Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për rrugën e re turistike të Velipojës, një zonë me mjaft resurse për zhvillimin ekonomik dhe turistik, jo vetëm të qarkut Shkodër, por edhe të vendit. Kryeministri, i cili shoqërohej edhe nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, u njoh nga afër me aspektet teknike të punimeve në këtë fazë.
Edhe kjo rrugë, sikurse akset e tjera rrugore të nisura së fundmi nga qeveria, theksoi Kryeministri, do të plotësojë të gjitha parametrat sa i përket standardeve të kalueshmërisë dhe sigurisë. “Është rrugë që është me rëndësi strategjike për të gjithë zonën. Është një zonë intensive turistike. Ishte koha për t’i dhënë fund kësaj vështirësie të lidhjes me qytetin, por edhe gjithë pjesës tjetër që lidhet me Velipojën. Natyrisht është shumë e rëndësishme që deri në fund të ruhen të gjitha standardet optimale në ndërtim, në mënyrë që jo vetëm të bëhet rruga, por edhe të jetë jetëgjatë dhe t’i plotësojë të gjithë nevojat dhe të gjitha kërkesat që do vijnë në rritje për zonën, sepse është qartësisht një zonë që ka një potencial shumë të madh dhe që do jetë një nga pikat më të rëndësishme në shumë vite të zhvillimit turistik dhe të zhvillimit ekonomik në të gjithë qarkun, por edhe me rol në ekonominë kombëtare.”
Kryebashkiakia Ademi vuri në dukje problematikën e rrugëve dytësore që lidhen me këtë aks, për të cilën Kryeministri Rama nënvizoi se këto çështje teknike janë në diskutim dhe projekti do plotësohet më së miri.