Rruga e Arbrit drejt përfundimit

Rruga e Arbrit, e shumëkërkuar nga banorët dhe e shumëpremtuar në dekada, po shkon drejt përfundimit. Kryeministri Rama u ndal në Urën e Vashës, pjesë e këtij aksi me standarde europiane, për t’u njohur me ecurinë e punimeve. Me përfundimin e kësaj ure dhe me ndihmën e By-pass-it të Murrizit, tanimë i gjithë aksi i rrugës së Arbrit është i lidhur.

“100 vjet që e presin e rrugën”, – u shpreh Kryeministri Rama, teksa përshkoi urën 152 metra të lartë, një ndër më të larta në rajon.

 “Është një panoramë fantastike. Dy rrugë do jenë panoramë shqiptare në dy natyra të ndryshme, rruga e Lumit të Vlorës dhe rruga e Arbrit”, – theksoi Kryeministri.

Rruga e Arbrit është një nga veprat më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit, e cila do të shkurtojë kohën e lidhjes së Dibrës me Tiranën, do të lehtësojë transportin e qytetarëve dhe do krijojë më shumë aksesueshmëri për daljen në treg të produkteve të zonës.