Fjala e kryeministrit Edi Rama në inspektimin e punimeve të Projektit “Rehabilitimi i Lumit të Vlorës”:
Ju e dini që unë nuk pres shirita, por projekti i kësaj rruge ka një histori shumë të veçantë. Të gjithë ata që me kanë nxitur shumë për ta realizuar këtë projekt e konsideronin të paimagjinueshme që për nisjen e këtyre punimeve të mos kishte një ceremoni. Besoj se kjo ceremoni ia vlen dhe për një arsye tjetër, që të shpëtoj dhe unë nga vlonjatët që më kanë nxirë jetën në Facebook. Nuk guxonin ata që administrojnë Facebook-un të nxirrnin fotografi apo lajme nga projektet anembanë Shqipërisë, se do vinin komentet nga vlonjatët; “do të të bëhet kockë në fyt, rruga e lumit të Vlorës që nuk e bëre”, “ku e ke lumin e Vlorës”, “harrove lumin e Vlorës”. Që ditën e parë e donin rrugën të nesërmen.
Sot jemi këtu. Është finalizuar një proces i vështirë, sepse na është dashur në krye të herës të sigurojmë financimin për këtë rrugë të re prej afro 100 kilometra. Rruga do të sjellë një transformim të madh të të gjithë zonës. Nuk është një rrugë thjeshtë për këtë zonë, por një rrugë që do t’i japë një shtysë të madhe turizmit, që do t’i japë një shtysë të madhe zhvillimit rural të lidhur me turizmin, është një aks i ri zhvillimi ekonomik dhe social.
Ishte absolutisht e rëndësishme që ne të bënim çmos për të siguruar financimin. Mos të harrojmë kushtet kur ne e nisëm punën, me rrugë të lëna rrugëve nga ai që prapë në rrugë është dhe me një mal borxhesh për shirita të prerë lartë e poshtë nëpër Shqipëri, për të bërë inaugurime dhe pastaj për t’u lënë shëndenë njerëzve. Në kushtet kur na u desh të lanim gjithë ato borxhe kompanive dhe të bënim të mundur vazhdimin e rrugëve të lëna rrugëve, na u desh njëkohësisht që të përpiqemi për të siguruar këtë financim.
Po ashtu ishte e rëndësishme që të bëhej një projekt serioz. Një pjesë tjetër e problemit tonë të madh në gjithë këto 20 e kusur vite është se edhe kur i kemi pasur paratë, shpeshherë i kemi hedhur në lum, për shkak të projekteve mizerabël. Ka pasur edhe një procedurë të tërë që na ka sjellë në lidhjen e kontratës së parë dhe prandaj jemi këtu sot.
E përshkruaj gjithë këtë për t’ju thënë vlonjatëve që padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet natyrisht me shumë respekt nga ana ime dhe nga ana jonë, por dhe ju vetë duhet të kuptojnë që punët nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, sepse kërkojnë gjithë këtë proces.
Ja ku jemi sot, këtu, të gjithë sëbashku, për t’i hapur rrugë këtij projekti që nuk është vetëm projekti i aksit kryesor, pasi në projekt përfshihen edhe lidhjet e fshatrave me rrugën e lumit të Vlorës, përfshihen edhe rehabilitime të sistemeve të infrastrukturës së vetë fshatrave. Është një projekt, i cili në harkun e dy-tre viteve do të sjellë një transformim të madh infrastrukturor dhe do të hapë rrugën e një transformimi të rëndësishëm ekonomik dhe social të të gjithë zonës.
Unë dua të falënderoj në emrin tuaj, një mik që ka qenë një nxitje jo nga Facebook-u, por nga telefoni, Mezan Malaj, i cili i përket kësaj zone dhe që ditën e parë dhe sa herë jemi, me ka kujtuar “rruga e Lumit”. Një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe gjithë të tjerët që ta sjellim këtë projekt, më në fund, në rrugën e realizimit.
Jam shumë i vetëdijshëm për pakënaqësi, për mërzitë, për padurimin e kuptueshëm të njerëzve në Vlorë, që lidhet me shumë vite pritjeje, siç është fakt që edhe në këtë projekt është pritur kaq shumë vjet, siç e tha edhe kryetari i bashkisë, që kur ishte i vogël, njerëzit nga Tirana premtonin se do ndërtonin rrugën e lumit të Vlorës. Por të mos harrojmë që nuk mund të bëjmë dot në tre e pak vjet gjithçka, për të rindërtuar dhe ndërtuar një zonë dhe një territor që kaq shumë është lënë pas dore dhe dëmtuar në vite.
I gjithë qarku i Vlorës është një nga zonat ku po bëhen investime që nuk janë bërë në 25 vjet, të marrë sëbashku. Ky është fakt. Sigurisht që ka ende nevojë dhe ka ende shumë punë për të bërë, por unë ju siguroj që transformimi që po bëjmë të mundur përmes këtyre projekteve në Vlorë do të jetë i prekshëm dhe do të sjellë një transformim të rëndësishëm ekonomik dhe social për të gjitha familjet që jetojnë në këtë zonë. Sikundër do t’i japë një shtysë më të madhe ekonomisë sonë kombëtare, sepse kjo zonë është e lidhur drejtpërdrejtë me turizmin dhe zhvillimin e mbarë vendit tonë.
Shumë faleminderit që keni bërë rrugën për të ardhur deri këtu. Unë u habita kur pashë gjithë ato makina rrugës, gjë që tregon sesa shumë dhe sa gjatë është pritur kjo rrugë dhe sesa e rëndësishme është që ne sot ta nisim dhe ta bëjmë më në fund këtë aks zhvillimi ekonomik, zhvillimi social, zhvillimi turistik për zonën dhe për gjithë Shqipërinë.
Dua t’i uroj ditëlindjen edhe kryetarit të Bashkisë së Selenicës, e kemi me PD, por e kemi të punës. Këtu në këtë zonë, partia jonë është Vlora, kështu që se socialistë, se demokratë, këtu në këtë zonë partia jonë është Vlora.
Shumë faleminderit!
***
Rruga e Lumit të Vlorës del nga harta e akseve më problematike rrugore të Vlorës. Nisi ndërtimi i aksit kryesor të rrugës prej 24 kilometrash, me një investim prej 2 miliardë lekë. Rruga, e cila përbëhet nga 4 lote me gjatësi totale rreth 100 kilometra, nis në autostradën Levan-Tepelenë, në Selenicë, Kuç, Qeparo dhe një sërë fshatrash të tjerë, duke krijuar një korridor rrugor që do të lidhë qarkun e Vlorës me bregdetin Jonian. Ky korridor shkurton jo vetëm distancën, por pritet t’i sjellë impulse të reja zhvillimit ekonomik dhe turistik të Bregut. Në muajt në vijim nis procedura kontraktuale për ndërtimin e tre loteve të tjera.
Ajo çka pritet në përfundim të projektit është një transformim rrënjësor jo vetëm i infrastrukturës, por edhe i hapësirës urbane dhe turistike. Projekti përfshin edhe rehabilitimin e sistemeve të infrastrukturës së vetë fshatrave, qendrat e të cilave do të trajtohen si zona urbane me trotuare, ndriçim, gjelbërim si dhe sinjalistikë horizontale dhe vertikale.