Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rruga e re hyrëse e Pogradecit të ofron një udhëtim magjik përgjatë gjithë vijës liqenore të Ohrit. Projekti i rrugës u rikonceptua nga e para, duke përfshirë ndërtimin e tuneleve panoramikë që rrisin sigurinë në rrugë, muret mbajtëse dhe elementë të tjerë  shtesë që e bëjnë atë një rrugë të standardeve europiane dhe një nga trajektoret turistike më të bukura të vendit.

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi inspektuan rrugën e re, e cila tashmë ka çliruar plotësisht bregun e liqenit nga ndërtimet e paligjshme.

“Kjo ishte një nga ato rrugë që i quante të përfunduara Saliu, që na mori 5 vjet për të ribërë projektin nga e para, për të rifinancuar, për të bërë të gjitha ato prishjet e rasteve që kishin nevojë për shpronësim se pa shpronësime ajo rruga pasta bëhej komplet jo turistike, por si korridor mes ndërtimeve pa leje, liqeni nuk çlirohej. Plus dhe të gjithë këto ndërhyrjet lart që ishin të domosdoshme, ndryshimi i mureve, tunelet që janë pjesë e financimit shtesë për të krijuar të gjithë këtë vijën panoramike dhe për të krijuar plazhin poshtë. Ka pasur shumë impakt edhe tek turistët që kanë ardhur, kanë pas impresione shumë pozitive. Tani, realisht është bërë komplet rruga e liqenit. Nuk është liqeni matanë rrugës,” u shpreh Kryeministri Rama.

“Një nga rrugët më të bukura në rajon”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sikundër rruga, edhe tunelet panoramike do të kenë trotuarë në të gjithë gjatësinë e tyre, si dhe të gjithë elementët urbanë, me gjelbërim, ndriçim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.