Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë , Blendi Klosi, pas mbledhjes së qeverisë:

Dëshiroj të komunikoj dy vendimet më të fundit të qeverisë shqiptare, që prekin dy grupe shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, pensionistët dhe veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Falë vendimit të sotëm 599.364 pensionistë në Republikën e Shqipërisë do të përfitojnë rritje të pensionit të tyre mujor prej 1.4%, si pasojë e përllogaritjes vjetore që bën Ministria e Mirëqenies Sociale, mbështetur në të dhënat e INSTAT-it.

Ky vendim merret për të mbrojtur drejtpërdrejtë të gjithë pensionistët, 453.511 që jetojnë në qytet, 145.800 që jetojnë në fshat dhe 32 800 pensionistë të pensioneve të parakohshme suplmentare, në mënyrë që pensioni i tyre mujor të jetë i garantuar, pavarësisht luhatjeve normale të inflacionit.

Po ashtu, sot është marrë një tjetër vendim shumë i rëndësishëm në mbledhjen e qeverisë, që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 6600 veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Që prej vitit 2007, pra, plot 8 vite më parë, pavarësisht luhatjeve të inflacionit, pensioni i veteranëve të luftës ka mbetur i pandryshuar, çka në fakt ka rezultuar në një ulje reale të pensionit të tyre. Sot, qeveria shqiptare ka vendosur të çojë në vend dinjitetin e atyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, duke rritur pensionet e 6600 veteranëve të luftës në masën 15.6%.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.