Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Ky është një projekt me një rëndësi të posaçme dhe përveçse nevojës për të thënë disa fjalë lidhur me këtë projekt, nuk mund të rri pa thënë edhe që çka kemi parasysh në këtë moment dhe çka kishim parasysh, gjatë çështjes tjetër pararendëse të rendit të ditës, një sallë parlamenti ku, kur flitet për pensionet, kur flitet për një çështje si pensionet, që kanë një rëndësi kaq të madhe për të gjithë njerëzit, jo vetëm për pensionistët por edhe për fëmijët e tyre, – opozita mungon, në këtë rast mungon edhe fizikisht, por edhe kur është fizikisht nuk është e pranishme në debate të kësaj rëndësie të veçantë. Ndërkohë praninë e saj në këtë sallë e shfrytëzon për të shpalosur një zell të papërmbajtur në baltosjen e të gjithëve dhe gjithçkaje. Madje, duke arritur edhe në kulmin e ditës së sotme, ku merr përsipër PD, partia e lindur nga një shpresë e madhe për një transformim rrënjësor të shoqërisë shqiptare dhe për një ndarje përfundimtare me të shkuarën, të bëhet as më pak dhe as më shumë, por zëdhënësja e një gangsteri nga Fushë-Kruja dhe të lërë pas duke ikur, fjalinë më absurde, por dhe më domethënëse për gjendjen dhe për qasjen e kësaj partie ndaj procesit demokratik dhe ndaj procesit zhvillimor të vendit: ‘Jemi pro, por jemi kundër’, ‘Japim votën tonë pro, por nuk e japim’, ‘Jemi në mbështetje të institucioneve të drejtësisë, por në fakt jemi ballë për ballë me institucionet e drejtësisë’, sepse, ajo që ndodhi mbrëmë dhe ajo që ndodhi sot, nuk ishte asgjë tjetër përveçse një sulm i pashoq ndaj prokurorisë. Ndaj prokurorisë, me të cilën PD në vijimësi ka shprehur një qëndrim, në parim mbështetës, por mbështetës vetëm me fjalë. Ndaj së cilës PD deri sot, deri mbrëmë, është treguar publikisht më e kënaqur se sa ç’jemi ne me Prokurorinë. Ne jemi shumë më të pakënaqur me Prokurorinë përgjatë gjithë këtij harku kohor që jemi në qeverisjen e vendit dhe e kemi shprehur një gjë të tillë, kuptohet duke ruajtur me vendosmëri etikën dhe parimet tona të mosndërhyrjes në punët e saj.
Ndërkohë që, PD ka bërë gjithnjë të kundërtën. Madje, na ka akuzuar rëndom pa shkas se po përpiqemi të ndërhymë apo të bëjmë presion mbi prokurorinë, kur ne thjesht kemi shprehur opinionin tonë lidhur me çështje të caktuara. Ne nuk kemi si të jemi të kënaqur me prokurorinë kur ende sot, vrasja e 4 njerëzve të pafajshëm në Bulevardin e Dëshmorët e Kombit mbetet e pazbardhur deri në fund dhe e pandëshkuar deri në fund. Ne s’jemi të kënaqur me prokurorinë, kur një sërë çështjesh të tjera madhore mbeten sot e gjithë ditën, të pazbardhura dhe të pandëshkuara. Por, nga ana tjetër, kjo nuk na ka penguar në asnjë moment të mbështesim Prokurorinë dhe të mos i bëhemi për asnjë arsye pengesë politike dhe të mos diskutojmë asnjëherë nga pozicioni politik i shumicës vendimet e Prokurorisë që kanë çuar në arrestime apo ndjekje penale të njerëzve te identifikuar me PS dhe të identifikuar si figura të PS. E kemi bërë këtë sepse këta jemi ne. Nuk kemi një standard për veten dhe një standard për kundërshtarin. Nuk kemi një parim, kur bëhet fjalë për të folur në hava dhe një sjellje në shkelje të në shkelje të këtij parimi kur bëhet fjalë për të mbajtur qëndrime konkrete për raste konkrete.
Që nga dita që jemi ulur në këtë parlament si forcë qeverisëse, si përfaqësues të një aleance fituese në zgjedhjet e 23 qershorit, për asnjë çast nuk kemi vënë në diskutim vendimet e prokurorisë dhe në vijimësi e kemi inkurajuar prokurorinë. Në rastin konkret kemi dhënë përsëri një shembull të panjohur më parë, duke u vënë në dispozicion të Prokurorisë dhe pa kërkuar ashtu siç e parashikon dhe ligji që prokuroria të vijë në zyrat tona, por duke shkuar në Prokurori për të dëshmuar dijeninë lidhur me çështjen në fjalë.
Ndërkohë që, nuk është e largët koha, kur Kryeministri i këtij vendi i kundërvinte Prokurorisë, Policinë e Shtetit dhe me forcën abuzive të pushtetit imponohej dhe refuzonte arrestimin e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës për vrasjen e 4 personave të pafajshëm.
Ne asnjëherë nuk kemi pretenduar dhe as nuk do ta pretendojmë kurrë që jemi të përsosur, që jemi të pagabueshëm apo që në rrugën tonë nuk mund të ketë njerëz që mund të bien në faje dhe që meritojnë të ndëshkohen me forcën e ligjit. Përkundrazi. Ne vetëm pretendojmë që jemi zgjedhja e duhur për këtë vend dhe jemi forca e duhur qeverisëse për këtë vend sepse idetë tona, programi ynë, parimet dhe vlerat e këtij krahu politik janë më të favorshme për popullin shqiptar dhe për zhvillimin e vendit tonë.
Ja ku jemi përsëri përpara një momenti kur flasim për një reformë të zvarritur vite të tëra, për një reformë që ishte kusht për qeverinë paraardhëse dhe për kryeministrin paraardhës për të marrë mbështetje financiare nga Banka Botërore dhe për të përfituar përmes kësaj mbështetje mundësi të reja, që iu mohuan këtij vendi nga fakti se qeveria paraardhëse dhe kryeministri paraardhës nuk ishin aty për të bërë këto reforma, por edhe nga fakti se vetes i thonë të djathë, edhe në Parlament ulen në të djathtën e kësaj foltoreje, por nuk kanë asgjë të përbashkët me të djathtën europiane, nuk kanë asgjë të përbashkët me idetë, me parimet e vlerat e një të djathte që ka bërë historinë e saj të reformave dhe të transformimeve në Europën ku jetojmë. Janë thjesht një çetë e çoroditur që meriton vetëm Shtëpinë e Oficerëve dhe që çdo të enjte këtu, na sjell duhmën e klubit të Shtëpisë së Oficerëve.
Ndërkohë që, ne jemi këtu për të vazhduar punën tone. Kjo është dhe arsyeja pse unë besoj se ne duhet të jemi të prerë në zbatimin e rregullores së këtij Kuvendi. Në fund të fundit, qeveria dhe shumica në Kuvend vijnë për opozitën. Kryeministri në Kuvend vjen për opozitën. Sepse po të ishte për të ardhur për njëri-tjetrin, puna bëhej në komisione, komisionet japin miratimet dhe këtu thjesht do të vinim për të bërë votimin. Por këtu vihet për opozitën. Parlamenti në demokraci është për opozitën, por opozita nuk mund dot ta kthejë dot Parlamentin në një klub, një klub ku flitet përçart nga fillimi deri në fund, ku pengohet publiku për të dëgjuar se çfarë ligjesh propozon shumica dhe çfarë alternative ka opozita. Ku pengohet publiku për të dëgjuar se me çfarë merremi ne, qeveria dhe shumica e këtij vendi dhe çfarë mendojmë dhe çfarë po bëjmë për të zbatuar programin tonë dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve të këtij vendi. Ku pengohet po ashtu, edhe për të kuptuar se ku gjërat bëhen më mirë dhe se ku opozita mund të ketë një ide apo një qasje më të mirë në mënyrë që ata të bëjnë gjykimin e tyre bazuar mbi detyrimin e parlamentit për të bërë këtë debat, për të folur për pensionet dhe për një sërë çështjesh të tjera për të cilat njerëzit votojnë dhe për të cilat politika ekziston.
Ndërkohë që, këtu goditen çdo të enjte themelet e bashkëjetesës demokratike dhe goditen çdo të enjte themelet e institucioneve.
Sot, që nga mbrëmë u godit në mënyrën më kriminale, organi i akuzës, si pjesë e themelit të sistemit të drejtësisë, duke folur për vërtetësinë e muhabeteve të një gangoje nga Fushë Kruja; dhe për histori që nuk kanë lidhje fare me Parlamentin; dhe që nuk kanë lidhje fare me deputetët; dhe nuk kanë lidhje fare me Këshillin e Rregullores; dhe nuk kanë lidhje fare me vendimin tonë. Këshilli i Rregullores dhe Kuvendi nuk janë as prokuroria, as gjykata. Madje, nuk janë as për të dëgjuar prokurorët, as për të dëgjuar avokatët. Janë për të dëgjuar deputetin apo deputetët dhe për t’i përcjellë Parlamentit raportin.
Këto mund të duken gjëra kanë rëndësi të dorës së dytë, por në fakt, këto janë kthyer në problem madhor për këtë Kuvend dhe për këtë bashkëjetesë demokratike. Sepse është kthyer kjo hapësirë në një mundësi për të baltosur në mënyrën më të paepur vetveten. Vetveten dhe Shqipërinë, duke i dhënë të gjithë komunitetit ndërkombëtar pamjen e papranueshme që, e përkthyer në një shfaqje figurative, është e barabartë me atë videon e Kopshtit Zoologjik. Njësoj! Ato fjalime dhe ajo propagandë është njësoj si ai sulmi i atij demit në Kopshtin Zoologjik. Pa asnjë ndryshim, nuk ka lidhje fare me misionin tonë dhe me qenien tonë këtu.
Ndërkohë që, sot, dua të përfitoj për të thënë dy fjalë që nuk janë kurrë të tepërta, për një reformë që pensionistët shqiptarë e kanë pritur dhe e kanë merituar me vite të tëra; që ushtarakët e këtij vendi e kanë pritur dhe merituar me vite të tëra; që minatorët e këtij vendi e kanë pritur dhe e kanë merituar me vite të tëra; që njerëzit në moshë pensioni, që nuk kanë pasur mundësi të punojnë në shtet, nuk kanë pasur mundësi të punojnë as në privat, shumica e tyre nëna shtëpiake, që përndryshe do të kishin mbetur pa asnjë qindarkë e kanë pritur dhe merituar për vite të tëra.
Faktikisht, kjo e djathta këtu, që vetëm e djathtë nuk është dhe që vetëm për të djathtë s’ka punuar, i la në kushtet e një pensioni tavan, tërësisht të padrejtë. Sipas ekzistencës së atij tavani, pensioni nuk mund të ishte kurrë mbi 240 mijë lekë të vjetra. Asnjëherë! Madje, sipas asaj skeme, 80% e pensionistëve shqiptarë, 80%, përfitonin pensionin minimal dhe vetëm 5% përfitonin pensionin maksimal. Pastaj, u thuhej çdo fundviti ‘po ju rrisim pensionin’, duke u bërë vetëm një korrigjim inflacioni, asgjë më shumë.
Ja pra, që heqja e pensionit tavan dhe ndryshimi i formulës së përllogaritjes bëjnë të mundur rritjen e pensioneve. Ndryshe nga çfarë predikojnë ‘çeta e llumit dhe e zullumit”, pensionet rriten për të gjitha fashat, nga 760 lekë për pagat minimale, për të vazhduar me një rritje 213 200 lekë për pagën mesatare dhe deri në 464 mijë për pagat maksimale. Ishte rrjedhojë e kësaj reformë që gjatë vitit 2014 u ndez interesi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e skemës. Ishte rrjedhojë e kësaj reforme që gjatë vitit 2014 të ardhurat në arkën e “shpuar” të Instituti të Sigurimeve Shoqërore, që rrezikonte të merrte me vete gjithë financën e vendit, u rritën me 100 milionë dollarë, si kontribute të njerëzve, për të përfituar nga një skemë e drejtë dhe nga një skemë që i krijon të gjithëve mundësitë për ta përcaktuar pensionin e tyre.
Ende pa hyrë në fuqi reforma, thjeshtë dijenia se skema ndryshoi dhe se nuk ishin më të detyruar të jetonin nën tavanin 240 mijë lekë, njerëzit kontribuuan me 100 milionë dollarë. Gratë shtëpiake, ato nëna që për shumë arsye nuk kanë dalë kurrë në punë dhe që këtë vit rrezikonin të mbeteshin pa asnjë qindarkë, përfituan pensionin social në masën 67 mijë lekë. Janë jo pak, por 5 mijë persona. Janë 5 mijë persona sot që do të shkonin në progresion, vit pas viti, si një fashë e re mjerimi, jo varfërie, tërësisht për shkaqe të keqqeverisjes dhe të marrëzisë politike të qeverisë së mëparshme.
Skema suplementare që diskutojmë sot është krijuar në vitin 1996, me synimin për t’i ofruar një mbrojtje të veçantë dhe përfitime funksionarëve të lartë, punonjësve të lartë dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, në mënyrë që individët e angazhuar në sektorin publik të mos gëzonin më pak se ata në sektorin privat. Por, ajo që ndryshon sot është përsëri shumë e rëndësishme, sepse përsëri vendos një nivel barazie në mundësi. Nëse në vitin 2004 në skemë kishte vetëm 720 përfitues dhe shpenzimet shkonin në 148 milionë lekë, në vitin 2014 numri arriti në 1920 dhe shpenzimet shkonin në 850 milionë lekë. Pra, një llogaritje e thjeshtë rezulton se gjatë kësaj periudhe 10 vjeçare u ulën 6 herë të ardhurat, ndërsa shpenzimet u rritën 13 herë. Ne erdhëm në kushtet kur gjendeshim me një skemë që kishte një kontribuues për një përfitues. Ndërkohë që, minimalisht, për të pasur një skemë pensionesh të shëndetshme që nuk kërcënon financat, nuk kërcënon kolapsin e financave të shtetit, duhen 4 kontribuues dhe 1 përfitues. Deficiti i vitit të fundit ishte 400 milionë dollarë dhe vit pas viti do të shkonte duke u rritur. Kështu që, kjo që bëjmë ne dhe kjo që sjellim sot vazhdon të shkojë në drejtimin e duhur.
Unë pata rastin të njihem me disa persona gjatë kohës që bënim aktivitetet e legalizimeve, të cilët kur merrnin lejen e legalizimit thoshin: “Nuk e mendonim që qeveria e majtë do të na jepte ne lejen e legalizimit, sepse votuam 20 vjet për Partinë Demokratike dhe gjithë shpresat i kishim që të na i jepte qeveria e shkuar. Por ajo që është akoma më e pabesueshme për ne është që sot, falë kësaj qeverie, kemi mundësi të marrim pensionin që duam”. Faktikisht, ishin dy raste të fundit në Fushë Krujë, ku ata që morën lejet dëshmuan se duke përfituar nga skema e re dhe duke paguar një detyrim që nuk kishin mundur ta paguanin gjatë viteve, sepse nuk i kishin të gjitha vitet e kontributeve për një pension, i kishin dhënë vetes sigurinë për të pasur pension deri në fund të jetës. I kam këtu, shumë raste, që nga Zabit Cuku që për 35 vjet ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe me atë formulën e vjetër nuk mund të merrte dot më shumë se 240 mijë lekë. Ndërsa duke filluar që nga ky vit ai merr 315 mijë lekë pension. Duke vijuar pastaj me Nurie Mustafën, Emeruxho Laton, Stafet Gjondedën, nga Vlora. Po jap shembuj njerëzit që i kam takuar vetë, të cilët nuk merrnin dot asnjë qindarkë dhe ishin në mëshirën e fatit dhe për herë të parë, çdo muaj, marrin 67 500 lekë pension social. Duke vijuar me Ylli Lilajn, minator, i cili me ligjin e trajtimit të veçantë si minator merrte 127 mijë lekë, ndërsa më ligjin e ri merr 85 mijë lekë më shumë, merr 211 mijë lekë. Duke vijuar përsëri me një ushtarak tjetër, Eqerem Teraliun, i cili kishte një vjetërsi totale pune 48 vjet dhe pensioni sipas ligjit të vjetër i dilte 245 mijë lekë. Sot, ai merr 342 mijë lekë, 97 mijë lekë më shumë. Një minator tjetër, të cilin e kam takuar vetë dhe nuk i besonte syve kur mori librezën. 38 vjet në galeri dhe pensioni vetëm 139 mijë lekë, ndërsa me skemën e re, 51 mijë lekë më shumë, çdo muaj. E me radhë raste të tjera, të cilat sot janë e përditshmja e pensionistëve shqiptarë në të gjitha zyrat ku marrin pension.
Ndryshe nga çfarë propagandohet, nuk ka asnjë fashë që të mos ketë rritje të pensionit. Natyrisht, është e vërtetë që kush ka më pak kontribute merr pension më të ulët dhe kush ka më shumë kontribute merr pension më të lartë. Por, është po kaq e vërtetë se sot, të gjithë fëmijët emigrantë dhe të gjithë fëmijët jo emigrantë, të prindërve që janë në pension apo të prindërve që po shkojnë drejt pensionit, mund të kontribuojnë duke i siguruar nënës apo babait një pension shumë më të lartë. Gjë e pamundur me skemën e së djathtës, por gjë plotësisht e mundur sot. Kjo qe një reformë, falë së cilës ne jo vetëm zgjidhëm një problem shumëvjeçar dhe mbyllëm hemorragjinë që shkaktonte deficiti i përvitshëm në skemë, për shkak se kontribuuesit ishin gjithmonë e më pak se përfituesit, por ne morëm edhe mbështetjen financiare, më të lartën që ka marrë ndonjëherë një qeveri në Shqipëri nga Banka Botërore, për të vazhduar me reformat dhe me implementimin e masave të tjera. Nuk do kishim marrë mbështetje financiare për të rimëkëmbur sektorin e energjisë në rast se nuk do kishim bërë reformën e pensioneve. Nuk do kishim marrë as garancinë se në 3 vitet e ardhshme shuma e kontributit të Bankës Botërore për vendin tonë mund të shkojë deri në 1 miliardë. Pse? Sepse është një kontribut i kushtëzuar nga reformat. I kushtëzuar nga reformat, jo për t’i diktuar qeverisë shqiptare apo Shqipërisë se çfarë duhet të bëjë, por për të mos financuar qeveri që fusin vendin në ‘gropë’ dhe që ua mbulojnë sytë popullit me propagandë; për të mos financuar buxhete qeverish që i bëjnë “rrush e kumbulla” paratë, duke ia futur popullit gjithmonë e më thellë të keqen, që i pret të nesërmen dhe pastaj duke i mbuluar me propagandë.
Reformat janë garanci e shëndoshjes dhe e konsolidimit të financave dhe të strukturave. Sa më të konsoliduara të jenë strukturat, aq më shumë mund të kërkohet mbështetje financiare dhe mund të kërkohen investime, e me radhë kontribute të tjera.
Besoj që, ky moment dhe kjo ditë duhet të jetë me siguri një ditë me rëndësi për opinionin publik. Vërtet një ditë me rëndësi edhe për demokratët, për ata që me të drejtë të Zotit dhe për të drejtën e tyre kanë votuar këtë partinë këtu. Këtë partinë këtu, që ka një vit e gjysmë që nuk artikulon asgjë tjetër, përveçse sulmeve kriminale dhe kriminalizuese ndaj kësaj shumice. Këtë partinë këtu, që prej një viti e gjysmë nuk artikulon asgjë, as për legalizimet, – mund të thoshte si mund t’i bëjmë më shpejt për shembull, – as për pensionet, as për çfarëdo çështjeje tjetër. E vetmja çështje e tyre është si të mbulojë me baltë gjithçka dhe ta bëjë të pajetueshme Shqipërinë për shqiptarët, për t’u përcjellë shqiptarëve mesazhin, o duhet t’i pranojmë këta në pushtet, ose nuk do të ketë kurrë qetësi, se këta po nuk ishin në pushtet, të marrin peng. Kjo është logjika e kësaj të djathte këtu.
E fundit, dekriminalizimi, një term absurd për një parlament sovran. E megjithatë, ju kemi dhënë mundësinë dhe mirëpresim të na japin opinionet e tyre dhe të na shtrojnë idetë e tyre jo për të dekriminalizuar Parlamentin, sepse të thuash të dekriminalizosh një parlament do të thotë të pranosh që populli ka zgjedhur të përfaqësohet nga kriminelë, por për të çliruar politikën nga të gjithë personat me rekorde kriminale, që duhet të humbasin të drejtën për të përfaqësuar popullin, apo për t’u ulur në shërbim të popullit. Kjo është një gjë për t’u diskutuar.
Por çfarë të diskutojmë, kur, sot, këta, që mbushën dynjanë dhe që po çudisin Europën mbarë, derë më derë e zyrë më zyrë nëpër Europë dhe nëpër botë, duke e pikturuar Parlamentin e Shqipërisë dhe politikën shqiptare sikur është një zonë e xhunglave në Brazil, e treguan se sa vullnet kanë dhe treguan se vullneti i tyre për drejtësi, për dekrimalizimim, për luftë me krimin, për luftë me korrupsionin ka një kusht, që kriminelët, të korruptuarit duhet të jenë gjithmonë kundërshtarët dhe edhe kur s’kanë të tillë, duhet të kriminalizohen dhe duhet të mbulohen me baltë. Ndërkohë që, kur janë në krahun e tyre, ju shkojnë ju bëjnë vizita, sikur shkojnë takojnë Mandelën atje, kur shkojnë të takojnë një të korruptuar të Bashkisë së Kamzës, japin edhe intervista tek dera e qelisë sikur janë Amnisty International. A thua se në Shqipëri po bëhej një persekutim politik ndaj një individi që ka përvetësuar, në mënyrën më të babëzitur, ndihmën ekonomike të njerëzve, duke dhënë ndihmë ekonomike për persona me vila nga tre kate. Ja, ky është kuti i tyre i drejtësisë, i dekriminalizimit, i raportit me rekordet kriminale të krimit dhe të korrupsionit.
Ne do të vazhdojmë t’i mirëpresim këtu, por unë jam i bindur se ne duhet të vendosim një vijë të kuqe midis kësaj ane dhe asaj ane. Kjo vijë e kuqe është rregullorja e Kuvendit. Ne vijmë këtu të diskutojmë ligje, jemi të gatshëm t’i dëgjojmë me orë të tëra kur flasin për ligjet, jemi të gatshëm t’ju përgjigjemi për çdo interpelancë, për çdo pyetje, jemi të gatshëm të replikojmë me seriozitetin dhe me respektin më të madh për çdo alternativë të tyre, sado e marrë që të jetë, por ne nuk jemi më të gatshëm t’i dëgjojmë këta, që të marrin fjalën për procedurë, që të marrin peng Parlamentin. Nuk na marrin peng ne, se po qe fjala për ne këtu, s’e kemi problem. Ne mund të rrimë edhe me orë të tëra dhe mund të bëjmë edhe sikur nuk dëgjojmë, sepse e kemi mësuar edhe këtë, se është bërë pjesë e jetës sonë politike që duhet të bëjmë edhe sikur nuk dëgjojmë, kur na mbulojnë me akuza. Problemi është se marrin peng opinionin publik shqiptar, marrin peng gjithë Shqipërinë këta. Me këtë sjellje që nuk ka gjë të krahasueshme me asnjë parlament të Bashkimit Europian, nuk ka gjë të krahasueshme me asnjë parlament të asnjë vendi demokratik të botës. Nuk mund të imagjinohet askund.
Ne duhet të jemi gati që një orë e më parë të bëjmë atë që kanë shumë vende të Bashkimit Europian. Po ju them një rast, të vetëm dhe të mjaftueshëm, Franca, një nga vendet më të mëdha të Bashkimit Europian, në Kodin e vet Penal ka të sanksionuar dhe kjo jo nga 1800-ta, por nga viti 2010, denoncimin shpifës si një vepër penale që dënohet pa asnjë diskutim. Denoncimin shpifës si një vepër penale, për të cilën duhet të mbajnë përgjegjësi që të gjithë ata merren me politikë, në radhë të parë, sepse nuk mund ta përdorin mandatin e popullit shqiptar për t’u zhgarravitur me njëri-tjetrin dhe për të zhgarravitur njëri-tjetrin, njësoj si ato qeniet e lëna pa zot atje, në Kopshtin Zoologjik. E të mos harrojmë se edhe ai demi në Kopshtin Zoologjik nuk do të sillej si këta, në qoftë se njëri nga këta nuk do të ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Faleminderit!