore dhe të hershme në formimin e saj.”