Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama, ishte i ftuari i posaçëm i Forumit Kenedi, në Institutin e Politikave të Harvardit. Ky forum i mirënjohur, është arena kryesore e Harvardit për fjalime politike, diskutime dhe debate.

Forumi pret rregullisht udhëheqës shtetesh, drejtues të politikës, qeverive, biznesit, punës dhe mediave.

Në fjalën drejtuar studentëve, Kryeministri Rama bëri një paraqitje të potencialeve dhe mundësive që Shqipëria ofron, si një vend që aspiron të renditet me dinjitet përkrah vendeve të tjera europiane. Kryeministri theksoi se Shqipëria shikon qartë perspektivën europiane të saj.

Nisur edhe nga zhvillimet më fundit, pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, Kryeministri Rama u shpreh se rruga që do të ndjekë Shqipëria do të jetë gjithmonë ajo e paqes dhe jo e destabilizimit mes vendeve,- kjo për të mirën e përbashkët.

“Ndeshja e futbollit na tregoi se kemi akoma shumë për të bërë në mënyrë që ritmi i ndryshimit të jetë, solid,  i qëndrueshëm dhe i pathyeshëm.

Sinqerisht – kjo përtej fjalimit – pas asaj që ndodhi, ne jemi duke u përballur me dy anë të medaljes.

Nga njëra anë me të kaluarën e dukshme mbushur me urrejtje, me fjalor të pakontrolluar plot me akuza dhe me gishtat e drejtuara tek tjetri si fajtor i kësaj situate të pakëndshme; dhe nga ana tjetër, shpresat dhe ëndrrat, që ky ndryshim fantastik në Ballkan, ka krijuar dhe që ka bërë realitet përpara syve tanë një horizont mundësish.

Ndaj, rruga e parë është ajo më e lehta e kthimit mbrapa dhe e përgjigjes me të njëjtin ton, me të njëjtën gjuhë të vjetër të politikës. Por, a ia vlen të luftosh për këtë rrugë dhe nëpërmjet saj? Apo është më mirë të luftojmë për të kaluar edhe këtë moment kaq të trishtueshëm dhe zhgënjyes dhe të shikojmë përpara për hir të gjeneratave të tjera dhe për hir të shansit që na është dhënë nga kjo mundësi historike; që të gjithë së bashku të shikojmë drejt së ardhmes. Të cilën, kemi mundësinë fantastike ta shohim si një horizont konkret, në horizontin e Bashkimit Europian? Unë besoj se kjo duhet dhe kjo do jetë rruga jonë, rruga e Shqipërisë. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë as destabilizues të Ballkanit dhe as agresorë kundrejt askujt, dhe nëse shqiptarët sot janë në një pozitë më të mirë nga ajo e 20, 10 viteve më parë, kjo e ka një kuptim. Unë besoj fort se kuptimi i kësaj është se ne kemi përftuar atë çfarë kemi ndërtuar nëpërmjet rrugëve paqësore dhe aspak të dëmshme kundër askujt për të kërkuar një vend më të mirë në rajon,” u shpreh kryeministri.

Gjatë bisedës me kryeministrin, studentët shfaqën interesimin e tyre lidhur me vazhdimësinë e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë, interesim të cilit ai iu përgjigj se rruga më e drejtë është ajo e një bashkëpunim për të krijuar imazhin e ri të një Ballkanit që meriton të hyjë në Europë.

Një prej studentëve të Harvard e pyeti Kryeministrin: “Pas asaj që ndodhi në ndeshjen Serbi-Shqipëri, lexova në një prej lajmeve se ju keni deklaruar se do të vizitoni Beogradin në fund të tetorit. Kjo besoj unë tregon se Shqipëria do të ecë përpara, por a e konsideroni ju një implikim negativ që vizita juaj mund të ketë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, sepse Serbia mund ta konsiderojë vizitën tuaj si një tolerancë ndaj Serbisë, duke pasur parasysh se gjatë këtyre ditëve ka pasur propagandë antishqiptare plot me dhunë.

Në përgjigjen e tij Kryeministri Rama tha se të luftosh me flamuj, është si të mos jesh i aftë t’i largohesh fantazmës së të kaluarës tënde. Për Kryeministrin e Shqipërisë  “ky është problemi i tyre, nuk është problemi ynë,” vlerësoi ai duke iu referuar reagimeve të pasndeshjes.

“Më duhet të pranoj se serbët treguan se kanë një fantazi më të madhe se ne dhe shumë më tepër imagjinatë katastrofike sesa ne jemi në gjendje të kemi, sepse ata janë ende në telashe të mëdha  me të kaluarën e tyre. Kur unë dëgjova për gjithë këta njerëz,-  që në njëfarë mënyre arritën të mashtronin edhe botën shpresoj vetëm për një moment, – që gjithçka ndodhi ishte vetëm për shkak të një flamuri. E kur unë pashë gjithë ata njerëz që luftonin me flamurin e një vendi tjetër, sinqerisht më erdhi keq për ta, më erdhi keq.

Sepse, unë besoj se të luftosh me flamurin e një tjetri, në një farë mënyrë është si të mos jesh i aftë t’i largohesh fantazmës tënde, të kaluarës tënde, është njësoj si të luftosh me veten tënde. Kështu që, është problemi i tyre, nuk është problemi ynë.

Problemi ynë është që të sigurojmë që nuk duhet të humbasim këtë mundësi fantastike që ne kemi, dhe ne mund t’i tregojmë botës, mund t’i tregojmë Europës, që ballkanasit janë në gjendje të ecin përpara dhe se ballkanasit nuk e meritojnë të izolohen siç ata kanë qenë të izoluar.

E, duke u kapur të gjithë në kurth nga një ndeshje futbolli, ne mund ta dëmtojmë më shumë veten tonë, vetë, duke e vetëizoluar sërish Ballkanin dhe duke bërë që njerëzit të thonë: OK, ata janë të gjithë njësoj. Ata janë njësoj siç kanë qenë në gjithë këto vite, kështu që ata nuk e meritojnë vëmendjen tonë, ata nuk e meritojnë mbështetjen tonë, ata nuk e meritojnë bashkëpunimin tonë. Ne nuk duhet të harrojmë çfarë ndodhi në Berlin. Ajo që ndodhi në Berlin është historike. Është në dorën tonë të tregojmë nëse jemi gati të shkojmë përpara dhe nëse jemi gati të jemi partnerë me Europën, ashtu siç edhe ne aspirojmë. Kështu, në qoftë se është BE, ne duhet të jemi E. Ne nuk mund të fshijmë E dhe të jemi B, sepse atëherë do të mbetemi në klasën B, për sa vjet, nuk e di. Kështu që le të nderojmë E-në.”

Takimi me Kryeministrin Edi Rama ngjalli një interes të madh në këtë Forum. Ai u ndoq në mënyrë aktive mbi një orë nga qindra të rinj, pedagogë dhe akademikë, të cilët pyetën lidhur me çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me ekonominë, si dhe zhvillimet politike në Shqipëri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.