Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama me mësues që kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në jetësimin e kanalit “RTSH Shkollë”, të dedikuar ekskluzivisht për nxënësit gjatë pandemisë së COVID-19:

Realisht është privilegj për mua që sot të mund t’ju them një faleminderit të madhe të gjithave ju e të gjithëve ju!

Nuk besoj se i mbetet hatri disa kokrrave që janë si hudhra këtu në formë burrash, se 99% janë gra, megjithatë nuk diskutohet që edhe burrat, edhe djemtë, këtu janë të pranishëm për të njëjtën arsye, për kontributin e jashtëzakonshëm që gjithë ky grup mësuesish dhe mësuesesh ka dhënë në një moment kaq të jashtëzakonshëm. Për hir të vërtetës, dua t’ju rrëfej që në momentin kur sfida me armikun e padukshëm u shfaq e qartë përpara nesh, pjesa që lidhej me domosdoshmërinë për të mbyllur menjëherë shkollat dhe me riskun e paimagjinueshëm të mosvazhdimit të mësimit ishte ndër më sfidueset.

Sikundër e dëshmuan edhe këtu [në video-n që sapo pamë] mësueset që folën, Ministria e Arsimit u kthye në një studio xhirimi të atyre që më pas u bënë mësimet onlilne dhe pastaj, edhe mësimet përmes kanalit të Radio Televizionit Shqiptar. Realisht është diçka fantastike që u bë e mundur, në rradhë të pare, falë jush, falë të gjithë atyre mësueseve e mësuesve që e morën përsipër këtë sfidë kaq të madhe dhe bënë të mundur që pa orar, ditë e natë, me një ritëm marramendës, të viheshin në dispozicion të nxënësve, por dhe të gjithë mësuesve të tjerë, gjithë këto leksione, pa të cilat, sot do të ishim duke u përballur me një boshllëk të parikuperueshëm.

Sikundër e dëshmoi një nga mësueset që foli, kjo ishte një punë, e cila nuk u shërbeu thjesht nxënësve, por edhe shumë mësuesëve dhe mësueseve. Të gjithë ju nuk u përzgjodhët rastësisht, por në bazë të performancës suaj të nivelit më të lartë në sistemin tonë parauniversitar.

Në kohë krizash ka gjithmonë mundësi të reja. Fiton, kush krizën e kthen në një mundësi dhe mundësinë arrin ta shfrytëzojë për ta kapërcyer krizën, duke avancuar në të njëjtën kohë më tutje. E faktikisht, sot, kur ne jemi duke dalë nga tuneli i pandemisë, kemi një aset që nuk do ta kishim nëse kjo krizë nuk do na kishte imponuar këtë punë me kaq shumë ritëm e me kaq shumë efikasitet. Ky është një aset që na vlen sot, por do të na vlejë edhe nesër. Kjo është një eksperiencë që pa diskutim na ka mësuar gjëra, të cilat nuk do t’i kishim mësuar dot përndryshe dhe na ka bërë të kuptojmë sa shumë hapësirë ka në këtë rrugë, ku hymë të detyruar nga kriza, për ta çuar në një nivel më të lartë gjithë sistemin tonë arsimor parauniversitar.

Parafytyroni vetëm një fakt. Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe Radio Televizionit Shqiptar për “RTSH Shkollën” është bërë për 48 orë. Një kohë rekord, jo vetëm për të dyja institucionet, – nuk besoj në historinë e tyre të kenë arritur të lidhin ndonjë marrëveshje për 48 orë, – por për të gjitha institucionet, çka na mëson se aty ku ka një qëllim të përbashkët, të gjithë ata që mblidhen për ta realizuar e ndajnë sëbashku dhe kur secili bën pjesën e vet, mundësia për ta përshpejtuar kohën e realizimit është shumë e madhe. Nëse nuk do ishim në krizë, kjo marrëveshje mund të kishte marrë muaj apo edhe vite.

Një tjetër fakt që besoj është një mësim nga kjo eksperiencë, është se ne, – ju e dini shumë mirë, siç e dinë të gjithë mësuesit nëpër Shqipëri e të gjithë drejtuesit e arsimit, – jemi përballur prej vitesh me fenomenin shqetësues të klasave kolektive. Ashtu sikundër kemi pasur në planet tona dixhitalizimin, por u desh kriza që me një shpejtësi të rrufeshme e me një cilësi shembullore, jo vetëm të krijonim një produkt të modeluar për kushtet e krizës, por edhe të mësonim se zotëruam për një arsye tjetër, edhe një instrument për të përballur sfidën e klasave kolektive, duke arritur, nëse do të duam e sigurisht duam, që t’i ua çojmë shkollën fëmijëve në ato zona dhe në hapësirat ku vazhdon mësimi në klasa kolektive, drejtpërdrejtë në shtëpinë e tyre.

Mësimi online, e thanë këtu në video edhe kolegët tuaj që folën, nuk mund ta zëvendësojë dot asnjëherë mësimin e drejtpërdrejtë, qoftë edhe për faktin që mësimi online nuk e ka atë sinergji që krijohet mes mësuesit dhe grupit të nxënësve që e ndjekin, por patjetër mësimi online është një vlerë e shtuar dhe nëse flasim për klasat kolektive, atëherë na duhet të gjejmë rrugën si të kompensojmë për ata nxënës, të cilët tanimë mësimin e mësuesin më të mirë që mund të gjendet në Shqipëri në atë lëndë, – sepse të tillë jeni të gjithë  ju këtu e për këtë arsye jeni zgjedhur, – t’ia çojmë në shtëpi. Ndërkohë që duhet t’i zgjidhim pjesën tjetër që ka të bëjë me atë hapësirë edukimi shoqëror që të jep mundësinë shkolla ta kesh.

Një fakt tjetër, shumë të rëndësishëm besoj, që kemi mësuar nga kjo eksperiencë është se hallkat e tjera të procesit të dixhitalizimit të sistemit tonë arsimor nuk duhet të presim që t’i lidhim njëra me tjetrën në rrugën e para krizës, qoftë në aspektin e shpejtësisë, qoftë në aspektin e kapacitetit tonë të ndërveprimit. Ajo që unë do t’i thoja këtu përpara jush ministres, është që ky grup njerëzish nuk është thjesht grupi i mësueseve e i mësuesve që realizuan këtë produkt. Ky është një grup njerëzish që sot ka një dije të veçantë për një proces krejt të ri e të pandodhur më parë në Shqipëri. Është një dije që duhet shfrytëzuar, sepse jam i bindur dhe kjo mund të lexohej pa vështirësi në fjalët e të gjithë atyre që dëshmuan për këtë proces, që, nëse ministrja dhe Ministria organizon sëbashku me ju një dialog të strukturuar, për të kuptuar se çfarë mund të bëhet më mirë, edhe në raport me këtë produkt dhe çfarë mund të shtohet më tutje, për ta lehtësuar e për ta rritur cilësisht procesin mësimor, me siguri që prej jush do të ketë shumë për të mësuar.

Jam i bindur që ministrja, duke qenë vetë një pedagoge dhe edhe dekane në karrierën e saj, e ka të gjithë sensibilitetin e nevojshëm e të gjithë respektin e domosdoshëm për të vepruar në këtë drejtim, me bindjen që në raport me mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë është e para mes të barabartëve, pavarësisht se është autoriteti më i lartë i sistemit tonë arsimor.

Përfitoj nga rasti që t’ju them se unë jam shumë krenar për mësuesit e për mësueset e Shqipërisë, – jo aq krenarë për drejtorët e shkollave për hir të vërtetës, – për faktin se falë jush, reforma e bërë dhe gjithë proceset që janë vënë në lëvizje në kuadrin e reformës kanë pasur rezultat si rrjedhojë e kapacitetit tuaj për ta rritur cilësinë e mësimdhënies në kushte programimi, planifikimi dhe organizimi më të mira.

Po ashtu, unë jam shumë krenar që sot, ne kemi përfundimisht, mësues të qetë në kuptimin e statusit të tyre, të qetë në sensin e meritës së tyre, të qetë në raport me të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre, të patrazuar nga politika për arsye bindjesh apo për ato arsye të tjera që e kanë penguar për një kohë të gjatë, psikologjikisht dhe moralisht, punën tuaj më parë.

Në mos gabohen, se përgjithësisht kujtesën vizuale e kam të fortë, një nga mësueset që folëm këtu është një mësuese, e cila kishte 7 vjet pa punë. Kishte ardhur nga një zonë tjetër në Tiranë dhe nuk futej dot në punë. Doli e para në konkursin e parë të portalit “Mësues për Shqipërinë”. Nëse portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të ishte ngritur dhe nëse sistemi i vlerësimit dhe rekrutimit të mësuesve do ishte po ai, ajo zonjë, e cila këtu i jepte mend gjithë dynjasë, në kuptimin më të mirë të fjalës, do ishte ende pa punë, ndoshta. Kjo vlen sot për mijëra mësuese dhe mësues që janë bërë pjesë e sistemit falë portalit, por vlen edhe për të gjithë të tjerët që nuk i lëviz njeri nga vendi i punës për arsye të arbitraritetit që për vite të tëra e mori peng sistemin me duart e politikës.

Kjo nuk është pak, por sigurisht që kjo nuk mjafton. Sepse, nga ana tjetër, është absolutisht e rëndësishme që figurën e mësuesit të vazhdojmë ta forcojmë në të gjitha drejtimet, ku nuk diskutohet që drejtimi financiar është i pashmangshëm.

Një nga arsyet për të cilat unë ju jam shumë mirënjohës të gjithave dhe të gjithëve ju këtu është se me këtë punë që keni bërë, ju keni dhënë edhe një shembull të jashtëzakonshëm qytetarie dhe përgjegjësie në raport me njerëzit përtej punës së përditshme, sepse kjo ka qenë një punë mbi punë. Nuk është se e keni bërë këtë për shkak të ndonjë shpërblimi të veçantë, përveçse shpërblimit moral dhe asaj kënaqësie të pazëvëndësueshme që e ushqen vazhdimisht mësuesin, si rezultatit i faktit që, siç thoshte Luigj Gurakuqi, “është një përhapës i dritës”. Kjo nuk do të thotë aspak që ne mund ta harrojmë detyrimin që të vazhdojmë të rrisim shpërblimin për punën tuaj. Nuk dua të përmend këtu sa i kemi rritur pagat deri më sot, por dua t’ju them sot, kur zgjedhjet kanë mbaruar, që rritja e pagave për ju 40% është angazhim, të cilit ne do t’i qëndrojmë deri në fund, brenda këtij mandati që fillon në muajin shtator.

Mbase përsëri nuk mjafton, asnjëherë nuk mjafton në fakt, por, sidoqoftë, mendoj se rritja e pagave 40% është një rritje e konsiderueshme, e cila në mos e plotësoftë detyrimin tonë ndaj jush, dëshmon se vëmendja jonë dhe predispozita për të qenë pranë jush është në nivelin më të lartë.

Sigurisht, një pjesë e juaja sot dhe kur them një pjesë e juaja, jo thjesht ju që jeni këtu, por të gjithë mësuesit punojnë në kushte shumë më të mira. Në shkolla që nuk kanë të krahasuar me shkollat që ishin më pare. Por një pjesë tjetër jo, sepse ka ende shkolla që kanë nevojë të rindërtohen, që nuk i kanë kushtet që të jenë në të njëjtën lartësi me kontributin tuaj. Edhe në këtë drejtim, ne do të vazhdojmë në mënyrë që asnjë shkollë të mos mbetet pa u bërë pjesë e tërësisë së shkollave të transformuara.

Përfitoj nga ky rast, për të sjellë në vëmendje një aspekt tjetër, që është një sifdë e përbashkët, e jona dhe e juaja, një sfidë që ne mund ta fitojmë vetëm nëse ju, gjithë mësuesit e Shqipërisë, do keni të njëjtin angazhim që ka pasur ky grup që është këtu i pranishëm, për të bërë këtë produkt.

Kjo sfidë ka të bëjë me ngritjen në një nivel tjetër të shkollave si qendra komunitare. Sot kemi (në mos gabohen) 270 të tilla zyrtarisht, por mundësia që të gjitha shkollat të kalojnë pavarësisht kushteve, diku më të mira e diku më pak të mira, në këtë barrikatë të re, për ta shtyrë më tutje rrugën e transformimit të arsimit. Kur them shkollat qendra komunitare, kam parasysh nevojën për të programuar në mënyrë më serioze dhe me më shumë ambicie të gjithë aktivitetin e tyre, sepse edhe shkolla më e mirë qendër komunitare sot nuk është modeli që mund t’iu tregojnë të tjerëve “ja ku duhet të arrijnë të gjithë”.

Në këtë drejtim duam të fuqizojmë shumë një aspekt tjetër të shkollës, që nuk ka të bëjë me kompjuterat, por me jetën reale, ka të bëjë me dhuntitë e shqisat dhe prekjen fizike të realitetit, në mënyrë që fëmijëve, paralelisht me gjithë këtë mbështetje që do vazhdojmë t’ua japim, – sot kemi 120 klasa digjitale, por janë pak, duhet të ketë më shumë, – t’u japim mundësinë që të zhvillojnë talentet e tyre për artet, për zejet dhe për sportin.

Në programin tonë kemi një theks shumë të rëndësishëm tek inovacioni. Do t’i kushtojmë një vëmendje shumë të veçantë këtij aspekti, për të rritur kapacitetin e shkollës për t’i asistuar fëmijët në rrugën e njohjes me botën e re të teknologjisë dhe për t’u dhënë atyre disa instrumente bazë, që të dinë sesi të lëvizin brenda asaj bote. Nga ana tjetër, ne jemi shumë të varfër akoma në raport me çfarë u japim fëmijëve në shkollë, në aspektin e arteve dhe zejeve, përtej orëve rutinë të mësimit. Ambicia jonë është të hyjmë në një fazë ku komunitetet e vogla të çdo shkolle të jenë pjesë e një hapësire më të madhe, ku fëmijëve t’u jepet mundësia të ekspozojnë, të konkurrojnë, të njohin bashkëmoshatarët e tyre dhe punët e dorës së bashkëmoshatarëve të tyre në shkolla të tjera. Ashtu sikundër, në aspektin e edukimit fizik të kalojmë përtej orëve të edukimit fizik që ne i kthyem në shkollë dhe bëmë shumë mire, por që, ju e dini më mirë se unë, kanë mbetur në një nivel rutinor.

Këto do të jenë programe të dedikuara, të cilat do të mbështesin drejtpërdrejtë shkollat dhe ato komunitete mësuesish e nxënësish, që do jenë komunitete më aktive, për të qenë në gjendje që t’i përftojnë financimet dhe besoj, për të qenë në gjendje që edhe përtej financimeve direkte të qeverisë, mund të tërheqin edhe të tjerë. Si në këtë rast, ku kjo punë e bërë, nuk është thjesht puna jonë si qeveri dhe e juaja si mësues, por edhe bashkëveprimi me disa miq dhe partnerë, të cilët me shumë bujari dhe me një ndjenjë shumë të respektueshme angazhimi, bënë të mundur këtë produkt.

Ne gjithasahtu do të fusim anglishten qysh në klasën e parë. Besoj se është shumë e rëndësishme që të bëjmë të gjitha përpjekjet sëbashku, që anglishtja të bëhet realisht gjuha e dytë. Shqipja dhe anglishtja duhet të jenë dy gjuhë, të cilat ambicia jonë duhet të jetë që në fund të një procesi mësimi vitesh të caktuara, fëmijët e Shqipërisë të mund t’i përdorin më së miri për nevojat e tyre. Edhe kjo është një sfidë. Është e lehtë ta thuash, por nuk është e lehtë ta bësh, megjithatë, është një nga ato risi që i duhen Shqipërisë së 2030-ës dhe më tutje dhe i duhet patjetër fëmijëve të sotëm.

Ngado të rrotullohemi, ne kemi nevojë ta çojmë në nivel tjetër menaxhimin e shkollave. Po të krahasojmë nivelin e mësuesve mesatar me nivelin mesatar të drejtorëve të shkollave, proporcioni është shumë i zhdrejtë. Ne kemi mësues dhe mësuese, siç jeni ju këtu, por edhe plot të tjerë, që pa asnjë gajle mund t’i vendosin në të njejtën nivel me mësues dhe mësuese të të njëjtave kategori të vendeve të rajonit, por edhe të Europës. Dhe kujt thotë jo, unë i them vetëm të shikojnë progresin e nxënësve shqiptarë në barometrin e PIZA-s. Nëse kjo nuk mjafton, të shikojë sesi nxënësit e mirë që dalin nga duart tuaja dhe mësuesve shqiptarë, të cilët shkojnë jashtë shtetit për të studiuar, nuk janë aspak më pak të armatosur me dije sesa bashkëmoshatarët e tyre. Nuk është e rastësishme që nxënësit shqiptarë që dalin nga gjimnazet tona jashtë, përgjithësisht, qëndrojnë në kategoritë më të larta të vlerësimit në univeristetet edhe më prestigjoze. Janë nxënësit tuaj, nuk janë thjesht e vetëm produkt i vullnetit dhe angazhimit të tyre më të madh sesa të tjerët.

Nëse krahasojmë me të njëjtën masë drejtuesit e shkollave tona me drejtuesit e shkollave europiane, atëherë nuk jemi në të njëjtin nivel dhe nuk kemi të njëjtin komoditet kur e shohim krahasimin, siç jemi me mësuesit. Në këtë drejtim, ne kemi filluar një përpjekje shumë të rëndësishme që është Shkolla e Drejtorëve. Por përtej Shkollës së Drejtorëve na duhet në këtë proces që të njëjtën gjë që bëjmë me mësuesit të bëjmë edhe me drejtorët.

Mua personalisht më ka ardhur shumë mirë kur kam marrë informacion përsa mësues kanë qenë nëpër komisionet e zgjedhjeve përfaqësues të forcave jo të qeverisë. Pse më ka ardhur shumë mirë?

Më ka ardhur shumë mire, sepse ata mësues janë sot në punë dhe askush nuk iu ka vajtur t’iu thotë “e nxore se kush je, tani ik nga puna”. Dhe askush nuk ka ndërmenrt të shkojë e t’iu kujtojë që kanë qenë përfaqësues të opozitës në komisionet e zgjedhjeve.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për drejtorët e kjo është e vërteta. Nëse mësuesit sot zgjidhen absolutisht në bazë të meritës, drejtorët jo, nëndrejtorët jo e jo. Këtu është përgjegjësi e ministres, është përgjegjësi e Drejtorit të Përgjithshëm të Arsimit Parauniversitar që paralelisht me procesin e edukimit në vazhdim të drejtorëve përmes Shkollës së Drejtorëve të bëjnë detyrën e tyre, që të mos lejojnë që drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave të jenë nomenklaturë e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive.

Kemi patur një debat r në fillim, kur u bë portali e faktikisht, portali ishte një rrufe mbi kokën e të gjithëve, sepse tradita dihej dhe e ndanin bashkarisht të gjitha forcat politike, që kush merr pushtetin ndan edhe vendet e punës për mësuesit. Ndarja bëhet sipas parcelave të influencës të deputetëve. Debati ishte me disa deputetë që ishin më të zëshëm, sipas të cilëve, kjo na zhvesh ne nga autoriteti.

Përgjigjia ime e vazhdueshme ishte: Ata mësues që ju i fusni në shkolla për arsyet tuaja do t’ia jepnit fëmijëve tuaj? Do u thonit fëmijëve tuaj, do të bëni orë jashtë mësimore me këta mësues që unë po i çoj jashtë profilit edhe pa diplomën përkatëse, pa arsimin përkatës, që të mësojnë fëmijët e të tjerëve?

Kurrën e kurrës!

Atëherë, kjo nuk mund të diskutohet!

Ne  e kemi shpëtuar arsimin nga mësuesit që vijnë pa lidhje, por ama që mësuesit tanë, që ju dhe të gjithë të tjerët të jenë në gjendje të vënë të gjithë potencialin e tyre në shërbim të kauzës së përbashkët, duhet që jo vetëm të duan ta bëjnë, as jo vetëm që të paguhen mirë, por të jenë pjesë e një komuniteti të një shkolle që drejtohet si duhet, që drejtohet në mënyrë frymëzuese, drejtohet në mënyrë motivuese, drejtohet në mënyrë të drejtë, ku drejtuesit duhet të jenë lider, jo njerëz që merren vetem me aspektet formale të disiplinës dhe nuk janë në gjendje të bëjnë  dot një dialog të hapur me mësuesit më të mirë.

Kjo është detyrë sigurisht për ne, por thjeshtë doja që ju ta dinit që ne e dimë. Mos mendoni që jemi në ajër dhe nuk e dimë se çfarë hiqni ju nga drejtorët dhe nga drejtoreshat, jo nga të gjithë kuptohet, një pjesë e vogël e tyre, për hir të së vërtetës, jo pjesa më e madhe, janë realisht model dhe prandaj, edhe shkollat e tyre shkëlqejnë. Jo sepse nuk ka mësues si ju edhe në shkollat e tjera, por nuk ka drejtues si ata drejtues edhe në shkollat e tjera.

Ju uroj çdo të mire!

Ministrja këmbënguli shumë fort që unë të vija këtu. Tha, mësueset vijnë atje, se do vish dhe ti. Unë erdha me shumë kënaqësi dhe jam shumë i privilegjuar, sinqerisht, sepse unë nuk kam qënë mësues në gjimnaz apo në 9-vjeçare, por kam qene pedagog dhe e di shumë mirë se çfarë hiqni ju në aspektin e stresit, të ngarkesës e të energjive që duhet të shpenzoni. Realisht, kur kam parë videot e para, disa video të thjeshta që filluan të bëheshin në ditët e parë të krizës, jua them shumë sinqerisht, kanë qenë shumë inkurajuese dhe shumë frymëzuese për mua personalisht dhe shembulli juaj është një shembull frymëzues për të gjithë.

Unë desha t’jua them këtë drejtëpërdrejtë, me respektin më të madh. Dua t’ju them që duhet të përpiqeni, se me sa sukses nuk e e di, por që duhet të përpiqeni, na i bëni hallall mangësitë që vijnë për shkakun tonë dhe të jeni të bindura e të bindur që nuk është se nuk duam, por nuk i dimë të gjitha dhe nganjëherë, nga dëshira e mirë për t’i bërë gjerat shpejt, bëhen edhe gabime, ama, sa më shumë ministrja, në radhë të parë dhe ne të tjerët të jemi në gjendje t’ju dëgjojmë dhe sa më shumë ju të flisni, kur ju kërkohet ta thoni fjalën tuaj, aq më mirë e aq më shpejt do mund t’i vemë në vend, gjërat që nuk shkojnë si duhet dhe që mund të regullohen. Ka edhe gjëra që nuk shkojnë si duhet, por që duan më shumë kohë për t’u venë në vend, ka edhe të tjera që mund të vihen në vend shumë shpejt me dialog dhe me aftësinë për ta dëgjuar njëri-tjetrin. Në këtë rast me aftësinë tonë për t’ju dëgjuar juve. Nëse kjo aftësi ndonjëherë na mungon, jeni ju që duhet të na e stërvisni, duke insistuar që duhet t’ju dëgjojmë.

Unë me shumë kënaqësi do doja të vija, nëse ministrja, siç unë e mendoj, do të organizojë me ju më pas, çfarëdo takimi për të kuptuar nga ju pas kësaj experience, çfarë ju mendoni se duhet të bëhet më shumë e më mirë dhe çfarë ju mendoni se mund të shtohet, për ta çuar në një nivel tjetër edhe vetë programin e shkollës në RTSH.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.